Profeci për Egjiptin
1 Profeci për Egjiptin:
ja Zoti tek kalëron vrik përmbi re
dhe në Egjipt ja tek hyn!
Dridhen para tij idhujt e Egjiptit,
egjiptianëve u shtrëngon zemra në kraharor.
2 Do t'i nxit egjiptianët kundër egjiptianëve,
vëllai do të luftojë kundër vëllait
e i afërti kundër të afërtit,
qyteti kundër qytetit
e mbretëria kundër mbretërisë.
3 Egjiptianëve do t'u drithërohet shpirti,
synimet do t'ua pështjelloj.
Do të këshillohen me idhuj e me shortarë,
me shpirtra të vdekurish e me magjistarë.
4 Do ta lë Egjiptin në dorë sunduesish mizorë,
një mbret i ashpër do të sundojë mbi ta,
kumton Zoti, Zoti i ushtrive.
5 Ujërat e detit do të thahen,
lumi do të shterë e do të soset.
6 Përrenjtë do të qelben erë,
rrëketë e Egjiptit do të shteren,
do të mbesin pa ujë,
kallami e xunkthi do të fishken.
7 Xunkthi i lumit, që rritet brigjeve të tij,
bashkë me gjithë arat e mbjella përgjatë tij,
do të vyshken e do të thahen
e më nuk do të jenë.
8 Peshkatarët do të qajnë e do të vajtojnë,
të gjithë ata që hedhin grepin në lumë,
ata që hedhin rrjetat në ujë
do t'i zërë mjerimi.
9 Do të turpërohen punuesit e lirit,
lënurësit dhe endësit e pambukut.
10 Themelet e tij do të tronditen
e të gjithë mëditësve do t'u këputet shpirti.
11 Sa të marrë janë prijësit e Coanit!
Këshilltarët më të urtë të faraonit
këshilla të marra u dhanë.
Si mund t'i thoni faraonit:
«Pasardhës i të urtëve jam unë,
bir i mbretërve të hershëm?».
12 Ku janë, pra, të urtët e tu?
Le të ta thonë, atëherë,
le të ta bëjnë me dije,
se ç'ka vendosur t'i bëjë Egjiptit
Zoti i ushtrive.
13 Janë marrosur prijësit e Coanit,
gabohen prijësit e Memfisit .
Egjiptin e kanë mashtruar
krerët e fiseve të tij.
14 Zoti ka dërguar mes tyre
një frymë që i ka pështjelluar,
prandaj e kanë mashtruar Egjiptin
në çdo gjë që ka bërë,
ashtu siç zhgërryhet i dehuri
në të vjellat e veta.
15 Egjipti s'do të mund të bëjë kurrgjë,
as koka e as bishti i tij,
as palma e as xunkthi.
16 Atë ditë egjiptianët do të bëhen si gra, do të dridhen e do të tmerrohen prej vringëllimës së dorës së Zotit të ushtrive që do të ngrihet kundër tyre. 17 Toka e Judës do të kthehet në tmerr për Egjiptin. Kushdo që do ta kujtojë, do të dridhet nga frika, për shkak të asaj që Zoti i ushtrive ka vendosur të bëjë kundër tij. 18 Atë ditë do të jenë pesë qytete në tokën e Egjipti që do të flasin gjuhën e Kanaanit e që do të betohen për Zotin e ushtrive. Njëri prej atyre qyteteve do të quhet Ir Heres . 19 Atë ditë, në mes të tokës së Egjiptit do të ketë një altar kushtuar Zotit dhe një përmendore për Zotin do të jetë në kufi. 20 Kjo do të jetë për të gjithë tokën e Egjiptit shenjë dhe dëshmi për Zotin e ushtrive. Do t'i thërrasin Zotit, kur të jenë të shtypur, e ai do t'u dërgojë një shpëtimtar që do t'i mbrojë e do t'i çlirojë. 21 Zoti do t'i dëftehet Egjiptit dhe atë ditë egjiptianët do ta pranojnë Zotin. Do ta adhurojnë, do t'i kushtojnë fli e dhurata, do të zotohen para Zotit e do t'i përmbushin zotimet. 22 Zoti do ta godasë rëndë Egjiptin, por edhe do ta shërojë. Egjiptianët do të kthehen te Zoti. Ai do t'i dëgjojë lutjet e tyre e do t'i shërojë. 23 Atë ditë do të ketë një rrugë të gjerë nga Egjipti në Asiri. Asirianët do të shkojnë në Egjipt dhe egjiptianët në Asiri. Egjiptianët do t'i shërbejnë Zotit bashkë me asirianët. 24 Atë ditë, Izraeli do të jetë i treti bashkë me Egjiptin e me Asirinë dhe do të jetë bekim për tokën. 25 Zoti i ushtrive do ta bekojë tokën e do të thotë: «Bekuar qoftë Egjipti, populli im, Asiria, vepra e duarve të mia, dhe Izraeli, trashëgimia ime».
Të faniturit’ e Egjyftërisë.
1 Na Zoti tek po hipën mbi re të lehtë, edhe do të vinjë ndë Egjyftëri, edhe idhullat’ e Egjyftërisë do të shigullonjënë nga faqeja e ati, edhe zemëra e Egjyftërisë do të tretetë ndë mest t’ asaj.
2 Edhe do të ngrerë Egjyftianë kundrë Egjyftianëve, edhe do të luftonjënë gjithë-se-cili kundrë të vëllat, edhe gjithë-se-cili kundrë të afërmit ti: qytet kundrë qyteti, mbëretëri kundrë mbëretërie.
3 Edhe nukë do të mbetetë fryma e Egjyftërisë ndë mest t’asaj, edhe do të përpij këshillën’ e asaj, edhe do të pyesën’ idhullatë, e magjistarëtë, e ata që flasënë me të vdekuritë, e shortëtarëtë.
4 Edhe do t’ap Egjyftianëtë ndë dorë zotëris t’ashpërë, edhe mbëret i egrë do t’i urdhëronjë ata, thotë Zoti, Zoti i ushtërivet.
5 Edhe ujëratë do të shtërponjënë nga detëratë, edhe lumi do të humbasë e do të thahetë.
6 Edhe lumratë do të shtërponjënë, rrëket’ e thurura do të sprazen’ e do të thahenë, kallami e kulmaku do të fyshkenë.
7 Livadhetë afër rrëkevet, edhe ç’do gjë që është mbiellë buzë rrëkevet, do të thahetë, e do të hidhetë tej, e nukë do të jetë (më).
8 Edhe peshkatarëtë do të psherëtinjënë, edhe gjith’ ata që hedhënë grep ndëpër rrëket do të valëtonjënë, edhe ata që hedhënë rrieta ndëpër ujërat do të bënenë të vdekurë.
9 Edhe ata që punonjënë li të hollë, edhe ata që gërshetonjënë rrieta, do të trazonenë.
10 Edhe shtyllat’ e asaj do të dërrmonenë, edhe gjith’ ata që fitonjënë nga lëqenjt’ e pishqevet.
11 Me të vërtetë të parët’ e Zoanësë (janë) të marrë, këshilla e këshilltarëvet urtë të Faraonit u bë bagëti pa golë; qysh i thoni Faraonit: Unë jam i biri të urtëvet, bir mbëretërish të vietërë?
12 Ku, ku janë të diturit’ e tu? Edhe le të thonë ty tashi, edhe le të kuptonjënë ç’këshilloi Zoti i ushtërivet kundrë Egjyftërisë.
13 Krerët’ e Zoanësë u marrëzuanë, krerët’ e Nofësë humpnë udhënë, edhe krerët’ e faravet asaj kobuan’ Egjyftërinë.
14 Zoti derdhi ndë mest t’asaj frymë marrëzie, edhe kobuan’ Egjyftërinë mbë gjithë punët e asaj, sikundrë gënjehet i dejturi ndë të viellët të ti.
15 Edhe nukë do të jetë ndonjë punë për Egjyftërinë, që të munt të bënjë kryetë a bishti, dega a kulmaku.
16 Atë ditë Egjyftianëtë do të jenë posi gra, edhe do të tremben’ e do të frikësonenë nga dora e Zotit ushtërivet, kur të tundetë, të cilën’ e tunt mbi ata.
17 Edhe dheu i Judhësë do të jetë frikë për Egjyftianëtë; gjithë-kush të kujtonjë atë do të tristonjë, për këshillën’ e Zotit ushtërivet, që tha t’e bënjë kundrë atyreve.
18 Atë ditë pesë qytete do të jenë ndë dhe të Egjyftërisë, që të flasënë gluhën’ e Hanaanësë, edhe të përbetonenë mbë Zon’ e ushtërivet; njëra do të kluhetë Qyteti i Herësë.
19 Atë ditë do të jetë ndë mest të dheut Egjyftërisë therore për Zonë, edhe shtyllë ndë sinuar t’asaj për Zonë.
20 Edhe do të jetë ndë dhet të Egjyftërisë për shenjë e për deshmi mbë Zon’ e ushtërivet, sepse do t’i thërrasënë Zotit nga pun’ e atyre që i shtrëngonjënë, edhe do të dërgonjë ndër ata një shpëtimtar, e një të math, edhe do t’i shpëtonjë ata.
21 Edhe Zoti do të njihetë ndër Egjyftianëtë, edhe Egjyftianëtë do të njohënë Zonë atë ditë, edhe do t’i bienë kurban e dhuratë, edhe do të kushtonjënë kushtim për Zonë, edhe do t’e lanjënë.
22 Edhe Zoti do t’i bierë Egjyftërisë, do t’i bierë edhe do t’e shëronjë (atë), edhe do të këthenenë te Zoti, edhe do t’i luten’ ati, edhe do t’i shëronjë ata.
23 Atë ditë do të jetë një udh’ e madhe nga Egjyftëria nd’ Asyri, edhe Asyrianëtë do të vinjënë ndë Egjyftëri, edhe Egjyftianëtë nd’ Asyri, edhe Egjyftianëtë bashkë me Asyrianëtë do t’i shërbenjënë (Zotit).
24 Atë ditë Israili do të jet’ i treti me Egjyftianin’ e me Asyrianinë, (do të jetë) bekim ndë mest të dheut.
25 Sepse Zoti i ushtërivet do të bekonjë ata, e do të thotë: Qoftë bekuar’ Egjyftëria gjëndëja ime, edhe Asyria pun’ e duaret mia, edhe Israili trashëgimi im.