Frytet e para
1 «Kur të hysh në tokën që po të jep për trashëgimi Zoti, Perëndia yt, kur ta pushtosh e të banosh në të, 2 merri të gjitha prodhimet e para të tokës që po të jep Zoti, Perëndia yt, vendosi në shportë e shko te vendi që Zoti, Perëndia yt, do të zgjedhë për të vënë emrin e tij. 3 Shko te prifti që shërben gjatë asaj kohe e thuaji: “Unë shpall sot para Zotit, Perëndisë tënd, se hyra në tokën që Zoti u premtoi etërve tanë se do të na e jepte neve”. 4 Atëherë prifti do të ta marrë shportën nga dora e do ta vendosë para altarit të Zotit, Perëndisë tënd. 5 Ti do të përgjigjesh e do të thuash para Zotit, Perëndisë tënd: “Im atë ishte një arameas endacak , shkoi në Egjipt me një grusht njerëz e atje banoi si i huaj. U bë një komb i madh, i fuqishëm e i shumtë. 6 Egjiptianët na keqtrajtuan, na shtypën e na munduan me punë të rënda. 7 Ne i thirrëm Zotit, Perëndisë së etërve tanë, e Zoti na dëgjoi e i pa vuajtjet, mundimet dhe mjerimin tonë. 8 Ai na nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme, me krah të fortë, me vepra të tmerrshme, me shenja e mrekulli. 9 Na solli në këtë vend e na dha këtë tokë, tokën që rrjedh qumësht e mjaltë. 10 Prandaj dhe i solla frytet e para të tokës që më dhe ti, o Zot”. Atëherë vendosi para Zotit, Perëndisë tënd, e përkulu me nderim para tij. 11 Gëzohuni, ti, leviti dhe i ardhuri mes teje, me çdo të mirë që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë ty dhe shtëpisë sate.
12 Kur të kesh mbaruar së mbledhuri të dhjetën e tërë prodhimeve të vitit të tretë, që është viti i të dhjetave, jepja levitit, të ardhurit, jetimit e të vesë, që ata të hanë në qytet e të ngopen. 13 Atëherë do të thuash para Zotit, Perëndisë tënd: “E hoqa të dhjetën e shenjtëruar nga shtëpia e për më tepër ia dhashë levitit, të ardhurit, jetimit e të vesë, sipas çdo urdhërimi që më dhe. Nuk shkela e nuk harrova asnjë nga urdhërimet e tua. 14 Nuk hëngra nga e dhjeta kur isha në zi, nuk e hoqa kur isha i papastër e as nuk ia dhashë të vdekurit. Ta dëgjova zërin, o Zot, Perëndia im, dhe bëra gjithçka që më urdhërove. 15 Hidhi sytë prej banesës tënde të shenjtë, prej qiellit, dhe bekoje popullin tënd, Izraelin, e tokën që na dhe, siç u premtove etërve tanë, tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë”.
Përfundimi
16 Në këtë ditë, Zoti, Perëndia yt, po të urdhëron që t'i mbash këto rregulla e vendime. Mbaji e zbatoji me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd. 17 Në këtë ditë ke shpallur se Zoti është Perëndia yt, se do të ecësh udhëve të tij, do të mbash rregullat, urdhërimet e vendimet e tij e do të dëgjosh zërin e tij. 18 Edhe Zoti të ka shpallur sot popullin e tij të çmuar, siç të premtoi, se do t'i mbash urdhërimet e tij, 19 se do të të lartësojë në lavdërime, në emër e në nder mbi çdo komb që krijoi dhe se do të jesh një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd, siç premtoi».
1 Edhe kur të hynjç nd’ atë dhe që t’ep Zoti Perëndia yt për trashëgim, edhe të trashëgojsh atë, e të rrish nd’ atë, 2 atëherë të marrsh nga gjithë pemët’ e para të dheut, që të mbëlethsh nga ay dheu yt, që t’ep Zoti Perëndia yt, edhe t’i vësh ndë shportët, edhe t’i shpiesh nd’ atë vënt që të sgjethnjë Zoti Perëndia yt për të ndenjur’ atie emëri i tij. 3 Edhe të veç te prifti, që është ndër ato dit, e t’i thuash: Po i ap zë sot Zotit Perëndisë tënt, se hyra nd’ atë dhe, që iu përbetua Zoti atëret t’anë të na e apë.
4 Edhe prifti të marrë shportënë prej dorësë s’ate, edhe ta vërë përpara theroresë Zotit Perëndisë tënt.
5 Edhe të flaç e të thuash përpara Zotit Perëndisë tënt: Im-atë ish Syrian i humbur’ udhënë, edhe sbriti ndë Egjyftëri, edhe ndenji atie i huajë me pak njerës, u bë atie komp i math, e i fortë, e i shumë ndë numërë; 6 edhe Egjyftëtë na munduanë, e na shtrënguanë, e vunë mbi ne skllavëri të ashpërë;
7 edhe i klithm Zotit Perëndis’ atëret t’anë, edhe Zoti na dëgjoi zënë, edhe vështroi shtrëngatënë t’onë, e mundimnë t’anë, e acarimnë t’anë; 8 edhe Zoti na xori nga Egjyftëria me dorë të fortë, e me krah të ndejturë, e me çudi të mëdha, e me shenje, e me mërekulli; 9 edhe na kalli ndë këtë vënt, edhe na dha këtë dhe që rrieth klumësht e mjaltë;
10 edhe tashi, na tek prura pemët’ e para t’atij dheut, që më dhe ti, o Zot. Edhe t’i vësh ato përpara Zotit Perëndisë tënt, edhe të falesh përpara Zotit Perëndisë tënt.
11 Edhe të gëzonesh për gjithë të mirat që të dha Zoti Perëndia yt ty edhe shtëpisë s’ate, ti, edhe Leviti, edhe i huaji, që është ndë mest tënt.
12 Si të mbarojsh së dhietuari gjithë të dhietat’ e drithit tënt mbë të tretinë vit, vitin’ e së dhietësë, edhe t’i apsh Levitit, e të huajit, e të varfërit, e së vesë, edhe të hanë përbrënda dyeret tua, e të nginjenë, 13 atëherë të thuash përpara Zotit Perëndisë tënt: Qërova kushtimetë nga shtëpia, i dhash’ edhe Levitit, e të huajit, e të varfërit, e së vesë, pas gjith’ urdhërimevet tu që më urdhërove; nukë kapërceva porosit’ e tua, as nuk’ i harrova: 14 nukë hëngra prej asosh ndë vajët t’ime, as nukë mora prej asosh për ndonjë kafshë të ndyrë, as nukë dhashë prej asosh për të vdekurë, i dëgjova zënë Zotit Perëndisë t’im, bëra pas gjithë sa më urdhërove;
15 vështro nga shtëpia jote e shënjtëruara, nga qielli, edhe beko gjëndëjenë tënde Israilinë, edhe dhenë që na dhe, sikundrë u u përbetove atëret t’anë, atë dhenë që rrieth klumësht e mjaltë.
16 Sot të urdhëroi Zoti Perëndia yt të bëjsh këta urdhërime e këta gjyqe, përandaj të ruajsh e të bëjsh ato me gjithë zëmrënë tënde, e me gjithë shpirtinë tënt.
17 Ke sgjedhurë Zonë sot të jetë Perëndia yt, edhe të ecënjç mb’ udhët t’atij, e të ruajsh urdhërimet’ e atij, e porosit’ e atij, e gjyqet e atij, edhe t’i dëgjojsh zënë atij;
18 edhe Zoti të tha sot të jesh te ay gjëndëje e sgjedhurë, sikundrë të foli ty, edhe të ruajsh gjithë porosit’ e atij; 19 edhe të të bënjë të lartë përmbi gjithë kombat që ka bërë, për mburim, e për emërë, e për lavdi; edhe të jesh gjëndëje e shënjtëruarë te Zoti Perëndia yt, sikundrë foli.