Moisiu takon Jetrin
1 Jetri, prifti i Midianit, vjehrri i Moisiut, dëgjoi për gjithçka kishte bërë Perëndia për Moisiun e Izraelin, popullin e tij, dhe sesi Zoti e kishte nxjerrë nga Egjipti. 2 Atëherë ai mori me vete Seforën, gruan e Moisiut, që Moisiu e kishte dërguar tek i ati, 3 bashkë me dy bijtë e saj. Njëri quhej Gershom, se Moisiu kishte thënë: «Jam i ardhur në dhe të huaj!», 4 ndërsa tjetri quhej Eliezer, se kishte thënë: «Perëndia i atit tim është ndihma ime! Ai më shpëtoi nga shpata e faraonit». 5 Jetri, vjehrri i Moisiut, bashkë me të shoqen e Moisiut dhe bijtë e tij, shkoi te Moisiu në shkretëtirë, te vendi ku ai po fushonte, pranë malit të Perëndisë. 6 Ai i çoi fjalë: «Jetri, vjehrri yt, po vjen te ti bashkë me gruan tënde dhe me dy bijtë e saj». 7 Moisiu doli për të takuar të vjehrrin. Iu përkul me nderim, e puthi dhe pasi përshëndetën njëri-tjetrin hynë në tendë. 8 Moisiu i tregoi të vjehrrit gjithçka Zoti i bëri faraonit dhe Egjiptit për hir të Izraelit. Ai i tregoi për tërë vështirësitë që kishin hasur rrugës dhe sesi Zoti i kishte shpëtuar. 9 Jetri u gëzua për tërë të mirat që Zoti kishte bërë për Izraelin duke e çliruar nga dora e egjiptianëve.
10 Atëherë ai tha: «Bekuar qoftë Zoti, që ju çliroi nga dora e egjiptianëve dhe nga dora e faraonit, që e çliroi popullin nga kthetrat e Egjiptit. 11 Tani e di se Zoti është më i madh se tërë perënditë e tjerë, sepse e tregoi kur egjiptianët u sollën me kryeneçësi kundër popullit të tij». 12 Pastaj Jetri, vjehrri i Moisiut, kushtoi fli shkrumbimi dhe flijime për Perëndinë. Aroni dhe tërë pleqtë e Izraelit erdhën për të ngrënë bashkë me vjehrrin e Moisiut në prani të Perëndisë.
Këshilla e Jetrit
13 Të nesërmen, Moisiu u ul për të gjykuar popullin. Populli qëndronte para tij nga mëngjesi deri në mbrëmje. 14 Kur Jetri pa gjithçka që Moisiu bënte për popullin, i tha: «Çfarë po i bën kështu popullit? Përse ulesh e gjykon i vetëm, ndërkohë që tërë populli qëndron para teje nga mëngjesi deri në mbrëmje?». 15 Moisiu iu përgjigj të vjehrrit: «Se populli vjen tek unë për të marrë këshilla prej Perëndisë. 16 Kur ka mosmarrëveshje, ata vijnë tek unë që t'i gjykoj dhe t'u mësoj rregullat dhe ligjet e Perëndisë». 17 Por i vjehrri i tha: «Nuk e ke mirë punën! 18 Do të rraskapitesh si ti, ashtu edhe populli. Kjo punë është tepër e rëndë për ty. Nuk e bën dot vetëm. 19 Më dëgjo! Unë po të këshilloj kështu dhe Perëndia e bëftë mbarë: ti përfaqëso popullin para Perëndisë dhe paraqiti çështjet para tij. 20 Mësoju rregullat dhe ligjet. Bëju të ditur udhën, në të cilën duhet të ecin dhe veprat që duhet të bëjnë. 21 Por, zgjidh nga populli disa njerëz të aftë, që e druajnë Perëndinë, njerëz të besuar dhe që e urrejnë përfitimin e padrejtë. Vendosi në krye të popullit si prijës të një mijë, të njëqind, të pesëdhjetë dhe të dhjetë vetëve. 22 Ata ta gjykojnë popullin në çdo kohë. Çështjet e rënda t'i paraqesin ty, ndërsa ato të rëndomtat t'i gjykojnë vetë. Kështu, barra do të të lehtësohet, se do ta ndash me të tjerë. 23 Nëse vepron kështu dhe Perëndia e miraton, atëherë do t'i bësh ballë punës dhe gjithë ky popull do të kthehet në shtëpi i kënaqur».
24 Moisiu e dëgjoi fjalën e të vjehrrit dhe bëri siç i tha ai. 25 Zgjodhi prej popullit të Izraelit njerëz të aftë dhe i vuri në krye të popullit si prijës të një mijë, të njëqind, të pesëdhjetë dhe të dhjetë vetave. 26 Ata e gjykonin popullin në çdo kohë. Çështjet e rënda ia paraqitnin Moisiut, ndërsa ato të rëndomtat i gjykonin vetë. 27 Pastaj Moisiu e përcolli të vjehrrin dhe ai shkoi në vendin e vet.
1 Edhe Jethroi, prifti i Madhiamësë, i vëjehërri Moisiut, kur dëgjoi gjithë sa i bëri Perëndia Moisiut, edhe Israilit gjëndëjesë ti, se Zoti nxori Israilinë nga Egjyptëria, 2 atëhere Jethroi, i vëjehërri Moisiut, mori Zipporahënë, të shoqen’ e Moisiut, që e kishte dërguarë prapa, 3 edhe të dy të bijt’ e asai, nga të cilëtë njëri (e kishte) emërinë Gershom, sepse tha: Ndenja i huajë ndë dhe të huajë, 4 edhe tiatri (e kishte) emërin’ Eliezer, sepse tha: Perëndia i tim et më ndihu, e më shpëtoi nga kordha e Faraonit, 5 edhe Jethroi, i vëjehërri i Moisiut, erdhi te Moisiu, bashkë me të bijt’ e ati, e me të shoqen’ e ati, ndë shkretëtirët, atie ku kishte ngulur ushtërinë ndë malt të Perëndisë, 6 edhe i dha zë Moisiut: Unë Jethroi, yt vëjehërr po vinj te ti, edhe jot shoqe, edhe të dy të bijt’ e asai bashkë me atë.
7 Edhe Moisiu i dolli përpara të vëjehërrit, edhe i unji kryetë, edhe e puthi, pastaj pyetnë njëri jatrinë për shëndetinë, edhe hynë ndë tendët. 8 Edhe Moisiu i tregoi të vëjehërrit gjithë sa i bëri Zoti Faraonit edhe Egjyptianëvet për Israilinë, (edhe) gjithë mundimetë që u gjanë atyre mb’udhë, edhe shpëtoi ata Zoti. 9 Edhe Jethroi u gëzua tepërë për gjithë sa të mira i bëri Israilit Zoti, të cilin’ e shpëtoi prei dorësë Egjyptianëvet. 10 Edhe Jethroi tha: (Qoftë) bekuarë Zoti, që u shpëtoi juve nga dora e Egjyptianëvet, edhe nga dora e Faraonit, i cili shpëtoi gjëndëjenë (që qe) ndënë dorët të Egjyptianëvet, 11 tashi e njoh se Zoti (ësht’) i math përmbi gjithë perëndirat, sepse nd’atë gjë, që u madhështuanë, (u bë) më i lartë se ata.
12 Pastaj Jethroi, i vëjehërri i Moisiut, mori (kurbane) të diegurë gjithë, edhe kurbane për Perëndinë, edhe erdhi Aaroni, edhe gjithë pleqt’ e Israilit, të haninë bukë bashkë me të vëjehërrin’ e Moisiut, përpara Perëndisë.
13 Edhe mbë të nesërmet Moisiu ndenji të gjukonte gjëndëjenë, edhe gjëndëja rrinte përpara Moisiut që ndë mëngjest e gjer mbrëmanet. 14 Edhe i vëjehërri i Moisiut kur pa gjithë sa i bënte gjëndëjesë, tha: Ç’(është) këjo punë, që i bën ti gjëndëjesë? Përse rri ti vetëmë, edhe gjithë gjëndëja rri përpara teje që ndë mëngjest e gjer mbrëmanet? 15 Edhe Moisiu i tha të vëjehërrit: Sepse gjëndëja vien tek unë për të pyeturë Perëndinë, 16 edhe kur kanë ndonjë punë vinjënë tek unë, edhe unë gjukonj ndërmest njërit e jatrit, edhe dëftonj urdhërimet’ e Perëndisë, edhe nomin’ e ati. 17 Edhe i vëjehërri i Moisiut i tha: Nuk’ (ësht’) e mirë këjo punë, që bën ti, 18 me të vërtetë edhe ti do të lodhesh, edhe këjo gjëndëja, që (rri) bashkë me ty, sepse puna (është) fort e rëndë për ty, nukë munt ta bënjç këtë vetëmë, 19 dëgjo pra zënë tim, do të të këshillonj, edhe Perëndia do të jetë bashkë me ty: Ti të jesh përpara Perëndisë për gjëndëjenë, që t’i zësh n’gojë Perëndisë punëtë, 20 edhe u mëso atyreve urdhërimet’ edhe nominë, edhe u dëfto atyre atë udhënë që duhetë të ecënjënë, edhe ato punëtë që duhetë të bënjënë, 21 po sgjith nga gjithë gjëndëja burra të vëlyerë, që t’i kenë frikë Perëndisë, burra të duanë të vërtetënë, t’i kenë mëri lakëmimit e argjëndit, edhe vërë krerë mbi ata kryemilës, e kryeqindës, e kryepesëdhietës, e kryedhietës, 22 edhe le të gjukonjënë gjëndëjenë përherë, edhe çdo punë të madhe, le ta bienë te ti, po çdo punë të vogëlë le ta gjukonjën’ ata, kështu do të lehsonesh, edhe do të mbanjënë (barrënë) bashkë me ty; 23 ndë bëfsh këtë punë, edhe Perëndia të urdhëron (kështu), atëhere do të munç të qëndronjç, pastaj edhe gjithë këjo gjëndëje do të harrinjë ndë vënt të saj me paqtim.
24 Edhe Moisiu dëgjoi zën’ e të vëjehërrit, edhe bëri gjithë sa tha. 25 Edhe Moisiu sgjodhi nga gjith’ Israili burra të zotë, edhe i vuri ata të parë mbi gjëndëjenë, kryemilës, e kryeqindës, e kryepesëdhietës, e kryedhietës, 26 edhe gjukoninë gjëndëjenë mbë çdo kohë, por punët’ e rënda ja bijnë Moisiut, edhe çdo punë të vogëlë e gjukonin’ ata.
27 Pastaj Moisiu përcolli të vëjehërrinë, i cili vate ndë dhe të ti.