Viti shtunor
1 «Në fund të çdo viti të shtatë do të shpallësh shlyerjen e huave. 2 Atë vit do të veprohet kështu: çdo huadhënës do ta falë huan e dhënë e nuk do ta kërkojë atë nga i afërti apo nga i vëllai, sepse është viti i faljes së Zotit. 3 Të huajve mund t'ua kërkosh huan, vëllezërve të tu, do t'ua falësh. 4 Gjithsesi, nuk do të ketë skamnorë mes jush, sepse Zoti, Perëndia yt, do ta bekojë tokën, që po të jep për trashëgimi, 5 nëse e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, e i mban tërë këto urdhërime që unë po të urdhëroj sot. 6 Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë, siç të premtoi e ti do t'u japësh hua shumë kombeve, por vetë nuk do të marrësh hua. Do të sundosh shumë kombe, por ty nuk do të të sundojnë.
7 Por, nëse ka ndonjë skamnor mes izraelitëve, vëllezërve të tu, në ndonjë prej qyteteve në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, mos u trego zemërgur e dorështrënguar me vëllanë tënd nevojtar. 8 Ji dorëhapur me të e jepi hua mjaftueshëm çka do që ka nevojë. 9 Ruhu se mendon gjëra të pahijshme e thua: “Do ta shpërfill vëllanë nevojtar e nuk do t'i jap hua, ngaqë po afron viti i shtatë, viti i faljes së huave”. Atëherë ai do t'i thërrasë Zotit kundër teje dhe ti do të biesh në mëkat. 10 Jepi me gjithë zemër e pa u trishtuar, sepse kështu, Zoti, Perëndia yt, do të bekojë çdo vepër e çdo punë të duarve të tua. 11 Ngaqë skamnorët nuk do të reshtin në tokën tënde, unë po të urdhëroj që të tregohesh dorëhapur ndaj vëllait tënd nevojtar e të varfër.
12 Nëse të shesin ndonjë hebre apo hebreje, ai ose ajo do të të shërbejë për gjashtë vjet, por vitin e shtatë do ta lësh të shkojë të lirë. 13 Kur ta lësh të lirë, mos e nis duarzbrazur. 14 Mbushe plot me prodhimet e bagëtisë, lëmit e torkut tënd. Jepi, siç të bekoi edhe ty Zoti, Perëndia yt. 15 Mos harro se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit dhe se të çliroi Zoti, Perëndia yt, prandaj dhe unë po ta urdhëroj sot këtë gjë. 16 Por, nëse ai thotë: “Nuk dua të largohem prej teje”, sepse e do shtëpinë tënde dhe gjendet mirë me ty, 17 atëherë merr një fëndyell, shpoja veshin te dera dhe ai do të jetë përgjithmonë skllavi yt. Kështu do të bësh edhe me skllaven tënde.
18 Mos të të duket e vështirë ta lësh të lirë, sepse për gjashtë vjet ai të shërbeu sa dyfishi i një mëditësi. Zoti, Perëndia yt, do të bekojë çdo gjë që bën.
Të parëlindurit
19 Shenjtëroja Zotit, Perëndisë tënd, të gjithë të parëlindurit meshkuj të qeve e të dhenve. Mos e vër në punë të parëlindurin e kaut e mos e qeth të parëlindurin e dhenve. 20 Ti dhe familja jote t'i hani çdo vit para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që do të zgjedhë Zoti. 21 Nëse i parëlinduri ka ndonjë të metë, nëse është i çalë, i verbër apo ka ndonjë të keqe tjetër, mos ia flijo Zotit, Perëndisë tënd. 22 Atë mund ta hash në qytetin tënd dhe prej tij mund të hajë si i pastri, ashtu edhe i papastri, siç hahet mishi i gjahut. 23 Gjakun mos ia ha, por derdhe në tokë si ujë».
1 Ndë funt të shtatit vit të bëjsh ndëlesë. 2 Edhe ky (është) nomi i ndëlesësë: Ç’do hua-dhënës, që t’i ketë dhënë hua të afërëmit tij, t’ja lënjë (atë); të mos e kërkonjë nga i afërëmi i tij, a nga i vëllai i tij, sepse këjo kluhetë ndëles’ e Zotit. 3 Nga i huaji munt ta kërkojsh, po dora jote ja ka për të lënë t’yt-vëlla ç’ka nga të tuatë, 4 që të mos jet’ i vobek ndë mest jush, sepse Zoti do të të bekonjë fort nd’ atë dhe që t’ep Zoti Perëndia yt për trashëgim, që t’e urdhëronjç, 5 vetëmë ndë dëgjofsh me kujdes zën’ e Zotit Perëndisë tënt, që të mbash vesh të bëjsh gjithë porositë që po të urdhëronj unë sot. 6 Sepse Zoti Perëndia do të të bekonjë, sikundrë t’u zotua; edhe do t’u huajsh shumë kombave, po ti nukë do të huahesh; edhe do të mbëretëronjç mbi shumë komba, po mbi ty s’kanë për të mbëretëruarë.
7 Ndë është ndë mest tënt ndonjë i vobek nga t’ët-vëllezër përbrënda dyeret tua, ndë dhet tënt që t’ep Zoti Perëndia yt, të mos ashpërojsh zëmrënë tënde, as të mos mbyllç dorënë tënde nga i vobegu yt-vëlla, 8 po t’i hapsh fare atij dorënë tënde, edhe t’i huajsh fare atij mjaft për nevolën’ e atij, ç’i duhetë. 9 Shiko të mos shkonjë mendim i keq ndë zëmërët tënde, e të thuash: Po afronet’ i shtati vit, viti i ndëlesësë, edhe të diallësonetë syri yt mbi të vobegunë t’ët-vëlla, e të mos i apsh atij, e t’i thërrasë Zotit kundrë teje, e të zihetë ty për fal. 10 Vërtet t’i apsh atij, edhe zemëra jote të mos diallësonetë kur t’i apsh atij, sepse përandaj do të bekonjë Zoti Perëndia yt gjithë punët’ e tua, edhe gjithë ç’të zësh me dorë.
11 Sepse nukë do të mbetetë dheu (yt) pa të vobek, përandaj po të urdhëronj unë, e po të them: Fare të hapsh dorënë tënde te yt-vëlla, te i vobegu yt, edhe te i nevolëshimi yt mbi dhet t’ënt.
12 Ndë u shittë te ti yt-vëlla, Hebre a Hebrejkë, do të të shërbenjë gjashtë viet, edhe të shtatinë vit ta lërojsh atë të shkonjë prej teje. 13 Edhe kur ta lëronjç atë të shkonjë prej teje, të mos e dërgojsh me dorë të thatë: 14 t’i apsh atij nga dhënt’ e tua, e nga lëma jote, e nga liri yt; t’i apsh atij nga ç’do gjë që të ka bekuarë Zoti Perëndia yt. 15 Edhe të kujtojsh se ke qënë shërbëtuar ndë dhet të Egjyftërisë, edhe të shpërbleu Zoti Perëndia yt, përandaj unë po të urdhëronj këtë kafshë sot.
16 Po ndë të thëntë: Nukë dal prej teje, sepse të desha ty edhe shtëpinë tënde, sepse puna po të vete mbarë, 17 atëherë të marsh një shtijëzë, e t’i shpojsh veshinë te dera, edhe ta kesh shërbëtuar për kurdo; edhe shërbëtoresë s’ate po kështu t’ja bënjç.
18 Të mos të vinjë keq kur ta lëronjç atë të shkonjë prej teje, sepse të shërbeu dy herë më tepërë se një shërbëtuar i pajtuarë, gjashtë viet; edhe Zoti Perëndia yt do të bekonjë gjithë ç’të bënjç.
19 Gjithë kërthinjat’ e para që lenjënë meshkuj ndër lopët’ e tua e ndër dhënt e tua do t’ja biesh dhurëti Zotit Perëndisë tënt; mos e vësh mbë punë viçin’ e parë, as mos e qethç qëngjin’ e parë të dhënet tua. 20 Ta hash atë për vit përpara Zotit Perëndisë tënt, nd’ atë vënt që të sgjethnjë Zoti, ti edhe shtëpia jote.
21 Edhe ndë qënt’ i fëlliqurë, a i çalë, a i verbërë, a (të ketë) ndonjë të fëlliqurë të keq, të mos ja bënjç kurban Zotit Perëndisë tënt. 22 Ta hash atë përbrënda dyeret tua, (ta hajë atë) i paqëruari edhe i qëruari radhazi, posi kapruallinë edhe posi drërinë. 23 Po gjaknë të mos ja hani, ta derthni atë mbi dhet posi ujë.