Rregulla të ndryshme
1 «Kur has kaun ose delen e të afërtit, që enden rrugëve, mos bëj sikur nuk i sheh, por merri e çoja. 2 Nëse i zoti nuk banon pranë e ti nuk e njeh, merri në shtëpi, mbaji derisa ai t'i kërkojë e atëherë ktheja. 3 Kështu vepro edhe me gomarin, rrobën apo gjithçka të humbur që gjen. Mos bëj sikur nuk i sheh.
4 Kur has gomarin ose kaun e të afërtit të rrëzuar në rrugë, mos bëj sikur nuk sheh, por ndihmoje ta ngrejë.
5 Gruaja të mos mbajë rroba burrash e as burri të mos vishet me rroba grash, sepse kushdo që bën kështu i neveritet Zotit, Perëndisë tënd.
6 Nëse rrugës gjen ndonjë fole me zogj apo me vezë, mbi pemë apo përtokë, dhe mbi to rri e ëma, mos ua merr klloçkën zogjve. 7 Lëre klloçkën të lirë, ndërsa zogjtë merri me vete. Kështu, do të të shkojë mbarë e do të jetosh gjatë.
8 Kur të ndërtosh një shtëpi të re, bëj edhe një parmak për tarracën, që të mos biesh në gjak nëse dikush bie prej saj.
9 Mos mbill fara të ndryshme në vresht, përndryshe i gjithë prodhimi, fryti i vreshtit e fara e hedhur, do të përdoren për kushtim.
10 Mos lëro me ka e gomar bashkë.
11 Mos vish rroba të thurura me lesh e li bashkë.
12 Bëj thekë për katër cepat e mbulojës që hedh krahëve.
Marrëdhëniet bashkëshortore
13 Nëse dikush merr grua, fle me të e pastaj e urren, 14 shpif për të e i nxjerr nam të keq duke thënë: “Kjo është gruaja që mora për bashkëshorte, por, kur fjeta me të, nuk e gjeta të virgjër”, 15 atëherë i ati dhe e ëma e vashës të shkojnë te porta e qytetit dhe të provojnë virgjërinë e vashës para pleqve të qytetit. 16 I ati i vashës do t'u thotë pleqve: “Këtij burri ia dhashë bijën time për grua, por ky e urren 17 e tani thotë: ‘Bija jote nuk ishte e virgjër’. Ja provat e virgjërisë”. E pastaj do të shtrijnë rrobën para pleqve të qytetit. 18 Atëherë pleqtë e qytetit ta marrin të shoqin e ta dënojnë. 19 Ta gjobisin me njëqind sikla argjendi e t'ia japin të atit të vashës, sepse i nxori nam të keq një virgjëreshe të Izraelit. Ajo do të mbetet bashkëshortja e tij e ai nuk mund ta ndajë sa të jetë gjallë.
20 Nëse është e vërtetë që ajo nuk ishte e virgjër, 21 nxirre vashën te dera e shtëpisë së të atit e njerëzit e qytetit ta vrasin me gurë. Ajo të dënohet me vdekje, sepse duke kurvëruar në shtëpinë e të atit, bëri diçka të turpshme në Izrael. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt.
22 Nëse ndonjë burrë kapet në shtrat me të shoqen e dikujt tjetri, dënoji me vdekje të dy, si burrin, edhe gruan. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga Izraeli.
23 Nëse dikush gjen në qytet një vashë të virgjër, të fejuar me dikë tjetër, e shkon në shtrat me të, 24 nxirri të dy te porta e qytetit e vriti me gurë. Vasha do të dënohet, sepse nuk kërkoi ndihmë në qytet, ndërsa burri do të dënohet, sepse poshtëroi gruan e tjetrit.
25 Nëse dikush gjen në fushë një vashë, të fejuar me dikë tjetër, e zë e bie në shtrat me të, atëherë të dënohet me vdekje vetëm burri. 26 Vashës nuk do t'i bësh gjë. Ajo nuk ka kryer asnjë mëkat të dënueshëm me vdekje. Ky rast ngjan me vrasjen, kur dikush sulmon të afërtin dhe e vret. 27 Ai e gjeti në fushë, vasha e fejuar bërtiti, por askush nuk e shpëtoi.
28 Nëse dikush gjen një vashë të virgjër, që nuk është e fejuar, e merr e bie në shtrat me të, pastaj i kapin, 29 atëherë burri t'i japë të atit të vashës pesëdhjetë sikla argjendi. Ai do të martohet me vashën, sepse e poshtëroi dhe nuk mund ta ndajë sa të jetë gjallë».
1 Ndë pash kan’ e t’yt-vëlla, a berrin’ e atij humbur’ udhënë, të mos i lësh ata po t’i këthejsh te yt-vëlla. 2 Edhe yt-vëlla ndë mos (ndenjtë) afërë teje, a ndë mos e diç atë, atëherë t’i biesh brënda ndë shtëpit tënde, edhe t’i kesh bashkë me ty, gjersa t’i kërkonjë yt-vëlla, edhe t’ja apsh atij prap. 3 Kështu të bëjsh edhe për gomarin’ e atij, kështu të bëjsh edhe për rrobën’ e atij, kështu të bëjsh edhe për të gjitha plaçëkat’ e humbura të t’yt-vëlla, sa ka humburë, e i ke gjeturë ti, s’munt t’i lësh (ato). 4 Ndë pash gomarin’ e t’yt-vëlla, a kan’ e atij rënë mb’ udhë, të mos i lësh ata, po t’i ngresh bashkë me atë.
5 Gruaja të mos veshnjë (rroba) burri, as burri të mos vishetë me rroba gruaje, sepse gjith’ ata që bënjënë kështu, janë të ndyrë te Zoti Perëndia yt.
6 Ndë qëlloftë mb’ udhë përpara teje fole shpeze mbi ndonjë dru, a përdhe, me zoq, a me ve, edhe të ketë ndenjur’ e ëma mbi zoqt a mbi vet, të mos marrsh t’ëmënë bashkë me zoqt’ e asaj: 7 të lëshojsh t’ëmënë, po zoqtë t’i marrsh për vetëhenë tënde, që të jesh ditë-bardhë e ditë-gjatë.
8 Kur të ndërtojsh shtëpi të re, të bënjç mure përqark dhomësë s’ate, që të mos bënjç shtëpinë tënde faltore gjaku, ndë raftë ndonjë njeri mbi atë.
9 Të mos mbiellç ndë vështë tënt të tiera fara, që të pëgëhetë bima e asaj farësë që mbolle, edhe pema e vështit.
10 Të mos lëvrojsh dhenë me ka e me gomar bashkë.
11 Të mos veshç rrobë të perzierë bashkë me lesh e me li.
12 Të bënjç për vetëhenë tënde tufëza mbë të katrë cepat’ e rrobësë s’ate, që mbulone me atë.
13 Ndë marrtë ndonjë (njeri) grua, e të hynjë te ajo, e ta mërzitnjë atë, 14 e t’apë shkak të flasënë keq për atë, e t’i nxierrë zën’ e lik, e të thotë: Mora këtë grua, edhe kur hyra te ajo, nuk e gjeç vërgjireshë, 15 atëherë i ati vashëzë edhe e ëma të marrënë vërgjirin’ e vashëzë, e ta bienë jashtë te pleqt’ e qytetit, ndë portët; 16 edhe i ati vashëzë t’u thotë pleqet: I dhashë t’ëme-bilë këtij njeriu për grua, edhe ay e mërzit, 17 edhe na tek dha shkak të flasënë keq (për atë), sepse thoshte: Nukë gjeç t’ët-bilë vërgjireshë, po na vërgjiria e s’ime-bilë. Edhe të sbëlethnjënë rrobënë përpara pleqet qytetit. 18 Edhe pleqt’ e atij qyteti të marrën’ atë njeri, e ta mundonjënë, e t’i bënjënë dëm një qint (shiklla) argjëndi, e t’ja apë t’et vashëzë, 19 sepse i nxori zën’ e lik një vërgjireshe Israilite, edhe ta ketë për grua: nukë munt ta lëshonjë atë gjithë dit e tij.
20 Po ndë është këjo punë e vërtetë, edhe të mos gjëndetë vërgjireshë vajza, 21 atëherë të bienë vashëzënë jashtë derësë shtëpisë t’et, edhe njerëzit’ e qytetit asaj ta vrasënë me gurë atë, edhe të vdesë, sepse bëri marrëzi ndë Israilt, e ndyri me kurvëri shtëpin’ e t’et; edhe ke për të shuarë të keqenë nga mezi yt.
22 Ndë u gjënttë ndonjë njeri rënë me grua të martuarë, atëherë të dy të vritenë, burri që ra bashkë me gruanë, edhe gruaja; edhe ke për të shuarë të keqenë nga Israili.
23 Ndë është vëluarë me burr ndonjë vashëzë vërgjireshe, edhe ta gjenjë atë ndonjë (njeri) ndë qytet, e të bierë bashkë me atë, 24 atëherë t’i nxirni ata të dy ndë portët të qytetit asaj, edhe t’i vritni me gurë, edhe të vdesënë: vashëzënë, sepse nukë thërriti, (kur) ish ndë qytet, edhe njerinë, sepse përunji gruan’ e të afërmit tij; edhe ke për të shuarë të keqenë nga mezi yt. 25 Po ndë gjettë ndonjë (njeri) vashëzën’ e vëluarë nd’ arët, edhe njeriu ta shtrëngonjë atë, e të bierë bashkë me atë, atëherë të vritetë vetëmë njeriu që ra bashkë me atë, edhe vashëzësë të mos i bëjsh gjë; 26 vashëza s’ka bërë fal për vdekeje, sepse posi ndonjë njeri kur suletë mbi t’afërmin e tij edhe e vret, 27 kështu ësht’ edhe këjo punë, sepse e gjeti nd’ arët, vashëza e vëluarë thërriti, po s’kish kush ta shpëtonte.
28 Ndë gjetë ndonjë (njeri) vashëzë vërgjireshë, që të mos jet’ e vëluarë, edhe të zërë atë, e të bierë bashkë me atë, edhe t’i gjënjënë, 29 atëherë njeriu që ra bashkë me atë t’i apë t’et vashëzësë pesë-dhietë (shiklla) argjëndi, edhe atë ta marrë për grua, sepse e përunji, nukë munt ta lëshonjë atë gjithë dit e tij. 30 Të mos marrë ndonjë (njeri) gruan’ e t’et, as të mos sbulonjë këmishën’ e t’et.