Përmbytja
1 Zoti i tha Noeut: «Hyr në arkë, ti e gjithë familja jote, sepse në këtë brezni ty të gjeta të drejtë. 2 Prej çdo kafshe që është e pastër, merr me vete shtatë çifte, mashkull e femër, ndërsa prej kafshëve të papastra merr një çift, mashkull e femër. 3 Po ashtu, prej shpendëve të qiellit merr shtatë çifte, mashkull e femër, që fara e tyre të mbetet gjallë mbi tërë faqen e dheut. 4 Sepse pas shtatë ditësh, unë do të bëj të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e net dhe do të shuaj nga faqja e tokës çdo gjë të gjallë që bëra». 5 Noeu bëri gjithçka që Zoti i urdhëroi.
6 Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur u përmbyt toka. 7 Ai hyri në arkë bashkë me të bijtë, me të shoqen e me gratë e bijve të tij për t'u shpëtuar ujërave të përmbytjes. 8 Prej kafshëve të pastra e të papastra, prej shpendëve e prej çdo zvarraniku mbi tokë, 9 dy e nga dy, mashkull e femër, erdhën te Noeu dhe hynë në arkë, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. 10 Dhe pas shtatë ditësh ujërat e përmbytjes vërshuan mbi tokë.
11 Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të dytë, shpërthyen tërë burimet e humnerës së madhe dhe kanatet e qiellit u hapën. 12 Mbi tokë ra shi për dyzet ditë e net. 13 Në të njëjtën ditë Noeu e bijtë e tij, Kami, Semi e Jafeti, bashkë me të shoqen dhe me tri gratë e bijve të tij, hynë në arkë. 14 Ata e çdo kafshë e egër sipas llojit të vet, çdo bagëti sipas llojit të vet e çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë sipas llojit të vet, çdo shpend sipas llojit të vet e çdo zog fluturak 15 erdhën te Noeu e hynë në arkë, dy e nga dy nga çdo qenie e gjallë. 16 Nga çdo qenie e gjallë hynë mashkull e femër, ashtu siç Perëndia e kishte urdhëruar Noeun. Pastaj Zoti e mbylli arkën.
17 Toka u përmbyt për dyzet ditë. Ujërat u shtuan dhe e ngritën arkën nga toka. 18 Ujërat u rritën e u shtuan shumë mbi tokë, por arka lundronte mbi ujë. 19 Ato u rritën aq shumë saqë mbuluan tërë malet e larta nën tërë qiellin. 20 Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kute mbi to e malet u mbuluan. 21 Kështu mori fund çdo qenie e gjallë që lëviz mbi tokë: shpendët, bagëtitë, kafshët e egra, tërë zvarranikët që zvarriten mbi tokë dhe gjithë njerëzimi. 22 Vdiq gjithçka e gjallë mbi dhe. 23 Ai shuajti çdo gjë të gjallë që ishte mbi faqen e dheut, nga njeriu deri te bagëtitë, zvarranikët e shpendët e qiellit. Ato u shuan nga toka. Vetëm Noeu e ata që ishin me të në arkë mbetën gjallë. 24 Ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.
1 Edhe Zoti i tha Noesë: Hyrë nd’arkët ti, edhe gjithë shtëpia jote, sepse ty të pashë të dreitë përpara meje ndë këtë bres, 2 nga gjithë bagëtit’ e pastra merr për vetëhenë tënde shtatë (nga) shtatë mashkullin’ e femërën’ e saj, 3 edhe nga bagëtitë që s’janë të pastra dy (nga) dy, mashkullin’ e femërën’ e saj, edhe nga shpest’ e qiellit shtatë (nga) shtatë mashkull’ e femërë, që të ruanjç farë mbi faqet të gjithë dheut, 4 sepse edhe shtatë dit, pastaj kam për të prurë shi mbi dhet dyzet dit e dyzet net, edhe do të shuanj nga faqeja e dheut gjithë ç’është, që bëra. 5 Edhe Noeja bëri gjith’ ato që e urdhëroi Zoti.
6 Edhe Noeja (ishte) gjashtë qint vieç, kur u bë përmbytëja e ujëravet mbi dhet.
7 Edhe hyri nd’arkët Noeja, edhe të bijt’ e ati, edhe gruaja e ati, edhe grat’ e të bijet ati bashkë me atë, për punë të ujëravet përmbytëjesë. 8 Nga bagëtit’ e pastra e nga bagëtitë që s’janë të pastra, e nga shpestë, e nga gjithë shtërpinjtë mbi dhet, 9 dy (nga) dy hynë nd’arkët te Noeja, mashkull e femërë, sikundrë urdhëroi Noenë Perëndia. 10 Edhe pas shtatë diç ujërat’ e përmbytëjesë ranë mbi dhet.
11 Të gjashtë qindinë vit të jetësë Noesë, të dytinë muaj, të shtatëmbëdhietënë ditë të muajit, atë ditë u çanë gjithë gurrat’ e abysësë madhe, edhe u hapnë dyert’ e qiejevet. 12 Edhe ra shi mbi dhet dyzet dit e dyzet net. 13 Edhe atë ditë hyri nd’arkët Noeja, edhe të bijt’ e Noesë: Simi, e Hami, e Jafethi, edhe gruaja e Noesë, edhe të tri grat’ e të bijet ati bashkë me ata; 14 ata, edhe të gjithë shtëzëtë pas farësë tyre, edhe gjithë bagëtitë pas farësë tyre, edhe gjithë shtërpinjtë që hiqenë barkazi mbi dhet pas farësë tyre, edhe gjithë shpestë pas farësë tyre, edhe çdo fluturake prej çdo fare. 15 Edhe hynë nd’arkët te Noeja, dy (nga) dy prej çdo mishi, që ka frymë të gjallë. 16 Edhe ato që hynë, mashkull e femërë prej çdo mishi, hynë sikundrë urdhëroi atë Perëndia, edhe Zoti mbylli (atë) siprë ati.
17 Edhe u bë përmbytëja dyzet dit mbi dhet, edhe u shumuan’ ujëratë, edhe ngritnë arkënë, edhe hipi lart përmbi dhet. 18 Edhe po shtoneshin’ ujëratë, e po shumoneshinë fort mbi dhet, edhe arka sillej mbi faqet të ujëravet. 19 Edhe ujërat’ u shtuanë fort mbi dhet, edhe u mbuluanë gjithë malet’ e lartë përposh gjithë qiellit. 20 Pesëmbëdhietë kut lart hipnë ujëratë, edhe u mbuluanë maletë. 21 Edhe vdiq çdo mish që lëviste mbi dhet, të shpeset, e të bagëtivet, e të shtëzëvet, e të gjithë shtërpinjvet që hiqenë barkazi mbi dhet, e çdo njeri. 22 Gjithë kafshatë mbi tokët, gjithë sa kishinë frymë jete ndër fyejt të hundësë tyre, vdiqnë. 23 Edhe u shua çdo gjë që ish mbi faqet të dheut, që nga njeriu gjer mbë bagëti, e gjer mbë shtërpi, e gjer mbë shpes të qiellit, edhe u shuanë nga dheu, edhe mbeti vetëmë Noeja, edhe sa (qenë) bashkë me atë nd’arkët. 24 Edhe mbetnë ujëratë të lartuarë përmbi dhet një qint e pesëdhietë dit.