Izraelitët në malin e Sinait
1 Në muajin e tretë pas daljes nga toka e Egjiptit, po në ato ditë, izraelitët mbërritën në shkretëtirën e Sinait. 2 Si u nisën nga Refidimi, arritën në shkretëtirën e Sinait dhe atje izraelitët fushuan përballë malit. 3 Moisiu u ngjit lart te Perëndia dhe Zoti i thirri nga mali e i tha: «Kështu thuaji shtëpisë së Jakobit dhe kështu tregoju bijve të Izraelit: 4 “Ju vetë e patë si veprova me Egjiptin, si ju mbajta mbi krahë shqiponjash e ju solla tek unë. 5 Tani pra, nëse ma dëgjoni me të vërtetë fjalën dhe mbani besëlidhjen time, atëherë, ndër gjithë popujt, ju do të jeni për mua thesar i çmuar, sepse mbarë toka është e imja. 6 Ju do të jeni për mua një mbretëri priftërore dhe një komb i shenjtë”. Këto fjalë thuaju bijve të Izraelit».
7 Moisiu shkoi, thirri pleqtë e popullit dhe u parashtroi gjithçka i kishte urdhëruar Zoti. 8 Atëherë i gjithë populli u përgjigj njëzëri: «Do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti» dhe Moisiu ia njoftoi Zotit përgjigjen e popullit. 9 Zoti i tha Moisiut: «Ja, unë po vij te ti në një re të dendur, që populli të dëgjojë kur të flas me ty dhe kështu të besojnë përgjithmonë edhe në ty».
Zoti në malin e Sinait
Kur Moisiu i njoftoi Zotit fjalët e popullit, 10 Zoti i tha: «Shko te populli dhe shenjtëroje sot e nesër. Thuaji t'i lajnë rrobat 11 e të jenë gati ditën e tretë, sepse ditën e tretë Zoti do të zbresë para syve të gjithë popullit mbi malin e Sinait. 12 Vendos një cak përreth popullit e thuaji: “Ruajuni se mos ngjiteni në mal apo prekni rrëzën e malit, sepse kushdo që do ta prekë, do të vritet. 13 Askush të mos guxojë ta prekë me dorë këtë njeri. Ai të vritet me gur ose me shigjetë. Askush nuk do të lihet gjallë, qoftë njeri, qoftë kafshë. Vetëm kur të dëgjohet mirë briri mund të ngjiten në mal”». 14 Moisiu zbriti nga mali, e shenjtëroi popullin dhe ata i lanë rrobat. 15 Ai u tha: «Bëhuni gati për ditën e tretë. Mos prekni grua me dorë!».
16 Në mëngjesin e ditës së tretë u dëgjuan gjëmime e vetëtima. Një re e dendur mbuloi malin dhe briri jehoi fort. Tërë populli, që ndërkohë po fushonte, u drodh nga frika. 17 Atëherë Moisiu e nxori popullin nga fushimi që të takonte Perëndinë dhe ata qëndruan në rrëzë të malit. 18 Mali i Sinait u bë tym krejt, sepse Zoti kishte zbritur me zjarr mbi të. Tymi ngrihej si të ishte tym furre dhe i tërë mali u tund fort. 19 Ndërkohë që jehona e bririt sa vinte e bëhej më e fortë, Moisiu fliste dhe Perëndia i përgjigjej me zë . 20 Zoti zbriti mbi majën e malit të Sinait dhe thirri edhe Moisiun në majë të malit. Moisiu u ngjit lart. 21 Zoti i tha Moisiut: «Zbrit e porosite popullin të mos e kalojë cakun për të parë Zotin, përndryshe shumë prej tyre do të vdesin. 22 Edhe priftërinjtë që i afrohen Zotit të jenë të shenjtëruar, përndryshe Zoti do të vërsulet mbi ta». 23 Moisiu i tha Zotit: «Populli nuk ka për t'u ngjitur në malin e Sinait, sepse ti vetë na porosite që të vëmë një cak përqark malit dhe ta shenjtërojmë». 24 Zoti i tha: «Shko, zbrit dhe pastaj ngjitu bashkë me Aronin. Priftërinjtë dhe populli të mos ngjiten te Zoti, përndryshe ai do të vërsulet mbi ta». 25 Kështu, Moisiu zbriti te populli dhe foli me ta.
1 Mbë të tretinë muaj si duallë të bijt’ e Israilit nga Egjyptëria, atë ditë erthnë ndë shkretëtirët të Sinait. 2 Edhe u ngritnë nga Refidimi, e erthnë ndë shkretëtirët të Sinait, edhe ngulnë ushtërinë ndë shkretëtirët, edhe Israili ngrehu tendat’ atie kundruell malit.
3 Edhe Moisiu hipi te Perëndia, edhe Zoti e thirri nga mali, e tha: Kështu t’i thuash shtëpisë Jakovit, edhe t’u apiç zë të bijet Israilit.
4 Ju patë gjitha sa u bëra Egjyptianëvet, edhe u ngrita juve mbi krahë të shqipesë, e u prura juve nga ana ime,
5 tashi pra, ndë më dëgjofshi zënë me të vërtetë, edhe ndë ruajçi dhiatënë time, do të jeni tek unë të sgjedhurë nga gjithë gjëndëjetë, sepse gjithë dheu (ësht’) imi,
6 edhe ju do të jeni tek unë mbëretëri e priftëruarë, edhe komp i shënjtëruarë. Këto fialë ke për t’u thënë të bijet Israilit.
7 Edhe Moisiu erdhi, e thirri pleqt’ e gjëndëjesë, edhe vuri përpara atyreve gjith’ato fialë, që urdhëroi Zoti atë. 8 Edhe gjithë gjëndëja u përgjeq me një zë, e tha: Do të bëjmë gjithë sa tha Zoti. Edhe Moisiu i zuri n’gojë Zotit fialët’ e gjëndëjesë.
9 Edhe Zoti i tha Moisiut: Na unë tek po vinj te ti ndë re të dendurë, që të dëgjonjë gjëndëja, kur të flas ty, edhe të zërë besë ty përherë. Edhe Moisiu i dha zë Zotit për fialët e gjëndëjesë.
10 Edhe Zoti i tha Moisiut: Shko te gjëndëja, edhe shënjtëro ata sot edhe nesërë, edhe le të lanjënë rrobat e tyre, 11 edhe le të bënenë gati për të tretënë ditë, sepse të tretënë ditë do të sbresë Zoti ndë mal të Sinait, përpara gjithë gjëndëjesë, 12 edhe do të vësh sinuar përqark gjëndëjesë, tuke thënë: Ruhi mos hipni ndë malt, a t’i piqni rrëzavet ati; kush t’i piekë malit, do të vritetë fare, 13 të mos i piekë ati (ndonjë) me dorë, sepse do të vritetë me gurë, a do të shëgjetonetë me shëgjetë; a shtëzë (qoftë), a njeri, s’do të rronjë. Kur të bierë trumbeta, atëhere do të hipënjënë ndë malt.
14 Edhe Moisiu sbriti prei malit te gjëndëja, edhe shënjtëroi gjëndëjenë, edhe lanë rrobat’ e tyre. 15 Edhe i tha gjëndëjesë: Bëhi gati për të tretënë ditë, mos i afrohi gruaje.
16 Edhe të tretënë ditë ndë mëngjes u bënë bubullima e shkrepëtima, edhe (ishte) një re e dendurë ndë malt, edhe një zë trumbete fort i fortë, edhe u trem gjithë gjëndëja që ishte ndë ushtërit. 17 Atëhere Moisiu nxori gjëndëjenë nga ushtëria t’i delte përpara Perëndisë, edhe qëndruanë ndënë malt.
18 Edhe mali i Sinait ishte gjithë tym, sepse sbriti Zoti mb’atë ndë zjarr, edhe tymi i ati hipte posi tym kumine, edhe gjithë mali tundej fort. 19 Edhe zëri i trumbetësë kur vinte gjithënjë tuke shtuarë fort, Moisiu fliste, edhe Perëndia i përgjegjej ati me zë.
20 Edhe Zoti sbriti mbë malt të Sinait, ndë majët të malit, edhe Zoti i foli Moisiut ndë majët të malit, edhe Moisiu hipi. 21 Edhe Zoti i tha Moisiut: Sbrit, e deshmonu te gjëndëja, mos kapërxenjënë sinoretë, (e hipënjënë) te Zoti për të vështruarë, edhe do të prishenë shumë nga ata, 22 edhe ata priftëritë që të afronenë te Zoti, le të shënjtëronenë, që të mos suletë mbi ata Zoti.
23 Edhe Moisiu i tha Zotit: Gjëndëja nukë munt të hipënjë në ndë mal të Sinait, sepse ti na urdhërove, tuke thënë: Vërë sinore përqark malit, edhe shënjtëro atë. 24 Edhe Zoti i tha ati: Shko, sbrit; pastaj ke për të hipurë ti, edhe Aaroni bashkë me ty, por priftërit’ edhe gjëndëja le të mos kapërxenjënë sinoretë që të hipënjënë te Zoti, që të mos suletë mbi ata.
25 Edhe Moisiu sbriti te gjëndëja, e u foli atyre.