Sprova e Abrahamit
1 Pas këtyre ngjarjeve Perëndia e vuri në provë Abrahamin e i tha: «Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam». 2 Ai i tha: «Merre me vete tët bir, Isakun, birin tënd të vetëm, që ti e do, e shko në tokën e Moriahut. Atje kushtoje si fli shkrumbimi në një nga malet që do të të tregoj». 3 Abrahami u ngrit herët në mëngjes, shaloi gomarin e mori me vete dy shërbëtorë dhe Isakun, birin e tij. Pasi preu dru për flinë e shkrumbimit, u ngrit e shkoi drejt vendit që i tregoi Perëndia. 4 Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë e pa vendin nga larg. 5 Atëherë Abrahami u tha shërbëtorëve: «Prisni këtu bashkë me gomarin, ndërsa unë e djali do të ngjitemi atje, do të adhurojmë e pastaj do të kthehemi te ju». 6 Abrahami mori drutë për flinë e shkrumbimit e ia ngarkoi Isakut, të birit, ndërsa vetë mbante në dorë zjarrin e thikën. Kështu u nisën të dy bashkë. 7 Isaku i tha Abrahamit, të atit: «O atë!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, biri im». Isaku tha: «Zjarrin e drutë ja ku i kemi. Po qengji për flinë ku është?». 8 Abrahami iu përgjigj: «Vetë Perëndia do të këqyrë për qengjin e flisë së shkrumbimit, biri im». E kështu shkuan të dy bashkë.
9 Kur arritën te vendi që Perëndia i kishte treguar, Abrahami ngriti një altar dhe i vendosi drutë mbi të. E lidhi Isakun, të birin, dhe e vuri mbi altar, mbi turrën e druve. 10 Pastaj zgjati dorën e mori thikën që të therte të birin. 11 Por engjëlli i Zotit i thirri nga qielli e i tha: «Abraham, Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam!». 12 Ai i tha: «Mos ngri dorë kundër djalit e mos i bëj gjë, se tani e di që i druhesh Perëndisë e nuk e kurseve për mua as birin tënd të vetëm». 13 Abrahami ngriti sytë e pa një dash me brirët të ngatërruar në një shkurre. Shkoi, e mori dhe e flijoi në vend të të birit. 14 Abrahami e quajti atë vend «Zoti këqyr», sikurse thuhet edhe sot: «Në malin e Zotit ai këqyret !».
15 Engjëlli i Zotit e thirri nga qielli për së dyti, 16 e i tha: «Veten time zë në be, kumton Zoti, për shkak se bëre këtë gjë e nuk e kurseve birin tënd të vetëm, 17 unë do të të jap bekim pas bekimi e do t'i shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit e si rëra e bregdetit. Pasardhësit e tu do të marrin në zotërim portat e armiqve të tyre. 18 Tërë kombet e tokës do të bekohen në pasardhësit e tu për shkak se ti iu binde zërit tim». 19 Pastaj Abrahami u kthye te shërbëtorët. Ata u ngritën e shkuan së bashku në Bershebë dhe Abrahami banoi atje.
Bijtë e Nahorit
20 Pas këtyre ngjarjeve Abrahamit i thanë: «Ja, edhe Milka i ka lindur djem Nahorit, vëllait tënd. Ata janë: 21 Uci i parëlinduri, Buzi, vëllai i tij, Kemueli, i ati i Aramit, 22 Kesedi, Hazoi, Pildashi, Idlafi e Betueli. 23 Betuelit i lindi Rebeka. Këta të tetë, Milka ia lindi Nahorit, vëllait të Abrahamit. 24 Edhe shemra e tij, Reumaja, i lindi Tebahun, Gahamin, Tahashin e Makahun».
1 Pas këtyre punëve Perëndia i sgjodhi zemrënë Avraamit, edhe i tha: Avraam, edhe ay tha: Na ku jam. 2 Edhe tha: Tashi merr tët bir, dialën’ e vetëmë, që deshe, Isaakunë, edhe shko ndë vënt të Moriahut, edhe bëne atie kurban të diegurë gjithë mbi një mal’ që të kam për të thënë. 3 Edhe Avraami u ngrit shpeit ndë mëngjes, e i vuri samarë gomaresë ti, edhe mori me vetëhe dy (vetë) nga shërbëtorët’ e ti, edhe Isaakunë, të birrë, edhe çau dru për kurbanin’ e diegurë të gjithë, edhe u ngrit e vate nd’atë vënt që i tha Perëndia. 4 Edhe të tretënë ditë Avraami shtiu syt’ e ti, e pa vëndinë për së largu. 5 Edhe Avraami u tha shërbëtorëvet ti: Ju rrini aty bashkë me gomarenë, po un’ edhe diali do të vemi gjer atie, edhe si të lutemi, do të kthenemi te ju. 6 Edhe Avraami mori drut’ e kurbanit diegurë gjithë, edhe ja vuri siprë Isaakut të birit, edhe mori ndë dorë të ti zjarrin’ edhe thikënë, edhe vanë të dy bashkë. 7 Edhe Isaaku i tha Avraamit t’et: Ata im. Edhe ay tha: Ç’ësht’, o bir. Edhe ay tha: Na zjarri edhe drutë, po ku është berri për kurban të diegurë gjithë? 8 Edhe Avraami tha: Perëndia, o diali im, do të shohë për vetëhen’ e ti berrnë për kurban të diegurë gjithë. Edhe ecëninë të dy bashkë. 9 Edhe si erdhë nd’atë vënt që i tha Perëndia, Avraami ndërtoi atie therorenë, edhe vuri drutë, edhe si lidhi Isaakunë të birrë, e vuri mbi therorenë siprë druvet, 10 edhe Avraami ndejti dorën’ e ti e mori thikënë që të therte të birrë. 11 Edhe ëngjëlli Zotit i thërriti ati nga qielli, e tha: Avraam, Avraam. Edhe ay tha: Na ku jam. 12 Atëhere tha: Mos vërë dorënë tënde mbi dialthinë, edhe mos i bën gjëkafshë, sepse tashi e njoha se ti i ke frikë Perëndisë, sepse nukë kurceve tët bir dialin’ e vetëmë për mua. 13 Edhe Avraami kur ngriti syt’ e ti, pa, edhe na një dash prapa, mbajturë nga brinjt’ e ti mbë nju dru të dëndurë; edhe Avraami erdhi, e mori dashnë, edhe e bëri kurban të diegurë gjithë ndë vënt të birt. 14 Edhe Avraami ja vuri emërin’ ati vëndi Jehovah-jireh [Zoti do të shohë], sikundrë thuhet’ (edhe) sot, Zoti do të shihet ndë malt. 15 Edhe ëngjëlli Zotit i thërriti për së dyti Avraamit nga qielli, 16 e tha: Bëra be mbë vetëhet time, thotë Zoti, sepse bëre këtë punë, edhe nukë t’u dhëmp për tët bir të vetëminë, 17 se me bekim do të të bekonj, edhe me të shumuarë do të shumonj farënë tënde posi yjet’ e qiellit, edhe posi rërënë që është ndë buzët të detit, edhe fara jote do të pushtonjë dyert’ e arëmiqvet saj. 18 Edhe ndë farët tënde do të bekonenë gjithë kombet’ e dheut, sepse dëgjove zënë tim. 19 Edhe Avraami u kthye te shërbëtorët’ e ti, edhe si u ngritnë, vanë bashkë ndë Beersheba, edhe Avraami ndenji ndë Beersheba. 20 Pas këtyre punëve, i dhanë zë Avraamit, tuke thënë: Na Millkaha tek i polli edhe ajo bij Nahorit tyt vëllai, 21 Huzinë të paralindurin’ e ati, edhe Buzinë të vëllan’ e ati, edhe Kemuilinë t’anë e Aramit, 22 Edhe Kesedhinë, edhe Hazonë, edhe Pildashinë, edhe Jidllafinë, edhe Vathuilinë. 23 Edhe Vathuilit i lindi Reveka, edhe këta të tetë ja polli Millkaha Nahorit të vëllat Avraamit. 24 Edhe e dashura e ati, që kluhej Reumahë, polli edhe ajo Tevahun’ e Gahamin’ e Thahashin’ e Maahanë.