Ëndrra e oborrtarëve
1 Pas këtyre ngjarjeve, kupëmbajtësi e bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit bënë faj ndaj zotërisë së tyre, mbretit të Egjiptit. 2 Faraoni u zemërua me të dy oborrtarët e tij, me të parin e kupëmbajtësve e me të parin e bukëpjekësve. 3 I futi në burg, në të njëjtin vend ku ishte i burgosur edhe Jozefi, nën ruajtjen e komandantit të truprojës. 4 Ky u caktoi Jozefin që t'u shërbente. Ata mbetën të burgosur për njëfarë kohe. 5 Një natë kupëmbajtësi e bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit, që ishin të burgosur, panë nga një ëndërr dhe secila kishte kuptimin e vet. 6 Kur Jozefi erdhi tek ata në mëngjes, pa se ishin të shqetësuar. 7 Atëherë i pyeti oborrtarët e faraonit që ishin të burgosur bashkë me të: «Përse jeni kaq të mërzitur sot?». 8 Ata thanë: «Pamë nga një ëndërr, por nuk ka kush të na i shpjegojë». Por Jozefi u tha: «A nuk e di Perëndia kuptimin e ëndrrave? M'i tregoni, pra, ëndrrat!».
9 Atëherë i pari i kupëmbajtësve tregoi ëndrrën e vet: «Në ëndërr pashë një hardhi përpara meje. 10 Hardhia kishte tri degë e posa filloi të bulojë, lulet çelën e vilet e rrushit u poqën. 11 Në dorë kisha kupën e faraonit. I kapa vilet e rrushit, i shtrydha në kupë e ia dhashë faraonit në dorë». 12 Jozefi i tha: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri degët janë tri ditë. 13 Brenda tri ditësh faraoni do të të falë, do të të rikthejë në detyrën që kishe e ti do t'ia japësh kupën në dorë, ashtu siç bëje më parë kur ishe kupëmbajtësi i tij. 14 Por kur të jesh i lirë më kujto e tregohu mirëdashës me mua. Më përmend para faraonit që të më nxjerrësh nga burgu, 15 sepse me dhunë më rrëmbyen nga toka e hebrenjve. Edhe këtu nuk kam bërë asgjë që të meritoj burgun».
16 Kur i pari i bukëpjekësve pa se shpjegimi i ëndrrës ishte i mirë, i tha Jozefit: «Edhe unë pashë një ëndërr. Mbi krye kisha tri shporta me bukë. 17 Shporta e sipërme kishte gjithfarë ushqimesh të gatuara për faraonin, por po i hanin shpendët. Ato po hanin nga shporta që ishte mbi kokën time». 18 Jozefi iu përgjigj: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri shportat janë tri ditë. 19 Brenda tri ditësh faraoni do të ta presë kokën, do të të varë në pemë e shpendët do të të hanë trupin». 20 Ditën e tretë ishte ditëlindja e faraonit. Ai shtroi një gosti për gjithë shërbëtorët e tij dhe nxori para tyre të parin e kupëmbajtësve e të parin e bukëpjekësve. 21 Të parin e kupëmbajtësve e rikthehu në detyrë që t'i jepte kupën në dorë. 22 Ndërsa bukëpjekësin e vari, ashtu siç ua kishte shpjeguar Jozefi. 23 Mirëpo i pari i kupëmbajtësve nuk u kujtua për Jozefin. Ai e harroi atë.
1 Edhe pas këtyre punëve, verëkthenjësi i mbëretit Egjyptërisë, edhe bukëpiekësi i kishinë bërë faj të zot tyre mbëretit Egjyptërisë. 2 Edhe Faraoni u zemërua kundrë këtyre të dy të dredhure, kundrë krye-verëkthenjësit, edhe kundrë krye-bukëpiekësit. 3 Edhe i vuri ata të ruhenë ndë shtëpi të parit ruanjëset (mbëretit), ndë burgut, nd’atë vënt ku (ishte) mbyllë Josifi. 4 Edhe i pari i ruanjëset mbëretit i la ndë dorë të Josifit, edhe (ky) u shërbente atyreve; edhe kishinë ca kohë (që ishinë) ndë burgut, 5 edhe verëkthenjësi e bukëpiekësi i mbëretit Egjyptërisë, që ishinë mbyllë ndë burgut, panë ëndërrë të dy, i sicili ëndërrën’ e ti atë natë, i sicili pas të sgjidhurit ëndërrësë ti. 6 Edhe Josifi kur hyri tek ata ndë mëngjes, e pa ata, edhe na tek ishinë të trubulluarë. 7 Edhe (ay) pyeti të dredhurit’ e Faraonit, që (ishinë) bashkë me atë ndë burgut ndë shtëpi të zot, e tha: Përse i keni sytë të vrërëtë sot? 8 Edhe ata i thanë ati: Pam ëndërra, edhe s’ka njeri të na i sgjidhnjë. Edhe Josifi u tha atyre: A nuk’ është pun’ Perëndisë të sgjidhuritë? U lutem, tregomëni. 9 Edhe verëkthenjësi parë i tregoi Josifit ëndërrën’ e ti, e i tha: (Pashë) nd’ëndërrët, edhe na një hardhi përpara meje, 10 edhe ndë hardhit (ishinë) tri dega, edhe dukej sikur biu, (edhe) duallnë lulet’ e asaj, (edhe) u poqnë pupat’ e rrushit, 11 edhe potiri i Faraonit (ishte) ndë dorët time, edhe mora rrushtë, e i shtrydha ndë potir të Faraonit, edhe dhashë potirë ndë dorë të Faraonit. 12 Edhe Josifi i tha ati: Këta (është) të sgjidhurit’ e asaj: Tri degatë janë tri dit, 13 pas tri diç, Faraoni do të lartonjë kryetë tat, edhe do të të vërë ndë punët tënde, edhe do të apç potirinë ndë dorët të Faraonit pas zakonit parë, kur ishie verëkthenjësi i ati, 14 po kujtomë, kur të të bënetë (këjo) e mirë, edhe, të lutem, bën përdëllim tek unë, edhe zëria n’gojë Faraonit për mua, edhe nxirmë nga këjo shtëpi, 15 sepse me të vërtetë u vothç nga dheu i Evrevet, edhe këtu përsëri nukë bëra gjëkafshë që të më venë ndë (këtë) gropë. 16 Edhe kur pa bukëpiekësi parë se të sgjidhurit’ (ishte) të mirë, i tha Josifit: Edhe unë (pashë) nd’ëndërrët, edhe na tri kanistra të bardha mbi kryet tim, 17 edhe ndë kanistrët të sipërme (ishinë) nga çdo farë të ngrëni të mieshtërisë bukëpiekëjesë për Faraonë, edhe shpest’ i hajn’ ato nga kanistra përmbi kryet tim. 18 Edhe Josifi u përgjeq e tha: Këta (është) të sgjidhurit’ e kësaj: Të tri kanistratë (janë) tri dit, 19 pas tri diç, Faraoni do të heqë kryetë tat prej teje, edhe do të të varnjë ndë drut, edhe shpestë do të hanë mishinë tënt siprë teje. 20 Edhe të tretënë ditë, ditën’ e së lindurit Faraonit, u bëri gosti gjithë shërbëtorëvet ti, edhe lartoi kryet’ e krye-verëkthenjësit edhe kryet’ e krye-bukëpiekësit ndërmest të shërbëtorëvet ti. 21 Edhe verëkthenjësin’ e parë e vuri mbë punë të ti të kthente verë, edhe dha potirë ndë dorë të Faraonit, 22 edhe bukëpiekësin’ e parë e vari, sikundrë ua sgjidhi atyre Josifi. 23 Por verëkthenjësi parë nuk’ e kujtoi Josifnë, po e harroi.