Profeci kundër Tirit
1 Profeci për Tirin:
vajtoni, o anijet e Tarshishit,
se u shkretua vendi ku strehoheshit.
U është dhënë lajmi,
teksa vinin prej tokës së Kitimit.
2 Heshtni, o banorë të bregdetit,
mbushur plot me tregtarë të Sidonit,
që detin me anije përshkonin.
3 Përmes ujërave të mëdha vinte drithi i Shihorit,
prodhimet e Nilit të sillnin fitim,
te ti bëhej tregtia e kombeve.
4 Turpërohu, o Sidon, se ka folur deti,
fortesa e detit ja se ç'ka thënë:
«S'i kam provuar dhimbjet e lindjes, kurrë s'kam pjellë,
nuk kam rritur as djem, as vajza».
5 Kur ta dëgjojnë këtë në Egjipt,
do të hidhërohen për lajmet që vijnë nga Tiri.
6 Kaloni detin për në Tarshish,
vajtoni, o banorë të bregdetit!
7 Ky na qenka vallë qyteti juaj i lavdishëm,
që fillimet i ka prej lashtësisë,
që këmbët larg e kanë çuar,
vendbanime të reja për të themeluar?
8 E kush e sendërgjoi këtë kundër Tirit,
shpërndarësit të kurorave?
A nuk ishin tregtarët e tij princa
dhe shitësit fisnikëria e vendit?
9 Këtë e vendosi Zoti i ushtrive,
që të përdhosë çdo krenari,
që të poshtërojë çdo madhështi
e të përbuzë gjithë fisnikët e dheut.
10 Punoje tokën tënde, o bija e Tarshishit,
siç punojnë brigjet e Nilit,
se port më nuk ke .
11 Dorën e shtriu përmbi det,
mbretëritë i tronditi,
për Kanaanin urdhëroi Zoti,
që fortesat e tij të shkatërrohen.
12 «Nuk do të gëzosh më, o bijë e Sidonit», tha.
«Ti, o virgjëreshë, që ke humbur nderin,
Ngrihu e kalo në Kitim,
por as atje prehje s'do të gjesh».
13 Ja, toka e kaldenjve,
popull që nuk është më!
Asiria e bëri banesë egërsirash.
Ngritën rreth tyre kulla rrethimi,
pallatet e tyre i zhveshën,
në pirgje rrënojash i kthyen.
14 Vajtoni, o anije të Tarshishit,
se u shkretua vendi ku strehoheshit.
15 Atë ditë do të ndodhë që Tiri do të harrohet për shtatëdhjetë vjet, aq sa zgjat sundimi i një mbreti. Pas shtatëdhjetë vjetësh, me Tirin do të ngjajë siç thotë kënga e lavires:
16 «Merre harpën e bjeri përreth qytetit,
ti, o lavire, e lënë në harresë.
Bjeri bukur harpës,
merrja fort këngës,
që të kujtohen për ty».
17 Pas shtatëdhjetë vjetësh Zoti do të kujtohet sërish për Tirin. Tiri do t'i rikthehet tregtisë e do të kurvërojë me të gjitha mbretëritë që janë mbi faqen e dheut. 18 Por të ardhurat e përfitimet do t'i shenjtërohen Zotit. Nuk do të grumbullohen e as do të ruhen, sepse fitimi do t'u takojë atyre që banojnë pranë Zotit, që të hanë sa të ngopen e të vishen sa më bukur.
Të faniturit’ e Tyrësë.
1 Klani me ulërimë, o lundrat’ e Tarshishësë, sepse u prish, sa (të mos ketë) shtëpi, as të hyrë; nga dheu i Qittimëvet u erdhi zëri atyreve.
2 Pushoni, o vëndësit’ e dheujëzësë: ti, që mbushnjë tregjetarët’ e Sidhonësë, ata që shkoninë ndëpër det.
3 Edhe pronja e asaj (është) fara e Sihorit, të qorrët’ e lumit, (që bihenë) me shum’ ujëra; edhe ajo u bë tregjetia e kombavet.
4 Ki turp, o Sidhonë, sepse deti foli, forca e detit, edhe tha: S’kam të dhëmbura barku, as nukë po piell, as nukë po ushqenj djem, (as) nukë po rris vashëza.
5 Kur të dëgjonetë ndë Egjyftëri, do të hidhëronen’ ata që të dëgjonjënë për Tyrënë.
6 Shkoni ndëpër Tarshisë, klani me ulurimë, o vëndësit’ e dheujëzësë.
7 Ajo (është qytete) e gëzuarë, që ësht’ e vietërë që nga dit e lashta. Këmbët’ e asaj do të bienë atë lark, që të rri ndë dhe të huajë.
8 Kush bëri këtë këshilllë kundrë Tyrësë që ndan kurora, së cilësë tregjetarëtë (janë) zotëri, së cilësë tregjetarëtë (janë) të lëvduarët’ e dheut?
9 Zoti i fuqivet bëri këtë këshillë, që të turpëronjë madhështin’ e ç’do lavdie, të përunjë ç’do njeri të lëvduarë ndë dhet.
10 Shko ndëpër dhet tënt posi lum, o bil’ e Tarshishësë: s’ka më fuqi.
11 Ndejti dorën’ e ti mbi dhet, tundi mbëretëri; Zoti dha urdhër kundrë Hanaanësë, që të prishnjënë muret’ e asaj.
12 Edhe tha: Nukë do të gëzonesh më, o vashëz’ e helmuarë, e bil’ e Sidhonësë; ngreu, shko te Qittimëtë, as atie nukë do të kesh të prëjturë.
13 Na dheu i Haldhevet: këjo gjëndëje s’ka qënë; Asyriani themelosi atë, për ata që rrininë ndë shkretëtirët; ngritnë pirgjet’ e asaj, lartuanë pallatet’ e asaj, (edhe) e bëri gërmadha.
14 Klani me ulërimë, o lundrat’ e Tarshishësë, sepse u shkretua muri juaj.
15 Edhe atë ditë Tyra do të harronetë shtatë-dhietë viet, pas diç një mbëreti; edhe pas shtatë-dhietë vieç do të jetë ndë Tyrë posi kënkë kurve.
16 Merr qitharë, shko përqark qytetit, o kurv’ e harruarë, los ëmbëlë, këndo shumë kënkë, që të të kujtonjënë.
17 Edhe pas shtatë-dhietë vieç, Zoti do të vështronjë Tyrënë, edhe ajo do të këthenetë ndë pagët të saj, edhe do të shkërdhehetë me gjithë mbëretërit’ e botësë mbi faqet të dheut.
18 Edhe tregjetia e asaj e paga e asaj do të kushtonetë te Zoti; nukë do të vihetë ndë thesar, as nukë do të vihetë mbë-nj’-anë, sepse tregjetia e asaj do të jetë për ata që rrinë përpara Zotit, që të hanë sa të nginjenë, edhe të kenë rroba për shumë viet.