Mëkati dhe pendesa
1 Jo, nuk është shkurtuar dora e Zotit,
që të mos shpëtojë!
Jo, nuk është rënduar veshi i tij,
që të mos dëgjojë!
2 Ishin paudhësitë tuaja që ndarje sollën
mes jush e Perëndisë tuaj.
Ishin mëkatet tuaja që ia mbuluan fytyrën prej jush,
që të mos ju dëgjonte.
3 Duart tuaja janë të lyera me gjak,
gishtërinjtë tuaj me paudhësi,
buzët tuaja kanë thënë gënjeshtra,
gjuha juaj ka belbëzuar fajësi.
4 Askush nuk bën padi me drejtësi,
s'ka njeri që të gjykojë me vërtetësi.
Besojnë në kotësi e thonë gënjeshtra,
ngjizin ligësi e pjellin paudhësi.
5 Thyejnë vezët e nepërkës, që të çelin,
tjerrin pëlhura merimange.
Kush ha nga vezët e tyre, vdes,
prej vezës së thyer lind nepërka.
6 Pëlhurat e tyre s'vlejnë për rroba,
me prodhimet e tyre s'mbulohen dot.
Vepra e tyre është vepër paudhësie,
në duar mbartin frytet e dhunës.
7 Këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqes,
nxitojnë të derdhin gjak të pafajshëm,
mendimet e tyre janë mendime paudhësie,
shkretim e rrënim janë shtigjet e tyre.
8 Udhën e paqes nuk e njohin,
në hapat e tyre s'ka drejtësi,
shtigjet i kanë bërë tërë dredha,
kush shkel mbi to, s'ka paqe.
9 Prandaj qëndron larg nesh e drejta,
drejtësia s'arrin te ne.
Pritnim dritën, por ja tek erdhi errësira,
pritnim ndriçimin e ja tek ecim në terr.
10 Ecim duke prekur murin si i verbëri,
si ata që s'kanë sy ecim verbazi.
Pengohemi në mes të ditës si të ishte muzg,
mes të gjallëve endemi si të vdekur.
11 Ulërijmë të gjithë si arinjtë,
gugatim thekshëm si pëllumbat.
Presim drejtësinë, por më kot,
shpëtimi është larg nesh.
12 Të shumta janë shkeljet tona para teje,
mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh.
Po, shkeljet tona janë gjithmonë me ne,
paudhësitë tona i njohim mirë.
13 U ngritëm kundër dhe e mohuam Zotin,
i kthyem shpinën Perëndisë tonë.
Folëm për shtypje e për kryengritje,
në zemër ngjizëm e pëshpëritëm fjalë mashtrimi.
14 Kështu e drejta u zmbraps,
drejtësia larg qëndroi,
e vërteta u pengua shesheve,
ndershmëria brenda s'mund të hyjë.
15 Kështu, e vërteta po humbet
dhe ai që i shmanget së keqes
bie pre e plaçkitjes.
Zoti pa e s'i pëlqeu,
se nuk ka më drejtësi.
16 Pa se nuk u gjend askush,
u habit që askush s'ndërhyri.
Prandaj e ndihmoi me krahun e tij,
e mbështeti me drejtësinë e tij.
17 Si parzmore veshi drejtësinë,
mbi kokë vuri përkrenaren e shpëtimit,
u vesh me petkat e hakmarrjes,
u mbështoll me zellin si me rrobë.
18 Do t'i shpaguajë sipas veprave të tyre,
zemërim kundërshtarëve, ndëshkim armiqve,
do t'i shpaguajë edhe popujt e ishujve.
19 Në perëndim do ta druajnë emrin e Zotit,
në lindje të diellit, lavdinë e tij,
kur ai të vijë si përrua i rrëmbyer
që e shtyn fort era e Zotit.
20 Një shpengues do të vijë në Sion
për bijtë e Jakobit që pendohen për paudhësinë,
kumton Zoti.
21 Sa për mua,
kjo është besëlidhja ime me ta, thotë Zoti:
Shpirti im do të jetë mbi ty
dhe fjalët e mia, që i vura në gojën tënde,
nuk do të largohen as prej gojës sate,
as prej gojës së pasardhësve të tu
e as prej gojës së bijve të pasardhësve të tu,
thotë Zoti,
që tani e deri në amshim.
1 Na dor’ e Zotit tek nuk’ u vogëlua, që të mos muntnjë të shpëtonjë; as veshi i ati nuk’ u rëndua, sa të mos muntnjë të dëgjonjë,
2 po panomitë tuaja vunë të ndara ndë mest jush e Perëndisë tuaj, edhe faletë tuaj fshehnë faqen’ e ati prej jush, që të mos dëgjonjë.
3 Sepse duartë tuaja janë ndyrë me gjak, edhe gishtratë tuaj me panomi, buzëtë tuaja ligjëruanë gënjeshtra, gluha juaj foli të keqe.
4 Asndonjë nukë kërkon të dreitënë, as nukë gjykon me të vërtetë; shpërenjënë mbë të kotët, edhe flasënë gënjeshtra, mbarsenë me të keqe, e piellënë panomi.
5 Ngrohënë ve mburonje, edhe entnjënë plëhurë mirëmage; kush të hajë nga vet’ e atyreve, vdes, edhe ndë u theftë ndonjë, del nepërkë.
6 Plëhurat’ e atyreve nukë do të vëlenjënë për të veshurë, as nukë do të vishenë nga punërat’ e tyre; punërat’ e atyreve (janë) punëra panomie, edhe puna e shtrëngatësë (është) ndër duart t’atyreve.
7 Këmbët’ e atyreve ecënjënë mbë të ligët, edhe shpejtonjënë të derthnjënë gjak të pafal; mendimet’ e atyreve (janë) mendime panomie, të shkretuar’ e prishëje (është) ndër udhët t’atyreve.
8 Nukë dinë udhën’ e paqsimit, edhe nuk’ është gjyq ndër çapat t’atyreve; ata shtrëmbëruan’ udhët’ e tyre për vetëhen’ e tyre; gjithëkush ecën ndër ato nukë njeh paqsim.
9 Përandaj gjyqi është lark nesh, edhe dreitëria nukë na harrin; presëmë dritë, edhe na errësirë, ndriçim, (edhe) ecëjmë nd’ errësirë.
10 I piekëmë (me gisht) murit posi të verburitë, edhe piekëmë me gisht posi ata që s’kanë sy; shkasëmë ndë mest të ditësë posi natënë; (jemi) ndë mest të miravet posi të vdekurë.
11 Të gjith’ ulurijmë posi ari, edhe psherëtijmë posi turtuj; presëmë gjyq, e nukë ka; shpëtim, po (është) lark nesh.
12 Sepse të dalatë t’ona jashtë nomit u shumuanë përpara teje, edhe faletë t’anë janë deshmitarë kundrë nesh; sepse të dalatë t’ona jashtë nomit (janë) bashkë me ne, edhe panomitë t’ona neve i dimë.
13 Prishëm nomnë edhe gënjyem Zotinë, edhe u mërguam prapa Perëndisë t’ënë; folëm pa udhë e ngritëm krye; u mbarsëm edhe folëm nga zemëra fialë gënjeshtre.
14 Edhe gjyqi u këthye prapë, edhe dreitëria rri lark, sepse e drejta ra mb’ udhë, edhe e drejta s’munt të rynjë.
15 Po nukë mbet e vërtetë, edhe kush priretë nga e keqeja bënetë gjah. Edhe Zoti pa, edhe s’i erdhi mirë, se nukë kishte gjyq;
16 edhe pa se nukë kishte njeri, edhe u çudit, se nukë kishte kush të laimësonte, andaj krahu i ati i bëri shpëtim, edhe dreitëria e ati, ajo e mbajti atë.
17 Edhe veshi dreitërinë posi thurake, edhe vuri përkrenaren’ e shpëtimit mbi kryet të ti, edhe veshi (për) rrobë rrobat’ e të nxierrit zëmërim, edhe veshi zëlinë posi sarkë.
18 Pas punëvet (atyre), kështu do t’ua paguanjë, zemërim kundrështarëvet ti, shpagim arëmiqet ti; do t’u apë shpagim (edhe) dheujëzavet.
19 Edhe do t’i kenë frikë emërit Zotit nga perëndon, e lavdisë ti nga lint dielli; kur të vinjë arëmiku posi lum, Fryma e Zotit do të ngrerë flamure kundrë ati.
20 Edhe Shpërblimtari do të vinjë ndë Sionë, edhe ndër sa vetë, nga Jakovi, kthenenë nga të dalat’ e nomit, thotë Zoti.
21 Edhe prej meje është këjo dhiata ime mb’ ata, thotë Zoti: Fryma ime që (është) mbi ty, edhe fialët’ e mia që vura ndë golët tënde, nukë do të shterenë nga gola jote, as nga gola e farësë s’ate as nga gola e farësë farësë s’ate, që tashi e ndë jetët (të jetësë), thotë Zoti.