Pasardhësit e Abrahamit
1 Abrahami mori një grua tjetër që quhej Ketura. 2 Ajo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Midianin, Ishbakun e Shuahun. 3 Jokshanit i lindi Shebai e Dedani. Bijtë e Dedanit ishin ashuritët, letushitët e leumitët. 4 Bijtë e Midianit ishin Efahu, Eferi, Enoku, Abidai e Eldahu. Të gjithë këta ishin bijtë e Keturasë. 5 Abrahami ia la Isakut gjithë pasurinë e vet. 6 Por bijve të shemrave të veta u dha dhurata e, ndërsa ishte gjallë, i dërgoi drejt lindjes, në vendin lindor, larg nga i biri, Isaku.
7 Abrahami jetoi njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet. 8 Ai dha shpirt e vdiq në pleqëri të lume, i thyer në moshë e me jetë të gjatë dhe u varros bashkë me popullin e tij. 9 Isaku e Ishmaeli, bijtë e tij, e varrosën në shpellën e Makpelës, që është në lindje të Mamreut, në arën e Efronit, birit të Cohar Hititit, 10 që Abrahami e pati blerë prej bijve të Hetit. Atje u varros ai e Sara, gruaja e tij. 11 Pas vdekjes së Abrahamit, Perëndia e bekoi Isakun, birin e tij, dhe ai banoi pranë Ber Lahaj Roiut.
Pasardhësit e Ishmaelit
12 Këta janë pasardhësit e Ishmaelit, birit të Abrahamit, që ia lindi Hagara, egjiptiania, skllavja e Sarës. 13 Këta janë emrat e bijve të Ishmaelit sipas radhës: Nebajoti, i parëlinduri i Ishmaelit, Kedari, Adbeli, Mibsami, 14 Mishmai, Dumahu, Masai, 15 Hadadi, Temai, Jeturi, Nafishi e Kedmahu. 16 Këta janë bijtë e Ishmaelit dhe emrat e tyre sipas fshatrave e fushimeve të tyre; dymbëdhjetë prijës sipas fiseve të tyre. 17 Ishmaeli jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. Ai dha shpirt, vdiq e u varros bashkë me popullin e vet. 18 Bijtë e Ishmaelit banuan nga Havilahu deri në Shur, që është përballë Egjiptit, në drejtim të Asirisë. Ata jetuan në kundërshti me vëllezërit e tij.
Lindja e Esaut dhe e Jakobit
19 Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit: Abrahamit i lindi Isaku. 20 Ai ishte dyzet vjeç kur mori për grua nga Padan Arami Rebekën, bijën e Betuel Arameasit dhe motrën e Laban Arameasit. 21 Isaku iu lut Zotit për gruan e tij, sepse ajo ishte beronjë. Zoti e dëgjoi dhe Rebeka mbeti shtatzënë. 22 Djemtë përlesheshin me njëri-tjetrin brenda barkut të saj, prandaj ajo tha: «Pse po më ndodh kështu?» e shkoi të pyesë Zotin. 23 Atëherë Zoti i tha:
«Dy kombe janë në barkun tënd
e dy popuj do të dalin prej teje.
Njëri do të jetë më i fortë se tjetri
e i madhi do t'i shërbejë të voglit».
24 Kur i erdhi koha për të lindur, ajo lindi binjakë. 25 I pari doli i kuq, mbuluar i tëri si me një gunë leshi. Atë e quajtën Esau. 26 Pastaj doli i vëllai që e kishte mbërthyer Esaun nga thembra. Ai u quajt Jakob. Isaku ishte gjashtëdhjetë vjeç kur i lindën djemtë.
27 Kur ata u rritën, Esau u bë gjahtar i aftë, njeri i fushës, ndërsa Jakobi ishte i përkryer e rrinte nëpër tenda. 28 Isaku donte Esaun, sepse i pëlqente gjahu, ndërsa Rebeka donte Jakobin.
Esau shet të drejtën e parëlindjes
29 Një herë kur Jakobi po gatuante gjellë , Esau erdhi prej fushës i lodhur 30 e i tha Jakobit: «Më lër ta përlaj këtë gjënë e kuqe, se jam i sfilitur». Prandaj dhe u quajt Edom. 31 Jakobi tha: «Më shit më parë të drejtën e parëlindjes». 32 Esau u përgjigj: «Unë po vdes, ç'më duhet kjo e drejtë?». 33 Jakobi i tha: «M'u beto tani». Ai iu betua e ia shiti Jakobit të drejtën e parëlindjes. 34 Atëherë Jakobi i dha Esaut bukë e gjellë me thjerrëza. Ai hëngri e piu e pastaj u ngrit e iku. Kështu, Esau e përbuzi të drejtën e parëlindjes.
1 Edhe Avraami mori edhe një tiatërë grua, që kluhej Qeturahë. 2 Edhe ajo i polli ati Zimranë, e Jokshanë, e Medanë, e Midianë, e Ishbakunë, e Shuahunë. 3 Edhe Jokshanit i lindi Shebai e Dedani, edhe të bijt’ e Dedanit ishin’ Asshurimët’ e Letushimët’ e Leummimëtë. 4 Edhe të bijt’ e Midianit (ishin’) Efahu, e Eferi, e Hanohu, e Abidahu, e Eldaahu. Të gjithë këta (ishinë) të bijt’ e Qeturahësë.
5 Edhe Avraami i dha Isaakut gjithë gjën’ e ti. 6 Po të bijet të dashuravet ti, Avraami u dha dhurata, edhe që kur ishte gjall, i dërgoi lark nga i biri ti Isaaku, nga an’ e të lindurit diellit, ndë dhe të Lindëjesë (diellit).
7 Edhe këta (janë) viet e ditvet jetës’ Avraamit, një qint e shtatëdhiet’ e pesë viet. 8 Edhe Avraami dha frymën’ e vdiq ndë pleqëri të mirë, plak plot (me dit), edhe u vu ndë (varret) të gjëndëjesë ti. 9 Edhe Isaaku e Ismaili të bijt’ e ati kallnë atë ndë shpellët të Mahpellahësë, nd’arët të Efronit, të birit Zohar Hittitit, kundrej Mamresë, 10 nd’atë arë që bleu Avraami nga të bijt’ e Hethit, atie u kall ndë dhet Avraami e Sarra gruaja e ati.
11 Edhe pas vdekëjes’ Avraamit, Perëndia bekoi Isaakunë të birin’ e ati, edhe Isaaku ndenji afërë pusit Llahai-roi.
12 Këjo (është) gjeneallogjia e Ismailit të birit Avraamit, që ia polli Avraamit Agarë Egjyptka, shërbëtoreja e Sarrësë, 13 edhe këta (janë) emërat’ e të bijvet Ismailit, pas emëravet atyre, ndë brezat t’atyreve: dial’ i parë i Ismailit (qe) Nebajothi; pastaj Kedhari, e Adbeeli, e Mibsami, 14 e Mishma, e Dumaha, e Massa, 15 Hadari, e Tema, Jeturi, Nafishi, e Kedemahu, 16 këta (janë) të bijt’ e Ismailit, edhe këta (jan’) emërat e atyreve, pas fshatërash atyre, edhe pas vëndevet atyre, dymbëdhietë zotërinj pas kombevet atyre.
17 Edhe këta (janë) viet e jetës’ Ismailit, një qint e tridhiet’ e shtatë viet, edhe ay dha frymën’ e vdiq, edhe u vu ndë (varret) të gjëndëjesë ti. 18 Edhe ata ndenjnë nga Havillahu gjer ndë Shur, që (bie) mbë faqet të Egjyptërisë, kur vete ndonjë ndë Asyri; (Ismaili) ndënji përpara sysh gjithë vëllezëret ati.
19 Edhe këjo (është) gjeneallogjia e Isaakut të birit Avraamit: Avraamit i lindi Isaaku, 20 edhe Isaaku ishte dyzet vieç, kur mori për grua Revekënë, të bilën’ e Vathuilit Syrianit nga Padan-arami, të motërën’ e Llavan Syrianit.
21 Edhe Isaaku i lutej Zotit për të shoqenë, sepse ishte shterpë, edhe Zoti i dëgjoi ati, edhe u mbars Reveka e shoqeja e ati. 22 Edhe djemtë përpiqeshinë përbrënda asaj, edhe (ajo) tha: Ndë (qoftë) kështu, përse (të mbarsem) unë? Edhe vate të pyeste Zotinë. 23 Edhe Zoti i tha asaj: (Janë) dy kombe ndë barkut tënt, edhe dy gjëndëje do të ndahenë nga zorrët’ e tua, edhe njëra gjëndëje do të jetë më e fortë (se tiatra) gjëndëje, edhe më e madheja do t’i shërbenjë më të vogëlësë.
24 Edhe kur iu mbushnë ditë asaj për të piellë, na (tek ishinë) binjakë ndë barkut t’asaj. 25 Edhe i pari dolli i kuq, (edhe) gjithë si lëkurë qimeashpërë, edhe ja kluajtnë emërinë Isaf.
26 Pastaj dolli edhe i vëllai, edhe dora e ati mbante thembrën’ e Isafit, përandaj u kluajti Jakov. Edhe Isaaku (ishte) gjashtëdhietë vieç, kur i lintnë ata.
27 Edhe djemt’ u rritnë, edhe Isafi u bë një njeri i vëlyerë ndë gjah, njeri fushe; edhe Jakovi njeri i butë, tuke ndenjurë ndëpër tenda. 28 Edhe Isaaku donte Isafnë, sepse gjahu (ishte) të ngrënët’ e ati, edhe Reveka donte Jakovinë.
29 Edhe Jakovi po zintte gjellë, edhe Isafi erdhi nga fusha, edhe ishte lodhurë, 30 edhe Isafi i tha Jakovit: Të lutem, nemë të ha, nga e kuqeja, nga këjo e kuqeja, sepse jam lodhurë, përandaj u kluajti emëri i ati Edom. 31 Edhe Jakovi tha: Shitmë sot paralindëjet’ e tua. 32 Edhe Isafi tha: Na unë tek po vdes, e ç’dobi më bënjënë këto paralindëje? 33 Edhe Jakovi tha: Bëmë be sot, edhe (ay) i bëri be ati, edhe i shiti Jakovit paralindëjet’ e tia. 34 Atëhere Jakovi i dha bukë Isafit, edhe gjellë thieri, edhe hëngri e piu, edhe u ngrit e shkoi, kështu Isafi nuk’ i përfilli paralindëjetë.