Dita e shtunë
1 Moisiu e mblodhi tërë bashkësinë e Izraelit e i tha: «Këto janë gjërat që Zoti ka urdhëruar të bëhen: 2 “Gjashtë ditë do të punohet, por dita e shtatë do të jetë e shenjtë, ditë pushimi për nder të Zotit. Kush bën punë në këtë ditë, të dënohet me vdekje. 3 Ditën e shtunë nuk do të ndezësh as zjarr në vatër”».
Përgatitja e tendës
4 Pastaj Moisiu i tha tërë bashkësisë së Izraelit: «Ja çfarë urdhëron Zoti: 5 “Kushtojini Zotit dhurata. Kushdo që jep me gjithë zemër, t'i sjellë Zotit ar, argjend, bronz, 6 lesh me ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur, pëlhurë liri e lesh dhie, 7 lëkurë dashi të ngjyrosur në të kuqe, lëkurë të çmuar, dru akacieje, 8 vaj për ndriçim, erëra të mira për vajin e vajosjes dhe për temjanin erëkëndshëm, 9 gurë oniksi dhe gurë të tjerë për të stolisur efodin dhe parzmoren.
10 Tërë mjeshtrat mes jush të vijnë e të bëjnë gjithçka që urdhëroi Zoti: 11 tendën bashkë me mbulesat, grremçat, dërrasat, traversat, shtyllat e bazat; 12 arkën bashkë me shufrat, pajtimoren e velin ndarës; 13 tryezën bashkë me shufrat, tërë enët përkatëse e bukën e paraqitjes; 14 shandanin që ndriçon bashkë me tërë enët përkatëse, llambat e vajin; 15 altarin e temjanit bashkë me shtyllat, vajin për vajosje e temjanin erëkëndshëm; perden e hyrjes së tendës; 16 altarin e flive të shkrumbimit bashkë me skarën prej bronzi, shufrat e enët përkatëse; legenin bashkë me bazën; 17 pëlhurat e oborrit bashkë me shtyllat, bazat e perden e hyrjes; 18 kunjat e tendës e të oborrit bashkë me litarët; 19 dhe rrobat e endura që përdoren për të shërbyer në shenjtërore, rrobat e shenjta të priftit Aron e rrobat e bijve të tij që shërbejnë si priftërinj”».
20 Pastaj tërë bashkësia e Izraelit u largua nga Moisiu. 21 Atëherë të gjithë ata që ishin të gatshëm e dorëdhënë sollën dhurata për Zotin, që të përdoreshin për tendën e takimit gjatë shërbesës dhe për rrobat e shenjta. 22 Burra e gra erdhën e kushtuan me gjithë zemër kapëse, vathë, unaza, varëse dhe çdo send të artë si fli lartësimi për Zotin. 23 Kush kishte lesh me ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur, pëlhurë liri dhe lesh dhie, lëkurë dashi të ngjyrosur me të kuqe dhe lëkurë të çmuar, i solli. 24 Kush mund të kushtonte dhurata argjendi e bronzi i dhuroi për Zotin. Kush kishte dru akacieje që hynte në punë, e solli. 25 Çdo grua e aftë tori lesh dhe solli pëlhurë liri e fill me ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 26 Të gjitha ato që ishin të gatshme të përdornin aftësitë e tyre, torën lesh dhie. 27 Krerët sollën gurë oniksi, gurët që stolisin efodin dhe parzmoren, 28 erërat e mira dhe vajin që përdoret për llambat, për vajin e vajosjes dhe për temjanin erëkëndshëm. 29 Kështu, tërë burrat e gratë e Izraelit që u treguan të gatshëm të jepnin për punën që Zoti kishte urdhëruar të bëhej përmes Moisiut, i kushtuan vullnetarisht për Zotin.
Punëtorët e shenjtërores
30 Moisiu u tha izraelitëve: «Shikoni! Zoti e ka thirrur me emër Becalelin, birin e Urit, të nipin e Hurit, prej fisit të Judës. 31 E ka mbushur me shpirtin e Perëndisë, me urti, me dituri, me njohuri dhe me çdo lloj mjeshtërie, 32 që të mbikëqyrë punimet e arit, argjendit e bronzit, 33 të gdhendë drurët e gurët që duhen dhe të bëjë çdo gjë. 34 Becalelit e Oholiabit, birit të Ahisamakut, prej fisit të Danit, Zoti u dha aftësinë për të mësuar të tjerët. 35 Ai u dha aftësi për të punuar çdo gjë që gdhendet, që kërkon mjeshtëri, që qëndiset e që endet me li të hollë e me lesh ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur. Ata janë të aftë të bëjnë çdo punë e mjeshtëri».
1 Edhe Moisiu mbëloth gjithë përmbëledhëjen’ e të bijet Israilit, e u tha: Këto (janë) fialëtë që urdhëroi Zoti për të bërë ato. 2 Gjashtë dit do të bënetë punë, edhe e shtata ditë do të jet’ e shënjtëruarë për ju, savvatë të prëjturë për Zotinë, gjithëkush të bënjë punë nd’atë (ditë) do të vritetë. 3 Të mos dhisni zjarr ndëpër gjithë të ndënjurat tuaja ditën’ e savvatësë.
4 Edhe Moisiu i foli gjithë përmbëledhëjesë të bijet Israilit, e u tha: Këjo (ësht’) ajo puna që urdhëroi Zoti, tuke thënë: 5 Merrni nga çdo dhuratë, që keni për Zotinë, kujt t’i donjë zemëra e ti, le t’i bierë dhuratënë Zotit: ar, e argjënt, e rame, 6 e të qielluartë, e të porfyrtë, e të kuqe, e vishnje, e (lesh) dhish, 7 e lëkura deshësh ngjyerë të kuqe, e lëkura çakajsh, e dru shittimi, 8 e val për dritë, e erëra të mira për valin’ e të lyerit, e për thimiamënë erë të mirë, 9 e gurë të thonjtë, e gurë për të vënë ndë efod, e ndë rrasët të kraharorit.
10 Edhe çdo njeri i mënçim ndë zemërët ndërmest jush, do të vinjë e do të bënjë gjithë sa urdhëroi Zoti: 11 tendënë, të mbuluarët’ e asai përqark, e mbulesën’ e asai, peronat’ e asai, e dërrasat’ e asai, shtyllat’ e asai, e shtresat’ e asai, 12 arkënë, e shulet’ e asai, shërblimtorenë, edhe kurtinënë që e mbulon, 13 truvezën’ edhe shulet e asai, e gjith’ enët’ e asai, e bukën’ e paravënësë, 14 e kandilenë për dritë, e enët’ e asai, e kandilet’ e asai, e valin’ e dritësë, 15 e theroren’ e thimiamësë, e shulet’ e asai, e lyerësin’ e valit, e thimiamënë me erë të mirë, e plafin’ e derësë të hyrit tendësë, 16 theroren’ e kurbanit diegurë, e trirën’ e asai të ramtënë, shulet’ e asai, e gjith’ enët’ e asai, lanjëtoren’ edhe shtresën’ e asai, 17 kurtinat’ e oborrit, shtyllat’ e ati, e shtresat’ e atyreve, e kurtinën’ e derës’ oborrit, 18 hunjt’ e tendësë, e hunjt’ e oborrit, e litarët’ e atyreve, 19 rrobat’ e punësë lutëjesë, që të bënjënë punën’ e lutëjesë ndë vënt të mirë, rrobat’ e shënjtëruara për priftin’ Aaron, edhe rrobat’ e të bijet ati, që të priftëronjë.
20 Edhe gjithë përmbëledhëja e të bijet Israilit dolli (jashtë) nga syt’ e Moisiut. 21 Edhe erthnë, çdo njeri që i rrihte zemëra, edhe gjithë kujt që i donte shpirti, pruri dhuratën’ e Zotit për punën’ e tendësë përmbëledhëjesë, edhe për gjithë shërbesën’ e asai, edhe për rrobat’ e shënjtëruara. 22 Edhe erthnë burra e gra, (gjithë) save u donte zemëra, edhe prunë rrathë duarsh, e vëthë, e unaza, e sumbulla, çdo enë t’artë, edhe gjithë sa prunë dhuratë ari për Zotinë. 23 Edhe çdo njeri që kishte të qielluartë, e të porfyrtë, e të kuqe, e vishnje, e (lesh) dhish, e lëkura deshësh ngjyerë të kuqe, e lëkura çakajsh, (i) prunë. 24 Gjithëkush munt t’epte dhuratë argjëndi e rameje, i prunë dhuratënë Zotit, edhe çdo njeri që kishte dru shittimi, për çdo punë të shërbesësë, (e) pruri.
25 Edhe çdo grua e mençime ndë zemërët, drithte me duart’ e saja, edhe binte të dredhura, të qielluartënë, e të porfyrtënë, (e) të kuqenë, e vishnjënë. 26 Edhe gjith’ ato gra, që u diftonte zemëra dituri, drithninë (lesh) dhish. 27 Edhe parësia prunë gurët’ e thonjtë, e gurët’ e të ngulurit, e për rrasën e kraharorit, 28 edhe erërat’ e mira, e valinë për dritë, e val për të lyerë, edhe për thimiamënë me erë të mirë. 29 Të bijt’ e Israilit prunë dhuratë për Zonë me dashuri t’atyre, çdo burr e grua, që u donte zemëra të bininë për gjith’ atë punënë që urdhëroi Zoti të bënej nga dora e Moisiut.
30 Edhe Moisiu u tha të bijet Israilit: Shihni, Zoti thirri me emër Bezaleelinë të birin’ e Urit, të birit Hurit, nga fara e Judhesë. 31 Edhe e mbushi me frymë të hieruarë, me dituri, me urtësi, me dije, edhe me çdo mieshtëri, 32 që t’i piellë mëndeja punë me mieshtëri, kaqë sa të punonjë ar, e argjënt, e rame, 33 edhe të gërvishtë gurë për të vënë, e të gëdhentnjë dru për punë, për gjithë çdo punë mieshtërie. 34 Edhe i dha ndë zemërët t’ati që të mësonjë, ay, edhe Aholiabi i biri Ahisamakut, nga fara e Danit. 35 Këtyre u mbushi zemrënë me urtësi, që të punonjënë çdo punë të gërvishturi, e mieshtërie, e të qendisuri, ndë të qielluartë, e ndë të porfyrtë, (e) ndë të kuqe, e ndë vishnje, edhe ati që ent plëhurë, që punonjënë çdo punë, edhe u piell mëndeja punë mieshtërie.