Mbretërimi i drejtësisë
1 Ja, mbreti do të mbretërojë me drejtësi,
me drejtësi do të sundojnë sunduesit.
2 Secili do të jetë si strehorja kundër erës,
si streha kundër rrebeshit,
si përrenjtë e ujit në tokë të etur,
si hija e shkëmbit në tokë të zhuritur.
3 Sytë e atyre që shohin nuk do të erren më,
veshët e atyre që dëgjojnë do të jenë të hapura.
4 Zemra e të paditurve do të fitojë dije,
gjuha e atyre që belbëzojnë
do të rrjedhë e do të flasë qartë.
5 I marri s'do të quhet më fisnik,
mashtruesi s'do të quhet burrë zotëri.
6 Sepse i marri flet veç marrëzi,
paudhësi sendërgjon zemra e tij,
sesi e si të kryejë pabesi
e poshtërsi të thotë kundër Zotit.
Të uriturit barkun zbrazët ia lë,
të eturit nuk i jep të pijë.
7 Mashtruesi përdor armë të poshtra,
të këqija sendërgjon,
që ta rrënojë me fjalë të rreme të varfrin,
edhe skamnorin, që kërkon drejtësi.
8 Por fisniku sendërgjon fisnikëri
e në fisnikëri qëndron.
9 Ngrihuni, o gra mendjelehta,
dëgjojeni zërin tim;
ju, o bija të vetëkënaqura,
vërini vesh fjalës sime!
10 Pas më shumë se një viti
do të dridheni, o të vetëkënaqura,
se ka për të përfunduar vjelja
e mbledhje frutash s'do të ketë më.
11 Fërfëllini, pra, o mendjelehta,
trembuni, o të vetëkënaqura,
hiqini rrobat e zhvishuni,
ngjishni ijëve grathoren.
12 Rrihni gjoksin e vajtoni për arat e këndshme,
për vreshtat pjellore,
13 për tokën e popullit tim
që e mbuluan gjemba e ferra,
për të gjitha shtëpitë e gëzuara,
për qytetin që ngazëllen.
14 Se do të braktiset edhe kështjella,
qyteti i zhurmshëm do të shkretohet,
fortesa e Ofelit, bashkë me kullën e vrojtimit,
do të kthehen përgjithmonë në shpella,
në lodrim për gomarët e egër,
në kullotë për bagëtitë.

15 Por, kur të dikojë mbi ne sërish
Shpirti prej së larti,
shkretëtira do të bëhet kopsht pjellor
e kopshti si pyll do të vlerësohet.
16 Në shkretëtirë do të banojë e drejta,
në kopsht do të vendoset drejtësia.
17 Fryt i drejtësisë do të jetë paqja,
vepër e drejtësisë do të jetë qetësia,
ajo do të jetë siguria deri në amshim.
18 Populli im do të vendoset në vend paqeje,
do të banojë në banesa të sigurta,
në vende të qeta, pa shqetësime,
19 edhe pse pylli do të dëmtohet prej breshrit,
edhe pse qyteti do të fundoset thellë.
20 Lum ju që mbillni pranë ujërave
dhe e lini të lirë kaun e gomarin.
1 Na një mbëret tek do të mbëretëronjë me dreitëri, edhe krerëtë do t’urdhëronjënë me gjyq.
2 Edhe njeriu do të jetë posi mbulesë nga era, edhe posi mpshtetëje nga furtuna, posi lumra uji ndë dhe të thatë, posi hie shkëmbi të math ndë dhe të eçim.
3 Edhe syt’ e atyreve që shihënë nukë do të jenë errurë, edhe veshët’ e atyreve që gjegjenë do të jenë të kujdesshim.
4 Edhe zëmëra e të ashpërëvet do të kupëtonjë dituri, edhe gluha e atyreve që belbëronjënë do të shpëtonjë të flasë këthiellëtë.
5 Edhe njeriu i pavëlyerë nukë do të kluhetë më dorë-hapëtë, edhe argjënt-ruajtësi nukë do të thohetë dorë-çelë.
6 Sepse njeriu i pavëlyerë do të flasë të pavëlyera, edhe zëmëra e ati do të punonjë panominë, që të bënjë të ligënë, edhe të flasë gënjeshtrënë kuntrë Zotit, edhe të sbrazë shpirtin’ e të urishimit, edhe të përmbanjë të pirët’ e të eçimit.
7 Edhe armët’ e argjënt-ruajtësit (janë) të paudha; ay këshillon punë të liga për të prishurë të vobegunë me fialë të rreme, po edhe kur flet i nevolëshimi punë të drejta.
8 Po dorë-hapëti këshillon punë të plota, edhe ay do të pshtetetë mbë punë të plota.
9 Ngrihi, o gra të pasura, dëgjoni zënë t’im, o bila të ngeshime, mbani vesh fialëvet mia:
10 ju të ngeshimetë do të jeni të turbulluara ca dit e ca viet, sepse të vielëtë do të humbasë, edhe të mbëledhurit’ e drithit nukë do të vinjë.
11 Dridhi, ju të pasuratë; turbullohi, ju të ngeshimetë; svishi e rrini lakuriq, edhe ngjishni mezatë (me thes).
12 Do t’u bienë kraharorëvet për arat’ e pëlqyera, edhe për vëreshtatë plot me pemë.
13 Do të mbinjënë gjëmba e driza mbë dhet të gjëndëjesë s’ime, po edhe mbë gjithë shtëpit të gëzimit (ndë) qytet të gëzuarë.
14 Sepse pallatetë do të lihenë, shumica e qytetit do të shkretonetë, muret’ e pirgjetë do të bënenë shpella për gjithë jetënë, të prëjturë gomarësh t’egrë, e kullotë dhënsh,
15 gjersa të derdhetë fryma mbi ju së larti, edhe shkretëtira të bënetë fushë plot me pemë, edhe fusha plot me pemë të kujtonetë si pyll.
16 Atëherë gjyq do të hiesonjë ndë shkretëtirët, edhe dreitëri do të rri ndë fushët plot me pemë.
17 Edhe puna e dreitërisë do të jetë paqtim, edhe fundi i punësë dreitërisë (do të jetë) të prëjturit’ e siguri ndë jetët të jetëvet.
18 Edhe gjëndëja ime do të rrijë ndë një vënt të paqtuarshim, ndër të ndenjura pafrikë, edhe ndër vënde të prëjturi e pushimi.
19 Edhe do të bierë breshër që thyen pyllinë, edhe qyteti do të përmbysetë me prishëje.
20 Lumtë ju që mbillni afërë ç’do uji, që shpini (atie) këmbët’ e kaut e gomarësë.