Isaku dhe Rebeka
1 Abrahami ishte plak, i thyer në moshë dhe Zoti e kishte bekuar në çdo gjë. 2 Atëherë Abrahami i tha shërbëtorit më të vjetër të shtëpisë së tij, atij që kujdesej për gjithçka që kishte: «Vëre dorën tënde nën kofshën time. 3 M'u beto për Zotin, Perëndinë e qiellit e të tokës, se nuk do t'i gjesh grua birit tim prej bijave të Kanaanit, mes të cilëve banoj. 4 Por, do të shkosh në vendin tim dhe te të afërmit e mi. Atje do të marrësh një grua për birin tim, Isakun». 5 Shërbëtori i tha: «Po sikur ajo të mos dojë të vijë me mua në këtë vend? A do të më duhet ta kthej birin tënd në vendin nga u largove ti?». 6 Abrahami iu përgjigj: «Ruhu se ma çon tim bir atje! 7 Zoti, Perëndia i qiellit, ai që më nxori prej shtëpisë së atit tim e prej vendit të të afërmve të mi, ai që më tha e m'u betua: “Pasardhësve të tu do t'ua jap këtë tokë”, ai do të dërgojë engjëllin e tij para teje e ti do të marrësh prej andej një grua për birin tim. 8 Nëse ajo nuk do të dojë të vijë me ty, ti je i zgjidhur nga ky betim. Vetëm tim bir mos ma kthe atje». 9 Atëherë shërbëtori vuri dorën nën kofshën e Abrahamit, zotërisë së tij, dhe iu betua për këtë gjë.
10 Shërbëtori mori me vete dhjetë deve nga devetë e zotërisë së tij dhe, bashkë me tërë të mirat e zotërisë së tij, u nis e shkoi në Aram Naharaim, në qytetin e Nahorit. 11 Në mbrëmje, kur vajzat dilnin për të mbushur ujë, ai i uli devetë jashtë qytetit, pranë pusit, 12 e tha: «O Zot, Perëndia i timzot Abrahamit, ma bëj mbarë sot e tregohu mirëdashës me timzot Abrahamin. 13 Ja, unë po qëndroj pranë pusit dhe vajzat e banorëve të qytetit po dalin për të mbushur ujë. 14 Vajza së cilës do t'i them: “Të lutem, ule shtambën që të pi” e ajo të më përgjigjet: “Pi ti e po u jap për të pirë edhe deveve”, ajo të jetë vajza që ke caktuar për shërbëtorin tënd, Isakun. Kështu do ta di që je treguar mirëdashës me timzot». 15 Ai s'kishte mbaruar së foluri, kur, ja, Rebeka doli me shtambë mbi supe. Ajo ishte vajza e Betuelit, birit të Milkës, gruas së Nahorit, vëllait të Abrahamit. 16 Vajza ishte shumë e bukur dhe e virgjër. Asnjë burrë nuk e kishte prekur. Ajo zbriti te pusi, mbushi shtambën dhe u ngjit. 17 Shërbëtori vrapoi ta takonte e i tha: «Më jep të pi pak ujë nga shtamba jote». 18 Ajo iu përgjigj: «Pi imzot!». Menjëhere e uli shtambën e i dha për të pirë. 19 Pasi i dha ujë i tha: «Po u jap ujë edhe deveve të tua derisa të ngopen». 20 E zbrazi shtambën shpejt në koritë e vrapoi te pusi për të nxjerrë ujë për të gjitha devetë e tij. 21 Ai e vështronte në heshtje për të parë nëse Zoti ia kishte sjellë mbarë, apo jo.
22 Pasi devetë mbaruan së piri, ai mori një unazë të artë për hundën, që peshonte gjashtë gramë dhe dy stoli të arta për duart që peshonin njëqind gramë. 23 E i tha: «Më trego, bija e kujt je? A ka vend për ne në shtëpinë e atit tënd që të kalojmë natën?». 24 Ajo i tha: «Jam e bija e Betuelit, birit të Milkës, që ajo ia lindi Nahorit». 25 Pastaj shtoi: «Te ne ka mjaft kashtë e tagji, si edhe dhoma për të kaluar natën». 26 Atëherë ai u përkul, adhuroi Zotin, 27 e tha: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i timzot Abrahamit, që nuk e kurseu mirësinë dhe besnikërinë ndaj timzot, e që më priu drejt shtëpisë së vëllait të timzot».
28 Vajza vrapoi e ua tregoi njerëzve të shtëpisë të gjitha këto. 29 Rebeka kishte një vëlla që quhej Laban. Ai doli jashtë me vrap drejt njeriut që ishte te pusi. 30 Kur e pa unazën e hundës e stolitë në duart e së motrës dhe dëgjoi fjalët e Rebekës, të motrës, që thoshte: «Kështu më tha ai njeri», vrapoi drejt njeriut dhe, ja, ai po qëndronte me devetë te pusi. 31 Atëherë i tha: «Eja, o i bekuari i Zotit! Përse rri jashtë? Unë e kam bërë gati shtëpinë dhe vendin për devetë». 32 Kështu, ai hyri brenda dhe shkarkoi devetë. I sollën kashtë, tagji e ujë për të larë këmbët ai dhe njerëzit që ishin me të. 33 Pastaj i shtruan për të ngrënë, por ai tha: «Nuk do të ha para se të them ç'kam për të thënë». Labani iu përgjigj: «Urdhëro e fol!».
34 Ai tha: «Unë jam shërbëtori i Abrahamit. 35 Zoti e ka bekuar shumë timzot dhe ai është i pasur . I ka dhënë dele e qe, ar e argjend, shërbëtorë e shërbëtore, deve e gomarë. 36 Sara, gruaja e timzoti, i lindi një djalë në pleqëri. Atij ia ka lënë gjithë pasurinë. 37 Imzot më bëri të betohem: “Birit tim nuk do t'i marrësh grua prej bijave të Kanaanit, në tokën e të cilëve banoj unë. 38 Por do të shkosh në shtëpinë e tim eti e do të marrësh një grua nga fisi im për tim bir”. 39 Unë i thashë timzot: “Po sikur ajo të mos vijë me mua”. 40 Ai më tha: “Zoti, të cilin unë ndjek, do të dërgojë engjëllin e tij me ty, do të ta bëjë mbarë udhëtimin e do të marrësh një grua për birin tim nga fisi im e nga familja e tim eti. 41 Por, nëse shkon te fisi im dhe ata nuk ta japin vajzën, atëherë do të jesh i zgjidhur nga ky betim”.
42 Sot erdha te burimi e thashë: “O Zot, Perëndia i timzot Abrahamit. Ma bëj mbarë udhëtimin që kam nisur. 43 Ja, unë po rri te pusi. Vajza që do të dalë për të mbushur ujë, së cilës do t'i them: ‘Më jep pak ujë nga shtamba jote’, 44 e që do të më thotë: ‘Pi ti dhe devetë e tua’, ajo do të jetë gruaja që Zoti ka caktuar për birin e timzot”.
45 Ende pa mbaruar së foluri me vete, doli Rebeka me shtambën e saj mbi sup. Zbriti te pusi e mbushi ujë. Atëherë unë i thashë: “Më jep të pi”! 46 Menjëherë ajo uli shtambën dhe tha: “Pi. Po u jap për të pirë edhe deveve të tua”. Kështu piva unë dhe ajo u dha edhe deveve për të pirë. 47 Pastaj e pyeta: “Bija e kujt je?”. Ajo m'u përgjigj: “Bija e Betuelit, të birit të Nahorit, që ia lindi Milka”. I vura unazën në hundë dhe stolitë në duar. 48 U përkula dhe adhurova Zotin, duke e bekuar Zotin, Perëndinë e timzot Abrahamit, i cili më priu në udhën e duhur për të marrë vajzën e vëllait të timzot për të birin. 49 Tani, pra, nëse doni të tregoheni mirëdashës e besnikë ndaj timzot, më thoni. Nëse jo, më thoni, që të shkoj diku gjetkë».
50 Atëherë Labani e Betueli u përgjigjën: «Kështu e paska thënë Zoti. Ne nuk kemi çfarë të themi . 51 Ja ku e ke Rebekën, para teje. Merre e shko dhe, ashtu siç ka thënë Zoti, le të bëhet gruaja e birit të tëtzot».
52 Kur shërbëtori i Abrahamit dëgjoi fjalët e tyre, u përkul përdhe e adhuroi Zotin. 53 Ai nxori petka e stoli argjendi e ari dhe ia dha Rebekës. Edhe të vëllait e të ëmës u dha dhurata të çmueshme. 54 Pastaj, ai dhe njerëzit që ishin me të, hëngrën, pinë e aty kaluan natën. Në mëngjes kur u ngritën u tha: «Më lejoni të kthehem te imzot». 55 Por, i vëllai dhe e ëma i thanë: «Le të rrijë vajza së paku dhjetë ditë me ne e pastaj le të shkojë». 56 Ai u përgjigj: «Mos më mbani, meqë Zoti ma bëri mbarë. Më lejoni të shkoj tek imzot». 57 Ata thanë: «Ta thërrasim vajzën e ta pyesim». 58 E thirrën Rebekën e i thanë: «A do të shkosh me këtë njeri?». Ajo u përgjigj: «Po». 59 Atëherë ata përcollën Rebekën, motrën e tyre, shërbëtoren e saj, bashkë me shërbëtorin e Abrahamit dhe njerëzit e tij. 60 E bekuan Rebekën e i thanë:
«Moj motra jonë,
me qindra mijërash u shumofsh!
E portat e armiqve
pasardhësit e tu i pushtofshin».
61 Rebeka e shërbëtorja e saj u ngritën, hipën në deve dhe e ndoqën atë njeri. Kështu, shërbëtori e mori me vete Rebekën e u nis.
62 Ndërkohë, Isaku ishte kthyer nga Ber Lahaj Roiu e banonte në tokën e Negevit. 63 Një ditë, në të ngrysur, kur po shkonte në fushë për të shëtitur , ngriti sytë e pa disa deve duke ardhur. 64 Edhe Rebeka ngriti sytë e pa Isakun. Ajo zbriti prej devesë 65 e i tha shërbëtorit: «Kush është ai që po vjen në fushë për të na takuar?». Shërbëtori i tha: «Është imzot». Atëherë ajo mori velin e u mbulua. 66 Shërbëtori i tregoi Isakut gjithçka që kishte bërë. 67 Isaku e solli Rebekën te tenda e Sarës, nënës së vet. Ai e mori për grua dhe e deshi. Kështu, Isaku u ngushëllua pas vdekjes së të ëmës.
1 Edhe Avraami ishte plak i shkuarë nga viet, edhe Zoti e bekoi Avraaminë mbë të gjitha.
2 Edhe Avraami i tha shërbëtorit ti më të vietërit shtëpisë vet, kujdestarit gjithë gjësë ti: Të lutem, vëre dorënë tënde ndënë kofshët time, 3 edhe do të vë ndë be Zonë, Perëndin’ e qiellit edhe Perëndin’ e dheut, se s’ke për të marrë grua për tem bir nga bilat’ e Hanaanitëvet, që rri unë ndërmest atyreve, 4 po ke për të vaturë ndë vënt tim, edhe ndë fist tim, edhe ke për të marrë grua për tem bir, Isaakunë.
5 Edhe shërbëtori i tha ati: Mbase nukë do të dojë gruaja të më vinjë pas ndë këtë dhe, duhetë të shpie tët bir nd’atë dhe që dolle. 6 Edhe Avraami i tha ati: Ki mëntë, mos shpiesh tem bir atie, 7 Zoti Perëndia i qiellit, që më nxori nga shtëpia e tim et, edhe nga dheu që kam lindurë, edhe i cili më foli, edhe më bëri be, tuke thënë: Këtë dhe do t’ja ap farësë sate, ay do të dërgonjë ëngjëllin’ e ti përpara teje, edhe do të marrç grua për tem bir andej, 8 po ndë mos dashtë gruaja të vinjë pas teje, atëhere do të jesh i liruarë nga këjo beja ime, veçe mos shpiesh tem bir atie.
9 Edhe shërbëtori vuri dorën’ e ti ndënë kofshët t’Avraamit të zot, edhe i bëri be për këtë punë.
10 Edhe shërbëtori mori dhietë kamille nga kamillet’ e të zot, edhe vate tuke siellë me vetëhe nga gjithë të mirat’ e të zot, edhe u ngre e vate ndë Mesopotami, ndë qytet të Nahorit.
11 Edhe unji mbë gjunj kamilletë përjashta qytetit përanë pusit ujit, ndaj mbrëma, kur dilinë gratë të nxirinë ujë. 12 Edhe tha: O Zot Perëndia i tim zot Avraamit, të lutem, epmë një të piekurë të mirë sot, edhe bëri përdëllim Avraamit, tim zot. 13 Na unë tek po rri afërë krojt’ ujit, edhe të bilat’ e vëndëset qytetit dalënë të nxierrënë ujë, 14 edhe ajo vashëzë që t’i them asaj: Të lutem, sbrit shtëmbënë tënde, që të pi, edhe ajo të thotë: Pi, edhe do t’u ap ujë edhe kamillevet tua, këjo qoftë ajo, që bëre gati për shërbëtorinë tënt Isaakunë, edhe nga këjo do t’e njoh se i bëre përdëllim tim zot.
15 Edhe posa të pushonjë ay së foluri, na tek po dilte Reveka, e cila i kishte lindurë Bathuilit, të birit Millkahësë, gruasë Nahorit, të vëllait Avraamit, edhe kishte shtëmbën’ e saj mbë krahë të saj. 16 Edhe vashëza (ishte) fort e bukurë mbë syt, vërgjireshë, edhe burr nuk’ e kishte njohur’ atë; passi sbriti pra ndë gurrët, mbushi shtëmbën’ e saj, edhe po hipte. 17 Edhe shërbëtori vate me vrap e i dolli përpara, edhe i tha: Të lutem, nëmë të pi pakëz’ ujë nga shtëmba jote. 18 Edhe ajo tha: Pi, zoti im; edhe shpejtoi e sbriti shtëmbën’ e saj mbë krahë të saj, edhe i dha e piu. 19 Edhe ay si pushoi së piri, tha (ajo): Do të nxier ujë edhe për kamillet’ e tua, gjersa të pijënë të gjiitha. 20 Edhe sakaqëherash cbrazi shtëmbën’ e saj ndë magjet, edhe vate me vrap ndë pust të nxirrte ujë, edhe nxori ujë për gjithë kamillet’ e ati. 21 Edhe njeriu tuke çuditurë për atë, nukë fliste, që t’e njihte, vallë ja bëri mbarë udhënë Zoti, apo jo. 22 Edhe si pushuanë kamilletë së piri, njeriu mori një palë vathë të artë një gjysëmë shekëlle të rëndë, edhe dy rrathë për duart’ e asaj dhietë (shekëlla) ari të rëndë, 23 edhe (e) pyeti: E kuja bilë (je) ti? Të lutem, thuajmë, a ka vënt ndë shtëpit tyt et për të rënë ne? 24 Edhe ajo i tha ati: Jam e bila e Vathuilit të birit Millkahësë, të cilinë ja polli Nahorit. 25 Edhe i tha ati: (Ka) ndër ne edhe kashtë, edhe shumë bar, edhe vënt për të rënë.
26 Atëhere njeriu unji kryet’ e iu fal Zotit, edhe tha: 27 Qoftë lëvduarë Zoti Perëndia i tim zot Avraamit, që nukë hoqi dorë nga përdëllimi i ti, edhe nga e vërteta e ti prej tim zoti, Zoti ma bëri mbarë udhënë ndë shtëpit të vëllezëret tim zoti.
28 Edhe goca vate me vrap, edhe dha zë ndë shtëpi të s’ëmësë për këto punë.
29 Edhe Reveka kishte një vëlla që kluhej Llavan, edhe Llavani vate me vrap te njeriu jashtë ndë gurrët. 30 Edhe kur pa vathëtë, edhe rrathëtë ndë duart së motërësë, edhe kur dëgjoi fialët’ e Revekësë së motërësë, tuke (i) thënë (se): Kështu më foli njeriu; erdhi te njeriu që kishte ndenjurë përanë kamillevet ndë gurrët. 31 Edhe tha: Hyrë, i bekuari Zotit, përse rri jashtë? Sepse unë bëra gati shtëpinë, edhe vënt për kamillet. 32 Edhe njeriu hyri ndë shtëpit, edhe (ay) shkarkoi kamilletë, edhe u dha kashtë e bar kamillevet, edhe ujë për të larë këmbët’ e ati, edhe këmbët’ e njerëzet që ishinë bashkë me atë. 33 Edhe i vunë përpara ati (bukë) të hante, po ay tha: S’kam për të ngrënë, gjersa të flas fialënë time. Edhe ay tha: Folë.
34 Edhe tha: Unë (jam) shërbëtori i Avraamit. 35 Edhe Zoti bekoi fort tem zot, e u bë i math, edhe i dha ati dhen, e lopë, e argjënt, e ar, e shërbëtorë, e shërbëtore, e kamille, e gomarë. 36 Edhe Sarra, gruaja e tim zot, i polli bir tim zoti, si u plak, edhe i dha ati gjithë ç’kish. 37 Edhe im zot më vuri mbë be, tuke thënë: Mos marrç grua për tem bir nga të bilat’ e Hanaanitëve, ndë dhet t’atyreve që rri unë, 38 po të veç ndë shtëpi të tim et, e ndë fist tim, e të marrç grua për tem bir. 39 Edhe (un’) i thashë tim zot: Mbase nukë do të dojë gruaja të më vinjë pas. 40 Edhe ay më tha: Zoti, që u pëlqyeshë përpara ati, do të dërgonjë ëngjëllin’ e ti bashkë me ty, edhe do të ta bënjë mbarë udhënë, edhe do të marrç grua për tem bir nga fisi im, e nga shtëpia e tim et; 41 atëhere do të jesh i liruarë nga beja që të vura, kur të veç ndë fist tim, e të mos të t’apënë, atëhere do të jesh i liruarë nga beja që të vura.
42 Edhe (un’) erdha sot ndë gurrët, e thashë: O Zot, Perëndia i tim zot Avraamit, të lutem, bëma mbarë udhënë, ndë të cilën’ unë po vete, 43 na unë tek po rri afërë gurrës’ ujit, edhe vashëza që të dalë të nxierrë ujë, edhe të cilësë t’i them: Të lutem, nëmë pakëzë ujë të pi nga shtëmba jote, 44 edhe ajo të më thotë: Edhe ti pi, por edhe për kamillet e tua do të nxier ujë, këjo qoftë gruaja, që të ketë bërë gati Zoti për të birin’ e tim zoti.
45 Edhe përpara se të pushonj tuke folë ndë zemërët time, na Reveka tek po dilte tuke mbarturë shtëmbënë mbë krahë të saj, edhe sbriti ndë gurrët, e nxori ujë, edhe (un’) i thash’ asaj: Të lutem, nëmë të pi. 46 Edhe ajo shpejtoi e sbriti shtëmbën’ e saj së sipërmi, edhe tha: Pi, edhe do t’u ap ujë edhe kamillevet tua; piva pra, edhe u dha ujë edhe kamillevet. 47 Edhe e pyeta atë, e thashë: E kuja bilë je (ti)? Edhe ajo tha: E bila e Vathuilit, të birit Nahorit, që ja polli Millkaha, edhe (un’) i vara vathëtë ndë faqet, edhe rrathëtë mbi duart t’asaj. 48 Edhe unja kryet’ e iu falç Zotit Perëndisë tim zot Avraamit, që ma bëri mbarë udhën’ e vërtetë, që të marr të bilën’ e të vëllait tim zoti për të birin’ e ati.
49 Tashi pra, ndë daçi t’i bëni përdëllim e të vërtetë tim zot, thojmëni, ndë mos po, thojmëni, që të kthehem mbë të diathtë, a mbë të mëngjërë.
50 Edhe Llavani e Vathuili u përgjeqnë e i thanë: Këjo punë dolli prej Zotit, ne nukë munt të themi ty keq a mirë, 51 na (ku është) Reveka përpara teje, merre edhe shko, edhe le të jetë grua e të birit tyt zoti, sikundrë foli Zoti.
52 Edhe shërbëtori i Avraamit kur dëgjoi fialët’ e atyreve, iu fal Zotit (tuke unjurë kryetë) gjer përdhe. 53 Edhe shërbëtori nxori enë të argjëntta, e enë të arta, e rrobe, e ja dha Revekësë, pastaj i dha dhurata edhe të vëllait asaj, e s’ëmës asaj. 54 Edhe hëngrë e pinë, ay edhe njerëzetë që ishinë bashkë me atë, edhe flejtinë atë natë, edhe si u ngritnë ndë mëngjes, tha: Dërgomëni te im zot. 55 Edhe i vëllai e e ëma thanë: Le të mbesë vashëza bashkë me ne (ca dit), pak (së) paku dhietë (dit), pastaj ka për të ardhurë. 56 Edhe (ay) u tha atyreve: Mos më mbani, sepse Zoti ma bëri mbarë udhënë, dërgomëni të vete te im zot. 57 Edhe ata thanë: Le të thërresëmë gocënë, edhe le të pyesëmë mëndëjen’ e asaj. 58 Edhe thërritnë Revekënë, e i thanë asaj: A vete bashkë me këtë njeri? Edhe ajo tha: Vete.
59 Edhe (ata) dërguanë Revekënë të motërën’ e tyre, edhe mëndeshën’ e asaj, edhe shërbëtorin’ e Avraamit, edhe njerëzit’ e ati. 60 Edhe bekuanë Revekënë, e i thanë asaj: Je motëra jonë, u bëfsh (mëmë përmbi) milëra dhietëra milërash, edhe fara jote pushtoftë dyert’ e arëmiqet saj!
61 Edhe u ngrit Reveka, edhe shërbëtorët’ e asaj, edhe u hipnë kamillevet, edhe vanë pas njeriut, edhe shërbëtori mori Revekënë e shkoi.
62 Edhe Isaaku po kthenej nga pusi Llahai-roj, sepse rrinte ndë dhet të mesditësë. 63 Edhe Isaaku dolli ndë fushët që të falej ndaj mbrëma, edhe kur ngriti syt’ e ti, pa, edhe na tek po vininë kamille. 64 Edhe Reveka kur ngriti syt’ e saj, pa Isaakunë, edhe u hoth poshtë nga kamilleja. 65 Sepse i pat thënë shërbëtorit: Cili (ësht’) ay që po vien fushësë të na dalë përpara? Edhe shërbëtori i pat thënë: Ësht’ im zot. Edhe ajo mori napënë e u mbulua. 66 Edhe shërbëtori i tregoi Isaakut gjithë sa kishte bërë. 67 Edhe Isaaku pruri atë ndë tendët të Sarrësë s’ëmësë ti, edhe mori Revekënë edhe u bë gruaja e ati, edhe e deshi atë, edhe Isaaku u ngushullua për t’ëmën’ e ti.