Moisiu e Aroni para faraonit
1 Zoti i tha Moisiut: «Shiko, të kam vënë si perëndi para faraonit, ndërsa Aroni, yt vëlla, do të jetë profeti yt. 2 Thuaji Aronit, vëllait tënd, gjithçka që do të të urdhëroj. Ai të flasë me faraonin, që t'i lërë izraelitët të shkojnë nga toka e Egjiptit. 3 Por unë do ta ngurtësoj zemrën e faraonit, që të shumoj shenjat dhe mrekullitë e mia në tokën e Egjiptit. 4 Ai nuk do t'ju dëgjojë. Atëherë unë do të ngre dorë kundër Egjiptit, do ta gjykoj rëndë e do t'i nxjerr izraelitët, popullin e ushtrinë time, nga toka e Egjiptit. 5 Kur të ngre dorë kundër Egjiptit, për të nxjerrë izraelitët nga mesi i tyre, egjiptianët do ta dinë se unë jam Zoti». 6 Moisiu e Aroni bënë ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti.
7 Moisiu ishte tetëdhjetë vjeç, ndërsa Aroni ishte tetëdhjetë e tre vjeç kur folën me faraonin. 8 Zoti i tha Moisiut e Aronit: 9 «Nëse faraoni ju kërkon ndonjë shenjë, thuaji Aronit ta marrë shkopin e ta hedhë para faraonit dhe shkopi do të kthehet në gjarpër». 10 Moisiu e Aroni shkuan te faraoni dhe bënë siç i kishte urdhëruar Zoti. Aroni e hodhi shkopin para faraonit e para shërbëtorëve të tij dhe shkopi u kthye në gjarpër. 11 Atëherë faraoni thirri dijetarët dhe yshtësit. Të njëjtën gjë bënë edhe magjistarët e Egjiptit me shortitë e tyre. 12 Secili hodhi shkopin e vet dhe ata u kthyen në gjarpërinj, por shkopi i Aronit i përpiu shkopinjtë e magjistarëve. 13 Megjithatë, faraoni u tregua kokëfortë dhe nuk i dëgjoi, siç kishte thënë Zoti.
Ndëshkimi i parë
14 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Faraoni është kokëfortë dhe nuk do ta lërë popullin të ikë. 15 Shko në mëngjes te faraoni. Kur ai të dalë nga uji, dili përpara buzë lumit Nil, merr me vete shkopin që u shndërrua në gjarpër 16 dhe thuaji: “Zoti, Perëndia i hebrenjve, më dërgoi te ti që të të them: lëre popullin tim të shkojë në shkretëtirë, që të më shërbejë. Por ti, deri tani, nuk ke dëgjuar. 17 Kështu thotë Zoti: me këtë do ta dish se unë jam Zoti. Ja, unë do ta godas ujin e lumit me shkopin që kam në dorë dhe uji do të shndërrohet në gjak. 18 Peshqit në lumë do të ngordhin, lumi do të qelbet dhe egjiptianëve do t'u vijë ndot të pinë ujë nga lumi”». 19 Zoti i tha Moisiut: «Thuaji Aronit të marrë shkopin dhe të shtrijë dorën mbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenj e mbi përrenj, mbi këneta e mbi liqene, që të kthehen në gjak. Mbarë toka e Egjiptit do të bëhet gjak, deri edhe uji në enët e drurit e të gurit».
20 Moisiu e Aroni bënë siç i kishte urdhëruar Zoti. Ai ngriti shkopin dhe goditi ujin e lumit para faraonit e shërbëtorëve të tij. Atëherë i tërë lumi u shndërrua në gjak. 21 Peshqit e lumit ngordhën, lumi u qelb dhe egjiptianët nuk mund të pinin më nga lumi. Mbarë toka e Egjiptit u bë gjak. 22 Po kështu bënë edhe magjistarët e Egjiptit me shortitë e tyre. Faraoni u tregua kokëfortë e nuk i dëgjoi, siç kishte thënë Zoti. 23 Faraoni u kthye e shkoi në shtëpinë e tij dhe nuk e vrau mendjen as për këtë. 24 Tërë Egjipti hapi puse rreth e rrotull lumit, që të kishin ujë për të pirë, se uji i lumit nuk pihej.
Ndëshkimi i dytë
25 Si kaluan shtatë ditë që kur goditi lumin, 26 Zoti i tha Moisiut: «Shko te faraoni e thuaji: “Kështu thotë Zoti: lëre popullin tim të shkojë, që të më shërbejë! 27 Nëse nuk e lë të shkojë, unë do ta ndëshkoj tërë vendin tënd me bretkosa. 28 Nili do të gëlojë me bretkosa që do të dalin e do të hyjnë në shtëpinë tënde, në dhomën e gjumit, në shtrat, në furra e magje, në shtëpitë e shërbëtorëve të tu e të popullit tënd. 29 Bretkosat do t'ju mbulojnë, ty, popullin tënd dhe tërë shërbëtorët e tu”».
1 Edhe Zoti i tha Moisiut: Shih, (se) unë të bëra Perëndi te Faraoni, edhe Aaroni yt vëlla do të jetë profiti yt, 2 ti ke për të folë gjithë sa që të urdhëronj; edhe Aaroni yt vëlla do t’i flasë Faraonit, që të lëshonjë të bijt’ e Israilit të dalënë nga dheu i ti, 3 edhe unë do t’i ashpëronj zemrënë Faraonit, edhe do të shumonj shenjet’ e mia e çudit’ e mia ndë dhe të Egjyptërisë, 4 po Faraoni nukë do t’u dëgjonjë juve, edhe do të vë dorënë time mbi Egjyptërinë, edhe do të nxier ushtërit’ e mia, gjëndëjenë time, të bijt’ e Israilit, nga dheu i Egjyptërisë, me gjyqe të mëdha, 5 edhe Egjyptianëtë do të njohënë, se unë (jam) Zoti, kur të ndenj dorënë time mbi Egjyptërinë, edhe të nxier të bijt’ e Israilit nga mezi i atyre.
6 Edhe Moisiu e Aaroni bënë sikundrë i urdhëroi Zoti, kështu bënë. 7 Edhe Moisiu (ishte) tetëdhietë vieç plak, edhe Aaroni tetëdhiet’ e tre vieç, kur i folnë Faraonit.
8 Edhe Zoti i tha Moisiut e Aaronit, tuke thënë: 9 Kur t’u thotë juve Faraoni tuke thënë: Dëfteni një çudi për vetëhenë tuai, atëhere t’i thuaç Aaronit: Merr stapinë tënt, edhe hidhe përpara Faraonit, (edhe) do të bënetë gjarpër. 10 Pra Moisiu edhe Aaroni hynë te Faraoni, edhe bënë kështu si i urdhëroi Zoti, edhe Aaroni hodhi stapin’ e ti përpara Faraonit, e përpara shërbëtorëvet ati, edhe u bë gjarpër.
11 Edhe Faraoni thirri të diturit’ e magjëstarëtë, edhe magjëstarët’ e Egjyptërisë bënë edhe ata kështu, me kënkët’ e tyre. 12 Edhe gjithësecili hodhi stapin’ e ti, edhe u bënë gjarpinj, po stapi i Aaronit përpiu stapat’ e atyreve. 13 Edhe zemëra e Faraonit u ashpërua, edhe nuk’ u dëgjoi atyre, sikundrë foli Zoti.
14 Edhe Zoti i tha Moisiut: U ashpërua zemëra e Faraonit (kaqë) sa të mos lëshonjë gjëndëjenë të dalënë. 15 Shko te Faraoni (nesër) ndë mëngjes, na tek po del nd’ujët, edhe të rrish buzë lumit, që të piqesh me atë, edhe të mbash ndë dorët tënde atë stapnë, që u bë gjarpër, 16 edhe t’i thuaç ati: Zoti Perëndia i Evrevet më dërgoi te ti, edhe tha: Lësho gjëndëjenë time të dalënë, që të më lusnjënë ndë shkretëtirët, po ti na tek nukë dëgjove gjer tashi, 17 kështu thotë Zoti: Me këtë do t’e njohç, se unë (jam) Zoti, na me këtë stap (që kam) ndë dorë do t’u bie ujëravet lumit, edhe do të bënenë gjak, 18 edhe pishqetë, që janë ndë lumt, do të ngrodhnjënë, edhe lumi do të qelbetë, edhe Egjyptianëvet do t’u vinjë të ndyrë të pinë ujë nga lumi.
19 Edhe Zoti i tha Moisiut: Thuaj Aaronit: Merr stapnë tënt, edhe ndej dorënë tënde mbi ujërat të Egjyptërisë, (e) mbi rrëket t’atyre, (e) mbi lumrat t’atyre, (e) mbi lëqerat t’atyre, e mbi gjithë mbëledhëjen’ e ujëravet atyre, edhe do të bënenë gjak, edhe do të jenë gjak ndëpër gjithë dhen’ e Egjyptërisë, edhe ndë (enët) të drunjta e të gurta. 20 Edhe Moisiu e Aaroni bënë kështu, sikundrë i urdhëroi Zoti, edhe (Aaroni) ngriti stapnë, e u ra ujëravet lumit përpara Faraonit, e përpara shërbëtorëvet ati, edhe gjith’ ujërat’ e lumit u bënë gjak. 21 Edhe pishqetë (që ishinë) ndë lumt ngorthnë, edhe lumi u qelp (kaqë), sa Egjyptianëtë nukë munt të pininë ujë nga lumi, edhe ishte gjak ndëpër gjithë dhen’ e Egjyptërisë.
22 Po edhe magjëstarët’ e Egjyptërisë bënë ashtu me kënkët e tyre, edhe zemëra e Faraonit u ashpërua, edhe nuk’ u dëgjoi atyre, sikundrë tha Zoti. 23 Edhe Faraoni u kthye, e erdhi ndë shtëpi të ti, edhe nuk’ u sbut zemëra e ti as nga këjo. 24 Edhe gjith’ Egjyptianëtë rëmonjinë qark lumit për të pirë ujë, sepse nukë munt të pininë nga ujët’ e lumit. 25 Edhe u mbushnë shtatë dit, që kur i ra lumit Zoti.