1 Pastaj Jozefi e përqafoi të atin, qau dhe e puthi. 2 Jozefi i urdhëroi shërbëtorët e tij dhe mjekët që ta balsamosnin të atin. Mjekët e balsamosën Izraelin. 3 U deshën dyzet ditë, sepse kaq zgjaste balsamimi. Egjipti e vajtoi Jakobin për shtatëdhjetë ditë. 4 Pasi kaloi koha e zisë, Jozefi i tha shtëpisë së faraonit: «Nëse kam gjetur hir para jush, i thoni faraonit 5 se im atë më bëri të betohem që, kur të vdiste, ta varrosja në varrin që kishte hapur për vete në tokën e Kanaanit. Prandaj, tani, faraoni të më lërë të shkoj që të varros tim atë e pastaj do të kthehem». 6 Atëherë faraoni i tha: «Shko e varrose atin tënd, siç iu betove». 7 Kështu, Jozefi shkoi për të varrosur të atin. Me të shkuan të gjithë shërbëtorët e faraonit, pleqtë e shtëpisë së faraonit, tërë pleqtë e tokës së Egjiptit, 8 e gjithë shtëpia e Jozefit, vëllezërit e tij dhe shtëpia e të atit. Vetëm fëmijët, dhentë e qetë e tyre mbetën në tokën e Goshenit. 9 Bashkë me të shkuan edhe karrocat e kalorësit dhe kështu u bë një turmë shumë e madhe njerëzish. 10 Shkuan deri te lëmi i Atadit, që ishte përtej Jordanit, dhe atje e vajtuan me gjëmë e Jozefi mbajti shtatë ditë zi për të atin. 11 Kur dëgjuan vajtimin në lëmin e Atadit, banorët e Kanaanit thanë: «Qenka zi e madhe për Egjiptin!». Prandaj edhe vendi përtej Jordanit u quajt Abel Micraim.
12 Kështu bijtë e Jakobit bënë siç ishin urdhëruar. 13 E çuan në tokën e Kanaanit dhe e varrosën përballë Mamreut, në shpellën e arës së Makpelës, që Abrahami kishte blerë bashkë me arën si pronë varri nga Efron Hititi. 14 Atëherë Jozefi, pasi varrosi të atin, u kthye në Egjipt bashkë me vëllezërit dhe tërë njerëzit që kishin shkuar për ta varrosur.
Jozefi dhe vëllezërit
15 Pasi u vdiq i ati, vëllezërit thanë: «Nëse Jozefi na urren ende, do të marrë hak patjetër për tërë të keqen që i bëmë!». 16 Atëherë i çuan fjalë Jozefit e i thanë: «Yt atë, para se të vdiste, urdhëroi: 17 “I thoni Jozefit kështu: të përgjërohem, fale fajin dhe mëkatin e vëllezërve të tu megjithëse u sollën keq me ty”. Tani pra, të lutemi, fale fajin e shërbëtorëve të Perëndisë së atit tënd!». Jozefi qau kur i dëgjoi këto fjalë. 18 Pastaj vëllezërit e tij shkuan, u përkulën me nderim e thanë: «Ja, jemi shërbëtorët e tu!». 19 Por Jozefi u tha: «Mos kini frikë! Mos jam Perëndia unë?! 20 Ndonëse ju e kishit për keq, Perëndia e ktheu në të mirë, që të bëjë atë që po ndodh sot, të mbajë gjallë një popull të tërë. 21 Prandaj, mos kini frikë. Unë do kujdesem për ju e për fëmijët tuaj». Kështu, i ngushëlloi e u foli butë.
Vdekja e Jozefit
22 Jozefi bashkë me shtëpinë e të atit banoi në Egjipt. Ai jetoi njëqind e dhjetë vjet. 23 I pa bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë dhe bijtë e Makirit, birit të Manaseut, lindën në prehrin e Jozefit. 24 Atëherë Jozefi u tha vëllezërve: «Unë po vdes, por Perëndia me siguri do t'ju kujtojë e do t'ju nxjerrë nga kjo tokë për t'ju çuar në tokën për të cilën iu betua Abrahamit, Isakut e Jakobit». 25 Pastaj Jozefi u kërkoi bijve të Izraelit të betohen e u tha: «Kur Perëndia t'ju kujtojë, m'i merrni me vete eshtrat prej këtij vendi». 26 Jozefi vdiq njëqind e dhjetë vjeç. Trupin e tij e balsamosën dhe e vendosën në një sarkofag në Egjipt.
1 Edhe Josifi ra mbi faqet t’et, e klau mbi atë, edhe e puthi. 2 Edhe Josifi urdhëroi shërbëtorët’ e ti miekësitë, të vallsamosinë t’anë, edhe miekësit’ e vallsamosnë Israilinë. 3 Edhe u mbushnë dyzet dit për atë, sepse kështu mbushenë dit’ e të vallsamosurit, edhe Egjyptianëtë mbajtnë zi për atë shtatëdhietë dit.
4 Edhe passi shkuanë dit e zisë ati, Josifi foli ndë shtëpi të Faraonit, e tha: Tashi ndë paça gjeturë hirë përpara jush, u lutem, flitni ndë veshët të Faraonit, e thoni: 5 Im atë më vuri mbë be, tuke thënë: Na unë tek po vdes; ndë varrt tim, që e rëmova për vetëhenë time, ndë dhe të Hanaanit, atie do të më kallç ndë varr; tashi pra, le të ngjitem, u lutem, e le të këllas ndë varr tem atë, edhe do të kthehem. 6 Edhe Faraoni tha: Ngjitu, e kall ndë varr tët atë, sikundrë të vuri mbë be.
7 Edhe Josifi u ngjit për të kallë ndë varr t’anë, edhe u ngjitnë bashkë me atë gjithë shërbëtorët’ e Faraonit, më të vietërit’ e shtëpis’ ati, edhe gjithë pleqësia e dheut Egjyptërisë, 8 edhe gjithë shtëpia e Josifit, edhe të vëllezërit’ e ati, edhe shtëpia e t’et, vetëmë fëmijët’ e tyre, e dhënt’ e tyre, e lopët’ e tyre, lanë ndë dhe të Goshenit. 9 Edhe u ngjitnë bashkë me atë edhe qerre e kalori, kaqë sa u bë një shoqëri e madhe fort, 10 edhe erdhë ndë lamët të Atadit, që (është) përtej Jordhanit, edhe atie klanë me ulërimë të madhe e shumë të fortë, edhe (Josifi) mbajti zi shtatë dit për t’anë. 11 Edhe Hanaanitëtë, vëndësit’ e ati vëndi, kur panë zinë ndë lamët të Atadit, thanë: Zi e madhe (qënëka) këjo ndër Egjyptianëtë, përandaj u kluajti emëri i ati (vëndi) Abel-mizraim [Zia e Egjyptianëvet], i cili (është) përtej Jordhanit.
12 Edhe të bijt’ e ati bënë për atë, sikundrë i porositi ata, 13 edhe të bijt’ e ati si e prunë atë ndë dhe të Hanaanit, e kallnë ndë varr ndë shpellët të arësë Mahpellahut, që bleu Avraami bashkë me arënë për vënt varri nga Efron Hittiti, kundruell Mamresë. 14 Edhe Josifi passi kalli ndë varr t’anë, u kthye ndë Egjyptëri, ay edhe të vëllezëritë, edhe gjith’ ata që ishinë ngjiturë bashkë me atë për të kallë ndë varr t’anë.
15 Edhe të vëllezëritë’ e Josifi kur panë se vdiq i ati tyre, thanë: Mbase Josifi do të na mbajë mënt të keqenë, edhe do të na e shkëmbenjë me të tepërë për gjithë sa të këqia që i bëm ati. 16 Edhe i dërguanë fialë Josifit, edhe thanë: Yt atë urdhëroi që pa vdekurë, edhe tha: 17 Kështu t’i thoni Josifit: Fal shtrembërin’ e tyt vëllezëre, edhe fajin’ e atyre, sepse të bënë keq; tashi pra, të lutemi, fal të shtrembëtën’ e shërbëtorëvet Perëndisë tyt et. Edhe Josifi klau kur i folnë (këto). 18 Vanë edhe të vëllezërit’ e ati, e i ranë (ndër këmbë) përpara ati, e thanë: Na neve (tek jemi) shërbëtorët’ e tu. 19 Edhe Josifi u tha atyre: Mos frikësohi, sos (jam) unë ndë vënt të Perëndisë? 20 Ju bëtë këshillë të ligë kundrë meje, po Perëndia bëri ndër mënt (edhe e ktheu) për të mirë, që të bënej sikundrë sot, që shpëtoi jetën’ e shumë gjëndëje, 21 tashi pra mos frikësohi, unë do t’u ushqenj juve, edhe fëmijëtë tuaj. Edhe ngushëlloi ata, e u foli pas zemërës’ atyre.
22 Edhe Josifi ndenji ndë Egjyptëri ay edhe gjithë shtëpia e t’et, edhe Josifi rroi një qint e dhietë viet. 23 Edhe Josifi pa djem nga Efraimi, gjer mbë të tretinë (bres), edhe të bijt’ e Maqirit, të birt Manassehut, lintnë mbi gjunjt të Josifit.
24 Edhe Josifi u tha të vëllezëret ti: Unë po vdes, po Perëndia me të vërtetë do t’u vështronjë juve, edhe do t’u ngjisë juve nga ky dhe, nd’atë dhe që i bëri be Avraamit, e Isaakut, e Jakovit. 25 Edhe Josifi vuri mbë be të bijt’ e Israilit, e u tha: Perëndia me të vërtetë do t’u vështronjë juve, edhe do të ngreni eshtërat’ e mia së këtejmi. 26 Edhe Josifi vdiq një qint e dhietë vieç plak, edhe e vallsamosnë atë, edhe u vu ndë një arkë ndë Egjyptëri.