Rrethprerja si shenjë e besëlidhjes
1 Kur Abrami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti iu shfaq e i tha: «Unë jam Perëndia i gjithëpushtetshëm. Jeto me mua e ji i paqortueshëm. 2 Unë do të lidh besëlidhjen time me ty e do të të shumoj pa masë». 3 Abrami ra me fytyrë përdhe e Perëndia i tha: 4 «Sa për mua, kjo është besëlidhja ime me ty: do të bëhesh atë i shumë kombeve. 5 Nuk do të quhesh më Abram, por Abraham, sepse të kam bërë atë të shumë kombeve. 6 Do të të shumoj pa masë. Prej teje do të nxjerr kombe e prej teje do të lindin mbretër. 7 Do ta bëj besëlidhjen time me ty e me pasardhësit e tu brez pas brezi, një besëlidhje të përjetshme, për të qenë Perëndia yt dhe i pasardhësve të tu. 8 Ty e pasardhësve të tu, do t'ju jap si pronë të përjetshme tokën në të cilën banon si i huaj dhe tërë tokën e Kanaanit. Unë do të jem Perëndia i tyre».
9 Perëndia i tha Abrahamit: «Sa për ty, ti do të mbash besëlidhjen time, ti e pasardhësit e tu brez pas brezi. 10 Besëlidhja që ti e pasardhësit e tu duhet të mbani është kjo: gjithë meshkujt tuaj do të rrethpriten. 11 Do të rrethpriteni në lëkurën e gjymtyrës mashkullore e kjo do të jetë shenjë e besëlidhjes mes meje e jush. 12 Çdo mashkull, brez pas brezi, do të rrethpritet tetë ditë pas lindjes, edhe i linduri në shtëpi, edhe i huaji i blerë me para që nuk është pasardhësi yt. 13 Duhen rrethprerë si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, edhe ai i blerë me para. Besëlidhja ime do të jetë në mishin tuaj një besëlidhje e përjetshme. 14 Mashkulli i parrethprerë, që nuk rrethpritet në lëkurën e gjymtyrës mashkullore, do të zhbihet prej popullit të vet, sepse ka thyer besëlidhjen time».
15 Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: «Gruan tënde nuk do ta quash më Sarajë, por Sara. 16 Do ta bekoj, madje prej saj do të të jap një djalë. Do ta bekoj e prej saj do të lindin kombe e do të dalin mbretër kombesh». 17 Abrahami ra me fytyrë përdhe, qeshi e tha me vete: «A mundet burri njëqind vjeç të bëhet me djalë e Sara nëntëdhjetëvjeçe të lindë?!». 18 Atëherë Abrahami i tha Perëndisë: «Mjaft që ta kem me jetë Ishmaelin në praninë tënde!». 19 Por Perëndia tha: «Jo, jo. Sara, gruaja jote, do të të lindë djalë e do ta quash Isak. Besëlidhjen time me të do ta bëj një besëlidhje të përjetshme, edhe për pasardhësit e tij. 20 Sa për Ishmaelin, të dëgjova dhe, ja, do ta bekoj e do ta shtoj e shumoj pa masë. Dymbëdhjetë prijës do të lindin prej tij e do ta bëj një komb të madh. 21 Por besëlidhjen time do ta bëj me Isakun që Sara do të të lindë pas një viti». 22 Perëndia mbaroi së foluri me Abrahamin e u largua prej tij.
23 Atëherë Abrahami e mori Ishmaelin, birin e tij, të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe ata që i kishte blerë me para. Në të njëjtën ditë i mori tërë meshkujt e shtëpisë e i rrethpreu në lëkurën e gjymtyrës mashkullore, ashtu siç i kishte thënë Perëndia. 24 Abrahami ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeç kur u rrethpre, 25 ndërsa Ishmaeli, i biri, ishte trembëdhjetë vjeç. 26 Në të njëjtën ditë u rrethprenë Abrahami e Ishmaeli, i biri, 27 e bashkë me të, tërë meshkujt e shtëpisë së tij, edhe i linduri në shtëpi, edhe i huaji i blerë me para.
1 Edhe Avrami kur ishte nëntëdhiet’ e nëntë vieç, Zoti iu duk Avramit, e i tha: Unë (jam) Perëndia Gjithëpushtetësi, ecë përpara meje, edhe bënu i mbarë.
2 Edhe do të bënj dhiatënë time ndërmes meje e teje, edhe do të të shumonj fort shumë.
3 Edhe Avrami ra mbi faqet të ti, edhe Perëndia i foli ati, tuke thënë:
4 Sa prej meje, na dhiata ime (është) me ty, edhe do të bëneç i ati shumë kombeve,
5 edhe emëri yt nukë do të kluhetë më Avram, por emëri yt do të kluhetë Avraam, sepse të bëra atë shumë kombeve,
6 edhe do të të shtonj fort shumë, edhe do të vë mbi kombe, edhe do të dalënë mbëretër prej teje;
7 edhe do të vë dhiatënë time ndërmes meje e teje, edhe farësë sate pas teje mbë brezat t’atyre, për dhiatë të përherëshime, që të jem Perëndi te ti edhe te fara jote pas teje,
8 edhe do t’ap ty edhe farësë sate pas teje, dhenë që rri i huajë nd’atë, gjithë dhen’ e Hanaanit, për trashëgim të përherëshim, edhe do të jem Perëndia i atyreve.
9 Edhe Perëndia i tha Avraamit: Edhe ti do të ruanjç dhiatënë time, ti edhe fara jote pas teje ndë brezat të tyre. 10 Këjo (është) dhiata ime, që do të ruani ndërmes meje e juve, edhe farësë sate pas teje. Çdo mashkull prej jush do të rrethpritetë. 11 Edhe do të rrethprisni mishin’ e lafshësë tuaj, edhe do të jetë për shenjën’ e dhiatësë ndërmes meje e juve, 12 edhe tetë diç dialë do të rrethpritetë ndër ju, çdo mashkull ndë brezat tuaj që ka lindurë ndë shtëpit, a blerë me argjënt nga ndonjë i huajë, që nuk’ është nga fara jote, 13 ay që ka lindurë ndë shtëpit tënde, edhe ay që është blerë me argjëntnë tënd, vërte do të të rrethpritetë, edhe dhiata ime do të jetë ndë mish tuaj për dhiatë e përherëshime, 14 edhe mashkulli i parrethprerë, që të mos i rrethpritetë mishi i lafshësë, ay shpirt do të vdiretë nga mesi i gjëndëjesë ti, (sepse) prishi dhiatënë time.
15 Edhe Perëndia i tha Avraamit: Sarësë gruasë sate, s’do t’ia kluanjç më emërinë Sarë, por Sarrë [Zonjë] (do të jet’) emëri i asaj. 16 Edhe do të bekonj atë, edhe ty do t’ap dialë nga ajo, edhe do të bekonj atë, edhe do të bënetë (mëmë) kombeve, mbëretërë gjëndëjeve do të dalënë nga ajo.
17 Edhe Avraami ra mbi faqet të ti, edhe qeshi, e tha ndë zemërë të ti: Një qint vieç burri do t’i lintnjë (dialë)? Edhe Sarra, nëntëdhietë vieç grua do të piellë? 18 Edhe Avraami i tha Perëndisë: Rroftë Ismaili përpara teje! 19 Edhe Perëndia tha: Po, gruaja jote Sarra do të të piellë dialë, edhe do t’ia kluanjç emërin’ ati Isaak, edhe do të bënj dhiatënë time me atë për dhiatë të përherëshime, (edhe) me farën’ e ati pas ati. 20 Edhe për Ismailinë, të dëgjova. Na tek e bekova atë, edhe do ta shtonj, edhe do t’e shumonj fort shumë, do t’i lintnjënë dymbëdhietë zotëri, edhe do t’e bënj atë komp të math, 21 po dhiatënë time do t’e bënj me Isaakunë, që do të piellë ty Sarra vitinë që vien, posi mbë këtë kohë. 22 Edhe si mbaroi të foluritë bashkë me atë, Perëndia hipi lart nga Avraami. 23 Edhe Avraami mori Ismailinë të birrë, edhe gjith’ata që kishinë lindurë ndë shtëpit të ti, edhe gjith’ata që kishte blerë me argjënt të ti, çdo mashkull të njerëzet shtëpis’ Avraamit, edhe u rrethpreu mishin’ e lafshësë atë ditë, sikundrë i tha Perëndia. 24 Edhe Avraami (ishte) nëntëdhiet’ e nëntë vieç kur rrethpreu mishin’ e lafshësë ti. 25 Edhe Ismaili i biri ati (ishte) trembëdhietë vieç, kur rrethpreu mishin’ e lafshësë ti. 26 Atë ditë u rrethpre Avraami edhe Ismali i biri ati, 27 edhe gjithë njerëzit’ e shtëpis’ ati, edhe ata që ishinë blerë me argjënt nga të tierë kombe, u rrethprenë bashkë me atë.