Vajosja e tendës
1 Zoti i tha Moisiut: 2 «Ngrije tendën, tendën e takimit, në ditën e parë të muajit të parë. 3 Vendose arkën e dëshmisë pas velit. 4 Sille tryezën e shtroje siç duhet. Sille shandanin e vendosi llambat. 5 Vendose altarin e artë që përdoret për të djegur temjan, përpara arkës së dëshmisë e vare perden në hyrje të tendës. 6 Vendose altarin e flive të shkrumbimit përpara hyrjes së tendës, tendës së takimit. 7 Legenin vendose ndërmjet tendës së takimit e altarit dhe mbushe me ujë. 8 Rrethoje oborrin e vare perden në hyrje të tij. 9 Merre vajin e vajosjes dhe vajos tendën me tërë orenditë. Shenjtëroje bashkë me tërë enët përkatëse që tenda të jetë e shenjtë. 10 Vajose altarin e flive të shkrumbimit bashkë me tërë enët përkatëse. Shenjtëroje që altari të jetë tejet i shenjtë. 11 Vajose legenin bashkë me bazën dhe shenjtëroje.
12 Pastaj afroje Aronin me bijtë e tij te hyrja e tendës së takimit dhe laji me ujë. 13 Vishja Aronit rrobat e shenjta. Vajose dhe shenjtëroje që të më shërbejë si prift. 14 Afroji edhe bijtë e tij dhe vishua tunikat. 15 Vajosi edhe ata, sikurse vajose atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj. Me këtë vajosje ata do të jenë priftërinj të përhershëm, brez pas brezi».
16 Moisiu bëri gjithçka ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. 17 Kështu, në ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, tenda u ngrit. 18 Moisiu e ngriti tendën. I vuri bazat, dërrasat, shtizat dhe shtyllat. 19 Mbi tendë shtriu mbulesën siç e kishte urdhëruar Zoti. 20 Pastaj mori dëshminë dhe e vuri në arkë. Ia vendosi shufrat arkës dhe mbi të vuri pajtimoren. 21 Arkën e solli në tendë dhe, pasi vari velin, arka e dëshmisë u nda siç e kishte urdhëruar Zoti. 22 Pastaj solli tryezën në tendën e takimit dhe e vuri në anën tjetër të velit, në krahun verior të tendës. 23 Mbi të shtroi bukët kushtuar Zotit, siç e kishte urdhëruar Zoti. 24 Solli edhe shandanin në tendën e takimit dhe e vuri përballë tryezës, në krahun jugor të tendës. 25 Ia vendosi edhe llambat siç e kishte urdhëruar Zoti. 26 Pastaj solli altarin në tendën e takimit dhe e vuri përballë velit. 27 Në të dogji temjan erëkëndshëm siç e kishte urdhëruar Zoti. 28 Pastaj vari perden në të hyrë të tendës. 29 Altarin e flive të shkrumbimit e vuri në të hyrë të tendës, tendës së takimit. Në të kushtoi fli shkrumbimi dhe fli drithi siç e kishte urdhëruar Zoti. 30 Legenin e vendosi ndërmjet tendës së takimit dhe altarit dhe e mbushi me ujë për larjen. 31 Moisiu, Aroni e bijtë e tij e përdornin për të larë duart dhe këmbët 32 sa herë që hynin në tendën e takimit ose i afroheshin altarit, siç e kishte urdhëruar Zoti. 33 Pastaj e rrethoi oborrin përreth tendës e altarit dhe vari perden në të hyrë të tij. Kështu Moisiu i përfundoi punimet.
Lavdia e Perëndisë
34 Atëherë reja e mbuloi tendën e takimit dhe lavdia e Zotit mbushi tendën. 35 Moisiu nuk hyri dot në tendën e takimit, sepse reja prehej mbi të dhe lavdia e Zotit kishte mbushur tendën. 36 Gjatë gjithë shtegtimit të tyre, izraelitët niseshin për udhë sa herë që reja ngrihej nga tenda. 37 Nëse reja nuk ngrihej, ata nuk niseshin deri kur vinte dita që ajo të ngrihej. 38 Tërë shtëpia e Izraelit, gjatë gjithë shtegtimit të tyre, e shihte renë e Zotit mbi tendë gjatë ditës dhe zjarrin në të gjatë natës.
1 Edhe Zoti i foli Moisiut, edhe i tha: 2 Të parënë ditë të muajit parë të ngrehç tendën’ e avllisë, tendën’ e përmbëledhëjesë. 3 Edhe të vësh atie arkën’ e deshmimit, edhe të mbulonjç arkënë me kurtinënë. 4 Edhe të këllaç truvezënë, edhe të vësh mbë sërë ato që janë për të vënë mbë sërë mbi atë, edhe të këllaç kandilenë, edhe të dhesç dritat e asai. 5 Edhe të vësh thimiatarin’ e artë të thimiamësë përpara arkësë deshmimit, edhe të vësh plafin’ e derësë ndë tendët. 6 Edhe të vësh theroren’ e kurbanit diegurë përpara derësë tendësë, tendësë përmbëledhëjesë. 7 Edhe të vësh lanjëtarinë ndërmest të tendësë përmbëledhëjes’ e të theroresë, edhe vër’ ujë nd’atë. 8 Edhe të ngrehç oborrinë rreth e rrotullë, edhe të varç kurtinat’ e derës’ oborrit. 9 Edhe të marrç valin’ e të lyerit, e të lyenjç tendënë, e gjith’ato (që janë) nd’atë, edhe të shënjtëronjç atë, e gjith’ enët’ e asai, edhe do të jet’ e shënjtëruarë. 10 Edhe të lyenjç theroren’ e kurbanit diegurë, e gjith’ enët’ e asai, edhe të shënjtëronjç therorenë, edhe theroreja do të jetë fort e shënjtëruarë. 11 Edhe të lyenjç lanjëtarin’ edhe shtresën’ e ati, edhe t’e shënjtëronjç atë. 12 Edhe të biesh Aaroninë, edhe të bijt’ e ati ndë derët të tendësë përmbëledhëjesë, e t’i lajsh ata me ujë. 13 Edhe t’i veshç Aaronit rrobat’ e shënjtëruara, edhe t’e lyenjsh atë, e t’e shënjtëronjç, edhe do të priftëronjë për mua. 14 Edhe të biesh të bijt’ e ati, e t’u veshç rrobatë. 15 Edhe t’i lyenjç ata, sikundrë leva t’an’ e atyre, edhe do të priftëronjënë për mua, edhe të lyerët’ e atyre do të jetë ndër ata për priftëri të përherëshime ndë brezat t’atyre. 16 Edhe Moisiu bëri gjithë sa urdhëroi Zoti atë, kështu bëri. 17 Edhe të parinë muaj të dytit vit, të parënë (ditë) të muajit, u ngreh tenda. 18 Edhe Moisiu ngrehu tendënë, edhe vuri shtresat’ e asai, edhe ngrehu dërrasat’ e asai, edhe vuri shulet’ e asai, edhe ngrehu shtyllat’ e asai. 19 Edhe ndejti kurtinatë mbi tendët, edhe vuri mbulesën’ e tendësë mbi atë përsipërë, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti. 20 Edhe mori deshmiminë, edhe e vuri nd’arkët, edhe vuri shuletë mbi arkët, edhe vuri shpërblimtorenë mbi arkët përsipërë, 21 edhe pruri arkënë ndë tendët, edhe vuri kurtinënë për të mbuluarë, edhe mbuloi arkën’ e deshmimit, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti. 22 Edhe vuri truvezënë ndë tendët të përmbëledhëjesë mb’anë të tendësë nga ana e borësë, përjashta kurtinësë. 23 Edhe vuri me sërë mbi atë bukëtë që pat urdhëruarë, përpara Zotit, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti. 24 Edhe vuri kandilenë ndë tendët të përmbëledhëjesë, kundruell truvezësë, mb’anë të tendësë, nga ana e mesditësë, 25 edhe dhezi dritatë përpara Zotit, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti. 26 Edhe vuri theroren’ e artë ndë tendët të përmbëledhëjesë, kundruell kurtinësë, 27 edhe tymoi mbi atë me thimiamë me erë të mirë, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti. 28 Edhe vari plafinë ndë derët të tendësë. 29 Edhe theroren’ e kurbanit diegurë e vuri (përanë) derës’ tendësë, tendësë përmbëledhëjesë, edhe bëri mbi atë kurban të diegurë, edhe dhuratë (të ngrëni) sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti. 30 Edhe vuri lanjëtarinë ndërmest tendësë përmbëledhëjes’ e të theroresë, edhe vuri ujë nd’atë, që të laheshinë, 31 edhe Moisiu e Aaroni e të bijt’ e ati laninë prei ati duart’ e tyre e këmbët’ e tyre. 32 Kur hyninë ndë tendët të përmbëledhëjesë, e kur i afroneshinë theroresë, laheshinë, sikundrë urdhëroi Moisinë Zoti. 33 Edhe ngrehu oborrinë përqark tendës’ e theroresë, edhe vari plafin’ e derës’ oborrit. Edhe Moisiu mbaroi punënë. 34 Atëhere reja mbuloi tendën’ e përmbëledhëjesë, edhe lavdia e Zotit mbushi tendënë. 35 Edhe Moisiu nukë munt të hynte ndë tendët të përmbëledhëjesë, sepse reja rrinte mbi atë, edhe lavdia e Zotit mbushi tendënë. 36 Edhe reja kur hiqej lart prei tendësë, të bijt’ e Israilit ngriheshin’ e merrin’ udhën’ e tyre kurdo, 37 por kur nukë hiqej lart reja, atëhere nukë merrin’ udhë gjer ditënë që të hiqej lart. 38 Sepse reja e Zotit (ishte) mbi tendët ditënë, edhe ishte zjarr mbi atë natënë, përpara gjithë shtëpis’ Israilit, ndë gjith’ udhën’ e atyre.