Ligësia e Sodomës
1 Dy engjëjt arritën në Sodomë në mbrëmje, kur Loti po rrinte te porta e Sodomës. Si i pa, u ngrit t'i takonte, u përkul me fytyrë përdhe 2 e tha: «Zotërinj, kthehuni nga shtëpia e shërbëtorit tuaj që të kaloni natën e të lani këmbët. Pastaj në të gdhirë vazhdoni udhëtimin». Ata thanë: «Jo, natën do ta kalojmë në shesh». 3 Por Loti nguli këmbë. Kështu, ata u kthyen tek ai dhe hynë në shtëpinë e tij. Ai u përgatiti një gosti, u poqi bukë të ndorme dhe ata hëngrën. 4 Para se të flinin, njerëzit e qytetit të Sodomës, i tërë populli pa përjashtim, i ri e i vjetër, rrethuan shtëpinë. 5 I thirrën Lotit e i thanë: «Ku janë burrat që erdhën te ti sonte? Na i nxirr jashtë që t'i përdhunojmë ». 6 Loti doli përjashta, mbylli derën pas vetes 7 e u tha: «Mos vëllezër, mos bëni ligësi. 8 Ja ku kam dy bija që nuk kanë njohur burrë. Po i nxjerr jashtë e po jua jap, që të bëni me to ç'të doni. Vetëm këtyre burrave mos u bëni gjë, se janë nën mbrojtjen time ». 9 Ata u përgjigjën: «Ik shporru!». Edhe thanë: «Ky erdhi të banojë si i huaj e dashka të jetë gjykatës! Tani do të sillemi edhe më keq me ty!». Filluan ta shtyjnë Lotin fort dhe u afruan për ta shpërthyer derën. 10 Por dy burrat zgjatën dorën, e tërhoqën Lotin brenda në shtëpi dhe mbyllën derën. 11 Pastaj i verbuan njerëzit që ishin përjashta, nga më i vogli deri te më i madhi. Kështu ata u lodhën së kërkuari hyrjen e shtëpisë.
Shkatërrimi i Sodomës e Gomorrës
12 Burrat i thanë Lotit: «Kush tjetër është me ty? Ke dhëndër, bij e bija? Këdo që ke në këtë qytet nxirre jashtë prej këtij vendi. 13 Ne do ta shkatërrojmë këtë vend, sepse e madhe është gjëma e tyre para Zotit dhe ai na ka dërguar që ta shkatërrojmë». 14 Loti doli jashtë e u foli dhëndurëve që ishin martuar me bijat e tij: «Ngrihuni e largohuni nga ky vend, se Zoti do ta shkatërrojë qytetin». Por dhëndurëve iu duk se ai po tallej.
15 Në të gdhirë, engjëjt e nxisnin Lotin duke i thënë: «Ngrihu e merr me vete gruan tënde dhe të dy bijat që gjenden këtu. Përndryshe, kur qyteti të ndëshkohet, do të zhdukesh edhe ti». 16 Por ai po vonohej. Atëherë, meqë Zoti pati mëshirë për të, burrat e morën për dore atë, gruan e tij e bijat e tij dhe i nxorën e i lanë jashtë qytetit. 17 Pasi i nxorën jashtë, njëri prej tyre i tha: «Ik, shpëto veten! Mos shiko mbrapa e mos u ndal askund në luginë. Ik në mal, përndryshe do të zhdukesh!». 18 Loti u tha: «Mos, o Zot! 19 Ja, shërbëtori yt gjeti hir para teje e ti u tregove shumë mirëdashës me atë që bëre duke më shpëtuar. Por unë nuk do të largohem dot në mal pa më zënë fatkeqësia e kam për të vdekur. 20 Ja një qytet ku mund të strehohem. Është afër dhe i vogël. Më lër të shkoj te ky qytet i vogël që të shpëtoj». 21 Ai i tha: «Ja, po ta plotësoj edhe këtë kërkesë. Nuk do ta shkatërroj qytetin për të cilin fole. 22 Shpejto, ik atje, se nuk do të bëj asgjë derisa të arrish». Prandaj qyteti u quajt Coar. 23 Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti hyri në Coar.
24 Atëherë Zoti lëshoi nga qielli sulfur e zjarr mbi Sodomën e Gomorrën. 25 Ai i shkatërroi ato qytete dhe gjithë luginën bashkë me tërë banorët e qyteteve e bimësinë e tokës. 26 Por gruaja e Lotit shikoi mbrapa dhe u kthye në një shtatore kripe.
27 Herët në mëngjes, Abrahami u ngrit e shkoi te vendi ku kishte qëndruar para Zotit. 28 Hodhi sytë poshtë nga Sodoma e Gomorra dhe nga tërë vendi i luginës dhe, ja, një tym ngrihej nga toka sikur të ishte tym furre.
29 Kështu ndodhi që, kur Perëndia shkatërroi qytetet e luginës, u kujtua për Abrahamin dhe e largoi Lotin nga shkatërrimi që ra mbi qytetet ku banonte.
Zanafilla e Moabit dhe e Amonit
30 Loti kishte frikë të banonte në Coar, prandaj u largua nga Coari bashkë me dy bijat e tij e banoi në mal, në një shpellë. 31 Atëherë vajza e madhe i tha të voglës: «Ati ynë është plak dhe nuk ka asnjë burrë në vend që të flejë me ne, siç bëhet në mbarë tokën. 32 Eja, le ta dehim atin tonë me verë, që të flemë me të e, përmes tij, të ruajmë farën». 33 Kështu, atë natë e dehën me verë atin e tyre dhe e madhja hyri e u shtri me të. Ai nuk e mori vesh as kur u shtri e bija, as kur u ngrit. 34 Të nesërmen, vajza e madhe i tha të voglës: «Ja, unë fjeta mbrëmë me tim atë. Le ta dehim me verë edhe sonte. Pastaj hyr ti e fli me të që, përmes tij, të ruajmë farën». 35 Atë natë e dehën përsëri me verë të atin. E vogla shkoi e fjeti me të. Ai nuk e mori vesh as kur u shtri e bija, as kur u ngrit. 36 Të dyja bijat e Lotit mbetën shtatzënë prej tij. 37 E madhja lindi djalë dhe e quajti Moab. Ky është ati i moabitëve të sotëm. 38 Edhe e vogla lindi djalë dhe e quajti Benami. Ky është ati i amonitëve të sotëm.
1 Edhe të dy ëngjëjtë erdhë ndë Sodhomat mbrëmanet, edhe Lloti po rrinte përanë portësë Sodhomavet, edhe Lloti kur pa, u ngrit t’u dilte përpara atyreve, edhe unji vetëhen’ e ti gjer përdhe, 2 e tha: Na o zotërit’ e mi, kthehi ndë shtëpi të shërbëtorit tuaj, edhe shkoni natënë, e lani këmbëtë tuaj, edhe ndë mëngjes si të ngrihi, do të shkoni udhësë tuaj. Edhe ata thanë: Jo, po do të shkojmë natënë mb’udhë. 3 Edhe passi i nxitoi ata shumë, u kthyenë tek ay, edhe hynë ndë shtëpi t’ati, edhe u bëri atyreve gosti, edhe poqi kuleçë, edhe hëngrë.
4 Edhe përpara se të flijnë, burrat’ e qytetit, burrat’ e Sodhomavet, qerthëlluanë shtëpinë, të ri e pleq, gjithë gjëndeja bashkë gjer mb’anë (të qytetit), 5 edhe i thërrisninë Llotit, e i thoshinë: Ku (janë) ata burratë që hynë te ti natënë? Nxiri ata ndër ne që t’i njohëmë.
6 Edhe Lloti dolli tek ata përpara derësë, edhe mbylli derënë prapa ti, 7 e tha: Mos, o vëllezërit’ e mi, mos bëni (këtë) të keqe, 8 na tek kam dy bija, që s’kanë njohurë burr, u bie juve pra ato jashtë, edhe u bëni atyreve, si t’u pëlqenjë juve, po këtyre burrave mos u bëni gjë të keqe, sepse përandaj hynë ndënë hiet të shtëpisë sime. 9 Edhe ata thanë: Ik andyj. Edhe thanë: Ky i huajë erdhi të rrijë ndër ne, edhe kërkon të bënetë gjukatës? Tashi do të bëjmë më shumë keq ty, se atyreve. Edhe nxitoninë njerinë Llotnë fort tepërë, edhe u afruanë që të thyeninë derënë. 10 Edhe burratë ndejtinë duart’ e tyre, edhe rroknë Llotnë pas vetëhes’ atyre, edhe mbyllnë derënë, 11 edhe atyre njerëzet që ishinë ndë derët të shtëpisë, u ranë me verbësirë që nga i vogëli gjer ndë të madhë, kaqë sa u lothnë tuke kërkuarë derënë.
12 Edhe burrat’ i thanë Llotit: A ke këtu tiatërë njeri? Dhëndërr, a bij a bija, a ndë paç tiatërë njeri ndë qytet, nxiri nga ky vënt, 13 sepse neve po e prishëmë këtë vënt, sepse klithma e atyreve u shumua përpara Zotit, edhe Zoti na dërgoi që të prishëm’ atë. 14 Dolli pra Lloti, edhe u foli dhëndurrëvet ti, që ishinë vluarë mbë të bijat e ati, e tha: Ngrihi, dilni nga ky vënt, sepse Zoti po prish qytetnë. Po dhëndurrëvet ti u duk se po qeshte.
15 Edhe kur u sbardhëllua, ëngjëjtë nxitoninë Llotnë, tuke thënë: Ngreu, e merr gruanë tënde, edhe të dy tët bija që gjëndenë (këtu), që të mos humpç bashkë edhe ti ndë panomi të qytetit. 16 Po passi mënohej, burratë rroknë për dore atë, edhe dorën’ e gruas ati, edhe duart’ e të dy bijavet ati (sepse iu dhemp Zotit për atë), nxuarrë atë edhe e vunë jashtë qytetit. 17 Edhe kur i nxuarrë ata jashtë, (Zoti) tha: Shpëto jetënë tënde, mos vështro prapa teje, as mos rrish rrotullë këti vëndi, shpëto ndë malt, që të mos humbaç.
18 Edhe Lloti u tha atyreve: Të lutem, mos, o Zot, 19 na shërbëtori tek gjeti hirë përpara teje, edhe madhove përdëllimnë tënt, që bëre tek unë, tuke ruajturë jetënë time, po unë s’munt të shpëtonj ndë malt, mos më harrinjë e keqeja, e vdes, 20 të lutem, na ky qytet është afërë që të hynj atie, edhe ësht’ i vogëlë, të lutem, të shpëtonj atie (a nuk’ ësht’ i vogëlë?) edhe do të rronjë shpirti im. 21 Edhe (Zoti) i tha ati: Na tek të dëgjova edhe për këtë punë, të mos e prish atë qytet që më the, 22 shpejto, (e) shpëto atie, sepse nukë do të munt të bënj asgjë, gjersa të veç atie. Përandaj ja kluajti emërin’ ati qyteti Zoarë [i vogëlë].
23 Edhe lindi dielli mbi dhet, kur hyri Lloti ndë Zoarë.
24 Edhe Zoti lëshoi mbi Sodhomat e mbi Gomorrat shi squfuri e zjarri prej Zotit nga qielli, 25 edhe prishi këta qytete, edhe gjith’ata vënde përqark, edhe gjithë vëndësit’ e qytetevet, edhe bimat’ e dheut. 26 Po gruaja e ati prapa ati vështroi prapa, edhe u bë shtyllë krype.
27 Edhe Avraami mëngoi ndë mëngjes (e erdhi) nd’atë vënt ku pat ndenjurë përpara Zotit, 28 edhe Avraami kur shtiu sytë mbi Sodhomat e mbi Gomorrat, edhe mbi gjithë dhen’ e ati vëndit përqark, pa, edhe na tek po hipte tym nga dheu, posi tym kumine.
29 Kështu pra, Perëndia kur prishi qytetet’ e ati vëndi përqark, Perëndisë i ra ndër mënt Avraami, edhe nxori Llotnë nga mesi i prishëjesë, kur prishi ata qytetetë, që rrinte Lloti.
30 Edhe Lloti vate lart nga Zoara, e ndenji ndë malt, edhe të dy të bijat’ e ati bashkë me atë, sepse pat frikë të rrinte ndë Zoarë, edhe ndenji ndë (një) shpellë ay edhe të dy të bijat’ e ati.
31 Edhe më e madheja i thotë së vogëlësë: Ati ynë (është) plak, edhe tiatërë njeri nuk’ (është) mbi dhet të hynjë ndër ne, pas zakonit gjithë botësë, 32 eja, le t’i apëm’ atit tënë të pijë verë, edhe le të flemë bashkë me atë, edhe le të ngjallëmë farë nga ati ynë. 33 I dhanë pra t’et të pinte verë atë natë, edhe hyri më e madheja, e fjeti bashkë me t’anë, edhe (ay) nuk’ e kupëtoi as kur ra ajo, as kur u ngrit. 34 Edhe ndë nesëret i tha më e madheja, së vogëlësë: Na unë tek fjeta die natënë bashkë me atinë tanë, le t’i apëm’ ati të pijë verë edhe sonte, edhe hyrë ti, e fli bashkë me atë, edhe le të ngjallëmë farë nga ati ynë. 35 I dhanë pra t’et të pinte verë edhe atë natë, edhe u ngrit e vogëla, e fjeti bashkë me atë, edhe (ay) nuk’ e kupëtoi as kur ra ajo, as kur u ngrit. 36 Edhe u mbarsnë të dy të bijat’ e Llotit nga ati tyre. 37 Edhe më e madheja polli dialë, edhe ja kluajti emërin’ ati Moav, ky (ësht’) i ati Moavitëvet gjer mbë sot. 38 Pastaj polli dialë edhe e vogëla, edhe ja kluajti emërin’ ati Ven-ammi, ky (ësht’) i ati Ammonitëvet gjer mbë sot.