Pashka
1 Zoti i tha Moisiut e Aronit në tokën e Egjiptit: 2 «Ky muaj do të jetë për ju fillimi i muajve, muaji i parë i vitit. 3 Flisni me bashkësinë e Izraelit dhe thuajini: “Në ditën e dhjetë të këtij muaji, secili të marrë nga një qengj për familjen e tij, një qengj për çdo shtëpi. 4 Nëse numri i anëtarëve të shtëpisë është i vogël për një qengj, qengji të ndahet bashkë me fqinjin më të afërt sipas numrit të anëtarëve. Qengjin do ta zgjidhni sipas masës që do të hajë secili. 5 Qengji të jetë i patëmetë, mashkull dhe motak. Merrni qengj ose kec. 6 Ruajeni deri ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji dhe pastaj tërë bashkësia e Izraelit ta therë në muzg. 7 Pastaj, të marrin pak nga gjaku i qengjit dhe të lyejnë të dy shtalkat dhe kryetraun e dyerve të shtëpive ku do të hahet qengji. 8 Po atë natë, ta hanë mishin të pjekur në zjarr, me bukë të ndorme dhe me barishte të hidhura. 9 Qengji të mos hahet i gjallë dhe në asnjë mënyrë i zier. Të piqet në zjarr, me kokë, këmbë e të brendshme. 10 Të mos lihet asgjë nga qengji deri në mëngjes. Çdo gjë që mbetet në mëngjes të digjet në zjarr.
11 Ja si do ta hani: me ijë të ngjeshura, me sandale në këmbë dhe me shkop në dorë. Ta hani me të shpejtë, sepse është Pashka e Zotit. 12 Atë natë, do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas tërë të parëlindurit e tokës së Egjiptit, si të njerëzve, ashtu edhe të kafshëve. Perëndive të Egjiptit do t'ua bëj gjyqin unë, Zoti. 13 Gjaku, me të cilin lyet shtëpitë tuaja, do t'ju shërbejë si shenjë. Kur të godas tokën e Egjiptit, do të shoh gjakun dhe do të kaloj tutje pa ju ndëshkuar, që të mos shfaroseni.
14 Këtë ditë përkujtojeni e kremtojeni në nder të Zotit. Kremtojeni brez pas brezi. Ky është rregull i përhershëm. 15 Për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Në ditën e parë do të hiqni çdo tharm prej shtëpive tuaja. Kush do të hajë bukë të mbrujtur, nga dita e parë deri në ditën e shtatë, do të zhbihet prej Izraelit. 16 Ditën e parë dhe ditën e shtatë do të mbani një mbledhje të shenjtë. Gjatë këtyre ditëve mos bëni asnjë punë, përveç përgatitjes së ushqimit. Vetëm kjo do të lejohet. 17 Mbajeni të kremten e Bukëve të ndorme, sepse po atë ditë unë e nxora ushtrinë tuaj nga toka e Egjiptit. Mbajeni këtë ditë brez pas brezi. Ky është rregull i përhershëm. 18 Që nga dita e katërmbëdhjetë e muajit të parë, në mbrëmje, do të hani bukë të ndorme. Do t'i hani deri në mbrëmjen e ditës së njëzetedytë të muajit. 19 Për shtatë ditë nuk do të ketë tharm në shtëpitë tuaja, sepse kush ha bukë të mbrujtur do të zhbihet prej bashkësisë së Izraelit, qoftë i ardhur apo vendas. 20 Nuk do të hani asgjë të mbrujtur. Në tërë vendin tuaj do të hahet bukë e ndorme”».
21 Moisiu thirri pleqtë e Izraelit e u tha: «Shkoni, merrni qengja për familjet tuaja dhe flijojini për Pashkë. 22 Merrni një tufëz hisopi, ngjyejeni në enën e gjakut dhe spërkatni me të kryetraun dhe dy shtalkat e dyerve. Askush të mos dalë nga dera e shtëpisë deri në mëngjes. 23 Zoti do të kalojë që të ndëshkojë egjiptianët dhe, kur të shohë gjakun mbi kryetraun dhe mbi dy shtalkat e dyerve, do të kalojë tej dhe nuk do ta lërë shfarosësin t'ju hyjë në shtëpi që t'ju ndëshkojë. 24 Mbajeni këtë rregull përherë, ju dhe fëmijët tuaj. 25 Këtë rit ta mbani edhe kur të hyni në tokën që Zoti do t'ju japë, ashtu siç ka thënë. 26 Kështu, kur fëmijët t'ju pyesin se çfarë kuptimi ka ky rit, 27 u thoni se është flija e Pashkës për Zotin, sepse ai i kaloi shtëpitë e izraelitëve në Egjipt kur ndëshkoi Egjiptin dhe shtëpitë tona i shpëtoi». Atëherë populli u përkul dhe adhuroi. 28 Ata shkuan dhe bënë ashtu siç kishte urdhëruar Zoti Moisiun e Aronin.
Ndëshkimi i dhjetë
29 Në mes të natës, Zoti goditi tërë të parëlindurit në tokën e Egjiptit, nga i parëlinduri i faraonit që ulej mbi fron, deri tek i parëlinduri i të burgosurit në qeli, si edhe të parëlindurit e kafshëve. 30 Faraoni, tërë shërbëtorët e tij dhe tërë Egjipti u zgjuan në mes të natës. Gjëmë e madhe u bë në Egjipt, se nuk mbeti shtëpi pa të vdekur. 31 Atëherë faraoni thirri natën Moisiun e Aronin e u tha: «Çohuni e dilni prej popullit tim, ju bashkë me izraelitët! Shkoni e shërbejini Zotit, ashtu siç thatë. 32 Merrni me vete dhentë e qetë, ashtu siç kërkuat, dhe shkoni! Më bekoni edhe mua!». 33 Egjiptianët e nxitën popullin të ikte me të shpejtë nga Egjipti, sepse thoshin: «Po vdesim të gjithë!». 34 Populli e mori brumin para se të mbruhej, i mbështolli magjet me rroba dhe i vuri mbi supe. 35 Izraelitët kishin bërë siç i kishte porositur Moisiu. U kishin kërkuar egjiptianëve enë argjendi e ari dhe rroba. 36 Zoti kishte bërë që egjiptianët ta shihnin me sy të mirë popullin, prandaj u dhanë çfarë kishin kërkuar. Kështu, populli i Izraelit e plaçkiti Egjiptin.
37 Izraelitët u nisën prej Ramsesit drejt Sukotit. Ata ishin rreth gjashtëqind mijë burra në këmbë, pa numëruar të vegjlit. 38 Me ta u nisën edhe një shumicë e madhe fisesh nga kombe të tjera, si dhe bagëti të shumta me dhen e qe. 39 Izraelitët poqën kuleç të ndormë me brumin që kishin marrë me vete nga Egjipti, sepse nuk kishin tharm. Nuk patën kohë të përgatisnin ushqim për udhë, ngaqë u dëbuan me ngut prej Egjiptit.
40 Izraelitët kishin banuar në Egjipt për katërqind e tridhjetë vjet. 41 Si kaluan katërqind e tridhjetë vjet, po atë ditë, tërë ushtria e Zotit doli nga toka e Egjiptit. 42 Kjo ishte një natë vigjilimi për Zotin, që t'i nxirrte izraelitët nga toka e Egjiptit. Prandaj, e njëjta natë i kushtohet Zotit dhe është një natë vigjilimi për të gjithë izraelitët brez pas brezi.
Rregullorja e Pashkës
43 Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Ky është rregulli për Pashkën: asnjë i huaj nuk do të hajë nga Pashka. 44 Por skllavi i blerë, që ke rrethprerë, mund të hajë. 45 As i huaji e as mëditësi nuk do të hanë. 46 Do të hani në të njëjtën shtëpi. Nuk do ta nxirrni mishin jashtë shtëpisë dhe nuk do t'i thyeni asnjë eshtër. 47 Duhet ta kremtojë tërë bashkësia e Izraelit. 48 Nëse dikush që jeton si i huaj mes jush dëshiron të kushtojë Pashkën e Zotit, më parë të rrethpritet, ai bashkë me meshkujt e familjes, pastaj të marrë pjesë. Atëherë ai do të jetë si vendasit, por kush është i parrethprerë nuk do të hajë prej saj. 49 I njëjti ligj do të vlejë si për vendasit, ashtu edhe për të huajt që banojnë mes jush». 50 Izraelitët bënë ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiun e Aronin. 51 Po atë ditë, Zoti i nxori izraelitët nga toka e Egjiptit sipas grupimeve të tyre.
1 Edhe Zoti i tha Moisiut edhe Aaronit ndë dhe të Egjyptërisë: 2 Ky muaj (do të jetë) ndër ju krye muajsh, edhe do të jetë ndër ju i pari i muajvet vitit. 3 Flitni gjithë mbëledhëjes’ Israilit, e thoni: Të dhietën’ e këti muaji gjithësecili le të marrë për vetëhen e ti (një) qënq, pas shtëpivet atërivet, (një) qënq për çdo shtëpi. 4 Po ndë qofshinë të pakë ndë shtëpi për qëngjinë, ay edhe fëqinja e ati më i afëri i shtëpis’ ati le ta marrinë pas numërit shpirtëravet, çdo njeri pas të ngrënit që të hajë le të bënjë llogari për qëngjinë. 5 Edhe qëngji të jetë i plotë, mashkull motak; ta merrni nga dhënt a nga dhitë. 6 Edhe ta ruani gjer mbë të katrëmbëdhietënë ditë t’ati muaj, edhe (atëhere) gjithë shumica e mbëledhëjes’ Israilit ta thernjë ndajë mbrëma. 7 Edhe të marrënë nga gjaku, e ta venë mbi të dy shtyllat e derësë, edhe mbi pragun’ e sipërm të derësë shtëpivet, atie ku kanë për të ngrënë atë. 8 Edhe të hanë mishinë atë natë, të piekurë ndë zjarr, me kuleçë, (e) me barëra të hidhurë, ta hanë atë, 9 të mos e hani atë të papiekurë, as të zierë nd’ujë, po të piekurë ndë zjarr, kryet’ e ati bashkë me këmbët’ e ati e me zorrët e ati, 10 edhe të mos liri gjëkafshë nga ay të mbesë gjer ndë mëngjes, edhe ç’të tepronjë nga ay gjer ndë mëngjes, digjeni ndë zjarr. 11 Kështu ta bëni atë: Ngjeshurë mezinë tuai, (e mbathurë) këpucëtë tuaja ndër këmbët tuaja, (tuke mbajturë) stapnë tuai ndë dorët tuai, edhe ta hani atë me nxitim, është pashka e Zotit. 12 Sepse këtë natë do të shkonj për mes të dheut Egjyptërisë, edhe do të vras çdo dialë të parë ndë dhe të Egjyptërisë, që nga njeriu, gjer mbë bagëtinë, edhe do të bënj gjyqe kundrë gjithë perëndivet Egjyptërisë. Unë Zoti. 13 Edhe gjaku do të jetë ndër ju për shenjë mbi shtëpit që rrini, edhe kur të shoh gjakunë, do t’u kapërcenj juve, edhe plaga nukë do të jetë për ju, që t’u shuanjë (juve), kur t’i bie dheut Egjyptërisë. 14 Edhe ajo ditë do të jetë ndër ju për kujtim, edhe do të kremtoni atë të kremte për Zotinë ndë brezat tuai, pas nomi të përherëshim do t’e kremtoni atë.
15 Shtatë dit keni për të ngrënë kuleçë; që nga dita e parë keni për të hequrë bruminë nga shtëpitë tuaia, sepse kush të hajë bukë të mbrume që nga e para, gjer mbë të shtatënë ditë, ay shpirt do të vdiretë nga Israili.
16 Edhe të parënë ditë (do të jetë) mbëledhëje e shënjtëruarë, edhe të shtatënë ditë do të jetë ndër ju mbëledhëje e shënjtëruarë; ndër ato (dit) nukë do të bënet’ asndonjë punë, përveç ç’duhetë për të ngrënë çdo njeri, vetëmë këtë keni për të bërë.
17 Do të ruani pra (të kremten) e pabrumëjevet, sepse atë ditë do të nxier ushtëritë tuaja nga dheu i Egjyptërisë, andaj pas nomi të përherëshim keni për të ruajturë këtë ditë ndër brezat tuai, 18 tuke zënë nga e katrëmbëdhieta ditë të muajit që mbrëmanet, do të hani kuleçë, gjer mbë të njëzet e një ditë të muajit që mbrëmanet;
19 shtatë dit të mos gjëndetë brumë ndëpër shtëpit tuaja, sepse ay që të hajë të mbrume, ay shpirt do të vdiretë nga mbëledhëja e Israilit, ndo i huajë qoftë, ndo vëndës; 20 të mos hani asndonjë gjë të mbrume, ndëpër gjithë vëndet tuai, të hani kuleçë.
21 Atëhere Moisiu thirri gjithë pleqësin’ e Israilit, e u tha atyre: Sgjithni e merrni për vetëhet tuaja (nga një) qënq, pas fëmijëvet tuaja, edhe bëni kurban pashkënë; 22 Pastaj të merrni një dorëzë hyssopi, e ta ngjyeni ndë gjakt, që (do të jetë) ndë legen, edhe nga ay gjaku që është ndë legen, të lyeni prakun’ e sipërm, edhe të dy shtyllat’ (e dyervet), edhe asndonjë nga ju të mos dalë nga shtëpia e ti, gjer ndë mëngjes, 23 sepse Zoti do të shkonjë t’u bierë Egjyptianëvet, edhe kur të shohë gjakunë mbi pragun’ e sipërm, edhe mbi të dy shtyllat, Zoti do të kapërcenjë derënë, edhe nukë do të lërë prishësinë të hynjë ndë shtëpit tuaja, që të vrasë. 24 Edhe ta ruani këtë punë posi nom, për vetëhen tënte, edhe për bijt e tu, gjer ndë jetët të jetësë.
25 Edhe kur të hyni nd’atë dhe, që do t’u apë juve Zoti, sikundrë foli, do të ruani këtë lutëje.
26 Edhe kur t’u thonë juve bijtë tuai: Ç’(shënon) ndër ju këjo lutëje? 27 Të përgjigji: Ky (është) kurbani i pashkësë për Zotinë, sepse kapërceu shtëpit’ e të bijet Israilit ndë Egjyptëri, kur u ra Egjyptianëvet, edhe shpëtoi shtëpitë tona.
28 Atëhere gjëndëja uli kryetë, e u fal. Edhe të bijt’ e Israilit si iknë, bënë sikundrë Zoti urdhëroi Moisinë edhe Aaroninë, kështu bënë.
29 Edhe ndë mes të natësë Zoti vrau çdo dialë të parë ndë dhe të Egjyptërisë, që nga diali i parë i Faraonit që rrinte ndë front të ti, gjer mbë të parinë dialë të robit, që ishte ndë burkt, edhe gjithë të piellat’ e para të bagëtivet. 30 Edhe Faraoni u ngre natënë, edhe gjithë shërbëtorët’ e ati, edhe gjith’ Egjyptianëtë, edhe u bë një klithmë e madhe ndë Egjyptëri, sepse nuk’ (ishte) shtëpi, që të mos kishte të vdekurë. 31 Edhe (Faraoni) thirri Moisinë, edhe Aaroninë natënë, e tha: Ngrihi (e) dilni nga gjëndëja ime, edhe ju, edhe të bijt’ e Israilit, edhe shkoni (e) lutni Zotinë, sikundrë thatë; 32 merrni edhe dhëntë tuaja, edhe lopëtë tuaja, sikundrë thatë, edhe shkoni, po bekoni edhe mua. 33 Edhe Egjyptianëtë shtrëngoninë gjëndëjenë, që ta nxirinë atë shpejt nga vëndi, sepse thanë: Neve të gjithë po vdesëmë. 34 Edhe gjëndëja ngriti brumin’ e ti pa ardhurë, tuke pasurë gjithësecili magjen’ e ti mbi krahët të ti, pshtiellurë me rrobet’ e tia.
35 Edhe të bijt’ e Israilit bënë pas fialësë Moisiut, edhe kërkuanë nga Egjyptianëtë enë të argjënta, e enë të arta, e rrobe, 36 edhe Zoti i dha hirë gjëndëjesë përpara Egjyptianëvet, edhe u huajtnë atyre, edhe sveshnë Egjyptianëtë.
37 Edhe të bijt’ e Israilit u ngritnë nga Ramesa (e vanë) ndë Sukhoth, më tepërë se gjashtë qint milë burra këmbësorë, veç djemvet. 38 Bashkë me ata u ngjit edhe një shumicë e madhe njerëzish të përzier, edhe dhën e lopë, e bagëti fort shumë. 39 Edhe nga brumi që prunë nga Egjyptëria, poqnë kuleçë pa brumë, sepse nukë (kishinë) brumë, sepse u dëbuanë nga Egjyptëria, edhe nukë muntnë të mënoninë, as s’kishinë bërë gati ndonjë të ngrënë udhësë për vetëhet e tyre.
40 Edhe (koha) e të ndenjurit të bijet Israilit ndë Egjyptëri (ishte) katrë qint e tridhietë viet. 41 Edhe pas katrë qint e tridhietë vieç, si atë ditë, duallnë gjith’ ushtërit e Zotit nga dheu i Egjyptërisë. 42 Këjo (është) nata, që duhetë të ruhetë për Zotinë, sepse i nxori ata nga dheu i Egjyptërisë; këjo (ësht’) ajo nata e Zotit që duhetë të ruhetë nga gjithë të bijt’e Israilit ndër brezat t’atyreve.
43 Edhe Zoti i tha Moisiut edhe Aaronit: Ky (është) nomi i pashkësë: Asndonjë komp i huajë të mos hajë nga ajo,
44 edhe çdo shërbëtuar i blerë me argjënt passi të rrethpritetë, atëhere të hajë nga ajo;
45 i huaji edhe i pajtuari të mos hajë nga ajo.
46 Nd’atë shtëpi (brënda) të hahetë; të mos bini nga mishi jashtë shtëpisë, edhe të mos thyeni eshtënë nga ajo. 47 Gjithë mbëledhëja e Israilit do të bënjë këtë.
48 Edhe ndonjë i huajë që rri bashkë me ty, ndë dashtë të bënjë pashkë për Zotinë, le të rrethpritenë gjithë meshkujt’ e ati, edhe atëhere le t’afronetë të bënjë atë, edhe do të jetë posi vëndësi i dheut, sepse asndonjë i parrethprerë s’ka për të ngrënë nga ajo.
49 Ay nom do të jetë për vëndësinë, edhe për të huajinë që rri ndërmest juve.
50 Edhe të bijt’ e Israilit bënë sikundrë Zoti urdhëroi Moisinë edhe Aaroninë; kështu bënë.
51 Edhe atë ditë Zoti nxori të bijt’ e Israilit nga dheu i Egjyptërisë, pas ushtërish atyre.