Pasardhësi i Davidit
1 Një degë do të dalë prej trungut të Jeseut,
një filiz do të mbijë nga rrënja e tij.
2 Në të do të prehet shpirti i Zotit,
shpirti i urtisë e i mençurisë,
shpirti i këshillës e i fuqisë,
shpirti i dijes e i drojës së Zotit.
3 Kënaqësia e tij do të jetë droja e Zotit.
Ai s'do të gjykojë sipas asaj që sheh me sy
e s'do të vendosë sipas asaj që dëgjon me veshë.
4 Skamnorët do t'i gjykojë me drejtësi
e do të marrë vendime të drejta
për të përulurit e tokës.
Me thuprën e gojës së tij do ta godasë tokën,
me frymën e buzëve të tij do ta vrasë të paudhin.
5 Drejtësia do të jetë brezi i mesit të tij,
besnikëria brezi që do të ngjeshë ijëve.
6 Ujku do të banojë me qengjin,
leopardi do të shtrihet bri kecit,
viçi e këlyshi i luanit do të kullotin bashkë,
fëmija i vogël do t'u prijë udhës.
7 Lopa e arusha do të kullotin bashkë,
këlyshët e tyre tok do të rrinë,
luani kashtë do të hajë si kau.
8 Foshnja do të luajë mbi vrimën e gjarprit,
fëmija do ta fusë dorën në strofullin e nepërkës.
9 Nuk do të dëmtohet kush
e as do të vritet kush
në mbarë malin tim të shenjtë,
se toka do të mbushet me dijen e Zotit,
siç mbulojnë ujërat detin.
Teprica e Izraelit
10 Atë ditë rrënja e Jeseut
do të ngrihet si flamur për popujt,
atë do të kërkojnë kombet,
e lavdishme do të jetë banesa e tij.
11 Atë ditë Zoti do ta shtrijë sërish krahun,
për të shpenguar tepricën e popullit të tij,
ata që do të kenë mbetur në Asiri e në Egjipt,
në Patros e në Kush, në Shinar e në Hamat,
nëpër ishujt e detit.
12 Do të ngrejë emblemën për kombet,
të shpërngulurit e Izraelit do t'i mbledhë,
të dëbuarit e Judës do t'i bashkojë
nga të katërt anët e dheut.
13 Smira e Efraimit do të marrë fund,
armiqtë e Judës do të shfarosen,
Efraimi s'do të ketë më smirë për Judën
e Juda s'do ta ngucë Efraimin.
14 Do të vërsulen mbi kurrizin e filistinëve në perëndim,
popujt e lindjes bashkë do t'i plaçkitin,
do ta shtrijnë krahun mbi Edomin e Moabin,
bijtë e Amonit do t'u nënshtrohen.
15 Zoti do ta shkatërrojë krejt gjirin e detit të Egjiptit,
lart do ta ngrejë dorën kundër Eufratit,
me zjarrminë e frymës së tij,
do ta godasë e do ta ndajë në shtatë përrenj,
me sandale do të kapërcehet.
16 Do të hapet një udhë për tepricën e popullit të tij,
të atyre që do të kenë mbijetuar në Asiri,
ashtu siç u bë dikur për Izraelin,
ditën që doli prej dheut të Egjiptit.
1 Edhe do të dalë shkop nga trungu i Jesseut, edhe do të hipënjë degë nga rrënjat’ e ati;
2 edhe fryma e Zotit do të prëhetë mb’ atë, frymë diturie e urtësie, frymë këshille e fuqie, frymë mëndëje e frike të Zotit.
3 Edhe do t’e bënjë atë mënt-hollë ndë frikët të Zotit, kaqë sa nukë do të gjukonjë pas të parit syvet ti, as nukë do të qërtonjë pas të dëgjuarit veshëvet ti,
4 po do të gjukonjë të vobeqtë me dreitëri, edhe do të mburonjë të përunjurit’ e dheut me të dreitë, edhe do t’i bierë dheut me shkopin’ e golësë ti, edhe me frymën’ e buzëvet ti do të vrasë të paudhinë.
5 Edhe brezi i mesit ati do të jetë dreitëri, edhe brezi i brinjëvet ati (do të jetë) besë.
6 Edhe ulku do të rri bashkë me qëngjinë, edhe leopardhalla do të prëhetë bashkë me kedhinë, edhe demi e këlyshi i leonit, edhe (berri) i ushqyerë (do të rrinë) bashkë, edhe një çun i vogëlë do t’u heqë udhën’ atyreve.
7 Edhe mëshqerra e arushka do të kullosënë bashkë, edhe këlysht’ e atyreve do të prëhenë bashkë, edhe leoni do të hajë kashtë posi kau.
8 Edhe foshnja që pi sisë do të losnjë ndë vërët të beronjësë, edhe diali i cvierdhurë do të vërë dorën’ e ti ndë folet të nepërkësë.
9 Nukë do të bënjënë keq, as nukë do të prishnjënë mbë gjithë malinë t’im të shënjtëruarinë, sepse dheu do të jetë plot me të njohurit’ e Zotit, posi ujëtë që mbulon detinë.
10 Edhe atë ditë do të jetë një rrënjë e Jesseut, e cila do të rri për shenjë të gjëndëjevet; nd’ atë do të mpshtetenë kombatë, edhe të prejturit’ e ati do të jetë lavdi.
11 Edhe atë ditë Zoti do të vërë dorën’ e ti prap për së dyti herë, që të marrë përsëri të mbeturit’ e gjëndëjesë ti, që ka mbeturë nga Assyria e nga Egjyftëria, e nga Pathrosi, e nga Kushi, e nga Ellami, e nga Shinari, e nga Hamathi, e nga dheujësat’ e detit.
12 Edhe do të ngrerë shenjë ndër kombat, edhe do të mbëledhë Israilinë që është hedhurë tej, edhe do të mbëledhë Judhënë që është përndarë nga të katrë anët’ e dheut.
13 Edhe smirri i Efraimit do të hiqetë, edhe arëmiqt’ e Judhësë do të pritenë, Efraimi nukë do t’i ketë smirr Judhësë, edhe Judha nukë do të shtrëngonjë Efraimnë.
14 Po do të sulenë mbi malet të Filistejvet nga an’ e të perënduarit, edhe do të plaçkitnjënë edhe të bijt’ e anësë lindëjesë bashkë; do të vënë dorën’ e tyre mbi Edomin’ e mbi Moabinë, edhe të bijt’ e Ammonit do t’ unjënë kryetë ndën’ ata.
15 Edhe Zoti do të thanjë gluhën’ e detit Egjyftërisë, edhe me anë të erësë fortë do të tuntnjë dorën’ e ti mbi lumt, edhe do t’i bierë ati mbë shtatë rryma, edhe do të bënjë të shkonjënë ndëpër atë me këpucë.
16 Edhe do të jetë udh’ e gjërë për ata që kanë mbeturë nga gjëndëja e ati, që do të mbesë nga Assyria, sikundrë ishte nd’ Israilt atë ditë që u ngjit nga Egjyftëria.