Qortim për mbretin Ahaz
1 Në ditët e Ahazit, birit të Jotamit, të birit të Uziahut, mbretit të Judës, Recini, mbreti i Aramit, dhe Pekahu, biri i Remaliahut, mbretit të Izraelit, shkuan për të sulmuar Jerusalemin, por nuk mundën ta pushtonin. 2 I dërguan lajm shtëpisë së Davidit e i thanë: «Arami ka ngritur fushimin në Efraim». Ahazit e mbarë popullit iu drodh zemra, ashtu siç dridhen pemët e pyllit prej erës. 3 Atëherë Zoti i tha Isaisë: «Nisu bashkë me birin tënd Shear Jashubin për të takuar Ahazin. Dili përpara te cepi i ujësjellësit të depos së sipërme, udhës për në Arën e Rrobalarësit, 4 e thuaji: bëj kujdes e rri i qetë! Mos ki frikë e mos të të tutet zemra nga flaka e zemërimit të Recinit të Aramit dhe birit të Remaliahut, këtyre dy cungjeve që digjen e lëshojnë tym. 5 Arami, Efraimi e biri i Remaliahut kanë shestuar të këqija kundër teje e kanë thënë: 6 “Ta sulmojmë Judën e t'i fusim tmerrin, ta pushtojmë e t'i vëmë për mbret birin e Tabealit”. 7 Kështu thotë Zoti Perëndi: “S'ka për të ngjarë e s'ka për të ndodhur ashtu! 8 Kryeqyteti i Aramit është Damasku, sunduesi i Damaskut është Recini. Edhe gjashtëdhjetë e pesë vjet e Efraimi nuk do të jetë më popull. 9 Kryeqyteti i Efraimit është Samaria dhe sunduesi i Samarisë është biri i Remaliahut. Nëse nuk do të keni besim, nuk do të qëndroni”».
Lindja e Emanuelit
10 Zoti i foli përsëri Ahazit e i tha: 11 «Kërko një shenjë prej Zotit, Perëndisë tënd, në thellësitë e skëterrës ose në lartësitë e qiellit». 12 Ahazi iu përgjigj: «Nuk do të kërkoj asgjë e nuk do ta vë në provë Zotin». 13 Atëherë Isaia i tha: «Dëgjo, pra, o shtëpi e Davidit! Pak ju duket të mundoni njerëzit, që doni të mundoni edhe Perëndinë tim? 14 Prandaj vetë Zoti do t'ju japë një shenjë: ja, vashëza do të mbetet shtatzënë, do të lindë një djalë e do ta quajë Emanuel. 15 Do të ushqehet me ajkë e me mjaltë, derisa të mësojë të hedhë poshtë të keqen e të zgjedhë të mirën. 16 Por para se djali të arrijë të mësojë të hedhë poshtë të keqen e të zgjedhë të mirën, vendi, dy mbretërit e të cilit ti i ke frikë, do të mbetet i shkretë. 17 Zoti do të sjellë mbi ty, mbi popullin tënd e mbi shtëpinë e atit tënd, ditë që nuk janë parë që kur Efraimi u nda nga Juda. Ai do të sjellë mbretin e Asirisë».

18 Ja se ç'do të ndodhë atë ditë:
Zoti do t'u fishkëllejë mizave
që gjenden në brigjet e lumenjve të Egjiptit,
si edhe bletëve prej trojeve të Asirisë.
19 Do të vijnë e nëpër lugina plot rrëpira do të ngulen,
nëpër të çara shkëmbinjsh, nëpër ferrishte,
nëpër të gjitha kullotat me ujë.
20 Atë ditë Zoti do të marrë briskun e do të rruajë,
do ta marrë hua prej përtej Eufratit,
e ky është mbreti i Asirisë.
Do të rruajë koka e këmbë,
mjekrat do t'i qethë krejt.
21 Do të ndodhë që atë ditë njeriu
një mëshqerrë e dy dele gjallë do t'i mbajë.
22 Nga begatia e qumështit,
me ajkë qumështi do të ushqehet.
Me ajkë e me mjaltë do të ushqehen
tërë ata që në vend do të kenë mbetur.
23 Atë ditë çdo tokë me një mijë hardhi,
me vlerë një mijë monedha argjendi,
do të shkretohet nga ferrat e shkurret.
24 Do të hyjnë në të me shigjeta e harqe,
se tërë vendi do të mbulohet me ferra e shkurre.
25 Të gjitha kodrat, që dikur prashiteshin,
s'do të përshkohen dot prej ferrave e shkurreve.
Do të kthehen në rrah për gjedhët,
në një vend që e shkelin dhentë.
1 Edhe ndër dit të Ahazit, të birit Jothamit, të birit Uziahut, mbëretit Judhësë, Rezini mbëreti i Syrisë, edhe Pekahu i biri Remaliahut, mbëreti i Israilit, u ngjitnë ndë Jerusalimë, që ta luftoninë, po nukë muntnë ta pushtoninë.
2 Edhe i dhanë zë shtëpisë Dhavidhit, e thanë: Syria lithnë fialë bashkë me Efraimnë. Edhe zëmër’ e Ahazit, edhe zëmër’ e gjëndëjes’ ati u tunt, posi drunjt’ e pyllit që tundenë nga era.
3 Atëhere Zoti i tha Isaisë: Tashi dil-i përpara Ahazit, ti edhe Shear-jashubi yt-bir, nd’ anët të udhës’ ujit banjësë re nga udh’ e madhe prej arësë larësit,
4 edhe thuaj ati: Mba vesh, edhe prëhu, mos u frikëso, as mos të të shuhetë zëmëra, për të dy bishtrat’ e këtyre hunjve që tymonjënë, për zemëratën’ e egrë të Rezinit e të Syrisë, edhe të birit Remaliahut.
5 Sepse Syria, e Efraimi, edhe i biri i Remaliahut, këshilluanë këshillë të keqe kundrë teje, e thanë:
6 Le të ngjitemi kundrë Judhësë, edhe le ta shtrëngojmë, edhe le ta ndajmë atë për vetëhenë t’onë, edhe le të vëmë mbëret ndë mes t’ati, të bir e Tabeilit.
7 Kështu thotë Zoti Perëndi: Këjo nukë do të qëndronjë, as nukë do të bënetë.
8 Sepse kryet’ e Syrisë (është) Dhamaska, edhe kryet’ e Dhamaskësë (është) Rezini, edhe për gjashtë-dhiet’ e pesë viet Efraimi do të thyhetë, që të mos jetë (më) gjëndëje.
9 Edhe kryet’ e Efraimit (është) Samaria, edhe kryet’ e Samarisë (ësht’) i biri i Remaliahut. Ndë mos besofshi, me të vërtetë nukë do të forcohi.
10 Edhe Zoti i foli prap Ahazit, e tha:
11 Kërko shenjë nga Zoti Perëndia yt, kërko këtë a ndë funt, a lart përsiprë.
12 Po Ahazi tha: Nukë do të kërkonj, as nukë do të ngas Zonë.
13 Edhe (Isaia) tha: Pa dëgjoni tashi, o shtëpi e Dhavidhit. A pun’ e vogëlë (është) për ju të rëndoni njerës, po do të rëndoni edhe Perëndinë t’im?
14 Përandaj Zoti vetë do t’u apë juve një shenjë. Na vërgjiresha tek do të mbarsetë e do të piellë bir, edhe do t’i kluhet’ emëri Emmanuil.
15 Do të hajë gjalpë e mjaltë, gjersa të xërë të hedhë tej të keqenë, edhe të sgjedhë të mirënë.
16 Sepse përpara se të xërë diali të hedhë tej të keqenë, edhe të sgjedhë të mirënë, dheu që urren (ti), do të lihetë nga të dy mbëretërit’ e ati.
17 Zoti do të bierë dit mbi ty, e mbë gjëndëjenë tënde, edhe mbi shtëpit të t’yt-et, të cilatë s’kanë ardhë që atë ditë që u nda Efraimi nga Judha, (me anë) të mbëretit Asyrisë.
18 Edhe atë ditë Zoti do t’u vërshëllenjë mizavet mb’-at-anë lumravet Egjyftërisë, edhe bletëvet që janë ndë dhet të Asyrisë;
19 edhe do të vinjënë, e do të prëhenë të gjitha ndëpër fushat’ e shkretuara, e ndër vërat’ e shkembevet, e mbë ç’do ferrë, e mbë ç’do dru të bukurë.
20 Atë ditë, Zoti do të rruanjë me atë rronjësinë që ka pajtuarë përtej lumit, bashkë me mbëretin’ e Asyrisë, kryetë edhe qimet’ e këmbëvet, do t’i heqë edhe mjekrënë.
21 Edhe atë ditë, ay njeri që ushqen një lopë e dy dele,
22 do të hajë gjalpë nga klumështi i shumëtë që do t’apënë, sepse gjithë-se-cili që të mbesë ndë mest të dheut do të hajë gjalpë e mjaltë.
23 Edhe atë ditë, ç’do vënt që ishinë nd’ atë një qint vëreshtë nga një milë argjënde, do të jetë për driza e për gjëmba.
24 Do të vinjën’ atie me shëgjeta e me harqe, sepse gjithë dheu do të bënetë driza e gjëmba.
25 Edhe ç’do mal i punuarë me dhiqel, tek s’pat ardhë frikë drizash e gjëmbash, do të bënetë për të lëshuarë lopëtë, e për të shkelë nga dhëntë.