Jakobi ikën nga Labani
1 Jakobi dëgjoi që të bijtë e Labanit thoshin: «Jakobi mori gjithçka kishte ati ynë dhe gjithë këtë pasuri e përfitoi prej tij». 2 Jakobi vuri re se Labani nuk e shihte si më parë. 3 Atëherë Zoti i tha Jakobit: «Kthehu në tokën e të parëve, te të afërmit e tu, e unë do të jem me ty».
4 Kështu, Jakobi dërgoi njerëz dhe thirri Rakelën e Lean në fushën, ku po kullotnin kopetë e tij, 5 e u tha: «Kam vënë re se ati juaj nuk më sheh si më parë, por Perëndia i atit tim ka qenë me mua. 6 Ju vetë e dini se i kam shërbyer atit tuaj me gjithë forcën time. 7 Por ai më mashtroi e ma ndërroi pagën dhjetë herë. Megjithatë, Perëndia nuk e lejoi të më bëjë keq. 8 Kur thoshte: “Pikaloshet do të jenë paga jote”, atëherë e gjithë kopeja pillte bagëti pikaloshe. Dhe kur thoshte: “Laramanet do të jenë paga jote”, atëherë e gjithë kopeja pillte bagëti laramane. 9 Kështu, Perëndia ia mori bagëtitë atit tuaj e m'i dha mua.
10 Në kohën kur mbarseshin bagëtitë, pashë një ëndërr ku cjeptë që po ndërzeheshin ishin laramanë, pikaloshë e me pulla. 11 Dhe në ëndërr, engjëlli i Perëndisë më tha: “Jakob!”. E unë thashë: “Ja ku jam!”. 12 Ai tha: “Kam parë gjithçka që të ka bërë Labani, prandaj ngriji sytë e shiko tërë cjeptë që po ndërzehen. Ata janë laramanë, pikaloshë e me pulla. 13 Unë jam Perëndia që t'u shfaq në Betel, aty ku ti vajose një përmendore e m'u betove. Tani, ngrihu e dil nga ky vend e kthehu në vendlindjen tënde”». 14 Atëherë Rakela e Lea iu përgjigjën: «As ne nuk kemi më pjesë e trashëgimi në shtëpinë e atit tonë. 15 A nuk na ka trajtuar si të ishim të huaja? Na shiti e na i hëngri tërë paratë. 16 Gjithë pasuria që Perëndia ia mori atit tonë, është e jona dhe e bijve tanë. Prandaj, bëj siç të tha Perëndia». 17 Kështu, Jakobi u ngrit e i vuri bijtë e gratë mbi deve. 18 Mori bagëtinë e tërë pasurinë që kishte fituar në Padan Aram e u nis për në Kanaan, tek Isaku, ati i tij.
19 Ndërsa Labani kishte shkuar për të qethur dhentë, Rakela vodhi idhujt e të atit. 20 Jakobi e mashtroi Laban Arameasin, sepse nuk i tregoi se do të largohej. 21 Kështu, Jakobi u largua me gjithçka kishte. Ai u ngrit, kaloi lumin Eufrat e u drejtua kah mali i Gileadit.
Labani ndjek Jakobin
22 Ditën e tretë, i treguan Labanit se Jakobi kishte ikur. 23 Atëherë Labani bashkë me vëllezërit e vet e ndoqi për shtatë ditë dhe e arriti në malin e Gileadit. 24 Perëndia iu shfaq Laban Arameasit natën në ëndërr e i tha: «Ruaj se i thua gjë Jakobit!».
25 Kur Labani e arriti Jakobin, Jakobi e kishte ngritur tendën në malin e Gileadit. Edhe Labani bashkë me vëllezërit i ngritën tendat po aty. 26 Atëherë Labani i tha Jakobit: «Çfarë bëre kështu? Më mashtrove e m'i rrëmbeve vajzat sikur të ishin robinja lufte. 27 Përse ike tinëz e më mashtrove? Përse nuk më tregove që të të përcillja me gëzim e me këngë, me lodër e me qeste? 28 Përse nuk më le t'i puth bijtë e bijat e mia? Bëre marrëzi! 29 Tani më ke rënë në dorë, por Perëndia i atit tënd më tha mbrëmë: “Ruaj se i thua gjë Jakobit!”. 30 Ti u largove se të ka marrë malli shumë për shtëpinë e atit tënd, po idhujt pse m'i vodhe?». 31 Jakobi iu përgjigj: «Ika se pata frikë. Mendoja se do të m'i merrje me dhunë bijat e tua. 32 Atij që do t'ia gjesh idhujt e tu, ai nuk do të jetojë më. Kërko e merr çka të përket në prani të vëllezërve tanë». Ai nuk e dinte se idhujt i kishte vjedhur Rakela.
33 Kështu, Labani hyri në tendën e Jakobit, në tendën e Leas e në tendën e dy shërbëtoreve, por nuk gjeti gjë. Pasi doli nga tenda e Leas, hyri në atë të Rakelës. 34 Ndërkohë Rakela i kishte marrë idhujt, i kishte vënë në samarin e devesë dhe ishte ulur mbi to. Labani rrëmoi në gjithë tendën, por nuk gjeti gjë. 35 Ajo i tha të atit: «Të mos zemërohet imzot që nuk mund të ngrihem para tij, sepse jam me të përmuajshmet e grave». Ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt.
36 Atëherë Jakobi u zemërua e shfreu kundër Labanit: «Çfarë faji bëra? Çfarë mëkati bëra që të më ndjekësh kështu 37 e të rrëmosh në çdo gjë timen? A gjete gjë tënden? Nxirri, pra, para vëllezërve të mi e të tu që ata të gjykojnë mes nesh. 38 Gjatë njëzet vjetëve që kam qenë me ty nuk të dështuan as delet, as dhitë dhe deshtë e kopesë nuk t'i hëngra. 39 Nuk të solla asnjë bagëti të shqyer nga bishat, sepse dëmin e paguaja vetë. Çfarëdo vidhej ditën apo natën e kërkoje nga dora ime. 40 Ditën më këpuste vapa e natën ngrica e nuk vija gjumë në sy. 41 Njëzet vjet kam qenë në shtëpinë tënde. Katërmbëdhjetë vjet të shërbeva për bijat e tua e gjashtë vjet për kopetë, ndërsa ti ma ndërrove pagën dhjetë herë. 42 Po të mos kishte qenë me mua Perëndia i Abrahamit, atit tim, dhe Tmerri i Isakut, ti tani do të më kishe nisur duarbosh. Por Perëndia i pa vuajtjet e mundin tim dhe prandaj të qortoi mbrëmë».
Besëlidhja mes Jakobit e Labanit
43 Atëherë Labani iu përgjigj Jakobit: «Këto bija janë bijat e mia, këta bij janë bijtë e mi, këto bagëti janë bagëtitë e mia dhe çdo gjë që sheh janë të miat. Por çfarë t'u bëj sot bijave të mia apo bijve që ato lindën? 44 Eja të lidhim një besëlidhje mes meje e teje si dëshmi mes nesh». 45 Kështu Jakobi mori një gur dhe e ngriti si përmendore. 46 Ai u tha të vetëve: «Mblidhni gurë!». Ata bënë një pirg me gurët që mblodhën e pastaj hëngrën pranë tyre. 47 Labani e quajti pirgun e gurëve Jegar Sahaduta, ndërsa Jakobi e quajti Galed. 48 Labani tha: «Sot, ky pirg gurësh është dëshmi mes meje e teje». Prandaj u quajt Galed 49 e Micpah, sepse tha: «Zoti shikoftë mes meje e teje, kur të jemi larg njëri-tjetrit. 50 Nëse i keqtrajton bijat e mia ose merr gra të tjera, edhe pse nuk do të ketë njeri pranë, shiko se Perëndia do të jetë dëshmitar mes meje e teje».
51 Pastaj Labani tha: «Ja pirgu i gurëve e përmendorja që vura mes meje e teje. 52 Ato janë dëshmi se as unë e as ti nuk do ta kalojmë këtë përmendore për t'i bërë keq njëri-tjetrit. 53 Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Nahorit, perënditë e etërve të tyre, gjykofshin mes nesh». Atëherë Jakobi u betua për Tmerrin e Isakut, atit të tij. 54 Jakobi kushtoi një fli në mal e i thirri vëllezërit të hanë. Ata hëngrën dhe e kaluan natën në mal.
1 Edhe (Jakovi) dëgjoi fialët’ e të bijet Llavanit, që thoshinë (se) Jakovi mori gjithë gjën’ e atësë tynë, edhe nga gjëja atësë tynë fitoi gjithë këtë lavdi. 2 Edhe Jakovi pa faqen’ e Llavanit, edhe na tek nuk’ (ishte) si die edhe pardie. 3 Edhe Zoti i tha Jakovit: Kthenu ndë dhet të atërëvet tu, edhe ndë gjëndëjet tënde, edhe (unë) do të jem bashkë me ty.
4 Atëhere Jakovi dërgoi e thirri Rahilën’ e Leahënë ndë fushët te tufat’ e tia, 5 edhe u tha atyre: Shoh faqen’ e atësë tuaj, se nuk’ (është) tek unë si die edhe pardie, po Perëndia i tim et qe bashkë me mua, 6 edhe ju e dini se i shërbeva atësë tuaj me gjithë fuqinë time, 7 por ata juaj më gënjeu, edhe ndërroi pagat’ e mia dhietë herë, po Perëndia nuk’ e la atë të më bënte keq, 8 edhe kur thoshte ashtu, (se) pikaloshetë do të jenë për pagënë tënde, atëhere gjithë tufa pillte pikaloshe, edhe kur thoshte kështu, (se) të larmetë do të jenë për pagënë time, atëhere gjithë tufa pillte të larme. 9 Kështu Perëndia ngriti tufën’ e atësë tuaj, e ma dha mua. 10 Edhe nd’atë kohë kur mbarseshinë dhëntë, ngrita syt’ e mi, edhe pashë nd’ëndërrë, edhe na sqepët’ edhe deshëtë që u hipëninë delevet edhe dhivet, (ishinë) të larm e laraganë e pikaloshë. 11 Edhe ëngjëlli i Perëndisë më tha nd’ëndërrë: Jakov; edhe (unë) thashë: Na (ku jam). 12 Edhe (ay) tha: Ngre tashi syt’ e tu, edhe shih gjithë sqepët’ edhe deshëtë që u hipënjënë delevet e dhivet (se janë) të larm e laraganë e pikaloshë, sepse pashë gjithë ç’të bëri ty Llavani. 13 Unë (jam) Perëndia e Bethellësë, që leve shtyllënë, (edhe) atie ku bëre uratë mbë mua, ngreu tashi, (e) dil nga ky vënt, edhe kthenu ndë dhet të gjëndëjesë sate.
14 Edhe Rahila e Leaha u përgjeqnë, e i thanë: A kemi neve më piesë a trashëgim ndë shtëpi t’atësë tynë? 15 A nukë shikoneshim prej ati si të huaja? Sepse na shiti, edhe hëngri të tërë argjëndinë tënë, 16 përandaj gjithë pasëjenë që hoqi Perëndia nga ata ynë, është jona, edhe e djemvet tanë; tashi pra bën sa të tha Perëndia.
17 Atëhere Jakovi u ngre, e mori djemt’ e ti, edhe grat’ e tia mbi kamillet, 18 edhe hoqi gjithë bagëtit’ e tia, edhe gjithë të mirat’ e tia që pat fituarë, tufën’ e fitimit ti, që pat fituarë ndë Padan-aram, që të vij te Isaaku i ati ti ndë dhet të Hanaanit.
19 Edhe Llavani kishte vaturë për të këthyrë dhënt’ e ti, edhe Rahila vodhi idhujt’ e tet. 20 Edhe Jakovi fshehu të ikurit’ e ti nga Llavan Syriani, e nuk’ i dëfteu ati se shkon.
21 Edhe ay iku me gjithë pasëjen’ e ti, edhe u ngre e shtiu lumnë, edhe mbajti dreitë malit Gileadit.
22 Edhe të tretënë ditë i dhanë zë Llavanit se Jakovi iku, 23 edhe (ay) mori të vëllezëritë me vetëhen e ti, edhe e ndoqi prapa shtatë dit udhë, edhe ja harriu ndë mal të Gileadit. 24 Edhe Perëndia erdhi te Llavan Syriani natënë nd’ëndërrë, e i tha: Ruhu mos i flaç keq Jakovit.
25 Llavani pra ja harriu Jakovit, edhe Jakovi kish ngulurë tendën’ e ti mbi malt, edhe Llavani bashkë me të vëllezërit’ e ti ra mbi mal të Gileadit. 26 Edhe Llavani i tha Jakovit: Ç’bëre, edhe përse fshehe të ikuritë tat nga unë, edhe hoqe time bila posi skllava me kordhë? 27 Përse ike fshehurazi, edhe u vodhe nga unë, edhe nukë më dëfteve? Sepse do të të dërgonjam me gëzim e me kënkë, bashkë me daulle e me qithara, 28 edhe nukë harriva të puthnjam as bijt’ e mi, as bilat’ e mia? Tashi e bëre këtë pa mënt, 29 dora ime ësht’ e fortë t’u bënjë keq juve, Perëndia i atësë tuaj die natënë më foli, tuke thënë: Ruhu mos i flaç keq Jakovit. 30 Tashi pra le të jetë, passi ike, sepse të mori malli shumë për shtëpin’ e tyt et, (po) përse vodhe perëndirat’ e mi?
31 Edhe Jakovi u përgjeq e i tha Llavanit: (Ika) sepse pata frikë, sepse thashë: Mos më marrç tët bila, 32 (po) te cili të gjënjç perëndirat’ e tu, le të mos rronjë, përpara vëllezëret tanë njih ç’(gjëndetë) tek unë nga të tuatë, edhe merre(e). Sepse Jakovi nukë dinte se Rahila kish viedhë ata.
33 Llavani pra hyri ndë tendët të Jakovit, e ndë tendët të Leahësë, e ndë tendat të dy shërbëtorevet, po nukë gjeti (gjë). Atëhere dolli nga tenda e Leahësë e hyri ndë tendët të Rahilësë. 34 Edhe Rahila kishte marrë idhujtë, e i kishte vënë ndë samar të kamillesë, edhe rrinte mbi ata. Edhe Llavani vështroi gjithë tendënë, po nukë gjeti (gjë). 35 Edhe ajo i tha t’et: Le të mos i vinjë rëndë tim zot, sepse s’munt të ngrihem përpara teje, sepse kam të ardhurat’ e gravet. Edhe ay vështroi, por nukë gjeti idhujtë.
36 Edhe Jakovi u zemërua, e qërtoi Llavaninë, edhe Jakovi u përgjeq e i tha Llavanit: Ç’(është) panomia ime? Ç’(është) faji im, që më ndoqe prapa? 37 Passi kërkove gjith’ enët’ e mia, ç’gjete nga gjith’ enët’ e shtëpisë sate? Vër(e) atë këtu përpara vëllezëret mi, e vëllezëret tu, të gjukonjënë ndërmest neve të dyve, 38 njëzet viet (janë) tashi, që kurse jam bashkë me ty, dhënt’ e tu e dhit’ e tua nukë mbetnë pa qëngja e pa kedha, edhe deshët’ e tufësë sate nuk’ i hëngra; 39 gjë të mbyturë nga bisha nukë të prura ty, un’ e lanjam atë, nga dora ime e kërkonje ç’do që më vidhej ditënë, a ç’do që më vidhej natënë, 40 ditënë digjeshë nga vapa, e natënë nga të ftohëtitë, edhe më ikte gjumi nga sytë, 41 (janë) tashi njëzet viet që gjëndem ndë shtëpit tënde, katrëmbëdhietë viet të shërbeva për të dy të bilat e tua, edhe gjashtë viet për dhënt e tu, edhe më ndërrove pagënë dhietë herë, 42 ndë mos ishte bashkë me mua Perëndia i tim et, Perëndia i Avraamit, edhe frika e Isaakut, me të vërtetë do të më kishnje dërguarë të mbrazëtë tashi; Perëndia pa pocaqinë time, edhe mundimin’ e duaret mia, edhe (të) qërtoj die natënë.
43 Edhe Llavani u përgjeq e i tha Jakovit: (Këto) bila (janë) bilat’ e mia, edhe (këta) bij (janë) bijt’ e mi, edhe (këta) dhën (janë) dhënt’ e mi, edhe gjithë sa sheh janë të miatë, edhe ç’ t’u bënj sot këtyre time bilave, a djemvet atyre që puallë? 44 Eja pra tashi, le të lidhëmë fialë, un’ edhe ti, që të jenë për dëshmim ndërmest meje edhe teje.
45 Edhe Jakovi mori një gur, edhe e nguli për shtyllë. 46 Edhe Jakovi u tha vëllezëret ti: Mbëlithni gurë, edhe muarrë gurë, e bënë tok, edhe hëngrën atie mbi tokt. 47 Edhe Llavani ja vuri emërin’ ati Jegar-sahadutha [togu i dëshmisë], edhe Jakovi ja vuri emërin ati Galeed [togu i dëshmisë]. 48 Edhe Llavani tha: Ky tok (është) sot për dëshmim ndërmest meje edhe teje, përandaj u kluajti emëri i ati Galeed, 49 edhe Mizpah [përgjim], sepse tha: Le të vështronjë Zoti ndërmest meje edhe teje, kur të ndahemi njëri nga jatri, 50 ndë mundofsh time bila, a ndë marrç (të tiera) gra përveç sime bilave, nuk’ (është) tietrë bashkë me ne; shih, Perëndia është dëshmitar ndërmest meje edhe teje. 51 Edhe Llavani i tha Jakovit: Na ky tok, edhe na (këjo) shtyllë që ngule ndërmest meje dhe teje, 52 ky tok (është) për dëshmim, edhe shtylla (është) për dëshmim, se unë s’kam për të shkapërcyerë këtë tok te ti, as ti s’ke për të shkapërcyer këtë tok edhe këtë shtyllë, tek unë, për të keq, 53 Perëndia i Avraamit, edhe Perëndia i Nahorit, Perëndia i atërëvet atyre, le të gjykonjë ndërmest neve. Edhe Jakovi u përbetua ndë frikët t’et Isaakut.
54 Atëhere Jakovi bëri kurban mbi malt, edhe thërriti të vëllezërit’ e ti të haninë bukë, edhe hëngrë bukë, edhe fjetnë mbi malt. 55 Edhe Llavani u ngre shpejt ndë mëngjes, e puthi të bijt’ e ti, e të bilat’ e tia, edhe i bekoi, edhe Llavani shkoi, edhe u kthye ndë vënt të ti.