Zoti gjykon tokën
1 Ja, Zoti po e shkatërron tokën,
të shkretë po e bën,
faqen e saj po e shëmton,
banorët po ia hapërdan.
2 Do t'i ndodhë e njëjta gjë
popullit e priftit,
shërbëtorit e zotërisë,
shërbëtores e zonjës,
blerësit e shitësit,
huadhënësit e huamarrësit,
atij që jep e atij që merr.
3 Toka do të shkatërrohet krejt,
pa mëshirë do të plaçkitet,
se këtë fjalë e ka thënë vetë Zoti.
4 Në zi është toka, lëngon ajo,
po venitet bota, po lëngon,
lëngojnë edhe fisnikët e popullit të dheut.
5 Prej banorëve të saj është ndotur toka,
sepse ligjet i kanë shkelur,
rregullat i kanë shpërfillur,
besëlidhjen e amshuar e kanë thyer.
6 Prandaj e ka përpirë tokën mallkimi
e banorët e saj vuajnë ndëshkimin.
Prandaj po shuhen banorët e tokës
e kanë mbetur kaq pak njerëz.
7 Vajton mushti, lëngon vreshti,
rënkojnë gjithë sa u gëzonte zemra.
8 Reshti hareja e dajres,
u ndal brohoritja e kremtuesve,
ëmbëlsia e harpës pushoi.
9 S'pinë më verë duke kënduar,
e hidhur është pija për atë që e pi.
10 Qyteti i rrënuar u shkatërrua krejt,
u mbyll çdo shtëpi, që të mos hyjë kush.
11 Ankohen nëpër sheshe se nuk ka verë,
gëzimi është errur,
hareja e tokës është zhdukur.
12 Në qytet ka mbetur veç rrënimi,
porta është thyer e është copëtuar.
13 Se kështu do të ndodhë në tokë,
midis popujve do të ngjajë,
sikurse me ullirin kur shkundet,
siç mblidhen kokrrat pas vjeljes.
14 Zërin do ta ngrenë,
për madhështinë e Zotit do të këndojnë,
nga deti do të brohorasin.
15 Prandaj lavdërojeni Zotin në lindje,
në ujdhesat e detit emrin e Zotit, Perëndisë së Izraelit.
16 Në skajet e tokës dëgjojmë lavde.
«Lavdi të drejtit!», thonë.
Por unë thashë: «I gjori unë!
I shkreti unë! I mjeri unë!».
Të pabesët kanë thyer besën,
të pabesët kanë vepruar me pabesi.
17 Tmerri, gropa e laku
valëviten mbi ty, o banor i tokës!
18 Kush do të shpëtojë nga tmerri,
do të bjerë në gropë
dhe atë që do të dalë nga gropa,
do ta zërë laku,
se do të hapen kanatet e qiellit
e do të tranden themelet e tokës.
19 Thellë do të çahet toka,
dheu do të kriset krejt,
bota do të trandet fort.
20 Do të dridhet pareshtur si i dehuri,
do të lëkundet si kasollja.
Rëndë peshon mbi të paudhësia,
do të bjerë e s'do të ngrihet më.
21 Atë ditë do t'i ndëshkojë Zoti
ushtritë qiellore atje lart në lartësi
e mbretërit e tokës këtu mbi dhe.
22 Do të mblidhen bashkë,
do të burgosen në gropë,
në burg do të mbyllen
e pas shumë ditësh do të ndëshkohen.
23 Do të skuqet hëna, do të turpërohet dielli,
se në malin e Sionit e në Jerusalem
Zoti i ushtrive do të mbretërojë,
dhe lavdia e tij do të shkëlqejë para pleqësisë.
1 Na Zoti tek po sbras dhenë, edhe po e shkreton, e po e përmbys, e po shpërndan vëndësitë.
2 Edhe do të jetë posi gjëndëja, kështu (edhe) prifti; posi shërbëtori, kështu (edhe) i zoti; posi shërbëtoreja, kështu (edhe) e zonja; posi blerësi, kështu (edhe) shitësi; posi hua-dhënësi, kështu (edhe) hua-marrësi; posi ay që merr uzurë, kështu (edhe) ay që i lan uzurë ati.
3 I tërë dheu do të sbrazetë, edhe i tërë do të svishetë, sepse Zoti foli këtë fialë.
4 Dheu mba zi, fyshketë, bota ligështonetë, fyshketë, të mëdhenjt’ e gjëndëjevet dheut janë ligështuarë.
5 Edhe dheu u ndye ndënë vëndësit ti, sepse prishnë nometë, ndërruan’ urdhërimetë, thyenë dhiatën’ e përjetëshime.
6 Përandaj mallëkimi hëngri dhenë, edhe ata që rrininë nd’ atë, u shkretuanë; përandaj vëndësit’ e dheut u doqnë, edhe pak njerës mbetnë.
7 Ver’ e re klan, vështi ësht’ i pafuqishim, gjith’ ata që kishinë zëmërë të gëzuarë psherëtinjënë.
8 Gëzimi i tymbanavet pushon, zallahia e të gëzuaret mbaronetë, gëzimi i qitharësë pushon.
9 S’kanë për të pirë verë me kënkë; të pirët’ e fortë do të jetë të hidhurë te ata që e pinë.
10 Qyteti të shkretuarit humbi, ç’do shtëpi u mbyll, që të mos hynjë (njeri).
11 Klithmë (është) ndër udhët për verënë, ç’do gëzim shkoi, gëzimi i vëndit iku.
12 Qyteti mbeti i shkretë, edhe portës’ i ra prishëje.
13 Kur të bënetë kështu ndë mest të dheut ndër gjëndëjet, (do të jetë) posi të shkundurit’ e ullirit, edhe të përkoquritë si të pushonjë të vielëtë.
14 Këta do të ngrenë zën’ e tyre, do të këndonjënë për madhërin’ e Zotit, do të thërrasënë me zë të math nga an’ e detit.
15 Përandaj lavdoni Zonë ndër grykat, emërin’ e Zotit Perëndis’ Israilit ndër dheujëzat të detit.
16 Që nga fundi i dheut dëgjuam kënkë: Qoftë lëvduar i Dreiti. Po unë thashë: Un’ i ngrati, un’ i ngrati! Mjeri unë! Të pabesëtë punuanë pabesë, po, të pabesëtë punuanë shumë pabesë.
17 Frikë, e gropë, e dhokan (është) për ty, o vëndësi i dheut.
18 Edhe ay që ikën nga zëri i frikësë do të bierë ndë gropët; edhe ay që del nga mesi i gropësë do të zihetë ndë kurth, sepse dyerëzatë përsipërë janë hapurë, edhe themelit’ e dheu tundenë.
19 Dheu u thërrmua, dheu i tërë u tret, dheu luajti fort tepërë.
20 Dheu do të tundet’ andej e këtej posi i dejturi, do të ngrihetë vëndit posi kasollë; edhe panomia e ati do të rëndonetë mbi atë, edhe do të bierë, edhe nukë do të ngrihetë më.
21 Edhe atë ditë Zoti do të mundonjë ushtërin’ e të lartëvet (që janë) lart, edhe mbëretërit’ e dheut mbë dhet.
22 Edhe do të mbëlidhenë, (sikundrë) mbëlidhenë sklleftë ndë gropët, edhe do të mbyllenë ndë burk, edhe pas shumë diç do të vështronjën’ ata.
23 Atëhere hënësë do t’i vinjë turp, edhe dielli do të ketë turp, kur të mbëretëronjë Zoti i ushtërivet ndë malt të Sionësë e ndë Jerusalimë, edhe të lëvdonetë përpara pleqvet ti.