Pushtimi i Sankeribit
1 Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretërimit të Ezekisë, Sankeribi, mbreti i Asirisë, sulmoi qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi. 2 Mbreti i Asirisë dërgoi nga Lakishi te mbreti Ezeki në Jerusalem kreun e ushtrisë me një ushtri të madhe. Ai u ndal tek ujësjellësi i pellgut të sipërm që gjendet në udhën që të çon në Arën e Rrobalarësit. 3 Eliakimi, biri i Hilkiahut, kujdestari i pallatit mbretëror, Shebnau, shkruesi, dhe Joahu, biri i Asafit, shkresari, dolën për ta takuar. 4 Kreu i ushtrisë së Asirisë u tha: «Thuajini Ezekisë: kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ku e gjen gjithë këtë besim? 5 Them se fjalët e gojës janë këshillimi e forca që duhen për luftë. Ku e ke varur shpresën, që guxon të ngresh krye kundër meje? 6 Mos shpreson gjë tek Egjipti, tek ai kallam i thyer, mbi të cilin, nëse mbështetet njeri, i çahet e i shpohet dora? I tillë është faraoni, mbreti i Egjiptit, për ata që shpresojnë tek ai. 7 Apo mos do të më thuash se shpreson te Zoti, Perëndia juaj? Por, a nuk ishte Ezekia ai që shkatërroi faltoret në vende të larta dhe altarët e tyre? A nuk ishte ai që e urdhëroi Judën e Jerusalemin të adhuronin vetëm para këtij altari në Jerusalem? 8 E tani, vër këtë bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë: ai të jep dy mijë kuaj, po arrite të gjesh kalorës për ta. 9 E si do ta mundësh qoftë edhe qeveritarin më të vogël të zotërisë tim? Apo shpreson tek Egjipti për kuaj e kalorës? 10 A mos kujton se kam ardhur pa dëshirën e Zotit për ta shkatërruar këtë tokë? Zoti vetë më tha ta sulmoja këtë tokë e ta shkatërroja».
11 Atëherë Eliakimi, Shebnau e Joahu i thanë kreut të ushtrisë: «Të lutemi, fol aramaisht me ne, shërbëtorët e tu, se e kuptojmë, e mos fol judaisht, se të dëgjon populli, që është mbi mure». 12 Por kreu i ushtrisë u tha: «Mendoni se zotëria im më dërgoi t'ua them këto fjalë vetëm juve e zotërisë suaj? Le t'i dëgjojnë edhe këta burra që rrinë mbi mure, sepse së shpejti kanë për të ngrënë bashkë me ju jashtëqitjet e veta dhe për të pirë shurrën e vet».
13 Atëherë u ngrit kreu i fushimit të Asirisë, foli me zë të lartë në judaisht e tha: «Dëgjoni fjalët e mbretit të madh, mbretit të Asirisë! 14 Kështu thotë mbreti: “Të mos ju gënjejë Ezekia, se nuk do t'ju shpëtojë dot nga dora ime. 15 Mos e lejoni t'ju bëjë të shpresoni te Zoti, kur t'ju thotë se do të na shpëtojë patjetër Zoti dhe se ky qytet nuk ka për të rënë në duart e mbretit të Asirisë”. 16 Mos e dëgjoni Ezekinë, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: “Bëni paqe me mua e dorëzohuni tek unë dhe secili do të hajë prej vreshtit të vet e prej fiqve të vet e do të pijë ujë prej pusit të vet, 17 derisa të vij e t'ju çoj në një vend të ngjashëm me vendin tuaj, në një vend plot drithë e verë, në një tokë buke e vreshtash. 18 Ezekia ju mashtron kur ju thotë se do t'ju shpëtojë Zoti. Cilin prej kombeve shpëtuan perënditë e tyre nga dora e mbretit të Asirisë? 19 Ku janë perënditë e Hamatit e Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit? A mos e shpëtuan Samarinë prej dorës sime? 20 Kush nga tërë perënditë e këtyre vendeve e shpëtoi vendin e tyre nga dora ime, që ta shpëtuaka Zoti Jerusalemin nga duart e mia?”».
21 Ata heshtën e nuk i kthyen asnjë përgjigje, se mbreti kishte urdhëruar të mos i përgjigjeshin. 22 Eliakimi, biri i Hilkiahut, kujdestari i pallatit mbretëror, Shebnau, shkruesi, dhe Joahu, biri i Asafit, shkresari, u kthyen tek Ezekia, shqyen rrobat e i treguan fjalët e kreut të ushtrisë së Asirisë.
1 Mbë të katrë-mbë-dhietinë vit të mbëretit Ezeqisë, hipi Sennaqeribi mbëreti i Asyrisë mbi gjithë qytetet’ e fortë të Judhësë, edhe i pushtoi. 2 Edhe mbëreti i Asyrisë, dërgoi Rabshaqehunë nga Llaqishi ndë Jerusalimë, te mbëreti Ezeqi me ushtëri të madhe. Edhe qëndroi nd’ udhët t’ujit së banjësë madhe mb’ udhë të madhe së arës’ ati që cbarth rroba.
3 Atëherë duallë te ay Eliaqimi, i biri i Hilqiahut, kujdestari, edhe Shebna shkronjësi, edhe Joahu, i biri i Asafit, ay që shkruan ç’bënetë për të kujtuarë. 4 Edhe Rabshaqehu u tha atyre: Thoni tashi Ezeqisë: Kështu thotë mbëreti i math, mbëreti i Asyrisë: Cila është shpëresa që shpëreni mb’ atë?
5 Thua: (po janë fialë buzësh,) (Kam) këshillë e fuqi për luftë. Po mbë cilinë shpëren, që ngrite krye kundrë meje? 6 Na tek shpëren mbë shkopt t’ati kallamit thyerë, mbë Egjyftërinë; ndë u mpshtettë ndonjë mb’ atë, do t’i nguletë ndë dorët, edhe do t’e shponjë, i këtillë (është) Faraoni mbëreti i Egjyftërisë ndër gjith’ ata që shpërenjënë mb’ atë. 7 Po ndë më thënç: Shpërejmë mbë Zotinë Perëndinë t’ënë, a nuk’ (ësht’) ay, që i hoqi Ezeqia vëndet’ e lartë e theroretë, edhe i tha Judhësë edhe Jerusalimësë: Përpara kësaj theroreje do të fali? 8 Tashi pra ep-i penk t’im-zoti mbëretit Asyrisë, edhe unë do të t’ap dy milë kuaj, ndë munç t’apsh kalorës për ata nga ana jote. 9 Qysh do të këthenjç prapa faqen’ e një të parit vëndit nga më të vegjëlit shërbëtorët’ e t’im-zot, edhe shpëreve mb’ Egjyftërinë për qerre e për kalorës? 10 Edhe tashi arthç (unë) mbë këtë vënt pa Zotinë, për të prishur’ atë? Zoti më tha: Shko mbë këtë dhe, edhe prish-e.
11 Atëherë i tha Rabshaqehut Eliaqimi edhe Shebna edhe Joahu: Të lutem, fol-u shërbëtorëvet tu ndë gluhë Syrishte, sepse kupëtojmë, edhe mos na fol Judhaisht, të dëgjonjë gjëndëja që është mbi murt. 12 Po Rabshaqehu tha: Sos më dërgoi im-zot te yt-zot e te ti, për të folurë këto fialë? A nukë (më dërgoi) ndër këta njerës që rrinë mbi murt, që të hanë mutin’ e tyre, e të pinë shurrën’ e tyre bashkë me ju?
13 Atëherë Rabshaqehu qëndroi e thërriti Judhaisht, me zë të math, edhe tha: Pa dëgjoni fialët’ e mbëretit math, mbëretit Asyrisë,
14 kështu thotë mbëreti: Mos u gënjenjë juve Ezeqia, sepse nukë do të muntnjë t’u shpëtonjë juve. 15 Edhe mos u bënjë juve Ezeqia të shpëreni mbë Zonë, tuke thënë: Zoti me të vërtetë do të na shpëtonjë, ky qytet nukë do t’epetë ndë dorë ndë mbëretit Asyrisë. 16 Mos i dëgjoni Ezeqisë, sepse kështu thotë mbëreti i Asyrisë: Ndrequ me të mirë bashkë me mua, edhe dilni tek unë, edhe le të hajë gjithë-se-cili nga vëreshti i ti, edhe gjithë-se-cili nga druri i fikut ti, edhe le të pijë gjithë-se-cili nga ujërat’ e sternësë ti, 17 gjersa të vinj e t’u marr juve ndë një dhé shoqin’ e dheut tuaj, dhé gruri e vere, dhé buke e vëreshtash. 18 Mos u gënjenjë juve Ezeqia, tuke thënë: Do të na shpëtonjë Zoti. A shpëtoi ndonjë nga perëndit’ e kombavet dhen’ e ti nga dora e mbëretit Asyrisë? 19 Ku (janë) perëndit’ e Hamathësë e të Arfadhësë? Ku (janë) perëndit’ e Sefarvaimësë? Sos shpëtuanë Samarinë nga dora ime? 20 Cilëtë ndë mest të gjithë perëndivet të këtyre vëndevet, shpëtuanë dhen’ e tyre nga dora ime, kaqë sa (edhe) Zoti të shpëtonjë Jerusalimënë nga dora ime?
21 Edhe ata pushoninë, edhe nuk’ iu përgjeqnë ati ndonjë fialë, sepse mbëreti kishte urdhëruarë, e kish thënë: Mos i përgjigji ati.
22 Atëherë Eliaqimi, edhe i biri i Hilqiahut, kujdestari, edhe Shebna shkronjësi, edhe Joahu, i biri i Asafit, ay që shkruante ç’bëneshinë (për të kujtuarë) erthnë te Ezeqia me rroba të çjerra, edhe i dhanë zë ati për fialët’ e Rabshaqehut.