1 Populli, që ecte në errësirë,
pa një dritë të madhe,
mbi ata, që banonin në vendin e territ,
shkëlqeu drita.
2 Ti e madhështove atë komb,
gëzimin ia shtove,
gëzojnë para teje,
siç gëzojnë gjatë korrjes,
siç gëzojnë kur ndajnë prenë.
3 Se ti e theve zgjedhën që u rëndonte,
purtekën që mbi shpatulla u rrinte,
skeptrin e atij që i shtypte
e copëtove si në ditën e Midianit.
4 Çdo këpucë luftëtari që marshon
e çdo gunë e lyer në gjak
do të digjet e do të bëhet dru për zjarr.
5 Se na lindi një fëmijë, një djalë na u dha,
mbi supet e tij qëndron sundimi.
Emrin do ta ketë: «Këshilltar i mrekullueshëm,
Perëndi i fuqishëm, Atë i amshuar, princ i paqes».
6 I madh do të jetë sundimi i tij
e paqja nuk do të ketë fund
mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij.
Do të zërë rrënjë e do të forcohet
në të drejtë e drejtësi,
që tani e deri në amshim.
E këtë ka për ta bërë
zelli i Zotit të ushtrive.
Zemërimi i Zotit me Izraelin
7 Zoti dërgoi fjalë kundër Jakobit
e ajo ra mbi Izraelin.
8 E mori vesh mirë mbarë populli,
Efraimi bashkë me banorët e Samarisë,
që me krenari e mburrje në zemër thanë:
9 «Tullat vërtet kanë rënë,
por do të ndërtojmë me gurë të latuar,
fiqtë vërtet na i kanë prerë,
por do t'i zëvendësojmë me cedra».
10 E Zoti ngriti kundër tyre armiqësinë e Recinit,
kundërshtarët e tyre për luftë i nxiti.
11 Arami nga lindja e filistinët nga perëndimi
hapën gojën për ta përpirë Izraelin.
E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit
e krahu i tij mbeti i shtrirë.
12 Por populli nuk u kthye tek ai që i goditi,
Zotin e ushtrive nuk e kërkoi.
13 Prandaj Zoti i preu Izraelit kokën e bishtin,
degën e palmës e kallamin, në një ditë të vetme.
14 Pleqësia e paria janë koka,
profeti e mësuesi i rremë janë bishti.
15 Udhëheqësit e këtij populli e ngashënjyen në mashtrim
dhe ata që udhëhiqeshin prej tyre u çoroditën.
16 Prandaj Zoti s'do të jetë i kënaqur me të rinjtë e tij,
s'do të tregojë mëshirë për jetimët e vejushat e tij,
se të gjithë janë të pafe e të paudhë,
çdo gojë thotë veç marrëzi.
E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit
e krahu i tij mbeti i shtrirë.
17 Se paudhësia është ndezur flakë si zjarri,
ka përpirë ferrat bashkë me shkurret,
në mes të pyllit të dendur është ndezur,
shtëllunga-shtëllunga ngrihet tymi lart.
18 Prej zemërimit të Zotit të ushtrive u përvëlua toka,
populli u bë si druri që ushqen zjarrin
e askush nuk kursen as vëllanë e vet.
19 Përpin djathtas, por ende ka uri,
përlan majtas, por ende nuk ngopet,
secili gëlltit mishin e të afërtit të vet.
20 Manaseu Efraimin, Efraimi Manaseun
dhe tok janë kundër Judës.
E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit
e krahu i tij mbeti i shtrirë.
1 Po nukë (do të jetë kaqë) niegullë ndë dhet të gjorë; nd’ ato kohëra të lashta bëri për mosgjë dhen’ e Zavullonit, edhe dhen’ e Nefthalimit; edhe ndër këto (kohëra) të vona bëri të lavduara (ato anë që janë) nga udh’ e detit, përtej Jordhanit, Galilen’ e kombavet.
2 Ajo gjëndëja që ecënte nd’ errësirët pa dritë të madhe, edhe ndër ata që rrininë ndë dhe të hiesë mortëjesë, ndriti dritë mb’ ata.
3 Shumove kombinë, i shtove ati gëzimnë; gëzonenë përpara teje pas gëzimit të korrit, sikundrë gëzonen’ ata që ndanjënë plaçkatë.
4 Sepse ti theve sgjedhën e barrës’ ati, edhe stapin’ e supit ati, edhe frushkullën’ e ati që shtrëngon atë, posi ndë ditët të Madhiamit.
5 Sepse ç’do tirk luftëtari që lëfton me zallahi, edhe (ç’do) të veshurë ngjyerë ndë gjak, do të jetë për të diegur’ e për lëndë zjarri.
6 Sepse na lindi dialë, na u dha bir; edhe pushteti do të jetë mbi supt t’ati, edhe emëri i ati do të kluhetë: I çudiçim, Këshillëtar, Perëndi i fortë, At’ i jetësë që vien, I par’ i paqtimit.
7 Të shtuarët’ e pushtetit (ati) e paqtimit (ati) nukë do të ketë funt, mbë fron të Dhavidhit, edhe mbë mbëretërit t’ati, që të vërë mbë sërë atë, edhe të forconjë atë, me gjyq e me dreitëri, që tashi e gjer ndë jetë (të jetëvet). Zëlia e Perëndisë ushtërivet do t’e bënjë këtë.
8 Zoti dërgoi fialë te Jakovi, edhe ra mbi Israilinë.
9 Edhe gjithë gjëndëja do t’e njohë, Efraimi edhe vëndësi i Samarisë, të cilëtë thonë me madhështi e me zëmërë të lartë:
10 Plitharëtë ranë, po neve do të ndërtojmë me gurë të latuarë; drunjt’ e manavet u këputnë, po neve do t’i shkëmbejmë (me) dullenja.
11 Përandaj Zoti do të ngrerë arëmiqt’ e Rezinit kundrë ati, edhe do të piekë bashkë arëmiqt’ e ati;
12 Syrianëtë përparazi, edhe Filistejtë prapazi, edhe do të hanë Israilinë me golë të hapurë. Mbi gjithë këto zëmërata e ati nuk’ u këthye, po dor’ e ati (është) po ndejturë.
13 Po gjëndëja nukë këthenetë te ay që i ra, as nukë kërkonjënë Zotin’ e ushtërivet.
14 Përandaj Zoti do të këputnjë nga Israili krye e bisht, degë e kulmak, për një ditë.
15 Plaku edhe i nderëshimi, ay (është) kryetë, edhe ay profit që mëson gënjeshtra, ay (është) bishti.
16 Sepse tuke lumëruarë këtë gjëndëje, e gënjenjënë, edhe ata që lumëronenë prej atyre, humbasënë.
17 Përandaj Zoti nukë do të gëzonetë për dialoshat’ e atyreve, as nukë do të përdëllenjë të varfërit’ e të vat’ e atyreve, sepse të gjithë janë hipokritërë edhe keq-bërës, edhe ç’do golë flet paudhë. Mbi gjithë këto zemërata e ati nuk’ u këthye, po dor’ e ati (është) ndejtur’ edhe më.
18 Po panomia prish posi zjarri që ha drizat’ e gjëmbatë, edhe që digjetë flakë ndër pyeje të dëndurë; edhe ato do të hipënjënë si shtyllë mpshtiellurë me tym.
19 Nga zëmërata e Zotit ushtërivet u err dheu, edhe gjëndëja do të jetë posi lëndë zjarri, njeriu nukë do të ndëlenjë të vëllanë.
20 Edhe do të rrëmbenjë mb’ anë të diathtë, po do të urëtonetë; edhe do të hajë mb’ anë të mëngjërë, po nukë do të nginjetë; ç’do njeri do të hajë misht’ e krahut ti:
21 Manasiu Efraimnë, edhe Efraimi Manasinë; edhe ata bashkë (do të jenë) kundrë Judhësë. Mbi gjithë këto zemërata e ati nuk’ u këthye, po dor’ e ati (është) ndejtur’ edhe më.