Zoti mbron Sionin
1 Mjerë ata që zbresin në Egjipt për ndihmë,
që shpresën e kanë varur te kuajt,
që shpresojnë te qerret e shumta të luftës
dhe te kalorësit e shumtë në numër.
Nuk kthehen nga i shenjti i Izraelit,
Zotin nuk e kërkojnë.
2 Por edhe ai është i aftë
e do të sjellë fatkeqësi.
Fjalën e vet nuk do ta kthejë pas,
por do të ngrihet kundër shtëpisë së keqbërësve,
kundër ndihmës së atyre që bëjnë paudhësi.
3 Egjiptiani është njeri e jo Perëndi,
kuajt e tyre janë prej mishi e jo prej shpirti.
Kur ta shtrijë Zoti krahun e vet,
do t'i merren këmbët atij që do të jepte ndihmë,
ai që do të merrte ndihmë do të bjerë përtokë,
të gjithë së bashku do të marrin fund.
4 Sepse kështu më ka thënë Zoti:
Siç ulërin mbi prenë luani apo këlyshi i luanit,
kur i vërsulet turma e barinjve,
siç nuk tutet prej zërit të tyre
e as nuk struket prej zhurmës që bëjnë,
ashtu do të zbresë edhe Zoti i ushtrive,
për të luftuar në malin e Sionit
e në kodrinën e tij.
5 Siç fluturojnë zogjtë,
ashtu do ta mbrojë Zoti i ushtrive Jerusalemin,
do ta mbrojë e do ta çlirojë,
do ta kursejë e do ta shpëtojë.
6 Kthehuni sërish tek ai, o bij të Izraelit,
prej të cilit kaq shumë u larguat!
7 Atë ditë gjithkush do të flakë
idhujt e vet prej argjendi,
idhujt e vet prej ari,
që me duart tuaja mëkatare i punuat.
8 Asiria do të bjerë prej shpatës,
por jo prej shpatës së njeriut,
do ta përpijë shpata,
por jo shpata e vdekatarit.
Arratinë do të marrë para shpatës,
të rinjtë e saj skllevër pune do të bëhen.
9 Fortesën e saj do ta braktisin nga frika,
krerët e saj do të tmerrohen prej flamurit,
kumton Zoti, flaka e të cilit është në Sion,
furrnalta e të cilit, në Jerusalem.
1 Mjer ata që sbresënë ndë Egjyftëri për ndihmë, edhe mpshtetenë mbi kuaj, edhe shpërenjënë mbë qerret, sepse (janë) të shuma, edhe mbi kalorësit, sepse janë shumë të fortë, edhe nukë vështronjënë Shënjtin’ e Israilit, as nukë kërkonjënë Zotinë.
2 Po ay ësht’ i urtë, edhe do të bierë të këqia, edhe nukë do të këthenjë prap fialët’ e tia, po do të ngrihetë mbi shtëpit të keq-bërëset, edhe mbi ndihmët t’atyre që punonjënë panominë.
3 Egjyftëtë janë njerës, e jo Perëndi, edhe kuajt’ e atyreve (janë) mishra, e jo frymë. Zoti kur të ndenjë dorën’ e ti; edhe ay që ndih do të pengonetë, edhe ay që i ndihënë do të bierë, edhe të gjithë bashkë do të humbasënë.
4 Sepse kështu më foli Zoti: Posi leoni edhe këlyshi i leonit kur ulërin mbi gjahun’ e ti, ndonëse u mbëloth mbi atë shumicë barish, nukë frikësonetë nga zëri i atyreve, as nukë përmbëlidhetë nga turbëllimi i atyreve; kështu do të sbresë Zoti i ushtërivet që të lëftonjë për malin’ e Sionësë, edhe për kodrat’ e asaj.
5 Posi shpestë që fluturonjënë (mbi zoqt), kështu Zoti i ushtërivet do të mburonjë Jerusalimënë tuke mburuar’ e tuke shpëtuar’ (atë), tuke shkuar’ e tuke ruajtur’ (atë).
6 Këthehi tek (ay) ju të bijt’ e Israilit që i ngritët krye ati fare.
7 Sepse atë ditë ç’do njeri do të hedhë tej idhullat’ e tia t’argjënttatë e idhullat’ e tia t’ artatë, që ua bënë duartë tuaja (për) fal.
8 Atëhere Asyriani do të bierë ndënë kordhë, jo prej burri; edhe kordha do t’e hajë atë, jo prej njeriu; edhe do t’ikënjë nga faqeja e kordhësë, edhe të rit’ e ati do të jenë për pagesë.
9 Edhe do të kapërcenjë shkëmbin’ e ti nga frika, edhe krerët’ e ati do të tristonjënë për flamurenë, thotë Zoti, të cilit zjarri (është) ndë Sionë, edhe kamina e ati ndë Jerusalimë.