Jakobi takon Rakelën
1 Atëherë Jakobi mori udhën e shkoi në tokën e bijve të lindjes. 2 Në një fushë pa një pus e tre kope dhensh shtrirë aty pranë, sepse u jepnin për të pirë nga pusi. Një gur i madh mbulonte grykën e pusit. 3 Kur mblidheshin të gjitha kopetë, barinjtë e lëviznin gurin prej grykës së pusit e u jepnin për të pirë. Pastaj e vinin gurin në vend, mbi grykën e pusit.
4 Jakobi i pyeti: «Nga jeni, o vëllezër?». Ata u përgjigjën: «Nga Harani». 5 Ai u tha: «A e njihni Labanin, birin e Nahorit?». Ata i thanë: «E njohim». 6 Jakobi pyeti: «A është shëndoshë e mirë?». Ata iu përgjigjën: «Mirë është. Ja, Rakela, e bija, po vjen bashkë me dhentë». 7 Pastaj ai u tha: «Është ende mesditë e nuk është koha kur mblidhen bagëtitë. Megjithatë, jepuni të pinë e çojini në kullotë». 8 Por ata thanë: «Nuk mundemi. Do t'u japim dhenve të pinë vetëm kur të mblidhen të gjitha kopetë e guri të lëvizë prej grykës së pusit».
9 Teksa fliste me ta, erdhi Rakela bashkë me dhentë e të atit. Ajo ishte bareshë. 10 Kur Jakobi pa Rakelën, bijën e Labanit, ungjit të vet , bashkë me dhentë e tij, u afrua, lëvizi gurin nga gryka e pusit e u dha për të pirë dhenve të Labanit, ungjit të vet. 11 Pastaj e puthi Rakelën e qau me zë të lartë. 12 I tregoi se ishte nga fisi i të atit dhe biri i Rebekës. Atëherë ajo vrapoi e i tregoi të atit.
13 Kur Labani mori vesh për Jakobin, djalin e së motrës, vrapoi ta takojë. E përqafoi, e puthi dhe e mori në shtëpi. Ai i tregoi Labanit gjithçka që kishte ngjarë. 14 Atëherë Labani i tha: «Ti je me të vërtetë mishi e gjaku im». Jakobi qëndroi me të për një muaj.
Jakobi martohet me bijat e Labanit
15 Pastaj Labani i tha Jakobit: «A thua pse jemi një fis, do të më shërbesh falas? Më thuaj sa e do pagën?». 16 Labani kishte dy bija. E madhja quhej Lea, ndërsa e vogla, Rakela. 17 Lea kishte sy të hijshëm , ndërsa Rakela ishte e bukur dhe e pashme. 18 Jakobi e donte Rakelën e tha: «Do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde të vogël». 19 Labani tha: «Më mirë ta jap ty, sesa një njeriu tjetër. Rri me mua». 20 Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën, por, ngaqë e donte, iu dukën si pak ditë.
21 Atëherë Jakobi i tha Labanit: «Ma jep gruan time që të fle me të, se koha u plotësua». 22 Labani mblodhi tërë vendasit e bëri dasmë. 23 Por në mbrëmje mori Lean, të bijën, ia dha Jakobit e ky fjeti me të. 24 Labani i dha Leas, të bijës, Zilfën, skllaven e tij. 25 Në mëngjes, kur pa se ishte Lea, Jakobi i tha Labanit: «Çfarë më bëre kështu? A nuk të shërbeva për Rakelën? Përse më mashtrove?». 26 Labani i tha: «Në vendin tonë nuk është zakon të jepet e vogla para të madhes. 27 Le të kalojë kjo javë dasme e pastaj do të të japim edhe tjetrën e ti do të më shërbesh edhe shtatë vjet të tjerë». 28 Jakobi pranoi dhe pasi kaloi java e dasmës, Labani ia dha për grua Rakelën, të bijën. 29 Ai i dha Rakelës, të bijës, Bilhën, skllaven e tij.
30 Jakobi fjeti edhe me Rakelën dhe e deshi atë më shumë se Lean. Ai i shërbeu Labanit edhe për shtatë vite të tjera. 31 Zoti e pa se Lea u përbuz, prandaj i dha fëmijë, ndërsa Rakela ishte beronjë. 32 Kështu, Lea mbeti shtatzënë e lindi një djalë. E quajti Ruben, sepse tha: «Zoti e pa hidhërimin tim. Tani im shoq do të më dojë». 33 Ajo mbeti përsëri shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Zoti dëgjoi që jam e përbuzur, prandaj ma dha edhe këtë». Prandaj e quajti Simeon. 34 Përsëri mbeti shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Këtë herë im shoq do të jetë i lidhur me mua, se i kam lindur tre djem». Prandaj u quajt Levi. 35 Lea mbeti përsëri shtatzënë, lindi një djalë e tha: «Këtë herë do ta lavdëroj Zotin». Prandaj e quajti Judë. Pastaj nuk lindi më fëmijë.
1 Edhe Jakovi u ngre e vate ndë dhe të bijet të Lindëjesë (diellit). 2 Edhe pa, edhe na një pus (tek ishte) ndë fushët, edhe na tri tufa dhensh tek mërzeninë atie afër’ ati, sepse nga ay pusi pinin’ ujë tufatë, edhe (ishte) një gur i math mbi grykët të pusit. 3 Edhe kur mbëlidheshin’ atie gjithë tufatë, rrukulloninë gurë nga gryka e pusit, edhe u epin’ ujë tufavet, pastaj vijnë përsëri gurinë mbi grykët të pusit ndë vënt të ti.
4 Edhe Jakovi u tha atyre: Nga jeni, vëllezër? Edhe ata thanë: Jemi nga Harani. 5 Edhe (ay) u tha atyre: A e njihni Llavaninë të birin’ e Nahorit? Edhe ata thanë: E njohëmë. 6 Edhe (ay) u tha atyre: A është shëndoshë? Edhe ata thanë: Shëndoshë është; edhe na Rahila e bila e ati tek po vien me dhënt. 7 Edhe (ay) tha: Na (tek ka) edhe shumë ditë, nuk (është) kohë të hiqenë bagëtitë, epuni ujë dhënet, edhe shkoni t’i kullosni. 8 Edhe ata thanë: Nukë muntmë, gjersa të mbëlidhenë gjithë dhëntë, edhe të rrukullojmë gurinë nga gryka e pusit, atëhere u apëm’ ujë dhënet.
9 Edhe ay tek po fliste me ata, erdhi Rahila me dhënt’ e t’et, sepse ajo (i) kulloste. 10 Edhe Jakovi kur pa Rahilënë të bilën’ e Llavanit të vëllat s’ëmësë, edhe dhënt’ e Llavanit të vëllat s’ëmësë, u afrua Jakovi, edhe rrukulloi gurë nga gryka e pusit, edhe u dha ujë dhënet Llavanit të vëllat s’ëmësë. 11 Edhe Jakovi puthi Rahilënë, edhe ngriti zën’ e ti e klau. 12 Edhe Jakovi i dha zë Rahilësë, se ësht’ i vëllai i atës asaj, edhe se ësht’ i biri Revekësë; edhe ajo vate me vrap, e i dha zë t’et. 13 Edhe Llavani kur dëgjoi emërin’ e Jakovit të birit së motërësë, u sul e i doli përpara, edhe e përqafoi, edhe e puthi, edhe e solli ndë shtëpi të ti; edhe (Jakovi) i tregoi Llavanit gjithë sa i gjanë. 14 Edhe Llavani i tha ati: Me të vërtetë (ti) je nga eshtërat e mia, edhe nga mishi im. Edhe ndenji bashkë me atë një muaj.
15 Edhe Llavani i tha Jakovit: Sepse je em vëlla, përandaj do të më shërbenjç për dhuratë? Thuajmë, ç’(është) paga jote?
16 Edhe Llavani kishte dy bila, emëri i së madhesë (thuhej) Leahë, edhe emëri i së vogëlësë (thuhej) Rahilë. 17 Edhe Leaha i kishte sytë të sëmurë, po Rahila ishte e hieshime, edhe e bukurë ndë syt. 18 Edhe Jakovi deshi Rahilënë, edhe tha: Do të të shërbenj shtatë viet për Rahilënë, tët bilë të vogëlënë. 19 Edhe Llavani tha: Më mirë të ta ap ty atë, se t’ia ap tiatërë burri; rri bashkë me mua.
20 Edhe Jakovi shërbeu shtatë viet për Rahilënë, edhe i dukeshinë dit të paka, për dashurinë që kishte mb’atë. 21 Edhe Jakovi i tha Llavanit: Epmë gruanë time, sepse u mbushnë dit e mia, që të hynj te ajo.
22 Edhe Llavani mbëlodhi gjithë njerëzit’ e vëndit, edhe bëri dasmë. 23 Edhe mbrëmanet mori Leahenë të bilënë, e ja pruri ati, edhe (ay) hyri te ajo. 24 Edhe Llavani i dha Leahesë së bilësë, për shërbëtore, Zilpahënë shërbëtoren’ e ti.
25 Edhe ndë mëngjest, na te (qënëke) Leaha, edhe (ay) i tha Llavanit: Ç’(është) këjo që më bëre? A nukë të shërbeva për Rahilënë? Përse më gënjeve? 26 Edhe Llavani tha: Nukë bënetë këjo ndë vënt tënë, të epet’ e vogëla përpara së madhesë; 27 mbushi javënë kësaj, edhe do të t’ap edhe tiatrënë, për shërbesënë që do të më bënç edhe shtatë viet të tiera.
28 Edhe Jakovi bëri kështu, edhe i mbushi javën’ asaj, edhe i dha ati Rahilënë të bilënë për grua. 29 Edhe Llavani i dha Rahilësë së bilësë për shërbëtore, Bilhahënë shërbëtoren’ e ti. 30 Edhe (Jakovi) hyri te Rahila, edhe deshi Rahilënë më tepërë se Leahënë, edhe i shërbeu ati edhe shtatë viet të tiera.
31 Edhe Zoti kur pa se i kishinë mëri Leahësë, i hapi shtratin’ asaj, edhe Rahila (ishte) shterpë. 32 Edhe Leaha u mbars, e polli dialë, edhe ja vuri emërin’ ati Ruvin, sepse tha: Zoti pa me të vërtetë të përunjuritë tim, tashi pra do të më dojë burri im.
33 Edhe u mbars përsëri, e polli dialë, edhe tha: Sepse Zoti dëgjoi se më kanë mëri, përandaj më dha edhe këtë, edhe ja vuri emërinë Simeon.
34 Edhe u mbars përsëri, e polli dialë, edhe tha: Tashi këtë herë do të bashkonetë burri me mua, sepse i polla ati tre djem, përandaj ja vuri emërinë Levi.
35 Edhe u mbars përsëri, e polli dialë, edhe tha: Këtë herë do të lavdonj Zotinë, përandaj ja vuri emërinë Judhë, edhe pushoi së pielli.