Bijtë e Jakobit në Egjipt
1 Jakobi pa se kishte grurë në Egjipt e u tha të bijve: «Ç'më shikoni njëri-tjetrin? 2 Dëgjova se në Egjipt ka grurë. Shkoni atje e na blini grurë, që të mbetemi gjallë e të mos vdesim». 3 Kështu, të dhjetë vëllezërit e Jozefit shkuan për të blerë grurë në Egjipt. 4 Por Benjaminin, vëllain e Jozefit, Jakobi nuk e dërgoi me ta, se kishte frikë mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe. 5 Kështu, bijtë e Izraelit erdhën për të blerë grurë bashkë me njerëz të tjerë, sepse në tokën e Kanaanit kishte rënë zia e bukës.
6 Jozefi ishte i pari i vendit. Ai i shiste grurë tërë popullit. Atëherë vëllezërit e Jozefit erdhën e iu përkulën me fytyrë përdhe. 7 Jozefi i pa vëllezërit dhe i njohu, por i trajtoi si të huaj e u foli ashpër: «Nga vini?». Ata u përgjigjën: «Vijmë nga toka e Kanaanit për të blerë ushqime». 8 Edhe pse Jozefi i njohu vëllezërit, ata nuk e njohën. 9 Jozefit iu kujtuan ëndrrat që kishte parë dikur për ta. Atëherë u tha: «Jeni spiunë! Keni ardhur të zbuloni vendet e pambrojtura». 10 Por ata i thanë: «Jo, imzot. Shërbëtorët e tu kanë ardhur për të blerë ushqime. 11 Të gjithë ne jemi bijtë e një njeriu. Jemi njerëz të ndershëm. Shërbëtorët e tu nuk janë spiunë». 12 Ai u tha: «Jo! Keni ardhur që të zbuloni vendet e pambrojtura!». 13 Ata i thanë: «Shërbëtorët e tu janë dymbëdhjetë vëllezër, bij të një njeriu nga toka e Kanaanit. Vëllai i vogël është me atin tonë, ndërsa një tjetër nuk është më». 14 Jozefi iu përgjigj: «Është siç ju thashë: ju jeni spiunë! 15 Unë do t'ju vë në provë kështu: pasha jetën e faraonit, ju nuk do të dilni që këtej pa ardhur këtu vëllai juaj i vogël. 16 Dërgoni njërin prej jush të marrë vëllanë tuaj. Të tjerët do të futen në burg, derisa të vërtetohen fjalët tuaja. Nëse jo, pasha faraonin, ju jeni spiunë!». 17 Kështu, i futi në burg për tri ditë.
18 Ditën e tretë, Jozefi u tha: «Bëni siç ju thashë e do të jetoni, sepse unë i druhem Perëndisë. 19 Nëse jeni të ndershëm, njëri prej jush të rrijë në burg, ndërsa ju shkoni e çoni grurë te shtëpitë tuaja të uritura. 20 Pastaj më sillni vëllanë tuaj të vogël, që të vërtetohet çfarë thatë e kështu të mos vdisni». Ata bënë siç u tha 21 e i thanë njëri-tjetrit: «Jemi me të vërtetë fajtorë për vëllanë tonë, Jozefin, sepse e pamë sa në ankth ishte kur na lypte mëshirë dhe nuk e dëgjuam, prandaj na ra kjo fatkeqësi». 22 Atëherë Rubeni u tha: «A nuk ju thashë të mos mëkatonit kundër djalit? Por ju nuk dëgjuat. Tani po na kërkohet shpagim për gjakun e tij!». 23 Ata nuk e dinin se Jozefi i kuptonte, sepse u fliste me përkthyes. 24 Jozefi u largua prej tyre e qau. Pastaj u kthye tek ata e u foli. Mori Simeonin e i vuri prangat para tyre. 25 Dha urdhër që t'ua mbushnin thasët me grurë, t'ua vinin paratë në thesin e secilit e t'u jepnin ushqime për rrugë. Dhe kështu u bë.
Vëllezërit kthehen në Kanaan
26 Ata i ngarkuan thasët mbi gomarë e u larguan që andej. 27 Kur ishin në një bujtinë, njëri prej tyre hapi thesin për t'i dhënë tagji gomarit, dhe pa paratë në grykë të thesit. 28 Atëherë u tha vëllezërve: «Më kanë kthyer paratë! Ja ku janë, në thes!». Atyre sa nuk u pushoi zemra e të frikësuar thanë: «Ç'është kjo që na bëri Perëndia?».
29 Kur mbërritën në tokën e Kanaanit, te Jakobi, ati i tyre, i treguan gjithçka që u kishte ndodhur: 30 «Zoti i atij vendi na foli ashpër e na trajtoi si spiunë. 31 Ne i thamë: “Jemi njerëz të ndershëm e jo spiunë. 32 Jemi dymbëdhjetë vëllezër, bij të një ati. Njëri nga vëllezërit nuk është më, kurse më i vogli është me atin tonë në tokën e Kanaanit”. 33 Por ai, zoti i atij vendi, na tha: “Ja si do ta di nëse jeni të ndershëm. Lëreni një nga vëllezërit tek unë. Merrni grurë për shtëpitë tuaja të uritura dhe shkoni 34 e më sillni vëllanë tuaj të vogël. Atëherë do ta di që nuk jeni spiunë, por njerëz të ndershëm. Pastaj do t'jua jap vëllanë tuaj e ju do të mund të bëni tregti në këtë vend”».
35 Zbrazën thasët dhe secili gjeti në thes qeskën e vet të parave. Kur i panë, u trembën ata dhe ati i tyre. 36 Atëherë ati i tyre, Jakobi, tha: «Më latë pa djem! Jozefi nuk është më, Simeoni nuk është më e tani dashkeni të më merrni edhe Benjaminin! Jam unë ai që i vuaj të gjitha». 37 Rubeni i tha të atit: «Nëse nuk ta kthej djalin vriti të dy bijtë e mi. Ma beso mua e unë do të ta kthej». 38 Ai iu përgjigj: «Im bir nuk do të vijë me ju, sepse vëllai i tij vdiq dhe ky është i vetmi që ka mbetur. Po i ndodhi gjë rrugës, hidhërueshëm, do të m'i shtini thinjat në varr!».
1 Edhe Jakovi pa se gjëndej drithë ndë Egjyptëri, edhe Jakovi u tha të bijet: Ç’shikoni njëri jatrinë? 2 Edhe tha: Na tek dëgjova se gjëndetë drithë ndë Egjyptëri, sbritni atie, edhe blini për ne andej, që të rroimë e të mos vdesëmë.
3 Edhe sbritnë të dhietë vëllezërit’ e Josifit për të blerë drithë nga Egjyptëria. 4 Por Veniamininë, të vëllan’ e Josifit, nuk’ e dërgoi Jakovi bashkë me të vëllezërit, sepse tha: Mos i gjanjë ndonjë e keqe. 5 Edhe të bijt’ e Israilit erthnë për të blerë (drithë) ndërmest atyreve që vininë (atie), sepse ishte zi ndë dhet të Hanaanit.
6 Edhe Josifi ishte qivernitar i vëndit, ay i shiste gjithë gjëndëjesë vëndit; erdhë pra të vëllezërit’ e Josifit edhe i unjnë kryetë gjer përdhe. 7 Edhe Josifi kur pa të vëllezëritë, i njohu ata, por shtiu vetëhen’ e ti të huajë ndër ata, edhe u fliste atyre vrazhëtë, edhe u tha atyre: Nga vini? Edhe ata thanë: Nga dheu i Hanaanit, për të blerë drithë.
8 Edhe Josifi njohu të vëllezëritë, por ata nuk’ e njohnë atë. 9 Edhe Josifit i ranë ndër mënt ëndërratë që pat parë për ata, edhe u tha atyre: Ju jeni përgjonjës, keni ardhë për të vështruarë shtegjet’ e vëndit. 10 Edhe ata i thanë: Jo, Zoti im, por (neve) shërbëtorët e tu kemi ardhë për të blerë drithë, 11 neve të gjithë (jemi) të bijt’ e një njeriu, jemi (njerës) të mirë, shërbëtorët’ e tu nukë janë përgjonjës. 12 Edhe (ay) u tha atyreve: Jo, por keni ardhë për të vështruarë shtegjet’ e vëndit. 13 Edhe ata thanë: (Neve) shërbëtorët’ e tu jemi dymbëdhietë vëllezër, të bijt’ e një njeriu ndë dhet të Hanaanit, edhe na më i vogëli (tek gjëndetë) sot bashkë me tanë, edhe tietëri nuk’ është.
14 Edhe Josifi u tha atyre: Këjo (është) që u thashë (juve), kur thashë, se ini përgjonjës. 15 Me këtë do të shprovohi: Për jetët të Faraonit, nukë do të dilni së këtejmi, ndë mos arthtë këtu vëllai juaj më i vogëli, 16 dërgoni një nga ju, edhe le të bierë vëllanë tuaj, edhe ju do të mbesni të lidhurë gjersa të dalënë fialëtë tuaja, ndë thënçi të vërtetënë, po ndë mos, për jetët të Faraonit, me të vërtetë ini përgjonjës.
17 Edhe i vuri ata (mbënjanë) të ruhenë tri dit.
18 Edhe të tretënë ditë Josifi u tha atyre: Bëni këtë, edhe keni për të rruarë, (sepse) unë kam frikë nga Perëndia: 19 ndë ini të mirë, njëri nga vëllezëritë tuaj le të mbesë lidhurë ndë burkt, aty ku ini, edhe ju shkoni, (e) merrni drithë për zin’ e shtëpivet tuaja, 20 por bimëni vëllanë tuaj më të vogëlinë, kështu do të dalënë të vërteta fialëtë tuaja, edhe nukë do të vdisni. Edhe ata bënë kështu. 21 Edhe i tha njëri jatrit: Me të vërtetë jemi fajtorë për vëllanë tënë, sepse pam shtrëngimnë e shpirtit ati, kur na lutej, edhe nuk’ i dëgjuam, përandaj erdhi mbi ne ky shtrëngim.
22 Edhe Ruvini u përgjeq atyre, e u tha: A nuk’ u thashë juve (atëhere): Mos i bëni keq dialit? E nukë dëgjuatë, përandaj na tek po kërkonetë gjaku i ati.
23 Edhe ata nukë dininë se kupëtonte Josifi, sepse flisinë bashkë me (tietërë) njeri që u kthente gluhënë. 24 Edhe (Josifi) u hoq (mbënjanë) nga syt’ e atyreve, e klau, edhe u kthye (prap) te ata, e u fliste, edhe mori nga ata Simeonë, edhe e lidhi përpara sysh atyre. 25 Atëhere Josifi urdhëroi t’u mbushninë atyre thasëtë me drithë, edhe t’i kthenin’ argjëndinë gjithësecilit ndë thest t’ati, edhe t’u epinë të ngrënë për udhë, edhe u bë kështu ndër ata.
26 Edhe ata si ngarkuanë gomarët’ e tyre me drithë, shkuanë së andejmi. 27 Edhe njëri nga ata kur sgjidhi thesin’ e ti, që t’i epte gomarit të ngrënë ndë grasht, pa argjëndin’ e ti, edhe na tek ishte ndë grykët të thesit ti. 28 Edhe u tha të vëllezëret: Argjëndi em m’u dha prap, edhe na (tek është) ndë thest tim, edhe u habit zëmëra e atyreve, edhe u përzienë bashkë, edhe thanë njëri jatrit: Ç’(është) këjo (që) na bëri Perëndia?
29 Erdhë pra te Jakovi tek i ati tyre ndë dhet të Hanaanit, edhe i dhanë zë ati për gjithë sa u gjanë atyre, edhe thanë: 30 (Ay) njeriu, i zoti vëndit, na foli vrazhëtë, edhe na mori për përgjonjësit e vëndit. 31 Edhe (neve) i tham ati, (se): Jemi (njerës) të mirë, nukë jemi përgjonjës, 32 jemi dymbëdhietë vëllezër, të bijt’ e atit tënë, njëri nuk’ është, edhe më i vogëli (është) sot bashkë me atënë tënë ndë dhet të Hanaanit. 33 Edhe (ay) njeriu, i zoti vëndit, na tha: Me këtë do t’e njoh, se jeni (njerës) të mirë: Lini bashkë me mua njërinë nga vëllezëritë tuaj, edhe merrni (drithë për) zin’ e shtëpivet tuaja, edhe shkoni, 34 edhe birmëni vëllanë tuaj më të vogëlinë, atëhere do t’e njoh, se nukë (ini) përgjonjës, por ini të mirë, edhe do t’u ap prap vëllanë tuaj, edhe do të tregjetoni ndë këtë vënt.
35 Edhe kur po sbrazinë thasët’ e tyre, na gjithësecilit të lidhurit’ e argjëndit (tek ishte) ndë thest t’ati, edhe ata edhe i ati atyreve kur panë të lidhurat’ e argjëndit tyre, u frikësuanë. 36 Edhe Jakovi i ati atyreve u tha atyreve: Ju më latë pa djem, Josifi nuk’ është, edhe Simeoni nuk’ është, doni të merrni edhe Veniaminë, të gjitha këto erthnë mbi mua.
37 Edhe Ruvini i tha t’et, tuke thënë: Vra të dy bijt’ e mi, ndë mos të prufsha ty atë, epma ndë dorë, edhe unë do të ta bie përsëri. 38 Edhe ay tha: S’ka për të sbritur’ im bir bashkë me ju, sepse i vëllai vdiq, edhe ay mbeti vetëmë, edhe ndë i gjaftë ati ndonjë e keqe mb’udhë atie ku shkoni, atëhere do të sbrisni qimet’ e mia të bardhatë me hidhërim ndë varrt.