Ngushëllim për Sionin
1 Më dëgjoni, ju që ndiqni pas drejtësinë,
ju që kërkoni Zotin,
shikoni shkëmbin, prej të cilit u pretë,
gropën e gurores, prej së cilës dolët.
2 Shikoni Abrahamin, atin tuaj,
dhe Sarën që ju lindi!
I vetëm ishte kur e thirra,
por e bekova dhe e shtova.
3 Kështu Zoti do ta ngushëllojë Sionin,
do të ngushëllojë të gjitha rrënojat e tij.
Shkretëtirën e tij do ta bëjë si Edenin,
djerrinën e tij porsi kopshtin e Zotit.
Në të do të dëgjohen gëzim e hare,
falënderime e tinguj këngësh.
4 Dëgjomë me kujdes, o populli im,
vëmë vesh, o kombi im!
Se prej meje do të dalë ligji,
drejtësinë time do ta bëj dritë për popujt.
5 Afër është drejtësia ime,
mbërriti shpëtimi im!
Krahu im do të gjykojë popujt,
ujdhesat tek unë do të shpresojnë,
në krahun tim do të shpresojnë.
6 Ngrijini sytë lart në qiell,
vështroni tokën poshtë.
Qiejt do të davariten si tymi,
toka do të vjetrohet si rroba,
banorët e saj si vemja do të vdesin.
Por shpëtimi im do të mbetet përjetë,
drejtësia ime nuk do të thyhet kurrë.
7 Dëgjomëni, pra, ju që e njihni drejtësinë,
ti, o popull, që ligjin tim e ke në zemër!
Mos kini frikë nga fyerjet e njerëzve,
mos u trembni nga sharjet e tyre.
8 Sepse tenja do t'i brejë si rrobën,
mola do t'i hajë si leshin.
Por drejtësia ime do të mbetet përjetë,
shpëtimi im, brez pas brezi.

9 Zgjohu, zgjohu, ngjishu me fuqi
ti, o krahu i Zotit!
Zgjohu si në ditët e moçme,
si në breznitë e kahershme!
A nuk ishe ti që e copëtove Rahabën,
që tejpërtej e shpove përbindëshin?
10 A nuk ishe ti që e thave detin,
ujërat e humnerës së thellë,
që fundin e detit e bëre udhë,
për të kaluar ata që shpengove?
11 Të shpërblyerit e Zotit do të kthehen,
do të vijnë në Sion duke brohoritur,
gëzimi do të jetë përherë mbi kokat e tyre,
do t'i pushtojë gëzimi e hareja,
dhimbja e rënkimi do të marrin fund.
12 Unë, unë jam ai që të ngushëllon,
kush je ti që trembesh nga njeriu i vdekshëm,
nga biri i njeriut që është si bari?
13 E ke harruar Zotin, që të krijoi,
që shtriu qiejt e themeloi tokën.
Gjithë ditën je përherë i frikësuar
prej furisë së shtypësit,
që është bërë gati të të shkatërrojë.
Po përse është zemëruar vallë shtypësi?
14 I robëruari i kërrusur shpejt do të çlirohet,
në gropë nuk do të vdesë
e buka s'do t'i mungojë.
15 Unë jam Zoti, Perëndia yt,
që e trand detin e i buçasin valët,
Zot i ushtrive është emri i tij.
16 Fjalët e mia i vura në gojën tënde,
me hijen e dorës sime të mbulova.
Unë, që mbolla qiejt e tokën themelova,
unë i them Sionit: «Ti je populli im».

17 Zgjohu, zgjohu, ngrihu, o Jerusalem,
ti që prej dorës së Zotit
kupën e zemërimit të tij pive,
që pive kupën e trullosjes,
e pive sa e kullove krejt.
18 Nuk ka kush të të udhëheqë
ndër bijtë që ke lindur,
s'ka kush të të marrë për dore
ndër bijtë që ke rritur.
19 Dy të këqija të kanë gjetur,
kujt do t'i vijë keq për ty?
Rrënim e shkatërrim, uri e shpatë,
kush do të të ngushëllojë?
20 Bijtë e tu janë tretur e po dergjen
në krye të çdo rruge, si antilopa e zënë në lak,
mbushur plot me zemërimin e Zotit,
plot me kërcënimin e Perëndisë tënd.
21 Prandaj, dëgjoje këtë, o e mjerë,
o e dehur, por jo me verë.
22 Kështu thotë Zoti, Zoti e Perëndia yt,
ai që mbron çështjen e popullit tënd:
Ja, po ta heq nga dora kupën e trullosjes,
llumin e kupës së zemërimit tim.
Më prej saj nuk do të pish.
23 Do t'ua vë në dorë atyre që të kanë pikëlluar,
atyre që ty të thoshin:
«Shtrihu përtokë që të kalojmë mbi ty».
E ti urë e bëje shpinën tënde,
porsi udhë për kalimtarët.
1 Pa dëgjomëni, ju që i vini pas dreitërisë, ju që kërkoni Zonë: shtini sytë mb’ atë shkëmp (prej të cilit) u latuatë, edhe ndë grykët të gropësë (nga e cila) u mihtë.
2 Shtini sytë mb’ Avraamnë atënë tuaj, edhe mbë Sarrënë, që u polli juve, sepse thirra atë (që qe) një (i vetëm), edhe e bekova, edhe e shumova.
3 Zoti pra do të ngushullonjë Sionënë, ay do të ngushullonjë të gjithë vëndet’ e asaj, që janë shkretuarë, edhe do të bënjë shkretëtirën’ e asaj posi Edhemënë, edhe vëndin’ e shkretë posi kopështin’ e Zotit; gëzim e gas do të gjëndetë nd’ atë, lavdi, e zë lavdurimi.
4 Pa dëgjo-më, o gjëndëja ime, edhe mba-më vesh, o kombi im, sepse do të dalë nom prej meje, edhe do të ngreh gjyqinë t’im për dritën’ e gjëndëjevet.
5 Dreitëria ime po afronetë, shpëtimi im dolli, edhe krahët’ e mi do të gjukonjënë gjëndëjetë; dheujëzatë do të më presënë, edhe do të shpërenjënë mbë krahunë t’im.
6 Ngreni sytë tuaj ndër qiejet, edhe vështroni dhenë poshtë, sepse qiejetë do të tretenë posi tym, edhe dheu do të vietëronetë posi rrobë, edhe ata që rrinë nd’ atë do të vdesënë mbë një mëndyrë, po shpëtimi im do të jetë për gjithë jetënë, edhe dreitëria ime nukë do të shuhetë.
7 Dëgjomëni, ju që njihni dreitërinë: o gjëndëje, ndë zemërët tënde (është) nomi im, mos frikësohi nga qërtimi i njerëzet, as mos turbëllohi nga të sharat’ e atyreve.
8 Sepse krymbi do t’i hajë ata posi rrobë, edhe mola do t’i brenjë ata posi lesh, po dreitëria ime do të mbesë për gjithë jetënë, edhe shpëtimi im breza pas brezash.
9 Sgjoju, sgjoju, vish fuqi, o krahu i Zotit! Sgjoju posi ndër ato dit e lashta, ndër brezat e vietërë! A nukë je ti ay që i re Rahabësë, edhe plagose draguanë?
10 A nukë je ti ay që thave detinë, edhe ujërat’ e mëdhenj të avysësë, ti që bëre të thellat’ e detit udhë të të shkuari atyreve që u shpërblyenë?
11 Edhe të shpërblerët’ e Zotit do të këthenen’ e do të vinjënë me brohori ndë Sionë, edhe gëzim i përjetëshim (do të jetë) mbi kryet t’atyre; gëzim e gas do të fitonjënë, hidhërimi e psherëtima do t’ikënjënë.
12 Unë, unë jam ay që u ngushullonj juve. Ti cili je, edhe ke frikë nga njeriu që vdes, edhe nga i biri i njeriut, (i cili) do të bënetë posi bar;
13 edhe harrove Zotinë Ndërtesëtarinë tënt, që ndejti qiejetë, edhe themelosi dhenë; edhe pate frikë përherë e përditë zemërimin’ e ati që të shtrëngonte, sikur të ish gati të prishte? E ku (është tashi) zemërimi i ati që shtrëngonte?
14 I skllavosuri shpejton të lëshonetë, e të mos vdesë ndë gropët, as mos i shteretë buka,
15 sepse unë (jam) Zoti Perëndia yt, që përziej detinë, edhe gjëmonjënë valët’ e ati; Zoti i ushtërivet (ësht’) emëri i ati.
16 Edhe vura fialët’ e mia ndë golët tënde, edhe të mbulova me hien’ e dorësë s’ime, që të forconj qiejetë, edhe të themelos dhenë, edhe t’i them Sionësë: Je gjëndëja ime.
17 Sgjoju, sgjoju, ngreu, o Jerusalimë, që pive nga dora e Zotit kupën’ e zemërimit ati; pive, sbraze (edhe) atë të vielët’ e kupësë hutimit.
18 Nga të gjithë bijtë që polli, s’ka se kush t’i heqë udhën’ asaj, as nukë (ka ndonjë) nga të gjithë djemtë që rriti, që ta zër’ atë për dore.
19 Këto të dyja erthnë mbi ty: kujt do t’i dhëmbetë për ty? Shkretim e prishëje, e uri e thikë, me kë të të ngushullonj?
20 T’yt-bijve u ngriu gjaku, dirgjen’ anësë gjith’ udhëvet, posi muzat i egrë ndër rrieta; janë plot me zemërimin’ e Zotit, me qërtimin e Perëndisë tënt.
21 Andaj, pa dëgjo tashi këtë, o e shtrënguarë, edhe e dejturë, po jo nga vera:
22 kështu thotë Yt-zot, Zoti edhe Perëndia yt, ay që bën gjyq për gjëndëjen’ e ti: Na tek mora nga duart’ e tua kupën’ e hutimit, të vielët’ e kupësë zemërimit t’im; s’ke për të pirë më atë paskëtaj,
23 edhe do t’e vë atë ndë dorët t’ atyreve që të shtrëngoninë, të cilët’ i thanë shpirtit tënt: Kurrusu, të shkojmë; edhe ti vure kurminë tënt posi dhe, edhe posi udhë, ndër ata që shkoninë.