Besëlidhja
1 Moisiu thirri tërë Izraelin e u tha: «Ju vetë patë gjithçka bëri Zoti në tokën e Egjiptit, çfarë i bëri faraonit e tërë shërbëtorëve të tokës së tij, 2 sprovat e mëdha, shenjat e mrekullitë e mëdha. 3 Por, deri më sot, Zoti nuk ju dha mendje për të kuptuar, sy për të parë e veshë për të dëgjuar. 4 Ju priva nëpër shkretëtirë për dyzet vjet e as nuk ju shqyen rrobat në trup e as sandalet në këmbë nuk ju këputën. 5 Bukë nuk hëngrët e as verë e pije të forta nuk pitë, që ta dini se unë, Zoti, jam Perëndia juaj.
6 Kur mbërritëm në këtë vend, na doli për luftë Sihoni, mbreti i Heshbonit dhe Ogu, mbreti i Bashanit, por ne u ramë, 7 ua morëm tokat e ua dhamë për trashëgimi Rubenit, Gadit dhe gjysmës së fisit të Manaseut. 8 Mbajini e zbatojini fjalët e kësaj besëlidhjeje, që t'ju shkojë mbarë gjithçka që bëni.
9 Ju të gjithë po qëndroni sot para Zotit, Perëndisë tuaj, të gjithë krerët, fiset, pleqtë, prijësit e burrat e Izraelit, 10 bashkë me të vegjlit, gratë dhe të ardhurit që janë në fushimin tuaj, nga ata që ju presin dru deri tek ata që ju nxjerrin ujë, 11 për të pranuar besëlidhjen e përbetimin e Zotit, Perëndisë tënd, që sot po lidh me ju Zoti, Perëndia juaj. 12 Ai do t'ju bëjë sot popullin e tij e do të jetë Perëndia juaj, siç ju tha e siç iu betua etërve tuaj, Abrahamit, Isakut e Jakobit. 13 Unë nuk po e bëj këtë besëlidhje e këtë përbetim vetëm me ju, 14 por edhe me të gjithë ata që janë këtu duke qëndruar sot me ne para Zotit, Perëndisë tonë, dhe me ata që nuk janë sot këtu me ne.
15 Ju e dini si kemi jetuar në tokën e Egjiptit e si kemi kaluar përmes kombeve që përshkuam. 16 I patë poshtërsitë e tyre, idhujt e tyre prej druri, guri, argjendi e ari. 17 Nëse gjendet sot mes jush ndonjë burrë, grua, klan ose fis që po i kthen shpinën Zotit, Perëndisë tuaj, për të ndjekur e për t'u shërbyer perëndive të këtyre kombeve, nëse gjendet, pra, mes jush ndonjë rrënjë që prodhon helm e pelin, 18 që, pasi i ka dëgjuar fjalët e këtij përbetimi, e bekon veten e thotë: “Nuk do të më gjejë gjë edhe nëse ndjek me ngulm mendjen time”, edhe nëse do të digjet i njomi me të thatin, 19 Zoti nuk do të dojë ta falë. Madje, zemërimi e xhelozia e Zotit do të ndizet kundër tij dhe tërë mallkimet e shkruara në këtë libër do të bien mbi të. Zoti do t'ia shuajë emrin nën qiell. 20 Zoti do ta ndajë mënjanë nga tërë fiset e Izraelit, që ta dënojë sipas mallkimeve të besëlidhjes të shkruara në këtë libër të ligjit. 21 Atëherë breznia e ardhshme, fëmijët pas jush dhe i huaji nga vendet e largëta, do të shohin plagët e kësaj toke dhe sëmundjet që dërgoi Zoti. 22 Tërë toka do të digjet nga sulfuri e kripa. Nuk do të mbillet, nuk do të korret e bari nuk do të mbijë. Do të ndëshkohet si Sodoma, Gomorra, Adma e Ceboimi, që i përmbysi Zoti në zemërimin e tërbimin e tij. 23 Atëherë tërë kombet do të pyesin: “Përse veproi kështu Zoti me këtë vend? Përse u ndez një zemërim kaq i madh?”. 24 Pastaj do të thonë: “Për shkak se braktisën besëlidhjen e Zotit, Perëndisë së etërve, që ai lidhi me ta kur i nxori nga toka e Egjiptit. 25 U shërbyen perëndive të tjerë e i adhuruan, perëndi që nuk i njihnin e që nuk ua kishte caktuar Zoti. 26 Prandaj u ndez zemërimi i Zotit kundër këtij vendi e u solli të gjitha mallkimet e shkruara në këtë libër. 27 Zoti, në zemërimin e tërbimin e tij të madh, i shpërnguli prej vendit të tyre e i hodhi tej në një vend tjetër, siç po ndodh edhe sot”.
28 Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, ndërsa ato të zbuluarat na përkasin përherë neve dhe fëmijëve tanë, që të zbatojmë të gjitha fjalët e këtij ligji».
1 Këto (janë) fjalët’ e dhiatësë, që urdhëroi Zoti Moisinë të bënjë me të bijt e Israilit ndë dhet të Moabit, përveç asaj dhiatësë që bëri me ata ndë Horeb. 2 Edhe Moisiu thirri gjith’ Israilinë, e u tha atyre: Ju patë gjithë sa i bëri Zoti përpara sysh tuaj ndë dhet të Egjyftërisë,
3 Faraonit, edhe gjithë shërbëtorëvet atij, edhe gjithë dheut atij, ato ngasëjet’ e mëdha që panë syt’ e tu, ato shenjetë, edhe çudit’ e mëdha; 4 po Zoti nuk’ u dha juve zëmërë që të kupëtoni, edhe sy që të shihni, edhe veshë që të dëgjoni, gjer mbë këtë ditë. 5 Edhe u solla rrotullë juve dyzet viet ndë shkretëtirët: rrobatë tuaja nuk’ u vietëruanë sipërë jush, edhe këpuca jote nuk’ u vietërua ndë këmbët tënde. 6 Nukë hëngrëtë bukë, e nukë pitë verë e të pira të forta, që ta dini se unë jam Zoti Perëndia juaj.
7 Edhe kur erthtë ndë këtë vënt, Sihoni mbëreti i Heshbonit, edhe Ogu mbëreti i Bashanit, na duallnë përpara për luftë, edhe neve u ram atyre;
8 edhe pushtuam dhen’ e atyreve, edhe ua dham për trashëgim Reubenitëvet, e Gaditëvet, e gjymësësë farësë Manassehut. 9 Ruani pra fjalët’ e kësaj dhiate, edhe i bëni, që të shkoni dit të mira mbë ç’do punë që të bëni. 10 Ju të gjithë po qëndroni sot përpara Zotit Perëndisë tuaj, krerët’ e faravet tuaja, e të parëtë tuaj, 11 gjithë burrat’ e Israilit, djemtë tuaj, gratë tuaja, e i huaji yt që është ndë mest të ushtërisë s’ate, që prej druvarit tënt, gjer mbë ujë-barësinë tënt, 12 që të hynjç ndë dhiatët të Zotit Perëndisë tënt, edhe ndë mallëkimet t’atij që po bën Zoti Perëndia yt sot me ty, 13 që të të bënjë sot gjëndëje për vetëhen’ e tij, edhe ay të jetë te ti Perëndi, sikundrë të tha ty, edhe sikundrë u u përbetua atëret tu, Avraamit, e Isaakut, e Jakovit.
14 Edhe unë nukë po bënj vetëmë me ju këtë dhiatë, e këta mallëkime, 15 po (edhe) me ata që qëndronjënë këtu bashkë me ju sot përpara Zotit Perëndisë t’anë, edhe me ata që nukë qëndronjënë këtu bashkë me ju sot,
16 (sepse ju e dini se qysh ndenjëm ndë dhet të Egjyftërisë, edhe se qysh shkuam ndëpër mest t’ atyre kombavet, kur erthtë, 17 edhe patë të ndyrët’ e atyreve, e idhullat’ e atyreve, dru e gurë, argjënt e ar, që kishinë ndë mest t’atyreve); 18 që të mos jetë ndër ju burr, a grua, a fis, a farë, që t’u priretë zëmëra sot nga Zoti Perëndia ynë, që të vejë e të lutnjë perëndirat’ e atyre kombavet: që të mos jetë ndër ju rrënjë që nxier t’ëmblëth e hidhësirë; 19 edhe kur të dëgjonjë fjalët’ e këtij mallëkimi, të lumëronjë vetëhen’ e tij ndë zëmërët të tij, tuke thënë: Unë do të kem paqëtim, ndonëse jam tuke ecurë ndë gënjim të zëmrësë s’ime, tuke shtuarë të dejturitë ndë vënt të etëjesë;
20 nukë do t’i dhëmbetë Zotit për atë, po atëherë zëmërimi i Zotit, edhe ndezëj’ e atij, do të ndizenë kundrë atij njeriu, edhe gjithë mallëkimetë që janë shkruarë ndë këtë vivli do të bienë mbi atë, edhe Zoti do të shuanjë emërin’ e atij përposhtë qiellit. 21 Edhe Zoti do ta ndanjë atë nga të gjitha farat’ e Israilit për të prishurë, pas gjithë mallëkimevet dhiatësë që janë shkruarë ndë këtë vivli të nomit;
22 edhe brezi i bijvet tuaj që vien, të cilëtë do të ngjallenë pas jush, edhe i huaji që të vinjë nga dheu i largë, do të thonë, kur të shohënë plagët’ e atij dheu, edhe ato sëmundëjetë që solli Zoti mbi atë,
23 gjithë vëndi i atij dheu (është) diegurë me squfur’ e me kripë, as mbillet’ as mbin, as bar rritetë mb’ atë, pas prishëjesë Sodhomavet e Gomoravet, Admahësë e Seboimevet, të cilat’ i prishi Zoti ndë zëmërim të tij, e ndë mëri të tij, 24 edhe gjithë kombatë do të thonë: Përse ja bëri kështu Zoti këtij dheu? Përse ky zëmërim i kësaj mërie të madheje? 25 Atëherë do të thonë: Sepse hoqnë dorë nga dhiata e Zotit Perëndis’ atëret tyre, që pat bërë me ata, kur i nxori nga dheu i Egjyftërisë, 26 edhe vanë e lutnë perëndira të tierë, edhe u falnë atyre perëndirave që nuk’ i patnë diturë, as nuk’ ua pat dhënë atyre,
27 përandaj u dhes zëmërimi i Zotit kundrë atij dheu, që të siellë mbi atë gjithë mallëkimetë që janë shkruarë ndë këtë vivli; 28 edhe Zoti i çkuli ata prej dheut tyre me zëmërim, e me mëri, e me zëmëratë të madhe, edhe i hodhi ata mbë një tietërë dhé, sikundrë (është) këtë ditë. 29 Të fshehuratë (janë) të Zotit Perëndisë t’ënë, edhe të sbuluaratë janë për ne edhe për bijt t’anë kurdo, që të bënjëmë gjithë fjalët’ e këtij nomi.