1 Kështu u kryen qielli, toka e gjithçka që është në to . 2 Ditën e shtatë Perëndia e përfundoi punën që kishte bërë. Ditën e shtatë ai pushoi nga të gjitha punët që kishte bërë. 3 Perëndia e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtatë, se atë ditë ai pushoi nga çdo gjë që krijoi e bëri.
4 Kjo është zanafilla e qiellit dhe e tokës kur u krijuan.
Krijimi i burrit dhe i gruas
Ditën kur Zoti Perëndi krijoi tokën e qiellin, 5 asnjë shkurre e fushës nuk kishte mbirë ende mbi tokë dhe asnjë bar i fushës nuk kishte gjelbëruar ende, se Zoti Perëndi nuk kishte dërguar shi mbi tokë e nuk kishte njeri ta punonte. 6 Megjithatë një burim dilte nga toka dhe ujiste gjithë sipërfaqen e saj. 7 Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun prej pluhurit të tokës dhe i hukati në vrimat e hundës frymën e jetës. Kështu njeriu u bë qenie e gjallë. 8 Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe aty vuri njeriun që kishte formuar. 9 Zoti Perëndi bëri të mbijnë nga toka pemë tërheqëse nga pamja e të mira nga shija. Në mes të kopshtit vuri pemën e jetës dhe pemën e njohjes të së mirës e të së keqes.
10 Një lumë që buronte nga Edeni, ujiste kopshtin e prej andej ndahej në katër lumenj. 11 I pari quhet Pishon e rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka ar. 12 Ari i këtij vendi është i mirë. Aty ka edhe bdel e gur oniksi. 13 I dyti quhet Gihon e rrethon tërë vendin e Kushit. 14 I treti quhet Tigër e rrjedh në lindje të Asirisë. I katërti quhet Eufrat.
15 Zoti Perëndi e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta punonte e ta ruante. 16 Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun e i tha: «Nga çdo pemë e kopshtit ha lirisht, 17 por nga pema e njohjes të së mirës e të së keqes mos ha, sepse ditën që ha prej saj, me të vërtetë do të vdesësh».
18 Pastaj Zoti Perëndi tha: «Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Do t'i bëj dikë përkrah si veten e tij ». 19 Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu të gjitha kafshët e tokës e të gjithë shpendët e qiellit. I solli para njeriut, për të parë sesi do t'i quante. Çfarëdo emri që njeriu do t'u vinte, ai do të ishte emri i tyre. 20 Kështu njeriu i vuri emër çdo bagëtie, çdo shpendi të qiellit e çdo kafshe të egër. Megjithatë, Adamit nuk iu gjet askush përkrah si vetja e vet. 21 Atëherë Zoti Perëndi e vuri njeriun në gjumë të thellë. Kur e zuri gjumi, i mori një brinjë e në vend të saj i vuri mish. 22 Me brinjën që mori nga njeriu Zoti Perëndi bëri gruan dhe e solli te njeriu. 23 Atëherë njeriu tha:
«Kjo tani, është kockë prej kockave të mia,
mish prej mishit tim.
Do të quhet grua,
se nga burri ajo u nxor».
24 Prandaj burri do të lërë të atin e të ëmën, do të bashkohet me gruan e vet e do të bëhen një mish.
25 Njeriu me gruan e tij ishin që të dy lakuriq, por nuk kishin turp.
1 Edhe u mbaruanë qielli edhe dheu, edhe gjith’ ushtëria e atyreve. 2 Edhe të shtatënë ditë Perëndia kish mbaruarë punët’ e tia që bëri; edhe të shtatënë ditë u prejti nga gjithë punët’ e tia që bëri. 3 Edhe Perëndia bekoi ditën’ e shtatë, edhe e shënjtëroi atë, sepse atë (ditë) u prejti nga gjithë punët’ e tia që ndërtoi edhe bëri Perëndia. 4 Këta (është) të bërët’ e qiellit e dheut, kur u ndërtuan’ ata, atë ditë që bëri Zoti Perëndia dhenë edhe qiellinë, 5 edhe gjithë bimat’ e fushësë, përpara se të ishinë mbi dhet, edhe gjithë barin’ e fushësë, përpara se të mbinte; sepse Zoti Perëndia nukë kishte prurë shi mbi dhet, edhe s’ishte njeri që të punonte dhenë. 6 Edhe hipte avull nga dheu, edhe ngjomte gjithë faqen’ e dheut. 7 Edhe Zoti Perëndia gatoi njerinë (prej) balte nga dheu; edhe i fryjti ndër fyejt të hundës’ ati frymë jete, edhe njeriu u bë me shpirt të gjallë. 8 Edhe Zoti Perëndia mbolli një kopësht ndë Edhemë mbë të lindurit të diellit, edhe vuri atie njerinë që gatoi. 9 Edhe Zoti Perëndia bëri të mbinte nga dheu çdo drur’ i bukurë mbë të parë edhe i mirë mbë të ngrënë; edhe drun’ e jetësë ndë mest të kopështit, edhe drun’ e të njohurit së mirësë edhe së keqesë.
10 Edhe dilte një lum nga Edhema që të ujiste kopështinë; edhe andejë ndahej mbë katrë rrema. 11 Emër’ i njërit (thuhej) Fison; ky (ësht’) ay që qerthullon gjithë dhen’ e Havillahut; atie (tek gjëndet’) ari; 12 edhe ari i ati dheut (ësht’) i mirë; atie (është) vdhelli, edhe gur’ i thojtë. 13 Edhe emëri i lumit dytë (thuhetë) Gjihon; ky (ësht’) ay që qerthullon gjithë dhen’ e Husit. 14 Edhe emëri i lumit tretë (thuhetë) Hiddekell [Tigris]; ky (ësht’) ay që rrieth prei Asyrisë nga të lerët’ e diellit. Edhe i katrëti lum, ky (ësht’) Efrati.
15 Edhe Zoti Perëndia mori njerinë, edhe e vuri ndë kopësht të Edhemësë që t’e punonte, e t’e ruante. 16 Edhe Zoti Perëndia urdhëroi Adhamnë, e i tha: Nga çdo dru të kopështit të hash liruarë, 17 po nga drur’ i të njohurit së mirës e së keqesë, mos hash nga ay, sepse atë ditë që të hash nga ay, do të vdeç fare.
18 Edhe Zoti Perëndia tha: Nuk’ është mirë të jetë njeriu vetëmë; do t’i bënj ati një ndihmës posi atë. 19 Edhe Zoti Perëndia gatoi prej dheut gjithë shtëzët’ e fushësë, edhe gjithë shpest’ e qiellit, edhe i pruri te Adhami, që të shihte qysh t’i kluante ato; edhe atë emër që t’i vënte Adhami (çdo) gjëje të gjallë, këtë emër (të kishte). 20 Edhe Adhami u vuri emëra gjithë bagëtivet, e shpeset qiellit, e gjithë shtëzet fushësë; por për Adhamnë nukë gjëndej ndihmës posi ay.
21 Edhe Zoti Perëndia vuri Adhamnë mbë gjumë të rëndë, edhe fjeti; edhe mori një nga brinjët’ e ati, edhe ja mbylli vëndinë (me) mish.
22 Edhe atë brinjënë që mori Zoti Perëndia nga Adhami, e bëri grua, edhe ja pruri Adhamit. 23 Edhe Adhami tha: Këjo tashi (ësht’) ashtë nga eshtërat’ e mia, edhe mish nga mishi im; këjo do të kluhetë grua, sepse këjo është marrë nga burri.
24 Përandaj njeriu do të lërë t’anë e t’ëmënë, edhe do të ngjitetë pas gruasë ti; edhe do të jenë një mish.
25 Edhe ishinë të dy lakuriq, Adhami edhe gruaja e ati, edhe s’kishinë turp.