Vrasjet
1 «Nëse në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep për të pushtuar gjendet dikush i vrarë përtokë e askush nuk e di se kush e vrau, 2 pleqtë dhe gjykatësit të dalin e të llogaritin largësinë mes kufomës dhe qyteteve përreth. 3 Pleqtë e qytetit më të afërt të marrin një mëshqerrë që nuk është vënë në punë apo në zgjedhë. 4 Pleqtë ta çojnë mëshqerrën në një luginë me ujë të rrjedhshëm, të papunuar e të pambjellë, e atje t'i thyejnë qafën. 5 Atëherë do të vijnë priftërinjtë, bijtë e Levit, sepse ata i zgjodhi Zoti, Perëndia yt, që t'i shërbejnë e të bekojnë në emër të Zotit. Fjala e tyre do t'i japë fund çdo zënke e mosmarrëveshjeje. 6 Pastaj pleqtë e qytetit më të afërt të lajnë duart mbi mëshqerrën, të cilës ia thyen qafën në luginë 7 e të thonë: “Duart tona nuk e derdhën këtë gjak e sytë tanë nuk panë asgjë. 8 Shlyeje, o Zot, fajin e Izraelit, popullit tënd, që e çlirove. Mos ia ngarko Izraelit, popullit tënd, gjakun e pafajshëm”. Kështu faji i gjakderdhjes do t'u shlyhet 9 e ti do ta zhdukësh këtë faj nga mesi yt, sepse veprove drejt para Zotit.
Robërit
10 Kur të shkosh në luftë kundër armiqve dhe Zoti, Perëndia yt, t'i dorëzon e ti i zë rob, 11 nëse sheh mes robërve ndonjë grua të pashme, që e dëshiron dhe e merr për grua, 12 atëherë, kur ta sjellësh në shtëpi, ajo ta rruajë kokën, të presë thonjtë 13 dhe të heqë rrobat e robërisë. Të rrijë në shtëpinë tënde e të vajtojë të atin e të ëmën për një muaj. Pastaj mund të flesh me të. Ti do të bëhesh burri i saj dhe ajo do të jetë gruaja jote. 14 Nëse nuk do të jesh i kënaqur me të, lëre të shkojë e lirë. Nuk do ta shesësh me para e as nuk do ta trajtosh si skllave, sepse tashmë e ke poshtëruar.
Të parëlindurit
15 Nëse dikush ka dy gra dhe njërën e do, por tjetrën e urren, dhe nëse të dyja i lindin nga një djalë, por gruaja që urren lind e para, 16 kur të vijë koha për të ndarë pasurinë mes fëmijëve, nuk mund ta trajtojë birin e gruas që do sikur të ishte i parëlinduri i gruas që urren. 17 Ta pranojë të parëlindurin, birin e gruas që urren, dhe t'i japë dyfishin e gjithçkaje, sepse ai është i fryti i parë i burrërisë së tij dhe atij i përket e drejta e parëlindjes.
Biri i pabindur
18 Nëse dikush ka një djalë kokëfortë e të pabindur, që nuk ia dëgjon fjalën të atit apo të ëmës, edhe pasi e qortojnë, 19 atëherë i ati dhe e ëma ta marrin të birin e ta çojnë te pleqtë e qytetit, te portat e atij vendi 20 e t'u thonë: “Ky, biri ynë, është kokëfortë, i pabindur, nuk na e dëgjon fjalën, është grykës e pijanec”. 21 Atëherë të gjithë njerëzit e qytetit ta vrasin me gurë. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. Tërë Izraeli do të dëgjojë e do të ketë frikë.
Rregulla të tjera
22 Nëse dikush kryen ndonjë mëkat, që ndëshkohet me vdekje, vritet dhe varet në pemë, 23 mos e lër kufomën të varur gjatë natës. Varrose po atë ditë, sepse i varuri është mallkim para Perëndisë. Mos e përdhos tokën që po të jep si trashëgimi Zoti, Perëndia yt».
1 Ndë u gjëntë (ndonjë) i vrarë nd’ atë dhe që t’ep Zoti Perëndia yt për të trashëguar’ atë, rënë fushësë, (edhe) të mos dihetë se cili e ka vrarë, 2 atëherë të dalënë pleqt’ e tu, e gjukatësit’ e tu, e të masënë qytetetë rreth e rrotullë të vrarit, 3 edhe nga ay qytet që të jetë më afërë të vrarit, pleqt’ e atij qyteti të marrënë një mushqerë, që të mos jetë vënë ndë punë, as të mos ketë hequrë sgjedhë, 4 edhe pleqt’ e atij qyteti të sbresënë mushqerrënë ndë një të çarë guri të ashpërë, që as nukë laronetë, as nukë mbilletë, edhe atie ndë të çarët të gurit t’i presënë qafënë mushqerrësë.
5 Edhe të afronenë priftëritë, të bijt’ e Leviut (sepse ata sgjodhi Zoti Perëndia yt t’i shërbenjën’ atij, edhe të bekonjënë mb’ emërit të Zotit, edhe ç’do të ndarë e ç’do plagë të gjukonetë pas fialës’ atyre);
6 edhe pleqt’ e atij qyteti që është më afërë të vrarit, të lanjënë duartë mbi mushqerrën’ e therë ndë të çarët të gurit, 7 edhe të përgjegjen’ e të thonë: Duartë t’ona s’e kanë derdhë këtë gjak, as sytë t’anë s’e kanë parë; 8 bënu i përdëllyershim, o Zot, te Israili që shpërbleve, edhe mos hith gjak të pafal mbi gjëndëjene tënde Israilnë. 9 Edhe do t’u falet’ atyre gjaku. Kështu të heqsh nga mezi yt gjakun’ e pafal, kur të bëjsh atë që ësht’ e pëlqyerë ndër sy të Zotit.
10 Kur të dalç të lëftojsh me arëmiqt’ e tu, edhe Zoti Perëndia yt t’i apë ata ndër duart të tua, e të marrç robëra nga ata, 11 e të shohç ndër robërat ndonjë grua të bukurë, e të dëshërojsh për të marrë atë për grua, 12 t’e biesh atë ndë shtëpit tënde, e t’i rruajsh kryetë, e t’i preç thonjtë, 13 e t’i sveç rrobat’ e robërisë që ka mbi atë, e të rrijë ndë shtëpit tënde, e të klanjë t’anë e t’ëmënë një muaj të tërë, pastaj të hyjsh te ajo, e të jesh burri i asaj, edhe ajo të jetë gruaja jote. 14 Edhe ndë kodittë të mos të pëlqenjë, atëherë ta lirojsh atë të shkonjë, edhe të mos e sheç atë me argjënt, të mos e tregëtojsh atë, sepse e përunje.
15 Ndë pastë ndonjë dy gra, njërënë të dashurë e tietrënë të mërziturë, edhe e dashura edhe e mërzitura t’i kenë piellë atij djem, edhe diali i parë të jetë i së mërziturësë, 16 atëherë, atë ditë kur t’u ndanjë gjënë të bijet, s’munt të bënjë për dialë të parë të birrë e të së dashurësë, e të mos e vështronjë me sy të birrë e të së mërziturësë, që është dial’ i parë; 17 po ta dijë të birrë e të së mërziturësë për dialë të parë, edhe t’i apë atij dy piesa nga gjithë ç’i gjëndetë, sepse është kryet’ e fuqis’ atij, paralindëjetë janë të këtij.
18 Ndë pastë ndonjë (njeri) bir krye-trashë e të pabindudrë, që s’i dëgjon zërit t’et, a zërit s’ëmësë, edhe si ta mundojën’ atë, të mos u dëgjonjë atyre, 19 atëherë i ati e e ëma ta zënë, e ta nxierrënë te pleqt’ e qytetit atij, edhe ndë portët të vëndit atij, 20 e t’u thonë pleqet qytetit atij: Ky biri ynë është krye-trashë e i pabindurë, s’na dëgjon zënë: është hamës, e pianec, 21 edhe të gjithë njerëzit’ e qytetit ati t’i siellënë me gurë, e të vritetë. Edhe të heqsh të keqenë nga mezi yt, edhe gjith’ Israili do të dëgjonjë e do të frikësonetë.
22 Edhe ndë pastë bërë ndonjë njeri fal për të vrarë, edhe të dënohetë për vdekëje, e ta varç atë ndë drut, 23 të mos mbesë kurmi i atij gjithë natënë mbi drut, po ta këllaç atë ndë varr atë ditë, (sepse i vierri është mallëkuarë nga Perëndia), që të mos pëganjë dhenë tënt, që t’ep Zoti Perëndia yt për trashëgim.