Përfundimi i përmbytjes
1 Perëndia u kujtua për Noeun e të gjitha kafshët e egra dhe bagëtitë që ishin me të në arkë. Ai dërgoi një erë mbi tokë e ujërat u ulën. 2 Burimet e humnerës dhe kanatet e qiellit u mbyllën. Shiu nga qielli pushoi. 3 Ujërat sa vinin e tërhiqeshin nga toka dhe pas njëqind e pesëdhjetë ditësh u pakësuan. 4 Në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të shtatë arka u ndal mbi malet e Araratit. 5 Ujërat vazhduan të pakësoheshin deri në muajin e dhjetë. Në ditën e parë të muajit të dhjetë u dukën majat e maleve.
6 Pasi kaluan dyzet ditë, Noeu hapi dritaren e arkës që kishte bërë 7 dhe lëshoi një korb që shkonte e vinte derisa u thanë ujërat mbi tokë. 8 Pastaj lëshoi një pëllumb për të parë nëse ujërat ishin ulur nga faqja e dheut. 9 Por pëllumbi nuk gjeti ku të vinte këmbën e u kthye tek ai në arkë, sepse ujërat mbulonin tërë faqen e tokës. Kështu Noeu zgjati dorën, e kapi dhe e futi në arkë. 10 Pasi priti shtatë ditë të tjera, e lëshoi përsëri pëllumbin nga arka. 11 Pëllumbi erdhi tek ai në mbrëmje, dhe ja, në sqep mbante një gjethe ulliri të sapokëputur. Noeu e kuptoi që ujërat ishin tërhequr nga toka. 12 Pastaj priti edhe shtatë ditë të tjera. E lëshoi edhe një herë pëllumbin dhe ky nuk u kthye më. 13 Në ditën e parë të muajit të parë të vitit gjashtëqind e një, ujërat u thanë nga toka dhe Noeu hoqi mbulesën e arkës. Vështroi dhe, ja, faqja e tokës ishte tharë. 14 Në ditën e njëzet e shtatë të muajit të dytë toka u tha.
15 Atëherë Perëndia i tha Noeut: 16 «Dil nga arka, ti bashkë me gruan tënde, me bijtë e tu e me gratë e bijve të tu. 17 Të gjitha kafshët e çdo lloji që janë me ty, shpendët, bagëtitë e çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë, nxirri që të mbushin tokën, të shtohen e të shumohen mbi tokë». 18 Kështu, Noeu doli bashkë me të bijtë, të shoqen e gratë e bijve të tij. 19 Tërë kafshët, zvarranikët e shpendët, gjithçka që lëviz mbi tokë, dolën nga arka sipas specieve të tyre.
Premtimi i Perëndisë
20 Pastaj Noeu i ngriti një altar Zotit e mbi të i kushtoi një fli shkrumbimi nga çdo kafshë e shpend i pastër. 21 Zoti ndjeu erën e këndshme e tha në zemrën e vet: «Nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së tij janë të liga që në moshë të re. Dhe as nuk do t'i godas më gjallesat, siç bëra.
22 Sa të jetë toka,
të mbjellat e të korrat,
i ftohti e i nxehti,
vera e dimri,
dita e nata,
nuk do të marrin fund».
1 Edhe Perëndia kujtoi Noenë, e gjithë shtëzëtë, e gjithë bagëtitë që ishinë bashkë me atë nd’arkët, edhe Perëndia lëshoi një erë mbi dhet, edhe u reshtnë ujëratë. 2 Edhe u mbyllnë gurrat’ e abysësë, edhe dyert’ e qiellit, edhe pushoi shiu nga qiejetë. 3 Edhe sa vij e vinte hiqeshin’ ujëratë nga dheu, edhe pas një qint e pesëdhietë diç u pakësuan’ ujëratë. 4 Edhe të shtatëmbëdhietënë ditë të shtatit muaj arka ndenji mbi malet të Arararit. 5 Edhe sa vij e vinte po pakësoneshin’ ujëratë gjer mbë të dhietinë muaj; të parënë ditë të dhietit muaj u duknë majat’ e malevet.
6 Edhe pas dyzet diç Noeja hapi derëzën’ e arkësë që kishte bërë, 7 edhe lëshoi korbinë, i cili si dolli vij e vinte, gjersa u thanë ujëratë nga dheu. 8 Lëshoi edhe pëllumbinë prapa ati, për të parë ndë kishinë shtruar’ ujëratë nga faqeja e dheut, 9 edhe pëllumbi passi s’gjeti të prëjturë për këmbët e ti, u kthye nd’arkët tek ay, sepse ujërat’ (ishinë) mbi gjithë faqet të dheut. Edhe ay ndejti dorën’ e ti, edhe e zuri, edhe e kalli brenda nd’arkët pas vetiu. 10 Edhe priti edhe shtatë dit të tiera, edhe lëshoi përsëri pëllumbinë nga arka, 11 edhe pëllumbi u kthye tek ay ndaj mbrëma, edhe na (te kish) ndë gojë të ti një fletë ulliri, këputurë, edhe Noeja e kupëtoi se kishinë shtruar’ ujëratë nga dheu. 12 Edhe priti edhe shtatë dit të tiera, edhe lëshoi pëllumbinë, edhe nuk’ u kthye më tek ay.
13 Edhe të gjashtë qindin’ e një vit të Noesë, të parënë ditë e të parit muaj, u hoqnë ujëratë nga dheu, edhe Noeja cbuloj kulmin’ e arkësë, edhe pa, edhe na tek ish hequr’ (ujëtë nga) faqeja e dheut.
14 Edhe të njëzet e shtatënë ditë të muajit dytë, u ter dheu.
15 Edhe Perëndia i foli Noesë, e i tha: 16 Dil nga arka, ti, edhe gruaja jote, edhe bijt’ e tu, edhe grat’ e bijet tu bashkë me ty, 17 nxier bashkë me ty gjithë shtëzëtë që janë bashkë me ty, prej çdo mishi, shpes e bagëti, e çdo shtërpi që hiqetë barkazi mbi dhet, e le të shumonenë mbi dhet, e le të shtonenë, e le të bënenë plot mbi dhet. 18 Edhe dolli Noeja, edhe të bijt’ e ati, edhe gruaja e ati, edhe grat’ e të bijet ati bashkë me atë, 19 gjithë shtëzëtë e gjithë shtërpinjtë, e gjithë shpestë, çdo që lëvis mbi dhet, pas farash tyre, duallnë nga arka.
20 Edhe Noeja ndërtoi një therore për Zotinë, edhe mori nga çdo bagëti të pastrë, edhe nga çdo shpes të pastrë, edhe pruri kurban të diegurë gjithë mbi theroret. 21 Edhe Zoti mori erë të mirë, edhe Zoti tha ndë zemërë të ti: S’kam për të mallëkuarë më dhenë për punë të njeriut, sepse mendimi i zemrësë njeriut ësht’ i lik që nga foshnjëria e ati, as s’kam për të vrarë më gjithë gjët’ e gjalla, sikundrë bëra.
22 Sa dit (të jetë) dheu, të mbiellë e të korrë, të ftohët’ e të ngrohëtë, e verë e dimër, e ditë e natë, nukë do të pushonjënë.