Pendimi dhe falja
1 «Kur të bien mbi ty të gjitha këto bekime e mallkime, që po t'i parashtroj, kur të jesh mes kombeve, ku Zoti, Perëndia yt, do të të degdisë, dhe të bie në mend për to 2 e kthehesh drejt Zotit, Perëndisë tënd, ti e fëmijët e tu, e dëgjon zërin e tij me gjithë zemër e shpirt në çdo gjë që unë po të urdhëroj sot, 3 atëherë Zoti, Perëndia yt, do të ta ndryshojë fatin e do të ketë mëshirë për ty. Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë nga të gjithë popujt mes të cilëve të shpërndau. 4 Edhe po të jesh degdisur në fund të botës, Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë e do të të marrë prej andej. 5 Zoti, Perëndia yt, do të të çojë te vendi që etërit e tu zotëronin e ti do ta pushtosh. Do të të bekojë me mirësi e begati më shumë se etërit e tu.
6 Zoti, Perëndia yt, do të ta rrethpresë zemrën ty e pasardhësve të tu, që ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt dhe kështu do të jetosh. 7 Atëherë Zoti, Perëndia yt, do t'i hedhë këto mallkime mbi armiqtë e mbi kundërshtarët që të përndjekin. 8 Ti do të kthehesh e do ta dëgjosh zërin e Zotit. Do t'i zbatosh të gjitha urdhërimet e tij, që unë po të urdhëroj sot. 9 Zoti, Perëndia yt, do ta begatojë çdo punë tënden, frytin e barkut, të kafshëve e të dheut, sepse Zoti do të ngazëllehet sërish me ty, siç ngazëllehej me etërit e tu, 10 ngaqë e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd, i mbajte urdhërimet dhe rregullat e tij, të shkruara në këtë libër të ligjit, e u ktheve me gjithë zemër e shpirt drejt Zotit, Perëndisë tënd.
Vendimi
11 Ky urdhër që po të jap sot nuk është as i pakuptueshëm e as i pakapshëm. 12 Nuk është në qiell, që të thuhet: “Kush do të ngjitet në qiell, që të na e sjellë e të na e shpallë për ta zbatuar?”. 13 Nuk është përtej detit, që të thuhet: “Kush do të shkojë përtej detit, që të na e sjellë e të na e shpallë për ta zbatuar?”. 14 Ja, fjala është fare pranë teje. Është në gojën tënde e në zemrën tënde, që ta zbatosh.
15 Shiko, sot po të parashtroj jetën e të mirën, vdekjen e të keqen. 16 Nëse u bindesh urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tënd , të cilat t'i urdhërova sot, që ta duash Zotin, Perëndinë tënd, ta ndjekësh udhën e tij e t'i mbash urdhërimet, rregullat dhe vendimet e tij, atëherë do të rrosh dhe Zoti, Perëndia yt, do të të shtojë e do të të bekojë në tokën ku po hyn për ta pushtuar. 17 Nëse nuk bindesh e nuk dëgjon, joshesh, adhuron perëndi të tjerë e u shërben atyre, 18 atëherë sot po të shpall se do të marrësh fund krejt. Nuk do të jetosh gjatë në tokën që po hyn për të pushtuar përtej Jordanit. 19 Qielli e toka qofshin sot dëshmitarë se po ju parashtroj jetën e vdekjen, bekimin e mallkimin. Zgjidh, pra, jetën, që të jetosh ti e pasardhësit e tu. 20 Duaje Zotin, Perëndinë tënd, dëgjoje zërin e tij e mbahu fort pas tij, sepse ai është jeta dhe mbushullia e ditëve të tua. Kështu do të banosh në vendin, për të cilin Zoti iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut e Jakobit, se do të ta jepte ty».
1 Edhe kur të vinjënë mbi ty të gjitha këto kafsha, bekimi edhe mallëkimi që vura përpara teje, edhe t’i kujtojsh ndë zëmërët tënde ndë mest të gjithë kombavet, kudo që të të përndanjë Zoti Perëndia yt,
2 edhe të kthenesh te Zoti Perëndia yt, edhe t’i dëgjojsh zën’ atij, pas gjith’ atyreve që t’urdhëronj unë sot, ti, edhe bijt’ e tu, me gjithë zëmërënë tënde, e me gjithë shpirtinë tënt, 3 atëherë Zoti Perëndia yt do të të bierë prap nga robëria, edhe do të të përdëllenjë, edhe përsëri do të të përmbëledhë nga gjithë kombatë atie tek të përndau Zoti Perëndia yt; 4 edhe ndë qoftë të përndarëtë t’at mb’ anë të fundit qiellit, andej do të të përmbëledhë Zoti Perëndia yt, edhe andej do të të marrë; 5 edhe Zoti Perëndia yt do të të futnjë nd’ atë dhe që trashëguan’ atërit’ e tu, edhe do t’e trashëgojsh, edhe do të të bënjë mirë, e do të të shumonjë më tepërë se atërit’ e tu.
6 Edhe Zoti Perëndia yt do të rrethpresë zëmërënë tënde, edhe zëmërën’ e farësë s’ate, që të duash Zonë Perëndinë tënt me gjithë zëmrënë tënde, e me gjithë shpirtinë tënt, që të rrojsh.
7 Edhe Zoti Perëndia yt do të siellë gjithë këta mallëkime mbi arëmiqt e tu, edhe mbi ata që të mërzitnjënë ty, të cilëtë do të të ndiekënë. 8 Edhe ti do të kthenesh, e do t’i dëgjojsh zënë Zotit, edhe do të bëjsh gjithë porosit’ e atij, që po të urdhëronj unë sot.
9 Edhe Zoti Perëndia yt do të shumonjë gjithë punët’ e duaret tua, e pemën’ e barkut tënt, e pemën’ e bagëtivet tua, e drithin’ e dheut tënt, për të mirë, sepse Zoti do të gëzonetë përsëri për të mirënë tënde, sikundrë u gëzua edhe për atërit e tu;
10 ndë i dëgjofsh zënë Zotit Perëndisë tënt, që të ruajsh porosit’ e atij, e urdhërimet’ e atij, që janë shkruarë ndë vivlit të këtij nomi, ndë u kthefsh te Zoti Perëndia yt me gjithë zëmërënë tënde, e me gjithë shpirtinë tënt.
11 Sepse këjo porosi që po të porosit unë sot, nuk’ është shum’ e rëndë për ty, as e gjatë. 12 Nuk’ është ndë qiell, që të thuash: Kush do të hipënjë për ne ndë qiell, e të na e bierë, që t’e dëgjojmë, e t’e bëjmë? 13 As nuk’ është përtej detit, që të thuash: Kush do të kapërcenjë detinë për ne, e të na e bierë, që ta dëgjojmë, e ta bëjmë?
14 Po fjala është shum’ afërë teje, mun ndë golët tënde, e mun ndë zëmërët tënde, që ta bëjsh.
15 Na unë tek vura përpara teje sot jetënë edhe të mirënë, edhe mortienë edhe të keqenë.
16 Sepse unë po t’urdhëronj sot të duash Zonë Perëndinë tënt, të ecënjç ndër udhët t’atij, edhe të ruajsh porosit’ e atij, e urdhërimet’ e atij, e gjyqet’ e atij, që të rrojsh, e të shumonesh: edhe që të të bekonjë Zoti Perëndia yt ndë dhet që hyn, për të trashëguar’ atë. 17 Po ndë u ktheftë zëmëra jote, e të mos bindesh, po të humbaç udhënë, edhe t’u falesh perëndirave të tierë, e t’i luç, 18 unë po u ap juve zë sot, se do të shuhi fare, nukë do të shkoni dit të gjata mb’ atë dhe, që po kapërceni Jordhaninë, të hyni atie, për të trashëguar’ atë.
19 Thërras deshmitarë sot qiellin’ edhe dhenë, se vura përpara jush jetën’ edhe mortienë, bekimnë edhe mallëkimnë, përandaj sgjithni jetënë, që të rroni, ti edhe fara jote; 20 që të duash Zonë Perëndinë tënt, që të dëgjojsh zën’ e atij, edhe të jesh varë te ay, sepse këjo është jeta jote, edhe të gjatët’ e ditvet tua, që të rrish mb’ atë dhe që u u përbetua Zoti atëret tu, Avraamit, e Isaakut, e Jakovit, t’ua apë atyre.