1 Nëse vjedhësi vritet duke vjedhur, i zoti i shtëpisë do të jetë i pafajshëm, 2 por nëse kjo ndodh gjatë ditës, të dënohet.
Vjedhësi të paguajë patjetër dëmshpërblim. Nëse nuk ka me se të paguajë, të shitet si skllav për vjedhjen. 3 Nëse vjedhësit i kapen gjallë kafshët e vjedhura si qetë, gomarët dhe delet, të paguajë dyfish dëmshpërblim.
4 Kur dikush kullot bagëtinë dhe ajo kalon në arën ose vreshtin e tjetrit dhe e shkreton atë, i zoti i bagëtisë të paguajë dëmshpërblim me pjesën më të mirë të arës dhe vreshtit që ka.
5 Kur dikush ndez zjarr dhe zjarri përhapet përmes ferrave e djeg duaj, grurë ose tërë arën, fajtori të paguajë dëmshpërblim të plotë.
6 Kur dikush i lë mikut para apo ndonjë send tjetër për t'i ruajtur e këto vidhen nga shtëpia e tij, nëse vjedhësi kapet, të paguajë dyfish dëmshpërblim. 7 Nëse vjedhësi nuk kapet, atëherë i zoti i shtëpisë të sillet para Perëndisë që të tregojë në ka vënë dorë apo jo mbi pronën e tjetrit. 8 Në çdo mosmarrëveshje, ku njëra palë ka pretendime qoftë për ka, gomar, dele, rrobë apo për çdo gjë të humbur, të dyja palët të sillen para Perëndisë. Atë që Perëndia nxjerr fajtor, të paguajë dyfish dëmshpërblim.
9 Kur dikush i lë mikut gomarin, kaun, delen, ose çdo lloj kafshe për t'i ruajtur e ato ngordhin, gjymtohen ose grabiten pa patur ndonjë dëshmitar, 10 ai të betohet para Zotit nëse ka vënë dorë apo jo në pronën e tjetrit. Atëherë i zoti i kafshës të pranojë betimin dhe të mos kërkojë dëmshpërblim. 11 Nëse kafsha i vidhet, t'i paguajë dëmshpërblim të zotit. 12 Nëse e shqyejnë egërsirat, të sjellë kufomën si dëshmi që të mos paguajë dëmshpërblim.
13 Kur dikush merr hua kafshën e të afërtit dhe ajo gjymtohet ose ngordh, ndërkohë që i zoti nuk është i pranishëm, qiramarrësi të paguajë dëmshpërblim. 14 Nëse i zoti ndodhet aty, atëherë të mos paguajë dëmshpërblim, sepse dëmi përfshihet te qiraja e paguar.
Ligje shoqërore dhe fetare
15 Kur dikush mashtron një vajzë të virgjër, të pafejuar, dhe fle me të, do ta marrë për grua e do t'i paguajë pajën. 16 Edhe nëse i ati i vajzës nuk pranon t'ia japë për grua, ai ta paguajë shumën që kërkohet për pajë.
17 Mos lër gjallë askënd që bën magji.
18 Kush fle me kafshë, të dënohet me vdekje.
19 Kush u flijon fli perëndive të tjerë, përveç Zotit, të shfaroset.
20 Mos e keqtrajto e mos e shtyp të huajin, sepse ju vetë ishit të huaj në tokën e Egjiptit.
21 Mos e mundoni vejushën dhe jetimin. 22 Nëse i mundoni, unë do ta dëgjoj thirrjen e tyre për ndihmë, 23 do të ndizem plot zemërim e do t'ju pres me shpatë, që gratë t'ju mbesin të veja e fëmijët jetimë.
24 Nëse i jep para hua popullit tim, të varfërve mes jush, mos u sillni me ta si huadhënës dhe mos u kërkoni kamatë. 25 Nëse ia merr peng tunikën mikut tënd, ktheja para se të perëndojë dielli, 26 sepse ajo është rroba e vetme me të cilën mbështillet. Me çfarë do të mbulohet kur të flejë? Kur të më thërrasë për ndihmë do ta dëgjoj, se unë jam i mëshirshëm.
27 Mos e shaj Perëndinë dhe mos e mallko prijësin e popullit tënd.
28 Mos vono të kushtosh nga begatia e arës dhe e mokrës. Mua do të më japësh të parëlindurin e bijve të tu.
29 Kështu do të veprosh edhe me qetë e delet. Për shtatë ditë i vogli do të rrijë me të ëmën. Në ditën e tetë do të ma japësh mua.
30 Do të jeni për mua njerëz të shenjtë. Mos e hani mishin e shqyer nga egërsirat në fushë. Hidhjani qenve.
1 Ndë viethtë ndonjë njeri ka a dele, edhe ta therë e ta shesë, atëhere do të paguanjë pesë qe për një ka, edhe katrë dele për një dele. 2 Ndë u gjënttë viedhësi tuke thyerë, edhe t’i bienë e të vdesë, nukë (do të derdhetë) gjak për atë.
3 (Po) ndë linttë dielli sipër ati, (do të derdhetë) gjak për atë; duhetë ta paguanjë, (edhe) ndë mos pastë, të shitetë për të viedhurit’ e ti.
4 Gjëj’ e viedhurë ndë u gjënttë e gjallë ndë duart t’ati, a ka, a gomar, a dele, do ta apë prapë dy piesësh.
5 Ndë qëntë ndonjë që të kullosë arë a vështë, edhe të lërë bagëtin’ e ti të kullotë nd’arë të njeriut huajë, do t’ia shpaguanjë nga më e mira arë e ti, edhe nga më i miri vësht i ti. 6 Ndë daltë zjarr, e të gjënjë gjëmba, edhe të digjenë mullarë drithi, a kalli lërë, a arë, ay që dhezi zjarrinë do ta paguanjë fare.
7 Ndë lëntë ndonjë njeri tek i afërmi i ti argjënt, a enë, për t’(i) ruajturë, edhe të vidhenë nga shtëpia e ati njeriu, ndë u gjënttë viedhësi, do të apë prapë dy piesë,
8 (po) ndë mos u gjenttë viedhësi, atëhere i zoti shtëpisë do të bihetë përpara gjukatëset, (e të viretë ndë be), ndë mos pastë vënë dorën’ e ti mbi gjën’ e të afërmit ti. 9 Për çdo farë dëmi për ka, për gomar, për dele, për rrobe, për gjithë çdo gjë të humburë që thotë (tietëri) se ësht’ e tia, gjyqi i të dy vetëve do të bënetë përpara gjukatëset, (edhe) cilinë të dënonjënë gjukatësitë, ay do t’i apë prapë dy piesë të afërmit ti. 10 Ndë i dhëntë n’dorë ndonjë të afërmit ti gomar, a ka, a dele, a çdo farë bagëtie, për të ruajturë, edhe të ngorthnjë, a të vritetë, a të rrëmbehetë, pa parë ndonjë njeri, 11 be Perëndie do të bënetë ndërmest të dyve, se nukë vuri dorën’ e ti mbi gjën’ e të afërmit ti, edhe i zoti do ta marrë (atë), edhe tiatri nukë do t’ia paguanjë.
12 Po ndë u voth nga ay, do t’ia paguanjë të zot. 13 Ndë e pastë ngrënë bisha, do të bierë atë (për) dëshmi, (edhe) s’ka për të paguarë (për) kafshën’ e ngrënë nga bisha.
14 Ndë u huajtë ndonjë njeri (gjë të gjallë) nga i afërmi i ti, edhe të vritetë, a të ngorthnjë, (edhe) i zoti të mos (jetë) bashkë me atë, nukë do t’(e) paguanjë fare. 15 Po ndë qoft’ i zoti bashkë me atë, nukë do t’(e) paguanjë; ndë e kishte zënë me pagë, erdhi për pagën’ e ti.
16 Ndë gënjeftë ndonjë njeri vajzë të pavluarë, e të flerë bashkë me atë, do t’i apë asai prikë për grua të ti. 17 (Po) i ati asai ndë mos dashtë t’ia apë ati, do të paguanjë argjënt pas prikësë vajzavet. 18 Të mos lëç magjistare të rronjë.
19 Kush të gjëndetë me bagëti të vritetë farë.
20 Kush t’u bënjë kurban perëndirave, përveç Zotit vetëmë, të shuhetë. 21 Mos i bënç keq të huaji, as mos e shtrëngonjç atë, sepse edhe ju qetë të huajë ndë dhe të Egjyptërisë. 22 Mos shtrëngonjç asndonjë (grua) të ve a të varfërë.
23 Ndë shtrëngofshi ata me ndonjë mëndyrë, edhe të thërrasënë tek unë, vërtet do të dëgjonj zën’ e atyreve,
24 edhe zemërimi im do të dhizetë, edhe do t’u vras juve me kordhë, edhe gratë tuaja do të mbesënë të va, edhe djemtë tuai të varfërë. 25 Ndë i dhënç hua argjënt të vobegut të afërmit tënt ndërmest gjëndëjesë sime, nukë do të sillesh tek ay si uzurëtar, të mos i vësh ati uzurë.
26 Ndë marrç penk rrobën’ e të afërmit tënt, t’ia kthenjç ati më përpara se të perëndonjë dielli,
27 sepse këjo vetëm’ (është) mbulesa e ati, këjo vetëm’ (është) rrobeja e lëkurës ati, me se do të flenjë? Edhe kur të më thërresë, do të dëgjonj, sepse unë (jam) i përdëllyeshim.
28 Mos flasç keq për gjukatësit, as mos mallëkonjç të parin’ e gjëndëjesë sate.
29 Duart’ e para të lëmësë sate e të lirit tënt mos i shterç; nga bijt’ e tu do të më apç të paralindurinë; 30 kështu do të bënjç edhe për kanë tënt, (e) për delenë tënde, shtatë dit do të rrijë bashkë me t’ëmënë, të tetënë ditë do të ma apç. 31 Edhe ju do të jeni burra shënjtorë tek unë, edhe të mos hani mish të mbyturë nga bisha ndë fushët, t’ia hithni qënit.