Zoti dhe Abrahami
1 Zoti iu shfaq Abrahamit te lisat e Mamreut, në zhegun e ditës, kur ai po rrinte në të hyrë të tendës. 2 Abrahami ngriti sytë dhe, ja, pa tre burra që po qëndronin para tij. Si i pa, vrapoi nga hyrja e tendës që t'i takonte, u përkul me nderim përtokë, 3 e tha: «O Zoti im, nëse kam gjetur hir para teje, mos kalo pa u ndalur te shërbëtori yt. 4 Do t'ju sjellin pak ujë që të lani këmbët e të pushoni nën pemë. 5 Unë po ju sjell një kafshatë bukë që të merrni veten, meqë kaluat nga shërbëtori juaj. Pastaj vazhdoni rrugën». Ata iu përgjigjën: «Bëj, pra, siç the». 6 Abrahami nxitoi drejt tendës te Sara e i tha: «Shpejt, gatuaj tre masa majë mielli e bëj kuleç!». 7 Ai vetë vrapoi drejt kopesë, mori një viç të njomë e të mirë e ia dha shërbëtorit që e përgatiti me të shpejtë. 8 Pastaj mori mazë, qumësht e viçin që ishte përgatitur e ua shtroi përpara. Dhe ai qëndroi në këmbë, ndërsa ata hanin nën pemë.
9 Atëherë ata e pyetën: «Ku është Sara, gruaja jote?». Ai u përgjigj: «Aty, në tendë!». 10 Njëri prej të tyre i tha: «Me të vërtetë, do të vij te ti pas një viti, e Sara, gruaja jote, do të bëhet me djalë». Sara po dëgjonte në të hyrë të tendës që ishte mbrapa tij. 11 Abrahami e Sara ishin të moshuar dhe Sarës i ishin ndalur të përmuajshmet e grave. 12 Kështu, Sara qeshi me vete e tha: «Tani që jam vyshkur e zotëria im është plak, a thua do të kem ende dëshirë?!». 13 Zoti i tha Abrahamit: «Përse qeshi Sara e tha: “Me të vërtetë do të lind tani që u plaka?”. 14 A ka gjë të pamundur për Zotin? Si sot një vit, do të kthehem te ti dhe Sara do të jetë bërë me djalë». 15 Por Sara e mohoi nga frika e tha: «Jo, nuk qesha». Por ai i tha: «Po, po, qeshe!».
Abrahami ndërhyn për Sodomën
16 Pastaj ata u ngritën prej aty e panë drejt Sodomës. Abrahami shkoi bashkë me ta për t'i përcjellë. 17 Atëherë Zoti tha: «A do t'ia fsheh unë Abrahamit atë që kam për të bërë? 18 Abrahami me të vërtetë do të bëhet një komb i madh e i fuqishëm e në të do të bekohen tërë kombet e tokës, 19 sepse unë e zgjodha që t'i urdhërojë bijtë e tij e shtëpinë e tij, pas tij, për të ndjekur udhën e Zotit, duke bërë çka është e drejtë e drejtësi, që Zoti të plotësojë gjithçka që i tha Abrahamit». 20 Kështu, Zoti tha: «Gjëma e Sodomës dhe e Gomorrës është e madhe e mëkati i tyre është shumë i rëndë. 21 Do të zbres poshtë e të shoh nëse po veprojnë ashtu siç dëgjova . Atëherë, do ta di».
22 Atëherë burrat u kthyen prej andej e shkuan drejt Sodomës, ndërsa Abrahami ende po qëndronte para Zotit . 23 Abrahami u afrua e tha: «A do ta zhdukësh, me të vërtetë, të drejtin bashkë me të ligun? 24 Ndoshta qyteti ka pesëdhjetë njerëz të drejtë. Me të vërtetë do ta zhdukësh e nuk do ta falësh për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë aty? 25 Larg qoftë që ta bësh këtë, të vrasësh të drejtin bashkë me të ligun, duke i trajtuar të drejtin e të ligun njësoj. Larg qoftë! Vallë, gjykatësi i gjithë tokës nuk do të tregohet i drejtë?». 26 Zoti tha: «Nëse gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, për hir të tyre do ta fal tërë vendin». 27 Abrahami iu përgjigj: «Ja, unë që jam pluhur e hi po marr guximin të flas me Zotin tim. 28 Ndoshta, këtyre pesëdhjetë njerëzve të drejtë u mungojnë pesë njerëz. A do ta shkatërrosh tërë qytetin për shkak të këtyre të pestëve?». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj, nëse atje gjej dyzet e pesë». 29 Abrahami i tha përsëri: «Ndoshta do të gjenden vetëm dyzet». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të dyzetëve». 30 Pastaj, Abrahami i tha: «Nuk zemërohet Zoti im nëse them: ndoshta atje do të gjenden vetëm tridhjetë». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj nëse gjej tridhjetë». 31 Abrahami i tha: «Ja, po marr guximin të flas përsëri me Zotin tim: ndoshta, atje do të gjenden vetëm njëzet». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve». 32 Atëherë ai i tha: «Nuk zemërohet Zoti im nëse them për herë të fundit: ndoshta atje do të gjenden vetëm dhjetë». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëve». 33 Kur Zoti mbaroi së foluri me Abrahamin, u largua dhe Abrahami u kthye në vendin e tij.
1 Edhe Zoti iu duk ati ndë list të Mamvrisë, atie ku rrinte ndë derët të tendësë ndë vapët të ditësë. 2 Edhe ay kur ngriti syt’ e ti, pa, edhe na tre burra tek po rrijnë përpara ati, edhe (kur) pa, u sul t’u dalë përpara atyre nga dera e tendësë, edhe unji vetëhen’ e ti gjer përdhe, 3 edhe tha: Zoti im, ndë paça gjeturë hirë përpara syvet tu, mos ikë, të lutem, nga shërbëtori yt, 4 të lutem, le të bienë pak ujë, edhe lani këmbëtë tuaj, edhe prehi ndënë drut, 5 edhe unë do të bie pakëzë bukë, edhe forconi zemrënë tuaj, pastaj do të shkoni, sepse përandaj shkuatë nga shërbëtori juaj. Edhe ata thanë: Bën kështu, si the.
6 Edhe Avraami vate me vrap ndë tendët të Sarrësë, e tha: Shpejto (e) ngjish tri masa mielli të mirë, edhe bën kuleçë. 7 Edhe Avraami vate me vrap ndër lopët, edhe mori një viç të kërthinjë e të mirë, edhe ja dha shërbëtorit, edhe ay shpejtoi t’e bënte gati, 8 pastaj mori gjalpë e klumësht, edhe viçinë që bëri gati, edhe e vuri përpara atyreve, edhe ay rrinte afër’ atyreve ndënë list, edhe ata hëngrë.
9 Edhe i thanë ati: Ku (është) Sarra gruaja jote? Edhe ay tha: Na ndë tendët. 10 Edhe (ay) tha: Me të vërtetë do të kthenem te ti posi mbë këtë kohë të vitit, edhe na Sarra gruaja jote tek do të ketë bir. Edhe Sarra dëgjoi ndë derët të tendësë, që (ishte) prapa ati. 11 Edhe Avraami edhe Sarra (ishinë) pleq të vietërë ndë moshë, Sarrës’ i kishinë mbeturë të ardhurat e gravet. 12 Edhe Sarra qeshi me vetëhen e saj, tuke thënë: Passi u plaka do të më ketë anda? Edhe im zot (është) plak. 13 Edhe Zoti i tha Avraamit: Përse qeshi Sarra, tuke thënë: Passi u plaka unë, a do të piell me të vërtetë? 14 A është gjë që s’munt (ta bënjë) Zoti? Mb’atë kohë që vura do të kthenem te ti, posi mbë këtë kohë të vitit, edhe Sarra do të ketë bir. 15 Atëhere Sarra mohoi, e tha: Nukë qesha; sepse pati frikë. Edhe ay tha: Jo, po qeshe.
16 Edhe burratë si u ngrenë andejë, ja mbajtnë për ndë Sodhoma, edhe Avraami dolli bashkë me ata që t’i përcillte. 17 Edhe Zoti tha: A do t’e fsheh unë nga Avraami, atë që bënj? 18 Edhe Avraami me të vërtetë do të bënetë (një) komb i math e i fortë, edhe gjithë kombet’ e dheut do të bekonenë mb’atë, 19 sepse e njoh atë, se do të porositnjë bijt’ e ti, edhe shtëpin’ e ti, pas vetëhesë ti, edhe do të ruanjën’ udhën’ e Zotit, të bënjënë dreitëri e gjyqë, që të bierë Zoti mbi Avraamnë (gjithë) sa i foli ati.
20 Edhe Zoti tha: Klithma e Sodhomavet edhe e Gomorravet u shumua, edhe faji i atyre (është) fort i math, 21 do të sbres pra, edhe do të shoh, ndë punuanë të tërë pas klithmësë që vien tek unë, ndë mos, po ta di.
22 Edhe burrat’ iknë andej, e vanë ndë Sodhomat, edhe Avraami po qëndronte edhe më përpara Zotit. 23 Edhe Avraami u afrua e tha: Mos do të prishç të dreitinë bashkë me të pabesinë? 24 Ndë qofshinë pesëdhietë të dreitë ndë qytet, vallë do t’i prishç (ata)? Edhe nukë do të ndëlenjç vëndinë për të pesëdhietë të dreitëtë që janë nd’atë? 25 Qoftë lark, ti mos bënjç kurrë të tillë punë, të vraç të dreitinë bashkë me të pabesinë! Qoftë lark prej teje! A s’do të bënjë gjyqë ay që gjukon gjithë dhenë?
26 Edhe Zoti tha: Ndë gjeça pesëdhietë të dreitë ndë qytet të Sodhomavet, do të ndëlenj gjithë vëndinë për ata.
27 Edhe Avraami u përgjeq e tha: Na tashi tek kuxova t’i flas Zotit tim, ndonëse jam dhe e hi, 28 ndë qënçinë më pak se pesë (vetë) nga të pesëdhietë të dreitëtë, a do të prishç gjithë qytetnë për punë të pesëvet? Edhe (Zoti) tha: S’do t’e prish (atë), ndë gjeça atie dyzet’ e pesë.
29 Edhe (Avraami) ngjati fialën’ edhe më, e i tha ati: (po) Ndë u ngjëntçin atie dyzet? Edhe (ay) tha: S’do t’e prish (atë) për të dyzetët.
30 Edhe (Avraami) tha: Le të mos zemëronetë Zoti im, ndë folça edhe më, po ndë u gjëntçin’ atie tridhietë? Edhe (ay) tha: S’do t’e prish (atë), ndë gjeça atie tridhietë.
31 Edhe (Avraami) tha: Na tashi tek kuxova t’i flas Zotit tim, (po) ndë u gjëntçin’ atie njëzet? Edhe (ay) tha: S’do t’e prish (atë) për të njëzetët. 32 Edhe (Avraami) tha: Le të mos zemëronetë Zoti im, ndë folça edhe një herë: (po) ndë u gjëntçin’ atie dhietë? Edhe (ay) tha: S’do t’(e) prish (atë) për të dhietët.
33 Edhe Zoti iku, passi pushoi tuke folë me Avraamnë, edhe Avraami u kthye ndë vënt të ti.