Hagara dhe Ishmaeli
1 Saraja, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë fëmijë. Ajo kishte një skllave egjiptiane që quhej Hagarë. 2 Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ja, Zoti më ka bërë beronjë. Fli me skllaven time e ndoshta prej saj do të kem fëmijë ». Abrami ia dëgjoi fjalën Sarajës. 3 Dhjetë vjet pasi Abrami banoi në tokën e Kanaanit, Saraja, gruaja e Abramit, mori Hagarën, skllaven e saj egjiptiane e ia dha për grua Abramit, burrit të saj. 4 Ai fjeti me Hagarën e ajo mbeti shtatzënë. Kur pa se kishte mbetur shtatzënë, ajo filloi ta shpërfillte zonjën e saj. 5 Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ti je përgjegjës për këtë fyerje. Isha unë ajo që ta lëshova në krahët e tu skllaven time e kur ajo pa që mbeti shtatzënë filloi të më shpërfillë. Zoti gjykoftë mes meje e teje!». 6 Por Abrami i tha Sarajës: «Ja ku e ke skllaven tënde. Bëj me të si të duash». Atëherë Saraja u soll ashpër me Hagarën e ajo iku prej saj.
7 Engjëlli i Zotit e gjeti Hagarën pranë një burimi në shkretëtirë, te burimi udhës për në Shur. 8 Ai i tha: «Hagarë, skllavja e Sarajës, nga po vjen e ku po shkon?». Ajo u përgjigj: «Po largohem nga zonja ime, Saraja». 9 Engjëlli i Zotit i tha: «Kthehu te zonja jote e nënshtroju asaj». 10 E i tha: «Do t'i shumoj pasardhësit e tu aq shumë saqë nuk do të mund të numërohen». 11 Engjëlli i Zotit i tha:
«Ja, ti je shtatzënë, do të lindësh djalë
e do ta quash Ishmael,
se Zoti e dëgjoi vuajtjen tënde.
12 Ai do te jetë si gomar i egër mes njerëzve.
Dora e tij do të jetë kundër të gjithëve
e dora e të gjithëve kundër tij.
E do të jetojë në kundërshti me vëllezërit e tij».
13 Atëherë ajo thirri emrin e Zotit, që i foli, e tha: «Ti je Perëndia që këqyr, se këtu pashë me të vërtetë atë që këqyr». 14 Prandaj edhe burimi quhet Ber Lahaj Roi e ndodhet mes Kadeshit e Beredit.
15 Hagara i lindi Abramit një djalë dhe Abrami e quajti, djalin e lindur nga Hagara, Ishmael. 16 Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç kur Hagara i lindi Ishmaelin.
1 Edhe Sara, gruaja e Avramit, nuk’ i pillte ati, edhe kishte një shërbëtore Egjyptkë, që kluhej Agarë. 2 Edhe Sara i tha Avramit: Na Zoti tek më mbylli nga të piellëtë, hyrë pra te shërbëtoreja ime, mbase mos fitonj dialë nga ajo. Edhe Avrami ja dëgjoi fialënë Sarësë. 3 Edhe Sara, gruaja e Avramit, mori Agarënë Egjyptkënë shërbëtoren’ e saj, që kur pat ndenjur’ Avrami dhietë viet ndë dhe të Hanaanit, edhe ja dha Avramit burrit saj, që të ishte grua e ati. 4 Edhe ay hyri te Agara, edhe ajo u mbars, edhe ajo kur pa se u mbars, e zonja e asaj shpërnderonej përpara sysh asaj. 5 Edhe Sara i tha Avramit: Prej teje më bënetë paudhë. Unë të dhashë shërbëtorenë time ndë gjit, edhe (ajo) kur pa se u mbars, u shpërnderova përpara sysh asaj, le të gjukonjë Zoti ndë mest meje edhe teje. 6 Edhe Avrami i tha Sarësë: Na shërbëtoreja jote (tek është) ndë dorët tënde, bëni asaj si (të jet’) e pëlqyerë ndë syt të tu. Edhe Sara e mori atë me të keq, edhe ajo iku nga syt’ e asaj. 7 Edhe ëngjëlli i Zotit e gjeti atë afërë gurrës’ ujit, ndë shkretëtirët, afërë gurrësë mb’udhë të Surësë, 8 edhe (i) tha: Agarë, shërbëtoreja e Sarësë, nga vien, e ku po vete? Edhe ajo tha: Po ikënj nga syt’ e Sarësë s’ime zonjë. 9 Edhe ëngjëlli i Zotit i tha asaj: Kthenu te jot zonjë, edhe u përunj ndënë duart t’asaj. 10 Pastaj ëngjëlli i Zotit i tha asaj: Do të shumonj fort farënë tënde, kaqë sa të mos numëronetë nga shumica.
11 Edhe ëngjëlli i Zotit i tha asaj: Na ti (tek je) me barrë, edhe do të piellç dialë, edhe do t’ia kluanjç emërin’ Ismail, sepse Zoti dëgjoi shtrëngimnë tënt,
12 edhe ky do të jetë një njeri i egrë, dora e ati (do të jetë) kundrë të gjithëve, edhe dora e të gjithëve kundrë ati, edhe do të rrijë ndër sy të vëllezëret ti.
13 Edhe (Agara) kluajti emërin’ e Zotit që i fliste asaj: Ti o Perëndi që më pe, sepse tha: Pashë edhe unë këtu atë që më pa? 14 Përandaj u kluajti pusi Llahai-roi [Pusi të gjallit që sheh], na (tek gjendetë) ndërmest të Kadhësë edhe Varadhit. 15 Edhe Agara i polli dialë Avramit, edhe Avrami kluajti emërinë të birt që polli Agara, Ismail. 16 Edhe Avrami ishte tetëdhiet’ e gjashtë vieç, kur i polli Ismailnë Avramit Agara.