Çlirimtari i Izraelit
1 E tani kështu thotë Zoti,
ai që të krijoi, o Jakob,
ai që të dha trajtë, o Izrael:
mos ki frikë, se të kam shpenguar,
të kam thirrur me emër, i imi je ti!
2 Kur të kalosh përmes ujërave, me ty do të jem,
kur të përshkosh lumenjtë, nuk do të mbytesh,
se do të kalosh nëpër zjarr e s'do të digjesh,
flaka ty nuk do të të përvëlojë,
3 se unë jam Zoti, Perëndia yt,
i shenjti i Izraelit, shpëtimtari yt.
Për ty dhashë si peng Egjiptin,
me ty këmbeva Kushin e Sebën.
4 Ti je i çmuar në sytë e mi,
ke vlerë e unë të dua.
I jap njerëzit në këmbim për ty,
popujt në këmbim të jetës sate.
5 Mos ki frikë, se unë jam me ty,
pasardhësit e tu do t'i kthej prej lindjes,
do t'ju mbledh bashkë prej perëndimit.
6 Veriut do t'i them: «Dorëzoma!»
e jugut: «Mos i mbaj!».
Ktheji bijtë e mi prej së largu,
bijat e mia prej skajeve të tokës,
7 tërë ata që thirren me emrin tim,
që i krijova për nderin tim,
që u dhashë trajtë e i bëra.
8 Nxirre jashtë popullin e verbër,
ndonëse ka sy,
popullin e shurdhër,
ndonëse ka veshë.
9 Gjithë kombet le të mblidhen bashkë,
popujt le të bashkohen!
Kush prej tyre e shpalli këtë
apo na i paratha gjërat e kaluara?
Le të sjellin, pra, dëshmi, për t'u përligjur,
le t'i dëgjojnë, që të thonë: «Është e vërtetë!».
10 Ju jeni dëshmitarët e mi, kumton Zoti,
shërbëtorët e mi, që vetë i zgjodha,
që të më njihni e të besoni në mua,
që të kuptoni se unë jam.
Para meje nuk kishte asnjë perëndi
e pas meje tjetër s'do të ketë.
11 Unë e vetëm unë jam Zoti,
veç meje shpëtimtar tjetër s'ka.
12 Unë shpalla e unë shpëtova, unë parathashë
e perëndi tjetër mes jush s'kishte.
Ju jeni dëshmitarët e mi, kumton Zoti,
e unë jam Perëndia.
13 Që prej amshimit unë jam po ai,
asgjë s'i shpëton dorës sime,
çka bëj unë, kush mund ta zhbëjë?
14 Kështu thotë Zoti,
shpenguesi yt, i shenjti i Izraelit:
Për hirin tënd do ta sulmoj Babiloninë
e do t'i rrëzoj të gjithë vargonjtë.
Brohoritjet e kaldenjve
në kujë do t'i kthej.
15 Unë jam Zoti, i shenjti juaj,
krijuesi i Izraelit, mbreti yt.
16 Kështu thotë Zoti, që udhë hapi në det,
shteg kalimi mes ujërave të furishme,
17 që bëri të dalin karroca lufte e kuaj,
ushtri e luftëtarë trima,
që u plandosën e më s'u ngritën,
që u shuan e si kandili u fikën:
18 Mos i kujtoni më ngjarjet e shkuara,
ndodhitë e qëmoçme mos i mendoni.
19 Ja, po bëj një gjë të re,
një gjë që tani po çel!
A nuk e shihni?
Udhën po hap përmes shkretëtirës,
lumenj në vendin e shkretë.
20 Egërsirat do të më japin lavdi,
çakejtë e këlyshët e strucit,
se ujin çova në shkretëtirë,
lumenjtë në vendin e shkretë,
që t'i jap për të pirë popullit tim,
të zgjedhurit tim,
21 popullit që e krijova për vete
e që do të shpallë lavdinë time.
22 Por ti nuk më thirre mua, o Jakob,
përkundrazi, u lodhe me mua, o Izrael.
23 S'më kushtove qengja si fli shkrumbimi,
me flitë e tua nuk më nderove,
s't'u bëra barrë e s'të kërkova fli,
nuk të lodha e s'të kërkova temjan.
24 Për mua s'bleve me para kanellë,
nuk më ngope me dhjamin e flive të tua.
Përkundrazi, më rëndove me mëkatet e tua,
me paudhësitë e tua më lodhe.
25 Unë, unë jam ai që, për hirin tim,
i shlyej paudhësitë e tua,
e mëkatet e tua nuk i kujtoj.
26 Bëmë të kujtohem e le të bëjmë gjyq bashkë,
fol e përligj vetveten.
27 Ati yt i parë mëkatoi,
ndërmjetësit e tu u ngritën kundër meje.
28 Prandaj prijësit e shenjtërores i çnderova,
Jakobin ia dorëzova shfarosjes
dhe Izraelin poshtërimit.
1 Edhe tashi kështu thotë Zoti, krietari yt, o Jakov, edhe gatonjësi yt, o Israil. Mos ki frikë, sepse unë të shpëtova, të thirra me emërinë tënt: je imi.
2 Kur të shkojsh ndëpër ujërat, do të jem bashkë me ty, edhe (kur të shkojsh) ndëpër lumrat, nukë do të vërshonjënë mbi ty; kur të ecënjësh ndëpër zjarr, nukë do të digjesh, as nukë do të dhizetë flaka mbi ty.
3 Sepse unë (jam) Zoti Perëndia yt, Shënjti i Israilit, Shpëtimtari yt; për shpërbliminë tënt dhashë Egjyftërinë, për ty (dhashë) Ethiopinë e Sebanë.
4 Që kur se qe i ndershim ndër syt të mi, u lëvdove, edhe unë të desha, edhe do t’ap shumë njerës për ty, edhe gjëndëje për kryetë t’at.
5 Mos ki frikë, sepse unë jam bashkë me ty; nga an’ e të lindurit do të bie farënë tënde, edhe nga an’ e të perënduarit do të mbëleth;
6 do t’i them anësë borësë: Ep, edhe anësë shiut: Mos e ndal, bier tëm-bij prej së largu, edhe tëme-bila nga anët’ e dheut,
7 gjithë sa kluhenë me emërinë t’im, sepse i kriova ata për lavdinë t’ime, i gatova ata e i bëra ata.
8 Nxir gjëndëjen’ e verburë edhe që ka sy, edhe të shurdhurënë, edhe që ka veshë.
9 Le të mbëlidhenë gjithë kombatë, edhe le të përmbëlidhenë gjëndëjetë: cili ndë mest t’atyreve dha zë për këtë, edhe na dëfteu të paratë? Le të bienë deshmitarët’ e tyre, edhe le të lahenë; a le të dëgjonjënë, edhe le të thonë: (Këjo ësht)’ e Vërtetë.
10 Ju (jeni) deshmitarët’ e mi, thotë Zoti, edhe shërbëtori im, që sgjodha të xini edhe të më besoni, edhe të kupëtoni se unë (jam) ay vetë; përpara meje s’ka qënë (tietërë) Perëndi, as nukë do të jetë pas meje.
11 Unë, unë (jam) Zoti, edhe përveç meje s’ka shpëtimtar.
12 Unë dhashë zë, e shpëtova, e dëfteva; edhe s’ka qënë ndër ju (perëndi) i huajë, edhe ju jeni deshmitarët’ e mi, thotë Zoti, edhe unë Perëndia.
13 Edhe përpara se të bënej dita, unë vetë kam (qënë), edhe s’ka (ndonjë) të shpëtonjë nga dora ime; kam për të bërë, edhe kush munt ta kthenjë prapë atë.
14 Kështu thotë Zoti, Shpërblimtari juaj, Shënjti i Israilit: Për ju dërgova ndë Vavillonë, edhe prura poshtë gjithë të ikuritë, edhe Halldhejtë që mburreshinë mbë lundrat.
15 Unë (jam) Zoti, Shënjti juaj, Krietari i Israilit, Mbëreti juaj.
16 Kështu thotë Zoti, ay që bëri udhë ndë det, edhe rrugë ndër ujërat të forta.
17 Ay që nxori qerre, e kuaj, ushtëri, e (burra) të fortë; (të gjithë) bashkë u shtrinë poshtë, nuk’ u ngritnë, humpnë, u shuanë posi shtupë.
18 Mos kujtoni të paratë, edhe mos mendoni të vietratë.
19 Na unë tek do të bënj një kafshë të re: tashi do të lintnjë (dielli), a nukë do t’e dini atë? Me të vërtetë do të bënj udhë ndë shkretëtirët, lumëra ndë dhe të thatë.
20 Bishat’ e fushësë do të më lëvdonjënë, çakajtë, edhe zoqt’ e struthokamillevet, sepse ap ujë ndë shkretëtirët, lumra ndë dhe të thatë, që të ujit gjëndëjenë t’ime, që e kam të sgjedhurë.
21 Ajo gjëndëja që gatova për vetëhenë t’ime, do të tregonjë lavdiminë t’im.
22 Po ti, o Jakov, nukë më thirre, po ti, o Israil, u rëndove prej meje.
23 Nukë më prure shqerrat’ e kurbanevet tu të diegura gjithë, as nukë më nderove me kurbanet’ e tu. Unë nukë të bëra të më shërbejsh me dhurata, as nukë të rëndova me thymiamë;
24 nukë bleve me argjënt kallam (ere të mirë) për mua, as nukë më mbushe me të majmit’ e kurbanevet tu, po më trubëllove me falet’ e tu, më rëndove me panomit’ e tua.
25 Unë, unë jam ay që shuanj falet’ e tu për punët t’ime, edhe nukë do të kujtonj falet’ e tu.
26 Kujto më; le të gjukonemi bashkë, thuaj ti, që të lahesh.
27 Yt-gjysh fëleu, edhe mësonjësit’ e tu më punuanë paudhë.
28 Përandaj do të bënj të ndyrë krerët’ e shënjtëroresë, edhe do t’i ap Jakovit mallëkim, edhe Israilit të shara.