Shpëtimi i popujve
1 Kështu thotë Zoti:
Mbajeni të drejtën,
zbatojeni drejtësinë,
se shpëtimi im po afron,
drejtësia ime po shfaqet.
2 Lum njeriu që vepron kështu
dhe biri i njeriut që i përmbahet kësaj,
që e mban të shtunën pa e përdhosur,
që i ruan duart nga çdo ligësi.
3 Biri i të ardhurit, që është bashkuar me Zotin,
të mos thotë:
«Zoti do të më ndajë patjetër nga populli i vet»
e as eunuku të mos thotë:
«Ja, unë jam një pemë e tharë».
4 Se kështu u thotë Zoti:
«Eunukëve që i mbajnë të shtunat e mia,
që zgjedhin të plotësojnë dëshirën time
e që ruajnë besëlidhjen time,
5 do t'u jap në shtëpinë time,
brenda mureve të mia,
një vend përkujtimi
dhe një emër më të mirë
se të kenë bij e bija.
Do t'u jap një emër të amshuar,
që s'do të shuhet kurrë.
6 Ndërsa bijtë e të ardhurve
që janë bashkuar me Zotin
e që i shërbejnë atij,
që e duan emrin e Zotit
e janë vënë në shërbim të tij,
të gjithë sa e mbajnë të shtunën pa e përdhosur
e që e ruajnë besëlidhjen time,
7 do t'i shpie në malin tim të shenjtë
e do t'u jap gëzim në shtëpinë time të lutjes.
Flitë e tyre të shkrumbimit e theroret e tyre
do të pranohen në altarin tim,
se shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjesh
për të gjithë popujt».
8 Kështu kumton Zoti, Zoti im,
ai që i mbledh të degdisurit e Izraelit:
përveç atyre që kam mbledhur,
do të mbledh edhe të tjerë përreth tyre.
9 Mbarë ju, o egërsirat e fushës,
ejani të hani,
të gjitha ju, o kafshët e pyllit!
10 Të gjithë rojtarët e tij janë verbuar,
të paditur janë të tërë.
Janë të gjithë qen të pagojë,
të paaftë për të lehur.
Shohin ëndrra, rrinë shtrirë,
u pëlqen të dremitin.
11 Janë qen grykës, që s'dinë të ngopen,
janë barinj, që s'kuptojnë asgjë.
Secili prej tyre endet udhës së vet,
secili synon përfitimin e vet.
12 «Ejani», thonë, «Të pimë verë,
të dendemi me pije të forta.
E nesërmja do të jetë si sot,
madje edhe më mirë».
1 Kështu thotë Zoti: Ruani gjyq, e bëni dreitëri, sepse shpëtimi po afronetë të vinjë, edhe dreitëria ime të sbulonetë.
2 Lum ay njeri që bën këtë, edhe ay bir njeriu që mba atë, ay që ruan savvatënë, që të mos e ndyrë, edhe mba dorën’ e ti, që të mos bënjë asndonjë të keqe.
3 Po i biri i kombit huajë, që është ngjiturë pas Zotit, le të mos flasë, tuke thënë, se Zoti do të më ndanjë fare nga gjëndej’ e ati; as i dredhuri le të mos thotë: Na unë (tek jam) druri i thatë.
4 Sepse kështu thotë Zoti: Të dredhuret, sa ruanjënë savvatat’ e mia, edhe sgjedhën’ ato që më pëlqenjënë edhe mbanë dhiatënë t’ime,
5 atyreve më fort do t’u ap ndë shtëpit t’ime, edhe përbrënda murevet mi, vënt edhe emërë më të mirë se bijvet e bilavet; atyreve do t’u ap emërë të përjetëshim, që nukë do të shteretë.
6 Edhe për të bijt’ e kombit huajë, që t’i ngjitenë Zotit, që t’i shërbenjën’ ati. E të duan’ emërin’ e Zotit, që të jenë shërbëtorët’ e ati, sa ruanjënë savvatënë që të mos e ndyrnjën’ atë, edhe të mbanë dhiatënë t’ime:
7 edhe këta do t’i bie ndë malt t’im të shënjtëruarinë, edhe do t’i gëzonj ata ndë shtëpit të lutëjesë s’ime; kurbanet’ e atyreve të dieguratë gjithë, edhe kurbanet’ e atyreve (do të jenë) të pëlqyera mbi therorenë t’ime, sepse shtëpia ime do të kluhetë Shtëpi lutëje për gjithë gjëndëjetë.
8 (Kështu) thotë Zoti Perëndia, ay që përmbëleth të shpërndarët’ e Israilit: Do të përmbëleth edhe më (të tierë) për atë, përveç të përmbëledhuret ati.
9 Eni, e hani, ju gjithë shtëzët’ e fushësë, ju gjithë bishat’ e pyllit.
10 Edhe ronjësit’ e ati janë të verburë, të gjithë pa mënt, të gjithë qën të pagolë, që nukë munt të lehnjënë: tuke fleturë, tuke dergjurë, tuke dërmiturë;
11 po, qën të panginjurë; (ata) nukë dinë të ngosurë, edhe baritë, (të cilëtë) nukë kanë mënt, të gjithë janë këthyerë nd’ udhët të tyre, gjithë-se-cili nd’ anët të ti, për fitimin’ e tyre.
12 Eni, (thonë) do të bie verë, e do të dehemë me të pira të forta, edhe nesërë do të jetë posi këjo ditë, shumë më e plotë.