Abrami dhe Loti
1 Abrami shkoi nga Egjipti në Negev bashkë me të shoqen e me gjithçka kishte. Me të shkoi edhe Loti.
2 Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend e ar. 3 Ai vazhdoi udhëtimin nga Negevi deri në Betel, deri në vendin ku kishte ngritur më parë tendën, mes Betelit e Ajit, 4 aty ku në fillim kishte ngritur një altar. Atje Abrami thirri emrin e Zotit. 5 Edhe Loti, që udhëtonte me Abramin, kishte dhen, qe e tenda. 6 Nuk kishte vend për të dy, se pasuria e tyre ishte aq e madhe, saqë nuk mund të jetonin bashkë. 7 Kështu, filloi një grindje mes barinjve të bagëtive të Abramit e barinjve të bagëtive të Lotit. Në atë kohë, në atë vend jetonin kananitët e perizitët.
8 Atëherë Abrami i tha Lotit: «Të mos ketë grindje mes nesh, mes barinjve të mi e barinjve të tu, se jemi vëllezër. 9 A nuk është e gjithë toka përpara teje? Le të ndahemi. Nëse shkon në të majtë, unë do të marr në të djathtë. E nëse shkon në të djathtë, unë do të marr në të majtë». 10 Loti ngriti sytë e pa se gjithë lugina e Jordanit deri në Coar ujitej si kopshti i Zotit, si toka e Egjiptit, përpara se Zoti të shkatërronte Sodomën e Gomorrën. 11 Loti zgjodhi për vete gjithë luginën e Jordanit e udhëtoi drejt lindjes. Kështu, u ndanë nga njëri-tjetri. 12 Abrami banoi në tokën e Kanaanit, ndërsa Loti banoi në qytetet e luginës dhe ngriti tendat pranë Sodomës . 13 Mirëpo njerëzit e Sodomës ishin shumë të ligj e mëkatarë para Zotit.
14 Pasi Loti u largua prej tij, Zoti i tha Abramit: «Ngriji sytë dhe, nga vendi ku je, shiko drejt veriut e jugut, drejt lindjes e perëndimit, 15 sepse të gjithë tokën që sheh, do të ta jap ty e pasardhësve të tu përgjithmonë. 16 Dhe do t'i bëj pasardhësit e tu si pluhurin e tokës. Nëse dikush do të mund ta numërojë pluhurin e tokës, edhe pasardhësit e tu do të numërohen. 17 Ngrihu e bjeri tokës për së gjati e për së gjeri, sepse ty do të ta jap». 18 Atëherë Abrami ngriti tendat dhe shkoi e banoi ndër lisat e Mamreut që janë në Hebron. Atje i ngriti një altar Zotit.
1 Edhe Avrami u ngjit nga Egjyptëria, ay edhe gruaja e ati, edhe gjithë sa kishte, edhe Lloti bashkë me atë, mbanë të mesditësë. 2 Edhe Avrami ishte fort i pasurë me bagëti, (e) me argjënt, e me ar. 3 Edhe vate tuke bër’ udhë nga an’ e mesditësë gjer ndë Vethillë, gjer nd’(atë) vënt ku qe tenda e ati përpara, ndërmes të Vethillësë e Gaisë, 4 ndë vënt të theroresë që pat bër’ atie herën’ e parë, edhe Avrami thirri atie emërin’ e Zotit.
5 Po edhe Lloti që ecënte bashkë me Avramnë, kishte dhen, e qe, e tenda. 6 Edhe nuk’ i nxinte ata dheu që të rrijnë bashkë, sepse ata kishinë shumë gjë, edhe s’munt të rrijnë bashkë. 7 Edhe gjajti një qartë ndërmes të barivet bagëtivet Avramit, edhe (ndërmes) të barivet bagëtivet Llotit, edhe Hanaanitët’ e Ferezitëtë rrijnë atëhere nd’atë dhe.
8 Edhe Avrami i tha Llotit: Të lutem, le të mos jetë qartë ndërmest meje e teje, e ndërmes të barivet mi e barivet tu, sepse neve (jemi) burra vëllezër, 9 a nuk’ është gjithë dheu përpara teje? Ndahu pra prej meje, ndë (vafsh ti) nga an’ e mëngjërë, unë vete nga an’ e diathtë, edhe ndë (vafsh ti) nga an’ e diathtë, unë (vete) nga an’ e mëngjërë.
10 Edhe Lloti ngriti syt’ e ti, e pa gjithë fushën’ e Jordhanit, se ujitej gjithë, përpara se të prishte Zoti Sodhomat’ e Gomorratë, posi kopështi i Zotit, posi dheu i Egjyptërisë, gjersa të vinjë ndonjë ndë Sigor. 11 Edhe Lloti zgjodhi për vetëhen’ e ti gjithë fushën’ e Jordhanit, edhe Lloti u ngre e vate nga të lindurit’ e diellit, edhe u ndanë njëri nga jatri.
12 Avrami ndenji ndë dhe të Hanaanit, edhe Lloti ndenji ndërmes të qytetevet fushësë, edhe nguli tendatë ndë Sodhomat.
13 Edhe njerëzit’ e Sodhomavet (ishinë) fort të këqij, edhe fajtorë përpara Zotit.
14 Edhe Zoti i tha Avramit, passi u nda Lloti prej ati: Ngre syt’ e tu tashi, edhe shih nga vëndi ku je, mb’anë të borësë e të mesditës’ e të lindurit e të perënduarit diellit, 15 sepse gjith’ atë dhe që sheh, ty t’e kam për të dhënë, edhe farësë sate për gjithë jetënë; 16 edhe do të bënj farënë tënde posi rërën’ e dheut, kaqë sa ndë munttë ndonjë të numëronjë rërën’ e dheut, do të numëronet’ edhe fara jote, 17 ngreu e ecë ndëpër dhet për së gjati e për së gjëri, sepse kam për t’e dhënë ty.
18 Edhe Avrami shkuli tendënë, edhe erdhi e nguli afërë lisavet Mamvrisë, të cilëtë (janë) ndë Hevron, edhe i ndërtoi atie (një) therore Zotit.