Vendi i adhurimit
1 «Këto janë rregullat e vendimet që do të mbash me kujdes gjatë gjithë jetës tënde në tokën që të dha Zoti, Perëndia i etërve të tu, për ta pushtuar.
2 Shkatërrojini fare tërë vendet, ku, popujt që do të pushtoni, u shërbejnë perëndive të tyre, kudo qofshin, lart në male, në kodra apo nën çdo pemë të gjelbër. 3 Rrënojini altarët e tyre. Copëtojini përmendoret e tyre të shenjta. Digjini në zjarr shtyllat e Asherave të tyre. Thyejini shëmbëlltyrat e perëndive të tyre. Shuajini emrat e tyre nga kjo tokë. 4 Mos bëni kështu me Zotin, Perëndinë tuaj, 5 por kërkojeni banesën e tij, në vendin që do të zgjedhë Zoti, Perëndia juaj, nga mesi i gjithë fiseve tuaja, për të vendosur emrin e tij. Atje shkoni 6 e sillni flitë e shkrumbimit, flijimet, të dhjetat, dhuratat tuaja, flitë e kushtit, flitë vullnetare dhe të parëlindurit e dhenve e të qeve. 7 Atje do të hani në prani të Zotit, Perëndisë tuaj, e atje, ju dhe familjet tuaja, do të festoni të gjitha punët e duarve tuaja me të cilat ju ka bekuar Zoti, Perëndia juaj. 8 Mos bëni siç bëjmë ne sot këtu, ku secili vepron si t'i duket e drejtë, 9 sepse, deri më sot, nuk kishit mbërritur ende në vendin e prehjes e të trashëgimisë që Zoti, Perëndia juaj, po ju jep. 10 Por, kur të kaloni përtej Jordanit e të banoni në tokën që Zoti, Perëndia juaj, do t'ju japë për pronë, e kur t'ju japë paqe nga armiqtë përreth e të jetoni të sigurt, 11 do të jetë një vend të cilin Zoti, Perëndia juaj, do ta zgjedhë për të vënë emrin i tij. Atje sillini të gjitha ato që ju kam urdhëruar, flitë e shkrumbimit, flijimet, të dhjetat, dhuratat tuaja e tërë flitë e përzgjedhura të kushtit që ia keni premtuar Zotit. 12 Atje do të festoni në prani të Zotit, Perëndisë tuaj, ju, bijtë e bijat tuaja, shërbëtorët e shërbëtoret tuaja dhe leviti që banon në qytetet tuaja, sepse ai nuk ka pjesë e as trashëgimi mes jush.
Flitë
13 Ruhu se mos i kushton flitë e shkrumbimit në çdo vend që sheh. 14 Vetëm te vendi që do të zgjedhë Zoti, në njërin prej fiseve, do të kushtosh flitë e shkrumbimit. Atje do të bësh çdo gjë që të urdhërova.
15 Ther e ha mish me bekimin e Zotit, Perëndisë tënd, në çdo qytet, sa herë ta ka ënda. Atë mund ta hajë si i pastri, ashtu dhe i papastri, siç hahet mishi i gjahut. 16 Vetëm gjakun mos e hani. Atë derdheni në tokë si ujë. 17 Por të dhjetën e drithit, të mushtit e të vajit, të parëlindurin e dhenve e të qeve, çdo fli kushti që premtove, flitë vullnetare e dhuratat që paraqet, mos i ha në çdo qytet. 18 Ti, bijtë e bijat e tua, shërbëtorët e shërbëtoret e tua dhe leviti që banon në qytetin tënd do t'i hani ato para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt. Festoni para Zotit, Perëndisë tënd, çdo vepër të duarve tuaja. 19 Gjatë gjithë ditëve të tua në tokën tënde ki kujdes se mos e lë pas dore levitin.
20 Kur Zoti, Perëndia yt, t'i ketë zgjeruar kufijtë e tu, sikurse të premtoi, kur të hahet mish e kur thua: “Ma ka ënda të ha mish”, atëherë ha sa herë ta ka ënda. 21 Nëse vendi që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt, për të vënë emrin e tij ndodhet larg, there dashin apo kaun që të ka dhënë Zoti, siç të urdhërova e haje në çdo qytet sa herë ta ka ënda. 22 Haje siç hahet mishi i gjahut. Atë mund ta hajë si i pastri, ashtu edhe i papastri. 23 Por, të ndalohet rreptësisht ngrënia e gjakut, sepse gjaku është jeta. Mos e ha jetën bashkë me mishin. 24 Mos e hani, por derdheni në tokë si ujë. 25 Mos e hani, që të të shkojë mbarë ty e fëmijëve të tu pas teje, ngaqë do të bëni çfarë është e drejtë para Zotit. 26 Kurse kushtet e tua të shenjta dhe flitë e kushtit do t'i marrësh e do t'i paraqesësh te vendi që do të zgjedhë Zoti. 27 Kushtoji flitë e shkrumbimit, si mishin, edhe gjakun, mbi altarin e Zotit, Perëndisë tënd. Gjakun e flive derdhe mbi altarin e Zotit, Perëndisë tënd, ndërsa mishin haje.
28 Mbaji e dëgjoji të gjitha këto fjalë që po të urdhëroj, që të të shkojë përgjithmonë mbarë ty e fëmijëve të tu pas teje, ngaqë do të bësh çfarë është e mirë dhe e drejtë para Zotit, Perëndisë tënd.
Kundër idhujtarisë
29 Kur, Zoti, Perëndia yt, të t'i shfarosë kombet që do të pushtosh kur të hysh, ti do t'i zotërosh dhe do të banosh në tokën e tyre. 30 Por, pasi të jenë shkatërruar, ruhu se mos marrosesh pas tyre, kërkon perënditë e tyre e thua: “Siç u shërbyen kombet këtyre perëndive, ashtu do të bëj edhe unë”. 31 Mos bëj kështu me Zotin, Perëndinë tënd, sepse ata bëjnë për perënditë e tyre çdo gjë të neveritshme që urren Zoti. Ata, madje, djegin në zjarr bijtë e bijat e tyre për perënditë e tyre».
1 Këta (jan’) urdhërimet’ e gjyqetë, që do të kini kujdes të bëni nd’ atë dhe që po t’ep Zoti Perëndia i atëret tu për të trashëguar’ atë, gjith’ ato dit që të rroni mbi dhet.
2 Të prishni gjith’ ata vënde, atie tek lusinë perëndirat’ e tyre ata kombatë që do të pushtoni, mbi malet e lartë, e mbi kodrat, e përposhtë ç’do druri të ashpërë. 3 Edhe të rrëzoni tempujt’ e atyreve, e të thyeni shtyllat’ e atyreve, e të diqni me zjarr pyjet’ e atyreve, e të copëtoni idhullat’ e perëndivet atyre, edhe të shuani emërat’ atyreve nga ay vënt.
4 Të mos bëni kështu për Zotinë Perëndinë tuaj, 5 po nd’ atë vënt që të sgjethnjë Zoti Perëndia juaj nga gjithë faratë tuaja, që të vër’ emërin’ e tij atie për të ndenjurë, 6 të kërkoni (atë), edhe atie të vini, edhe atie të bini të gjithëdieguratë tuaja, e kurbanetë tuaj, e të dhietatë tuaja, e dhurëtit’ e duaret’ tuaja të ngrituratë lart, e uratatë tuaja, e dhurëtitë tuaja që t’u dojë juve zëmëra, e kërthinjat’ e lopëvet tuaja e të dhenet tuaja; 7 edhe atie të hani përpara Zotit Perëndisë tuaj, e të gëzohi ju, edhe shtëpitë tuaja, mbi sa të viri duartë tuaja, mbë ç’do gjë që të bekoi Zoti Perëndia yt.
8 S’kini për të bërë gjithë sa bëjmë neve sot këtu, ç’i duket’ e pëlqyerë gjithë-se-cilit ndër sy të tij. 9 Sepse edhe s’kini ardhë ndë të prëjturit, e ndë trashëgimt, që po u ep juve Zoti Perëndia juaj. 10 Po kur të kapërceni Jordhaninë, e të rrini nd’ atë dhe që po u ep juve Zoti Perëndia juaj për të trashëguarë, edhe t’u apë juve të prëjturë nga të gjith’ arëmiqt tuaj përqark, kaqë sa të rrini me siguri, 11 atëherë nd’ atë vënt që të sgjethnjë Zoti Perëndia juaj, që të rrijë atie emëri i atij, atie të bini gjithë sa t’u urdhëronj unë juve: të gjithëdieguratë tuaja, kurbanetë tuaj, (e) të dhietatë tuaja, e dhurëtit’ e duaret tuaja të ngrituratë lart, e gjith’ uratatë tuaja të sgjedhuratë, që të uroni Zotinë; 12 edhe të gëzohi përpara Zotit Perëndisë tuaj, ju, edhe bijtë tuaj, e bilatë tuaja, e shërbëtorëtë tuaj, e shërbëtoretë tuaja, edhe Leviti që është përbrënda dyeret tuaja, sepse ay s’ka piesë as trashëgim me ju.
13 Ki kujdes vetëhesë s’ate, të mos biesh të gjithë-diegurënë tënde mbë gjithë-ç’do vënt që të shohç, 14 po mb’ atë vënt që të sgjethnjë Zoti mbë njërënë nga faratë tua, atie të biesh të gjithë-diegurat’ e tua, edhe atie të bëjsh gjithë sa të urdhëronj unë. 15 Po munt të thersh e të hash mish përbrënda gjithë dyeret tua, pas dëshërimit shpirtit tënt, pas bekimit Zotit Perëndisë tënt që të ka dhënë. I paqëruari edhe i qëruari munt të hanë nga ay, posi kapruallë, edhe posi drerinë. 16 Po të mos hani gjakunë: ta derthni atë mbi dhet posi ujë. 17 S’ munt të hash përbrënda dyeret tua të dhietën’ e grurit tënt, a të verësë s’ate, a të valit tënt, a kërthinjat’ e para të lopëvet tua, a të dhënet tua, as ndonjë nga të kushtuarat’ e tua sa të kushtojsh, as dhurëtit’ e tua që t’u dojë juve zëmëra, a dhurëtit’ e duaret tua të ngrituratë lart. 18 Po gjan t’i hash këto përpara Zotit Perëndisë tënt, nd’ atë vënt që të sgjethnjë Zoti Perëndia yt, ti, edhe yt-bir, e jot-bilë, e shërbëtori yt, e shërbëtoreja jote, e Leviti që është përbrënda dyeret tua, edhe të gëzonesh përpara Zotit Perëndisë tënt, mbë sa të vësh dorënë tënde. 19 Vështro mos heqsh dorë nga Leviti, sa kohë të rrojsh mbi dhet tënt.
20 Kur të sgjeronjë sinoret’ e tu Zoti Perëndia yt, sikundrë t’u zotua, e të thuash: Do të ha mish, (sepse dëshëron shpirti im të ha mish,) munt të hash mish, pas gjithë dëshërimit shpirtit tënt. 21 Ndë është lark prej teje ay vëndi që sgjodhi Zoti Perëndia yt për të vënë atie emërin’ e tij, atëherë të thersh nga lopët’ e tua, e nga dhënt’ e tua, që të ka dhënë Zoti, sikundrë u urdhërova unë juve, edhe të hash, përbrënda dyeret tua, pas gjithë dëshërimit shpirtit tënt. 22 Sikundrë hahetë kaprualli e drëri, kështu t’i hash ato; i paqëruari edhe i qëruari të hanë nga ato radhazi. 23 Vetëmë hiq dorë fort së ngrënit gjakut, sepse gjaku është jeta, edhe s’munt të hash jetënë bashkë me mishinë. 24 Të mos e hash atë, ta derthç atë mbi dhet posi ujë. 25 Të mos e hash atë, që të jesh ditë-bardhë, ti edhe djemt’ e tu pas teje, kur të bënjç atë që ësht’ e pëlqyerë ndër sy të Zotit.
26 Vetëmë dhurat’ e tua sa të kesh, edhe kushtimet’ e tu, t’i marrsh, e t’i shtiesh nd’ atë vënt që të sgjedhë Zoti. 27 Edhe të biesh të gjithë-diegurat’ e tua, mishin’ edhe gjakunë, mbi theroret të Zotit Perëndisë tënt, edhe gjaku i kurbanevet tu të derdhetë ndë theroret të Zotit Perëndisë tënt, edhe mishinë ta hash.
28 Mba vesh edhe dëgjo gjithë këto fialë që po t’urdhëronj unë, që të jesh ditë-bardhë, ti, edhe bijt’ e tu pas teje për gjithë jetënë, kur të bënjç të mirën’ edhe të pëlqyerënë ndër sy të Zotit Perëndisë tënt.
29 Zoti Perëndia yt kur të shuanjë kombatë përpara teje, tek vete për të trashëguar’ ata, edhe të trashëgojsh ata, e të rrish ndë dhet t’ atyre, 30 vështro mos zihesh ndë dhokan, e të veç pas atyre, si të shuhenë përpara teje; edhe mos pyeç për perëndirat’ e atyre, e të thuaç: Qysh i lutinë perëndirat’ e atyre këta komba? Kështu të bënj edhe unë. 31 Të mos bëjsh kështu për Zonë Perëndinë tënt, sepse ç’do gjë të ndyrë që mërzit Zoti, u bëninë perëndive tyre, sepse u diegënë ndë zjarr perëndivet tyre edhe bijt’ e atyre e bilat’ e atyre. 32 Gjithë ç’u urdhëronj unë juve, këtë vështroni të bëni: s’ke për të shtuarë nd’ atë, as s’ke për të hequrë nga ajo.