Largimi nga Sinai
1 Zoti i tha Moisiut: «Ngrihu prej këtej, ti dhe populli që nxore nga toka e Egjiptit, e shko drejt tokës që i premtova Abrahamit, Isakut e Jakobit kur u thashë se do t'ua jap pasardhësve të tyre. 2 Do të dërgoj para teje një engjëll që të dëbojë kananitët, amoritët, hititët, perizitët, hivitët e jebusitët. 3 Shko pra, në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë, por unë nuk do të nisem me ju, që të mos ju shkatërroj udhës, sepse ju jeni një popull kokëfortë». 4 Kur dëgjoi këtë lajm të keq, populli mbajti zi dhe askush nuk i veshi stolitë. 5 Zoti i tha Moisiut: «Thuaju izraelitëve: “Jeni një popull kokëfortë. Sikur të ecja me ju edhe për një çast, do t'ju zhbija. Hiqini, pra, stolitë e pastaj do të vendos se çfarë do të bëj me ju”». 6 Atëherë izraelitët i hoqën stolitë në malin Horeb e nuk i veshën më.
7 Moisiu e merrte tendën dhe e ngulte jashtë fushimit, larg nga fushimi i izraelitëve. Atë e quajti tenda e takimit. Kushdo që kërkonte këshilla nga Zoti shkonte te tenda e takimit që ishte jashtë fushimit. 8 Sa herë që Moisiu shkonte te tenda, i gjithë populli ngrihej e dilte te hyrja e tendës se vet për të parë Moisiun kur hynte në tendë. 9 Me të hyrë Moisiu, shtylla e resë zbriste te hyrja e tendës ndërkohë që Zoti fliste me të. 10 Kur shtylla e resë qëndronte te hyrja e tendës, gjithë populli ngrihej e përkulej me nderim te hyrja e tendës së vet. 11 Zoti i fliste Moisiut ballë për ballë, ashtu siç flet dikush me mikun e vet. Pastaj Moisiu kthehej në fushim, ndërsa ndihmësi i tij, djaloshi Jozueh, biri i Nunit, nuk largohej nga tenda.
Lutja e Moisiut
12 Moisiu i tha Zotit: «Shiko, ti më ke thënë t'i prij këtij populli, por nuk më ke bërë të ditur se kë do të dërgosh me mua. Ti vetë më ke thënë se më njeh me emër dhe se kam gjetur hir para teje. 13 Prandaj, nëse kam gjetur hir para teje, m'i bëj të ditura udhët e tua, që të të njoh e të gëzoj gjithnjë përkrahjen tënde. Kije parasysh se ky komb është populli yt». 14 Zoti iu përgjigj: «Prania ime do të jetë me ty dhe unë do të të jap prehje». 15 Moisiu i tha: «Nëse prania jote nuk është me ne, mos na nis që këtej. 16 Si do të merret vesh që unë dhe populli yt kemi gjetur hir para teje, përveçse duke u nisur me ne? Vetëm kështu unë dhe populli yt do të dallohemi nga tërë popujt e tjerë mbi faqen e dheut». 17 Zoti i tha Moisiut: «Do ta plotësoj edhe këtë kërkesë, sepse ke gjetur hir para meje dhe të njoh me emër».
18 Pastaj Moisiu tha: «Më dëfto lavdinë tënde». 19 Zoti i tha: «Do ta kaloj para teje tërë mirësinë time dhe do të shpall para teje emrin e Zotit. Do të kem mëshirë për atë që dua të mëshiroj e do të kem dhembshuri për atë që dua të kem dhembshuri. 20 Por fytyrën time nuk do të mund ta shohësh, se askush nuk mund ta shohë e të mbesë gjallë». 21 Pastaj Zoti tha: «Ja ku është një vend pranë meje. Qëndro mbi shkëmb, 22 që kur të kalojë lavdia ime, të të fus në një zgavër shkëmbi e të të mbuloj me dorën time deri sa unë të kaloj. 23 Pastaj do të heq dorën e ti do të më shohësh shpinën, por fytyra ime nuk mund të shihet».
1 Edhe Zoti i tha Moisiut: Shko, (e) hip së këtejmi, ti edhe ajo gjëndëja që nxore nga dheu i Egjyptërisë, nd’atë dhe që i bëra be Avraamit, (e) Isaakut, e Jakovit, edhe i thashë: Farësë sate do t’ia ap atë, 2 edhe do të dërgonj një ëngjëll përpara teje, edhe do të dëbonj Hanaanitin’, (e) Amoritin’, e Hittitin’, e Perizzitin’, (e) Hivitin’, e Jebusitinë, 3 ndë një dhe që rrieth klumësht’ e mialtë, sepse unë nukë do të ngjitem bashkë me ty, (sepse je një gjëndëje kokëtrashë), që mos të shuanj ty mb’udhë.
4 Edhe gjëndëja kur dëgjoi këtë fialë të keqe, mbajti zi, edhe asndonjë nukë vuri stolin’ e ti mbi vetëhet të ti.
5 Sepse Zoti i tha Moisiut: Thuaju të bijet Israilit: Ju (jeni) gjëndëje kokëtrashë; pakëzë herë ndë arthça përanë teje, do të të shuanj, andaj tashi svish stolit’ e tu prei teje, që ta njoh ç’kam për të bërë ty.
6 Edhe të bijt’ e Israilit sveshnë stolit’ e tyre afërë malit Horebit.
7 Edhe Moisiu mori tendënë, edhe e nguli jasht’ ushtërisë, lark ushtërisë, edhe e kluajti atë Tendë përmbëledhëje, edhe gjithëkush kërkonte Zotinë, dilte te tenda e përmbëledhëjesë, që (ishte) përjashta ushtërisë.
8 Edhe Moisiu kur dilte ndë tendët, gjithë gjëndëja ngrihej (mbë këmbë), edhe gjithësecili qëndronte (përanë) derësë tendësë ti, edhe shikoninë prapa Moisiut, gjersa hynte ndë tendët. 9 Edhe posa hynte Moisiu ndë tendët, sbriste shtylla e resë, edhe qëndronte mbi dyert të tendësë, edhe (Zoti) fliste bashkë me Moisinë.
10 Edhe gjithë gjëndëja shihte shtyllën’ e resë që qëndronte mbi dyert të tendësë, edhe gjithë gjëndëja ngriturë mbë këmbë falej, gjithësecili (nga) dera e tendësë ti. 11 Edhe Zoti i fliste Moisiut sy ndër sy, posi një njeri kur flet me mikun’ e ti. Pastaj kthehej ndë ushtërit, po një dialosh, shërbëtori i ati, Joshuai i biri Naviut, nuk’ ikënte nga tenda.
12 Edhe Moisiu i tha Zotit: Shih, ti më thua: Nxire këtë gjëndëje, edhe ti nukë më diftove cilinë do të dërgonjç bashkë me mua, edhe ti the: Të njoh ty mb’emër, po gjete edhe hirë përpara meje, 13 tashi pra, ndë paça gjeturë hirë përpara teje, të lutem, diftomë udhënë tënde, që të njoh ty, që të gjenj hirë përpara teje, edhe shih se ky komp (është) gjëndëja jote.
14 Edhe (Zoti) tha: Faqeja ime do të vinjë (bashkë me ty), edhe do të t’ap të prëjturë. 15 Edhe ay i tha ati: Ndë mos arthtë faqeja jote (bashkë me mua), mos na ngre së këtejmi, 16 sepse qysh do të njihetë tashi, se kam gjeturë hirë përpara teje, un’ edhe gjëndëja jote? (as po) nga të ardhurit tat bashkë me ne? Kështu do të shquhemi, un’ edhe gjëndëja jote, nga çdo gjëndëje, që (është) mbi faqet të dheut.
17 Edhe Zoti i tha Moisiut: Edhe këtë punë që the, do t’(e) bënj, sepse gjete hirë përpara meje, edhe të njoh mb’emër.
18 Edhe tha: Të lutem, diftomë lavdinë tënde.
19 Edhe (ay) tha: Unë do të bënj të shkonjë përpara teje gjithë të mirëtë tim, edhe do të leçis emërin’ e Zotit përpara teje, edhe do të përdëllenj atë që përdëllenj, edhe do të ndëlenj atë që ndëlenj. 20 Edhe (ay) tha: Nukë munt të shohç faqenë time, sepse nukë do të më shohë njeri, e të rronjë. 21 Edhe Zoti tha: Na (tek është) vënt afërë meje, edhe do të rrish mbi gurt, 22 edhe kur të shkonjë lavdia ime, do të të vë ndë të çarët të gurit, edhe do të të mbulonj me dorënë time, gjersa të shkonj, 23 edhe do të ngre dorënë time, edhe do të shohç kurrizinë tim, po nukë do të shohç faqenë time.