Jerusalemi i ardhshëm
1 Ngazëllohu, o shterpë, që nuk linde,
shpërthe e bërtit nga gëzimi,
ti, që dhimbjet e lindjes nuk i pate.
Ja, bijtë e të braktisurës më të shumtë do të jenë
se bijtë e asaj që ka burrë, thotë Zoti.
2 Zgjeroje vendin e tendës sate,
shtriji pa kursim pëlhurat e banesës sate,
zgjati litarët e tendës sate,
hunjtë e saj përforcoji,
3 se do të përhapesh në të djathtë e në të majtë,
pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet,
qytetet e shkretuara do t'i popullojnë.
4 Mos ki frikë, se nuk do të turpërohesh,
mos u skuq, se nuk do të çnderohesh.
Turpin e rinisë do ta harrosh,
çnderimin e vejërisë më s'do ta kujtosh.
5 Krijuesi yt do të jetë bashkëshorti yt,
Zot i ushtrive është emri i tij.
Shpenguesi yt është i shenjti i Izraelit,
Perëndi i mbarë tokës quhet ai.
6 Se si një grua të lënë,
të lënduar në shpirt, të thirri Zoti.
«Gruaja e viteve të rinisë a hidhet poshtë?»,
thotë Perëndia yt.
7 «Për pak kohë të lashë,
por nga dhembshuria e madhe
po të marr sërish.
8 Kur më shpërtheu zemërimi,
e fsheha për një çast fytyrën prej teje,
por nga mirësia e amshuar
pata dhembshuri për ty»,
thotë Zoti, shpenguesi yt.
9 «Si në ditët e Noeut është tani për mua,
kur u betova se ujërat e Noeut
s'do të vërshonin më mbi tokë.
Po ashtu betohem se s'do të zemërohem më me ty
e më nuk do të të kërcënoj.
10 Malet mund të tunden vendit
e kodrat mund të tranden,
por mirësia ime për ty s'do të tundet
dhe besëlidhja e paqes sime s'do të trandet»,
thotë Zoti që ka dhembshuri për ty.
11 O e pikëlluar, e rrahur prej stuhive, e pangushëlluar!
Ja, me gurë të çmuar do të të ndërtoj,
themelet e tua mbi safirë do t'i vendos.
12 Muret e tua prej rubini do t'i bëj,
portat e tua me gurë berili,
gjithë rrethimin tënd me gurë të çmuar.
13 Të gjithë bijtë e tu do të mësojnë prej Zotit,
e madhe do të jetë paqja e bijve të tu!
14 Themelet do t'i kesh në drejtësi,
larg do të jesh nga shtypja.
Frikë nuk do të kesh
e as tmerri nuk do të të prekë.
15 Nëse duan të të sulmojnë,
kjo s'do të vijë prej meje.
Kush do të të sulmojë,
para teje do të bjerë.
16 Ja, unë e krijova farkëtarin,
që fryn mbi prushin e zjarrit,
që prodhon vegla për punën e tij,
por unë krijova edhe shkatërruesin,
që të shkatërrojë.
17 Asnjë armë e farkëtuar kundër teje
nuk do t'ia dalë mbanë.
Çdo gjuhë, që ngrihet në gjyq kundër teje,
do të ndëshkohet.
Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit,
e drejta e tyre vjen prej meje,
kumton Zoti.
1 Gëzohu, o shterpë që nukë piell; klith me gëzim, edhe gëzoju, ti që s’ke të dhëmbura barku, sepse më shumë janë djemt’ e së shkretësë, se djemt’ e asaj që ka burr, thotë Zoti.
2 Sgjëro vëndin’ e tendësë s’ate, edhe le të ndenjënë kurtinat’ e të ndenjuravet tua; mos u kurse, sgjat litarët’ e tu, edhe forco hunjt’ e tu.
3 Sepse do të shtrihesh mbë të diathtë e mbë të mëngjërë, edhe fara jote do të trashëgonjë kombatë, edhe do të bënjë qytetet’ e shkretë të rrinë njerës.
4 Mos ki frikë, sepse nukë do të turpëronesh, as mos ki turp, sepse nukë do të turpëronesh, sepse do të harrojsh turpërin’ e dialërisë s’ate, edhe nukë do të kujtojsh më turpërinë kur ishje e ve.
5 Sepse burri yt (është) Krietari yt, edhe emëri i ati (është) Zoti i ushtërivet, edhe Shpërblimtari yt (është) Shënjti i Israilit, ay do të kluhetë Perëndia i gjithë dheut.
6 Sepse Zoti të thirri posi grua të lënë e të shtrënguarë shpirtinë, edhe grua të lëshuarë që nga të ritë, thotë Perëndia yt.
7 Të lashë për pak kohë, po do të të përmbëleth me përdëllim të math.
8 Ndë zemëratë të vogëlë fsheha faqenë t’ime nga ti për pakëzë herë, po do të të përdëllenj me përdëllim të përjetëshim, thotë Zoti Shpërblimtari yt.
9 Sepse këjo (është) për mua posi ujërat’ e Noesë, sepse (sikundrë) bëra be, se ujërat’ e Noesë nukë do të vinjënë më mbi dhet, kështu bëra be, se nukë do të zemëronem (më) kundrë teje, as nukë do të të qërtonj.
10 Sepse maletë do të luanjënë vëndit, edhe kodratë do të tundenë vëndit, po përdëllimi im nukë do të shteretë prej teje, as dhiata e paqtimit t’im nukë do të tundetë vëndit, thotë Zoti, ay që të përdëllen.
11 O e shtrënguarë, e përzierë, e pangushulluarë, na unë tek do të shtronj gurët’ e tu prej marmarësh të kuq, edhe do të vë themelit’ e tua prej sapfirësh.
12 Edhe do të bënj parathirët’ e tu prej agatësh, edhe portat’ e tua prej gurë thëngjijsh, edhe gjith’ avllinë tënde prej gurësh të sgjedhurë.
13 Edhe gjithë t’ët-bij (do të jenë) të mësuarët’ e Zotit, edhe (do të jetë) shumë paqtim ndër t’ët-bij.
14 Do të forconesh me dreitëri, do të jesh lark nga shtrëngata, sepse nukë do të kesh frikë; edhe nga tristimi, sepse nukë do të t’afronetë.
15 Na me të vërtetë tek do të mbëlidhenë bashkë (kundrë teje) po jo me anë t’ime. Sa të mbëlidhenë bashkë kundrë teje, përmbi tyj, do të bienë.
16 Na unë tek bëra ramëtorinë, që u fryen thingjijvet ndë zjarrt, edhe nxierr hekurishtënë për punën’ e ti, edhe unë bëra prishësinë për të prishurë.
17 Asndonjë armë që u ndërtua kundrë teje nukë do të vejë mbarë; edhe ç’do gluhë, që të luanjë kundrë teje, do t’e munç ndë gjyqt. Ky është trashëgimi i shërbëtorëvet Zotit, edhe dreitëria e atyreve (është) prej meje, thotë Zoti.