Popull i zgjedhur
1 «Kur Zoti, Perëndia yt, të të sjellë në tokën që po hyn për ta pushtuar, do të dëbojë shumë kombe para teje; shtatë kombe më të mëdhenj e më të fortë se ti: hititët, girgashitët, amoritët, kananitët, perizitët, hivitët e jebusitët. 2 Zoti, Perëndia yt, do të t'i dorëzojë e ti do t'u biesh e do t'i shkatërrosh plotësisht. Mos lidh besëlidhje me ta e mos u trego i mëshirshëm. 3 Mos bëj krushqi me ta. Mos u jep vajzë, as mos u merr vajzë për djalin tënd, 4 se ato do t'i largojnë djemtë tuaj prej meje dhe këta do t'u shërbejnë perëndive të tjerë. Atëherë zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush e do t'ju shkatërrojë menjëherë. 5 Por ti, vepro kështu me ta: rrënoji altarët e tyre, shkatërroji përmendoret e tyre të shenjta, copëtoji shtyllat e Asherave të tyre e digji në zjarr shëmbëlltyrat e tyre. 6 Ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd. Ndër gjithë popujt e faqes së dheut, Zoti, Perëndia yt, të zgjodhi ty, që të jesh populli i tij i çmuar.
7 Zoti nuk ju ka për zemër e nuk ju zgjodhi, se jeni populli më i madh. Në të vërtetë ju jeni më të vegjlit. 8 Zoti ju do dhe e mbajti betimin për të cilin iu betua etërve tuaj, prandaj ju nxori me dorë të fuqishme, ju çliroi nga skllavëria, nga dora e faraonit, mbretit të Egjiptit. 9 Dije se Zoti, Perëndia yt, është Perëndi, Perëndi besnik që e mban besëlidhjen e tregon mirësi deri në një mijë brezni për atë që e do dhe që i mban urdhërimet e tij. 10 Por ata që e urrejnë i shpërblen me rrënim. Ai nuk vonon me ata që e urrejnë e nuk rri pa i shpërblyer! 11 Mbaji këto urdhërime, rregulla e vendime që sot po të urdhëroj t'i zbatosh.
Bekim për bindje
12 Nëse do t'i dëgjosh e zbatosh me kujdes këto vendime, Zoti, Perëndia yt, do ta mbajë besëlidhjen e do të tregohet dashamirës me ty, siç iu betua etërve të tu. 13 Ai do të të dojë, do të të bekojë e do të të shumojë. Ai do të ta bekojë frytin e barkut, frytin e tokës, drithin, verën, vajin, pjellën e qeve e të dhenve, në dheun për të cilin iu betua etërve të tu, për të ta dhënë ty. 14 Do të jesh populli më i bekuar. S'do të ketë meshkuj e femra shterpë ndër ju e as ndër bagëtitë tuaja. 15 Zoti do të heqë prej teje çdo sëmundje. Nuk do të të godasë me lëngatat e tmerrshme të Egjiptit që ti i njeh mirë. Ato do t'ua lëshojë armiqve të tu. 16 Përpiji të gjithë popujt që Zoti, Perëndia yt, po të jep e mos të të dhimbsen. Mos iu shërbe perëndive të tyre, se do të biesh në kurth.
17 Nëse thua me vete se këto kombe janë më të mëdha se unë e s'mund t'i pushtoj, 18 mos u frikëso, por kujto atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri faraonit e tërë Egjiptit, 19 sprovat e mëdha që ju panë sytë, shenjat e mrekullitë, dorën e fuqishme e krahun e fortë, përmes të cilave të nxori Zoti, Perëndia yt. Kështu do të veprojë Zoti, Perëndia yt, me tërë popujt që i ke frikë. 20 Për më tepër, Zoti, Perëndia yt, do të lëshojë një plagë mes tyre, që t'i shkatërrojë edhe ata që mbetën apo që u fshehën prej teje. 21 Mos u tmerro para tyre, se Zoti, Perëndia yt, është mes teje. Ai është një Perëndi i madh e i tmerrshëm. 22 Zoti, Perëndia yt, do të t'i fshijë këto kombe pak nga pak. Nuk do të mund t'i shkatërrosh menjëherë, sepse egërsirat do të shtohen kundër teje. 23 Zoti, Perëndia yt, do të t'i dorëzojë e do t'i shastisë e çorodisë derisa të zhbihen. 24 Ai do t'i dorëzojë mbretërit e tyre dhe ti do t'ua shuash emrat nën qiell. Askush nuk do të të bëjë ballë derisa t'i shkatërrosh. 25 Digji në zjarr shëmbëlltyrat e perëndive të tyre. Mos e lakmo e mos e merr argjendin e arin që është mbi to, përndryshe do të biesh në kurth, ngaqë ato janë të neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd. 26 Mos sill në shtëpi asgjë të neveritshme që të mos përfshihesh edhe ti në shkatërrimin e saj. Përbuze dhe urreje fort, se është ndarë veç për shkatërrim».
1 Kur të të bierë Zoti Perëndia yt nd’ atë dhe që vete për të trashëguar’ atë, edhe të dëbonjë shumë komba përpara teje, Hititëtë, e Gjirgashitëtë, e Amorejtë, e Hanaanitëtë, e Perizitëtë, e Hivitëtë, e Jebusitëtë, shtatë komba më të mëdhenj e më të fortë se ti, 2 edhe Zoti Perëndia yt kur t’i apë ndë dorë ata përpara teje, do t’i vraç ata, do t’i shuajsh ata fare; s’ke për të lidhë fialë me ata, as s’ke për t’u dëftyerë përdëllim atyre, 3 as s’ke për të bërë krushqi bashkë me ata; t’ët-bilë s’ja ke për të dhënë të birit atij, as të bilën’ e atij s’e ke për të marrë për t’ët-bir, 4 sepse do të kobonjënë t’ët-bij prej meje, edhe do të lutnjënë të tierë perëndira, edhe do dhizetë zëmërimi i Zotit kundrë jush, edhe sa-kaqë-herë do të të shuanjë. 5 Po kështu t’ua bëni atyre: të rrëzoni tempujt’ e atyre, edhe të thyeni idhullat’ e atyreve, edhe të pritni pyejet e atyreve, edhe të diqni ndë zjarr idhullat’ e atyre të gëdhënduratë, 6 sepse ti je gjëndëje e shënjtëruarë te Zoti Perëndia yt, Zoti Perëndia yt të sgjodhi që të jesh tek ay gjëndëje e sgjedhurë, se gjithë gjëndëjetë mbi faqet të dheut.
7 Zoti nuk’ u pëlqeu juve, as nuk’ u sgjodhi juve, sepse jeni më të shumë se gjithë kombatë, sepse ju jeni më të pakë se gjithë kombatë, 8 po sepse u deshi Zoti, edhe që të ruanjë benë që u përbetua atëret tuaj, Zoti u nxori juve me dorë të fortë, edhe u shpërbleu juve nga shtëpia e shërbesësë, nga dora e Faraonit, mbëretit Egjyftërisë.
9 Ta dish pra, se Zoti Perëndia yt, ay (është) Perëndi, Perëndia besëtari, që u ruan dhiatënë edhe përdëllimnë atyreve që e duanë edhe ruanjënë porosit’ e atij, për një milë breza, 10 edhe ua shpaguan ndër sy atyre që e mërzitnjënë, që t’i shuanjë ata, nukë do t’ja mënonjë ati që e mërzit atë, do t’ja shpaguanjë atij ndër sy.
11 Ruaj pra porositë, e urdhërimetë, e gjyqetë, që po të urdhëronj unë sot të bënjç ato. 12 Edhe ndë dëgjofshi këta gjyqe, e t’i ruani, e t’i bëni, Zoti Perëndia yt do të ruanjë për ty dhiatën’ edhe përdëllimnë që u përbetua atëret tu; 13 edhe do të të dojë, e do të të bekonjë, e do të të shumonjë, e do të bekonjë pemën’ e barkut tënt, edhe pemën’ e dheut tënt, grurëtë t’at, e verënë tënde, e valtë t’at, tufat’ e lopëvet tua, e tufat’ e dhenet tua, nd’ atë dhe që u përbetua atëret tu për të dhënë ty. 14 Do të jesh i bekuarë përmbi gjithë kombat, nukë do të jetë mashkull’ e femërë që s’piell te ti, a te bagëtit’ e tua. 15 Edhe Zoti do të heqë prej teje ç’do sëmundëje, edhe nukë do të lëshonjë mbi ty asndonjë nga sëmundëjet’ e këqia të Egjyftërisë që di ti, po do t’i lëshonjë ato mbi gjith’ ata që të mërzitnjënë ty.
16 Edhe do të shuajsh gjith’ ata komba që do të t’ap ndë dorë Zoti Perëndia yt; syri yt nukë do të dhëmbetë për ata, as s’ke për të luturë perëndirat’ e atyreve, sepse këjo (do të jetë) dhokan për ty.
17 Ndë thënç ndë zëmërët tënde: Këta komba janë më shumë se unë, qysh munt t’i dëbonj ata? 18 Mos u kesh frikë atyre, kujtonu mirë ç’i bëri Faraonit edhe gjith’ Egjyftërisë Zoti Perëndia yt: 19 ato të ngarat’ e mëdha që panë syt’ e tu, e shenjetë, e çuditë, e dorën’ e fortë, e krahun’ e ndejturë, me të cilatë të nxori Zoti Perëndia yt, kështu do t’ua bënjë Zoti Perëndia yt gjith’ atyre kombavet që u ke frikë atyre ti. 20 Po Zoti Perëndia yt do t’u lëshonjë atyre edhe grerëzatë, gjersa të shuhenë sa kanë mbeturë edhe janë fshehurë nga syt’ e tu.
21 Të mos trembesh nga syt’ e atyreve, sepse Zoti Perëndia, yt (është) ndë mest teje, Perëndi i math edhe i frikëshim. 22 Edhe Zoti Perëndia yt do të shkulë ata komba përpara teje dalë nga dalë; s’ munt t’i shkulç ata sa-kaqë-herash, që të mos shumonenë mbi ty egërsirat’ e fushësë. 23 Edhe Zoti Perëndia yt do t’i apë ndë dorë përpara sysh tu, edhe do t’i prishnjë ata me prishnje të madhe, gjersa të shuhenë. 24 Edhe do të t’apë ndë dorë mbëretërit’ e atyreve, edhe do të shuajsh emërin’ e atyreve përposhtë qiellit, asndonjë s’do të muntnjë të qëndronjë përpara teje, gjersa t’i shuajsh ata.
25 Të dieksh ndë zjarr të gëdhëndurat’ e perëndivet atyre; mos dëshërojsh argjëndinë a arinë që është mbi ato, as mos e març për vetëhenë tënde që të mos zihesh ndë dhokan, sepse Zoti Perëndia yt e ka të ndohëtë. 26 Edhe të mos biesh gjë të ndyrë ndë shtëpit tënde, që të mos bënesh kafsh’ e mallëkuarë posi ajo; ta mërzitç atë fare, edhe ta kesh të ndyrë atë fare, sepse është kafsh’ e mallëkuarë.