Krijimi i qiellit e i tokës
1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt e tokën. 2 Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; një terr mbulonte humnerën dhe shpirti i Perëndisë fluturonte mbi ujërat.
3 Atëherë Perëndia tha: «Le të bëhet drita!». Dhe drita u bë. 4 Perëndia pa se drita ishte e mirë dhe e ndau dritën nga errësira. 5 Perëndia e quajti dritën ditë, ndërsa errësirën e quajti natë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e parë.
6 Pastaj Perëndia tha: «Le të bëhet një kube mes ujërave e le t'i ndajë ujërat nga ujërat». 7 Perëndia e bëri kubenë dhe i ndau ujërat që ishin nën kube prej ujërave që ishin mbi kube. Dhe kështu u bë. 8 Perëndia e quajti kubenë qiell. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e dytë.
9 Pastaj Perëndia tha: «Le të mblidhen ujërat nën qiell në një vend e le të shfaqet tera». Dhe kështu u bë. 10 Perëndia e quajti terën tokë, ndërsa tërësinë e ujërave i quajti dete. Dhe Perëndia pa se ishte mirë.
11 Perëndia tha: «Le të prodhojë toka bimësi, bimë me farë, pemë frutore që japin fryte me farë, secila sipas llojit të vet, mbi tokë». Dhe kështu u bë. 12 Toka prodhoi bimësi, bimë me farë sipas llojit të vet e pemë frutore me farë sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. 13 U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e tretë.
14 Perëndia tha: «Le të bëhen ndriçues në kubenë e qiellit që të ndajnë ditën nga nata e të shërbejnë si shenjë për stinë, ditë e vite. 15 Le të shkëlqejnë në kubenë e qiellit e ta ndriçojnë tokën». Dhe kështu u bë. 16 Perëndia bëri dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin më të madh për të zotëruar ditën, ndërsa më të voglin për të zotëruar natën e yjet. 17 Perëndia i vendosi në kubenë e qiellit që të ndriçojnë tokën, 18 të zotërojnë ditën e natën e të ndajnë dritën nga errësira. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. 19 U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e katërt.
20 Pastaj Perëndia tha: «Le të gëlojnë ujërat me një mori qeniesh të gjalla e shpendët le të fluturojnë mbi tokë, në kubenë e qiellit». 21 Perëndia krijoi përbindëshat e mëdhenj të detit, çdo qenie të gjallë që lëviz e që mbush ujërat sipas llojit të vet dhe çdo shpend fluturues sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë. 22 Atëherë Perëndia i bekoi e tha: «Shtohuni e shumohuni. Mbushni ujërat e detit dhe shpendët le të shumohen mbi tokë». 23 U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e pestë.
24 Pastaj Perëndia tha: «Le të prodhojë toka qenie të gjalla të çdo lloji: bagëti, zvarranikë e kafshë të egra, secila sipas llojit të vet». Dhe kështu u bë. 25 Perëndia bëri kafshët e egra, bagëtitë e zvarranikët e tokës, secilën sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë.
26 Pastaj Perëndia tha: «Le të bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën dhe në përngjasimin tonë e le të sundojë mbi peshqit e detit, mbi shpendët e qiellit, mbi bagëtitë, mbi mbarë tokën e mbi gjithë zvarranikët që zvarriten mbi tokë».
27 Perëndia krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e vet,
në shëmbëlltyrën e Perëndisë e krijoi,
mashkull e femër i krijoi.
28 Pastaj Perëndia i bekoi e u tha: «Shtohuni e shumohuni. Mbusheni tokën e nënshtrojeni. Sundoni mbi peshqit e detit, mbi shpendët e qiellit e mbi çdo gjallesë që lëviz mbi tokë». 29 Pastaj Perëndia tha: «Ja, ju kam dhënë për ushqim çdo bimë, mbi faqen e tokës, që ka farë e çdo pemë që ka fryte me farë. 30 Dhe kafshëve të egra, shpendëve të qiellit e zvarranikëve të tokës, çdo qenieje të gjallë, u kam dhënë për ushqim gjithë bimësinë». Dhe kështu u bë. 31 Perëndia pa gjithçka që kishte bërë dhe, ja, ishte shumë mirë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e gjashtë.
1 Që përpara herësë Perëndia bëri qiellin’ edhe dhenë.
2 Edhe dheu ishte pa formë edhe i shkretë; edhe (ishte) errëcirë mbi faqet të pafundëjesë. Edhe Fryma e Perëndisë sillej mbi faqet të ujëravet.
3 Edhe Perëndia tha: U bëftë dritë; edhe u bë dritë. 4 Edhe Perëndia pa dritënë se (ishte) e mirë; edhe Perëndia ndau dritënë nga errëcira. 5 Edhe Perëndia kluajti dritënë Ditë; edhe errëcirën’ e kluajti Natë. Edhe u bë mbrëmëje, edhe u bë mëngjes, dit’ e parë.
6 Edhe Perëndia tha: U bëftë qëndresa ndërmest t’ujëravet, edhe le të ndanjë ujëratë nga ujëratë. 7 Edhe Perëndia bëri qëndresënë, edhe ndau ujëratë që ishinë përposh qëndresësë nga ujëratë që ishinë përsiprë qëndresësë; edhe u bë kështu; 8 edhe Perëndia kluajti qëndresënë Qiell. Edhe u bë mbrëmëje, edhe u bë mëngjes, dit’ e dytë.
9 Edhe Perëndia tha: Le të mbëlidhen’ ujëratë që janë përposh qiellit mbë një vënt, edhe le të duketë toka; edhe u bë kështu;
10 edhe Perëndia kluajti tokënë Dhe; edhe të mbëledhurit’ e ujëravet e kluajti Detëra; edhe Perëndia pa se (ishte) mirë. 11 Edhe Perëndia tha: Le të mbinjë dheu bar të ngjomë, bar që bën farë, (edhe) dru peme që bën pemë pas farësë ti, të cilit fara (të jetë) nd’atë mbi dhet; edhe u bë kështu; 12 edhe dheu mbiu bar të ngjomë, bar që bën farë pas farësë ti, edhe dru që bën pemë, të cilit fara (të jetë) nd’atë pas farësë ti; edhe Perëndia pa se (ishte) mirë. 13 Edhe u bë mbrëmëje, edhe u bë mëngjes, dit’ e tretë.
14 Edhe Perëndia tha: Le të bënenë dritarë ndë qëndresët të qiellit, që të ndanjënë ditënë nga nata; edhe le të jenë për shenjë, e (për) kohëra, e (për) dit, e (për) vite; 15 edhe le të jenë për dritarë ndë qëndresët të qiellit, që të ndritnjënë mbi dhet; edhe u bë kështu; 16 edhe Perëndia bëri të dy dritarët’ e mëdhenj, dritarin’ e math që të zotëronjë mbi ditët, edhe dritarin’ e vogëlë që të zotëronjë mbi natët; edhe yjetë. 17 Edhe Perëndia i vuri ata ndë qëndresët të qiellit, që të ndritnjënë mbi dhet, 18 edhe të zotëronjënë mbi ditët, edhe mbi natët, edhe të ndanjënë dritënë nga errëcira; edhe Perëndia pa se (ishte) mirë. 19 Edhe u bë mbrëmëje, edhe u bë mëngjes, dit’ e katrëtë.
20 Edhe Perëndia tha: Le të piellën’ ujëratë mjaft gjë të gjalla që lëvisnjënë, edhe shpes që fluturonjënë siprë dheut ndë qëndresët të qiellit;
21 edhe Perëndia bëri pishqet’ e mëdhenj, edhe çdo gjë të gjallë që lëvis, të cilatë puallnë ujëratë mjaft, pas farës’ atyre, edhe çdo shpes fluturak pas farës’ ati. Edhe Perëndia pa se (ishte) mirë.
22 Edhe Perëndia i bekoi ato, e tha: U shtofshi e u shumofshi, e mbushçi ujëratë ndë detërat, edhe shpestë le të shumonenë mbi dhet. 23 Edhe u bë mbrëmëje, edhe u bë mëngjes, dit’ e pesëtë.
24 Edhe Perëndia tha: Le të piellë dheu shtëzë të gjalla pas farës’ atyre, bagëti, e shtërpinj, e shtëzë të dheut pas farës’ atyre; edhe u bë kështu; 25 edhe Perëndia bëri shtëzët’ e dheut pas farës’ atyre, edhe bagëtitë pas farës atyre, edhe çdo shtërpi të dheut pas farës’ ati; edhe Perëndia pa se (ishte) mirë.
26 Edhe Perëndia tha: Le të bëjmë njerinë pas të përgjajturit tënë, edhe pas të shëmbëllyerit tënë; edhe le të zotëronjë mbi pishqet të detit, e mbi shpest të qiellit, edhe mbi bagëtit, edhe mbi gjithë dhenë, e mbi çdo shtërpi që hiqetë barkazi mbi dhet.
27 Edhe Perëndia bëri njerinë pas të përgjajturit ti; pas të përgjajturit Perëndisë e bëri atë, mashkull e femërë i bëri ata;
28 edhe Perëndia i bekoi ata; edhe Perëndia u tha atyre: Shtohi e shumohi, e mbushni dhenë, edhe urdhëroni atë, edhe zotëroni mbi pishqet të detit, e mbi shpest të qiellit, e mbi çdo gjë të gjallë që lëvis mbi dhet.
29 Edhe Perëndia tha: Na tek u dhashë juve çdo bar që bën farë, i cili (është) mbi faqet të gjithë dheut, edhe çdo dru që (ka) ndë vetëhet të ti pemë druri që bën farë; (këto) do të jenë ndër ju për ushqim; 30 edhe gjithë shtëzet dheut, edhe gjithë shpeset qiellit, edhe çdo (shtërpiri) që hiqetë barkazi mbi dhet, (edhe çdo gjëje) që ka frymë të gjallë ndë vetëhet të saj, (i dhashë) çdo bar të ngjomë për ushqim; edhe u bë kështu. 31 Edhe Perëndia pa gjithë sa bëri; edhe na (tek ishinë) fort të mira; edhe u bë mbrëmëje, edhe u bë mëngjes, dit’ e gjashtë.