Ujë nga shkëmbi
1 Tërë bashkësia e Izraelit u çua nga shkretëtira e Sinit dhe udhëtoi nga një vend në tjetrin, sipas urdhrit të Zotit. Pastaj fushoi në Refidim, por populli nuk kishte ujë për të pirë. 2 Atëherë populli u grind me Moisiun e i tha: «Na jep ujë të pimë!». Moisiu u tha: «Përse grindeni me mua? Përse e tundoni Zotin?». 3 Popullin e kishte zënë etja, prandaj murmuriti kundër Moisiut e tha: «Përse na nxore nga Egjipti? Për të na mbytur nga etja ne, fëmijët dhe bagëtitë tona?». 4 Moisiu i thirri Zotit: «Çfarë të bëj me këtë popull? Edhe pak e do të më vrasin me gurë». 5 Zoti iu përgjigj: «Dil para popullit, merr me vete disa nga pleqtë e Izraelit, merr edhe shkopin me të cilin godite lumin Nil e shko. 6 Ja, unë po qëndroj para teje te shkëmbi i Horebit. Godite shkëmbin që të dalë ujë e populli të pijë». Moisiu veproi kështu para pleqve të Izraelit. 7 Vendi u quajt Masa dhe Meriba, se aty izraelitët u grindën dhe e tunduan Zotin, kur thanë: «A është a s'është Zoti mes nesh?».
Luftë kundër Amalekut
8 Atëherë erdhi Amaleku për të luftuar kundër Izraelit në Refidim. 9 Moisiu i tha Jozuehut: «Na zgjidh disa burra dhe dil e lufto kundër Amalekut. Nesër unë do të qëndroj majë kodrës me shkopin e Perëndisë në dorë». 10 Jozuehu bëri siç i tha Moisiu e doli për luftë kundër Amalekut. Ndërkohë Moisiu, Aroni e Huri u ngjitën në majë të kodrës. 11 Sa herë që Moisiu ngrinte duart, fitonte Izraeli. Sa herë që i ulte, fitonte Amaleku. 12 Por Moisiut iu lodhën duart. Atëherë ata morën një gur dhe ia vunë që Moisiu të ulej mbi të. Ndërkaq Aroni dhe Huri ia mbanin duart lart, njëri nga njëra anë e tjetri nga ana tjetër. Kështu, duart e Moisiut qëndruan lart deri në perëndim të diellit. 13 Me shpatë në dorë, Jozuehu e mundi Amalekun dhe popullin e tij. 14 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Shkruaje këtë në libër që të kujtohet dhe përmendja Jozuehut, se do ta shuaj plotësisht emrin e Amalekut nën qiell». 15 Moisiu ndërtoi një altar dhe e quajti Zoti është flamuri im, 16 sepse tha: «Meqë u ngritën duart drejt fronit Zotit, ai do të luftojë kundër Amalekut brez pas brezi».
1 Edhe gjithë mbëledhëja e të bijet Israilit u ngrenë nga shkretëtira e Sinit, edhe bënë udhë pas urdhërimit Zotit, edhe ngulnë ushtërinë ndë Refidim, atie ku nukë (kishte) ujë për të pirë gjëndëja. 2 Edhe gjëndëja fliste keq për Moisinë, e thoshte: Epna ujë të pimë. Edhe Moisiu u tha atyre: Përse flitni keq për mua? Përse ngitni Zotinë? 3 Edhe gjëndëjen’ e mori etëja për ujë atie, edhe gjëndëja murmuronte kundrë Moisiut, e thoshte: Ç’është këjo? Na ngrite nga Egjyptëria, që të na vraç neve, edhe djemtë tanë, edhe bagëtitë tona me etëje? 4 Edhe Moisiu i thërriti Zotit, e tha: Ç’ t’i bënj kësaj gjëndëje? Për pakëzë do të më vrasënë me gurë. 5 Edhe Zoti i tha Moisiut: Shko përpara gjëndëjesë, edhe merr me vetëhe nga pleqt’ e Israilit; merr ndë dorët tënde edhe stapnë që i re lumit, edhe shko, 6 na unë tek do të rri atie përpara teje mbi gurt ndë Horiv, edhe do t’i biesh gurit, edhe do të dalë ujë nga ay, që të pijë gjëndëja. Edhe Moisiu bëri kështu përpara pleqvet Israilit.
7 Edhe (ay) ja vuri emërinë vëndit Massah edhe Meribah, nga të sharët’ e të bijet Israilit, edhe sepse nganë Zotinë, e thanë: Është Zoti ndër ne, apo jo?
8 Atëhere erdhi Amaliku, edhe lëftoi me Israilinë ndë Refidim. 9 Edhe Moisiu i tha Joshuait: Sgjith burra prei nesh, edhe del, e lëfto me Amalikunë; nesër’ unë do të rri ndë majë të malit, tuke mbajturë ndë dorët time stapin’ e Perëndisë. 10 Edhe Joshuai bëri sikundrë i tha Moisiu, edhe lëftoi me Amalikunë, edhe Moisiu, (e) Aaroni, e Huri hipnë ndë majët të malit. 11 Edhe Moisiu kur ngrinte dorën’ e ti, munte Israili, edhe kur unjte dorën’ e ti, munte Amaliku. 12 Edhe Moisiut iu lothnë duartë, andaj muarrë gur, edhe e vunë përposh ati, edhe ndenji mbi atë; edhe Aaroni e Huri, një nga njëra anë, e një nga tietëra i mbaninë duartë, edhe duart’ e ati qëndroninë pshteturë gjer mbë të perënduarët të diellit. 13 Edhe Joshuai prishi Amalikunë, edhe gjëndëjen’ e ati, e i shkoi ndëpër kordhë.
14 Edhe Zoti i tha Moisiut: Shkruaje këtë ndë vivlit për të mbajturë mënt, edhe shtieri ndë veshët të Joshuait, se do të shuaj fare të përmëndurit’ e Amalikut nga dheu ndënë qiell.
15 Edhe Moisiu ndërtoi (atie) një therore, edhe ja vuri emërinë Jehovah-nissi [Zoti shenja ime], 16 edhe tha: Sepse u ngre dorë mbi fron të Zotit, (edhe) lufta e Zotit mbi Amalikunë bres pas brezi.