Kundër dokeve idhujtare
1 «Jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj, prandaj kur vajtoni të vdekurin mos e çirrni veten e as mos i rruani flokët sipër ballit. 2 Ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd. Ndër të gjithë popujt e faqes së dheut, Zoti të zgjodhi ty, që të jesh populli i tij i çmuar.
Ushqimet e pastra dhe të papastra
3 Mos hani asgjë të papastër. 4 Mund të hani këto kafshë: kaun, delen, dhinë, 5 drerin, gazelën, kaprollin, dhinë e egër, cjapin e maleve, antilopën e dhinë e maleve. 6 Mund të hani çdo kafshë dythundrake që ripërtypet. 7 Megjithatë, ndër ato që ripërtypen, ose që janë dythundrake, mos hani devenë, lepurin e baldosën, sepse edhe pse ripërtypen, nuk janë dythundrake. Ato do të jenë të papastra për ju. 8 Edhe derri do të jetë i papastër për ju, sepse edhe pse është dythundrak, nuk ripërtypet. Mos ia hani mishin e mos ia prekni kufomën.
9 Nga të gjitha kafshët e detit mund të hani çdo gjë që ka pendë e luspa. 10 Mos hani asgjë gjë që nuk ka pendë e luspa. Ato do të jenë të papastra për ju.
11 Mund të hani çdo shpend të pastër. 12 Prej tyre mos hani shqiponjën, hutën, fajkoin, 13 qiftin, çdo lloj skifteri, 14 çdo lloj korbi, 15 strucin, kukuvajkën, pulëbardhën, çdo lloj fajkoi, 16 hutën, bufin, zhytrën, 17 pelikanin, kërmëngrënësin, karabullakun, 18 lejlekun, çdo lloj çafke, pupëzën dhe lakuriqin e natës. 19 Çdo insekt fluturues do të jetë i papastër për ju. Mos i hani. 20 Mund të hani çdo fluturak të pastër.
21 Mos e hani mishin e kafshëve të ngordhura. Mund t'ia jepni për ta ngrënë të ardhurit, që banon në qytetet tuaja, ose mund t'ia shisni të huajit. Ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd. Mos e ziej kecin me qumështin e së ëmës.
Të dhjetat
22 Kushto të dhjetën e gjithë prodhimeve vjetore nga arat e mbjella. 23 Haje të dhjetën e drithit, të verës së re, të vajit dhe të parëlindurin e dhenve e të qeve në prani të Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai do të zgjedhë për të vënë emrin e tij, që të mësosh ta druash përherë Zotin, Perëndinë tënd. 24 Nëse nuk i çon dot të dhjetat, sepse rruga për te vendi, që Zoti do të zgjedhë për të vënë emrin e tij, është tepër larg dhe sepse Zoti, Perëndia yt, të ka bekuar shumë, 25 atëherë këmbeji ato në para. Shko me para në dorë në vendin që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt, 26 e aty blej çfarë të duash, dhen, qe, verë, pije të forta e çdo gjë që ta ka ënda. Pastaj ha e festo bashkë me familjen tënde në prani të Zotit, Perëndisë tënd. 27 Mos e harroni levitin që banon në qytetet tuaja, sepse ai nuk ka as pjesë e as trashëgimi mes jush.
28 Në fund të çdo viti të tretë sille të dhjetën e tërë prodhimeve të atij viti në hyrje të qytetit. 29 Atëherë të vijë leviti, që nuk ka as pjesë e as trashëgimi mes jush, i ardhuri, jetimi dhe e veja, që banojnë në qytet, e të hanë e të ngopen. Kështu, Zoti, Perëndia yt, do të bekojë çdo vepër të duarve të tua».
1 Ju jeni të bijt’ e Zotit Perëndisë tuaj: të mos bëni të prera (mbë kurmt tuaj), as të mos bëni kryetë pa lesh ndë mest të syvet tuaj, për ndonjë të vdekurë. 2 Sepse je gjëndëj’ e shënjtëruarë te Zoti Perëndia yt, edhe të ka sgjedhurë Zoti për gjëndeje të sgjedhurë përmbi gjithë gjëndëjet që janë mbi dhet.
3 Të mos hash asndonjë gjë të ndyrë.
4 Këto janë bagëtitë që keni për të ngrënë: kau, deleja, e dhia, 5 drëri, e kaprualli, e bualli, e dhia e egrë, e pygargu, e kau i egrë, e kamillopardhalla. 6 Edhe ç’do katrë-këmbeje që e ka këmbënë të ndarë, edhe thundrënë ndarë dyshë, (edhe) përtypetë ndë mest të katrë-këmbëjevet, të tilla keni për të ngrënë. 7 Po s’keni për të ngrënë këto që përtypenë për së dyti, a sa kanë thundrënë ndarë dyshë: kamillenë, e lepurinë, e lepurin’ e butë, sepse përtypenë për së dyti, po s’kanë thundrënë të ndarë, këto janë të pëgëra te ju; 8 edhe derrinë, sepse ka thundrënë të ndarë dyshë, po nukë përtypetë për së dyti, ësht’ i pëgërë te ju; të mos hani nga mishi i atyre, as të mos i piqni me gisht mishit cofurë t’atyre.
9 Të hani nga gjith’ ato që gjëndenë ndër ujërat: të hani gjithë sa kanë krahë petëza, 10 po të mos hani gjithë sa nukë kanë krahë e petëza: janë të pëgëra te ju.
11 Të hani ç’do shpes të qëruara. 12 Po këto jan’ ato që s’ kini për të ngrënë: shqipeja, e shqipeja me kurris, e shqipej’ e zezë, 13 e shqipeja gjype, e falkoj, e gjypsi pas dorësë tij, 14 e ç’do korp pas dorësë tij, 15 e struthokamilla, 16 e kukumaçeja, e ivi, e sqifteri pas dorësë tij, e huta, 17 e kukumaçej’ e madhe, e qykni, e pelekani, e çafka, e pata ujëze, 18 e lejleku, e erodhiosi pas dorësë tij, e gjeli i egrë, e lakureqësi. 19 Edhe gjithë shtërpinjtë që flutëronjënë janë të pëgërë te ju: të mos hahenë. 20 Të hani ç’do shpes të qëruarë.
21 Të mos hani ndonjë gjë të cofurë, (t’ja apç atë të huajit që është përbrënda dyeret tua, që t’e hajë, a t’ja sheç ndonjë kombi të huajë), sepse je gjëndëje e shënjtëruarë te Zoti Perëndia yt. Mos pieksh keth ndë klumësht të s’ëmësë.
22 Të apsh fare të dhietën’ e gjithë drithit farësë s’ ate, që të bën ara për vit. 23 Edhe të hash përpara Zotit Perëndisë tënt, nd’ atë vënt që të sgjethnjë për të vënë emërin’ e tij atie, të dhietën’ e grurit tënt, e të verësë s’ate, e të valit tënt, edhe kërthinjat’ e para të lopëvet tua, e të dhënet tua, që të xësh t’i kesh frikë Zotit Perëndisë tënt. 24 Edhe ndë ësht’ udha shumë lark prej teje, kaqë sa të mos munç të biesh ato, (a) ndë është lark vëndi prej teje, që ka sgjedhurë Zoti Perëndia yt për të vënë emërin’ e tij atie, kur të bekoi Zoti Perëndia yt, 25 atëherë t’i bënjç argjënt (ato), e të lithç argjëndinë mbi dorënë tënde, e të veç nd’ atë vënt që ka sgjedhurë Zoti Perëndia yt, 26 edhe t’apsh argjëndinë për ç’do kafshë që dëshëron shpirti yt, për qe, a për dhën, a për verë, a për të pira të forta, a për ç’do kafshë që t’i ketë ënda shpirtit tënt; edhe të hash atie përpara Zotit Perëndisë tënt, edhe të gëzonesh, ti, edhe shtëpia jote, 27 edhe Leviti që është përbrënda dyeret tua; të mos heqsh dorë nga ay, sepse s’ka piesë as trashëgim bashkë me ty.
28 Ndë funt të tretit vit, të biesh gjithë të dhietën’ e drithit tënt t’atij viti, edhe ta vësh përbrënda dyeret tua; 29 edhe Leviti, (sepse s’ka piesë as trashëgim bashkë me ty), e i huaji, e i varfëri, e e veja, që (janë) përbrënda dyeret tua, të vinjënë, e të hanë, e të nginjenë, që të të bekonjë Zoti Perëndia yt ndër gjithë punët’ e dorësë s’ate që punon.