Mëkatet e Izraelit
1 Kështu thotë Zoti:
ku është fletëndarja e nënës tënde,
me të cilën unë e paskam dëbuar?
Kush është huadhënësi,
tek i cili ju paskam shitur?
Ja, u shitët prej paudhësive tuaja,
prej shkeljeve tuaja u dëbua nëna juaj.
2 Përse kur erdha nuk ishte askush,
kur thirra, nuk u përgjigj kurrkush?
Pse, qenka shkurtuar dora ime,
që të mos ju shpengoj?
Pse, më paskan lënë fuqitë,
që të mos ju çliroj?
Ja, me një kërcënim e thaj detin,
të shkretë i bëj lumenjtë,
qelbet peshku i tyre për mungesë uji,
ngordhin ata nga etja.
3 Unë i vesh qiejt në të zi,
grathoren për mbulesë u vë.
Bindja e shërbëtorit të Zotit
4 Zoti Perëndi më dha gjuhë nxënësi,
që me fjalë t'i jap forcë të lodhurit.
Çdo mëngjes herët ma bën gati veshin,
që të dëgjoj, siç dëgjon nxënësi.
5 Zoti Perëndi m'i ka hapur veshët
e unë s'ngrita krye e as nuk u tërhoqa.
6 Shpinën ua ktheva atyre që më godisnin,
faqet atyre që më shkulnin mjekrën,
fytyrën unë nuk e fsheha
prej sharjeve e të pështyrave.
7 Zoti Perëndi, ai më ndihmon,
prandaj dhe s'mbeta i poshtëruar,
fytyrën e bëra të fortë si stralli,
sepse e di se s'do të turpërohem.
8 Pranë meje është ai që më jep të drejtë,
kush mund të bëjë gjyq me mua?
Le të dalim bashkë para gjykatësit,
kush do të jetë kundërshtari im?
Le të vijë pranë meje!
9 Ja, Zoti Perëndi, ai më ndihmon,
kush është ai që do të më dënojë?
Të gjithë do të vjetrohen si rroba,
tenja ka për t'i brejtur.
10 Kush prej jush e druan Zotin,
le ta dëgjojë zërin e shërbëtorit të tij.
Kush ecën në errësirë e nuk ka dritë,
le të shpresojë tek emri i Zotit
e të mbështetet te Perëndia i tij.
11 E të gjithë ju që ndizni zjarr
e që ngjisheni me shigjeta zjarri,
shkoni në flakët e zjarrit tuaj
mes shigjetave që keni ndezur.
Këtë gjë do t'jua bëjë dora ime,
me dhimbje në shtrat do të lëngoni.
1 Kështu thotë Zoti: Ku është karta e të ndarit mëmësë s’uaj, me të cilënë ndava atë? A cili (është) nga huadhënësit’ e mi, që u shita juve tek ay? Na tek u shittë për panomitë tuaja, edhe u sbua mëma juaj, sepse dualltë nga nomi.
2 Përse, kur erdha, nuk’ ishte asndonjë? (Edhe) kur thërrita, s’kishte kush të përgjegjej? A u vogëlua fare dora ime, që të mos muntnjë të shpëtonjë (njeri)? A s’kam fuqi të shpëtonj (njeri)? Na unë tek thava detinë me të qërtuarëtë t’im, bëra lumratë vënt të thatë, pishqet e atyreve u thanë nga të shterët’ e ujit, edhe ngorthnë nga etëja.
3 Un’ u vesh qiejevet errësirë, edhe u vë thes për mbulesën’ e atyreve.
4 Zoti Perëndia më dha gluhën’ e të dituret, që të di se qysh të flas fialë me kohë tek ay që është rënduarë; (ay) ngre mëngjes për mëngjes, ngre veshinë t’im, që të dëgjonj posi të dituritë.
5 Zoti Perëndia më hapi veshinë, edhe unë nuk’ u bëshë i pabindurë, as nuk’ u këthyeshë prapa.
6 U dhashë krahëtë atyreve që frushkulloninë, edhe nofullat’ e mia atyreve që ndukinë; nukë fsheha faqenë t’ime nga të sharat’ e nga të pshtyturatë.
7 Sepse Zoti Perëndia do të më ndihnjë, përandaj nukë pata turp, përandaj vura faqenë t’ime posi gur të ashpërë, edhe e di se nukë do të turpëronem.
8 Ay që më nxier të dreitë (ësht’) afërë; kush do të gjykonetë me mua? Le të qëndrojmë të dy: cili (është) kundra-gjyqësi im? Le të m’afronetë.
9 Na Zoti Perëndia tek do të më ndihnjë: kush do të më dënonjë? Na këta të gjithë tek do të vietëronenë posi rrobë, krymbi do t’i hajë ata.
10 Kush është ndër ju ay që i ka frikë Zotit, që i dëgjon zërit shërbëtorit ati, që ka ecurë nd’ errësirët, edhe nukë ka dritë? Le të shpërenjë mb’ emërit të Zotit, edhe le të mpshtetetë mbë perëndin’ e ti.
11 Na ju të gjithë që dhisni zjarr, (edhe) qarkohi me xixa, ecëni ndë dritët zjarrit tuaj, edhe ndëpër shkëndilët që dhestë. Këjo u bë ndër ju nga dora ime, me hidhërim do të dirgji.